Specifikimi i paketës së masave prej 11.5 miliardë euro është qëllimi i vizitës së sotme të ekipit të Treshes në Athinë. Kjo paketë masash i përket dy vjeçarit 2013-2014, me objektiv reduktimin e deficitit dhe krijimin e tepricave primare.
Shkurtimet do të vijnë kryesisht nga shpenzimet publike dhe jo nga imponimi i taksave të reja. Fushat në të cilat do të ri-kërkohen paratë, janë programet sociale dhe administrata publike, me përgatitjen e raporteve të veçanta nga ministritë përkatëse që tashmë kanë filluar.
Theksi do të vihet në luftën kundër evazionit fiskal dhe Trojka ka përcaktuar në Memorandum se pret deri në vitin 2014 mbi 3.5 miliardë euro, një objektiv që nëse nuk do të arrihet, do të impononte marrjen e masave shtesë.
Sot rifillon debati për projektligjin e ri tatimor, tashmë pa pjesëmarrjen e partisë Demokracia e Re. Në tryezën e diskutimit gjendet heqja e plotë e mostatimit, krijimi i shkallës së re të taksave me 4 nivele, tatimi i pavarur me 20 për qind në të ardhurat nga qiratë dhe në përqindjet e interesit për depozitat, unifikimi i tatimit mbi pronën, heqja e shumë lirimeve tatimore dhe formësimi i vendosjes së një koeficienti të Taksës mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) me eliminimin e njëkohshëm të tatimit të favorshëm për ishujt.