Iluzionisti digjet gjatë spektaklit (Video)

Iluzionisti amerikan, Wayne Houchin, ka parë me të vërtetë tmerr me sy, teksa merrte pjesë në një spektakël televiziv në Santo Domingo. Një nga mysafirët i ka spërkatur ballin me parfum dhe koka e tij papritur ka marrë flakë, duke shkaktuar panik. Për fat të mirë, me ndërhyrjen e të pranishmëve flakët janë shuar. Aktualisht Houchin është mirë dhe ka lënë spitalin, por ai ka marrë një sërë plagësh në fytyrën e tij. Iluzionisti ka bërë të ditur se u ka kërkuar avokatëve të tij që të padisin personin përgjegjës.




 

‘Pastrohet’ me para (Foto)

Një fotografi e mbrojtësit të West Bromwich Albion, Liam Ridgewell, në të cilën ai shfaqet duke ‘u fshirë’ me kartëmonedha 20 funtëshe, është bërë mjaft e popullarizuar në internet. Ai është fotografuar në tualetin e shtëpisë së tij në Birmingham me pantallona të lëshuara dhe duke fshirë të pasmet me para, ndërkohë që edhe në dysheme ka qenë një grumbull me para.
28-vjeçari përfiton 20.000 funte në javë që është mesatarja e fitimit vjetor të banorëve në West Midlands, ndërsa ky veprim i ka nevrikosur shumë tifozët e West Brom, të cilët e kanë quajtur arrogant dhe idiot. Futbollisti ka thënë se gjithçka ka qenë shaka për të ngacmuar një shok të tijin, i cili kishte humbur një bast.

Verratti nuk largohet nga PSG

Agjenti i Marco Verrattit ka mohuar spekulimet se mesfushori i Paris Saint-Germainit do të largohet nga kryeqyteti francez. Mediat kanë raportuar se futbollisti italian do të kalojë te Juventusi, nëse Carlo Ancelotti shkarkohet nga posti i trajnerit, por përfaqësuesi i 20-vjeçarit, Donato Di Campli, mohon këto spekulime. “Nuk ka asgjë të vërtetë në tregimet se Marco do të kthehet në Itali. Ai është shumë i lumtur te PSG”, ka thënë agjenti për Il Sussidiario.

Chelsea siguron shërbimet e Wallace

Chelsea ka arritur marrëveshje me Fluminesen për transferimin e mbrojtësit Wallace në afatin kalimtar të janarit. Mbrojtësi 18-vjeçar do të nënshkruajë për Blutë në janar, por do t’i bashkohet skuadrës në verën e ardhshme. Wallace konsiderohet si një talent me perspektivë, ndërsa është krahasuar me mbrojtësin e Real Madridit, Marcelo.

Benitez: Nuk kam presion nga Abramovich

Trajneri i Chelseat, Rafa Benitez, ka deklaruar se nuk ka kurrfarë presioni nga pronari Roman Abramovich pas fillimit të dobët në punën e re. Spanjolli nuk ka shënuar asnjë fitore pas tri ndeshjesh, duke regjistruar dy barazime dhe një humbje, ndërsa mediat kanë filluar spekulimet se Abramovich mendon për trajner tjetër. Benitez ka thënë se po kalon shumë kohë me punëdhënësin e tij dhe se të dy e kanë të qartë se skuadra po bën gabime, porse janë në kërkim të zgjidhjeve.

Moratti: Nuk kemi oferta për Sneijder

Presidenti i Interit, Massimo Moratti, ka thënë se Wesley Sneijder mund të largohet nga klubi këtë dimër, por ka konfirmuar se Nerzzurrët ende nuk kanë marrë oferta për holandezin. “Ai ka të drejtë të thotë jo ndaj propozimit tonë. Ka shumë pak hapësirë për një kundër-propozim. Me komentet e tij të fundit duket se ai është shumë më larg Interit se sa kam menduar. Ai ose do ta pranojë propozimin tonë ose do të largohet nga klubi”. “Ne nuk kemi marrë ofertë për të, ende. Ne tashmë do të ishim dy hapa më tej nëse ne do të kishim pranuar ndonjë ofertë. Nuk mendoj se situata nuk mund të zgjidhet. Gjërat mund të ndryshojnë shumë shpejt në futboll”, ka thënë Moratti për La Gazzetta dello Sport.

