Fule viziton të martën Kosovën

Komisioneri i Bashkimit Evropian për Zgjerim, Stefan Fule do të vijë të martën në Kosovë, ka bërë të ditur Zyra e BE-së .

Fule vjen kësaj radhe për të njoftuar fillimin procesit të hartimit të Studimit të Fizibilitetit, rezultatet pozitive të së cilit i prijnë Marrëveshjes për Stabilizim Asociim.
Stefan Fule e konsideron veten si një mik që kësaj here nuk vjen duarthatë në Kosovë. Ai vjen në emër të Komisionit Evropian për të lansuar studimin e fizibilitetit, duke u kërkuar autoriteteve kosovare që t’i përmbushin detyrimet me rezultate konkrete.
Në një editorial që ka publikuar në një të përditshme kosovare, Fule u ka dërguar paraprakisht mesazhin tij autoriteteve vendore se studimi i fizibilitet do të jenë një pasqyrë për Kosovën.
Kjo pasqyrë sipas tij do të ekzaminojë nëse të gjitha kriteret për Marrëveshjen për Stabilizim –Asocim janë përmbushur dhe nëse të gjithë do të jenë të kënaqur me imazhin që do të shfaqet.
Duke e konsideruar veten dhe Komisionin Evropian si partner që shoqërojnë Kosovën në rrugën evropiane që kanë zgjedhur kosovarët, Fule ka thënë se nuk do që të kthehet pa garanci të plota për përpjekje serioze për reforma.
Komisioneri për Zgjerim i BE-së garancitë për përmbushjen e detyrimeve të procesit para stabilizim asocimit, do t’ia kërkojë të martën presidentes dhe kryeministrit të vendit si dhe segmenteve tjera të kyçura në procesin e integrimit.