Holandezi, i cili postoi një video në internet ku shihej duke fluturuar si një shpend me krahë, ka pranuar se e gjitha ishte një mashtrim.
Njeriu me emrin ‘Jarno Smeets’, i cili ishte paraqitur si inxhinier dhe hulumtues, ditë më parë deklaroi se duke shfrytëzuar kontrolluesit për videolojëra, një telefon android dhe krahët që i ka ndërtuar vetë, kishte arritur që të fluturojë sikur shpend në një park në Hagë.
Mirëpo, dyshimet ishin ngjallur kur në qarqet e inxhinierisë dhe ato shkencore askush nuk kishte dëgjuar për ndonjë ‘Jarno Smeets’.
Tani ai ka pranuar se është një regjisor dhe animator dhe se emri i tij është Floris Kaayk, ndërsa videon e rrejshme që ka arritur gjashtë milionë shikime në YouTube, e ka quajtur si “një tregim në internet”.
“Unë quhem Floris Kaayk. Në fakt, unë jam një regjisor dhe një animator. Tash e tetë muaj jam duke punuar një eksperiment rreth medieve online”, ka thënë ai.