Dogana e Kosovës marrëveshje doganor me Poloninë

Në drejtorin e doganës është nënshkruar Marrëveshja bilaterale për bashkëpunim mes Doganës së Kosovës dhe asaj të Polonisë. Marrëveshja është nënshkruar nga Drejtori i Zbatimit të Ligjit Bahri Berisha dhe Drejtori i Përgjithshëm i Doganës polake Jacek Kapica. Me këtë marrëveshje të dy palët do të kenë bazë juridike për bashkëpunim në çështjet doganore. Gjithashtu pjesë e rëndësishme e këtij bashkëpunimi është edhe luftimi i kontrabandës me theks të veçantë tek mallrat akcizore. Berisha në emër të Doganës së Kosovës kërkoj përkrahje për anëtarësimin e Doganës sonë në mekanizmin më të lartë botërorë të Doganave (Organizata botërore e Doganës- WCO), kurse nga ana tjetër Kapica theksojë se Dogana Kosovare do të ketë përkrahjen maksimale të Doganës Polake gjatë mbledhjes së ardhshme të OBD-së. Gjithashtu gjatë takimit u diskutuan edhe çështje të tjera me interes dypalësh ku kryesisht dominoj fusha e trajnimeve për të cilën Drejtori i Doganës polake ofroj ndimën dhe përvojën e administratës të tij. Kjo është Marrëveshja e 10 që Dogana e Kosovës nënshkruan me Administratat doganore te vendeve tjera.

Portugezët të interesuar për investime në Kosovë

Zëvendësministri i Zhvillimit Ekonomik, Gani Koci ka pritur në takim njohës Ambasadorin e Portugalisë në Budapest, Jorezident për Kosovë, Antonio J. Mendes të cilin e ka njoftuar me zhvillimet e fundit në vend, veçanërisht në fushën e ekonomisë që mbulohet nga MZHE. Zëvendësministri Koci e ka njoftuar ambasadorin portugez me kornizën ligjore për investime që ofron Republika e Kosovës, projektet që janë në zhvillim e sipër dhe sektorët potencial për investime. Koci tha se vendi ofron një mjedis të favorshëm për investime, ndërsa shtoi se energjia, minierat, bujqësia, turizmi dhe teknologjia informative vlerësohet të jenë sektorët strategjik për zhvillimin e vendit. Me këtë rast, zëvendësministri Koci ka mirëpritur interesimin e investitorëve portugez për investime në Kosovë, gjë që u potencua nga ambasadori Mendes, duke theksuar se ideja e promovimit të resurseve kosovare në Portugali është më se e qëlluar dhe në interes të intensifikimit të bashkëpunimit mes dy vendeve. Nga ana e tij, diplomati portugez, Antonio J. Mendes u interesua për projektet që janë në zhvillim e sipër në të cilat biznesi portugez mund të involvohet. Ai tha se Lisbona mbështet Kosovën në kuadër të Bashkimit Evropian dhe shprehu interesimin për avancimin e këtij bashkëpunimi edhe në fushën e ekonomisë.

AKP shtynë shitjen e tokës bujqësore me vreshta

Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) ka njoftuar te martën se ka shtyrë shitjen e njësinë nr. 11: Tokë Bujqësore – Vreshtë. Sipas AKP-së, ky aset ishte tenderuar për t’u shitur përmes shitjes së aseteve nr. 18, që do të mbahet të mërkurën. Afati i fundit për para-kualifikim për të marrë pjesë në tenderin e shitjes së aseteve në likuidim nr. 18 ishte data 27 nëntor. Dita për dorëzimin e ofertave për asetet në vijim është 5 dhjetor 2012, nga ora 10:00 deri në orën 12:00, kurse hapja e ofertave do të bëhet po të njëjtën ditë duke filluar nga ora 12:30.

KEK-u shet rrymë në Shqipëri

Pavarësisht rënies së temperaturave Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), pas mesnate shet një pjesë të tepricës së energjisë elektrike në Shqipëri. Sipas zyrtarëve të KEK-ut, kjo po bëhet pasi që prodhimi i energjisë gjatë natës është më i madh se sa kërkesa për konsum. Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), nuk është duke aplikuar reduktime të energjisë elektrike për asnjërën prej kategorive. Mosaplikimi i reduktimeve sipas zyrtarëve të Korporatës po bëhet për shkak të prodhimit stabil të energjisë elektrike. Zëdhënësi i KEK-ut, Viktor Buzhala, tha për Telegrafin se gjendja me furnizim me rrymë është stabile. “Nuk ka reduktime për asnjë kategori. Gjate ditëve të kaluara kanë qenë disa prishje lokale si pasojë e erërave të forta, sidomos në rajonin e Dukagjinit, por reduktime nuk ka patur as ditëve të kaluara. Pra, furnizimi është pa ndërprerje”, tha ai. Buzhala tregon se KEK ka katër blloqe në prodhim, bllokun A4 dhe A5 të TC “Kosova A” si dhe blloqet B1 dhe B2 të TC "Kosova B" që prodhojnë rreth 800 megavatë orë energji elektrike. Kurse sipas tij, pjesa tjetër mbulohet nga importi, por që është minimal. Zëdhënësi, Viktor Buzhala thotë se KEK-u eksporton energjinë pasmesnate, për shkak të rënies së madhe të konsumit. “Shitja e pasmesnatës bëhet për arsye të plasimit të tepricave pasi energjia elektrike është mall që nuk mund të akumulohet dhe duhet plasuar në momentin e prodhimit”, tha Buzhala.

Android 5.0 quhet Key Lime Pie?

Kohëve të fundit është thënë se lansimi i versionit të ri të sistemit operativ Android do të quhet Key Lime Pie, dhe ky version pritet të jetë edhe gjenerata e pestë e Android, ose Android 5.0. Emrin për këtë version të ri të Android e ka konfirmuar një punëtor i kompanisë Google, por pa dhënë shumë detaje për karakteristikat e mundshme të cilat mund t’i ketë. Manu Cornet, njeriu i cili punon në Google ka postuar një grafikë e cila, sipas të gjitha gjasave synon të paraqes “evoluimin e Android”, me të gjitha versionet e deritanishme, në të cilin përfshihet edhe Key Lime Pie. Përveç këtyre njoftimeve, nuk ka ndonjë informatë tjetër se kur pritet lansimi i versionit të ri të Android, mirëpo besohet se një gjë e tillë do të ndodhë gjatë vitit të ardhshëm.

Spitali Amerikan realizon ndërhyrjen e rrallë në aortë

Realizohet për herë të parë me sukses në Shqipëri ndërhyrja në aortë me kirurgji të mbyllur. Spitali Amerikan në Tiranë ka kryer me sukses një operacion tepër delikat në aortë. Për herë të parë aneurizma e aortës një sëmundje shumë e hasur në pacientët e grupmoshave të ndryshme, mund të kurohet tashmë në këtë spital. Mjekët e departamentit të kardiokirurgjisë të Spitalit Amerikan, të kryesuar nga mjeku turk kardiokirurg Prof. Dr. Neyyir Tuncay Eren kanë finalizuar me sukses këtë lloj ndërhyrjeje tek pacienti 39-vjeçar Artan Çupi. Sipas mjekut kardiokirurg pranë Spitalit Amerikan Dr. Sabjan Memishaj, bëhet fjalë për një ndërhyrje shumë të veçantë që ka disa avantazhe, një prej të cilave edhe mënjanimi i hapjes së kraharorit për të realizuar ndërhyrjen: “ Riparimi i aortës zbritëse është një risi për mjekësinë në Shqipëri.” Aorta është arteria më e madhe në trup, me origjinë nga barkushja e majtë e zemrës dhe që shtrihet poshtë në bark, ku përfundon në dy arterie të vogla për këmbët. Ajo shpërndan gjakun e oksigjenuar në gjitha pjesët e trupit me anë të sistemit të qarkullimit të gjakut. Ashtu si muret e arterieve të tjera, aorta përbëhet nga tre shtresa. Si çdo arterie tjetër e rëndësishme, aorta ka disa sëmundje të rëndësishme. Zgjerimet lokale të aortës janë quajtur si "aneurizma të aortës". 70 % nga aneurizmat shihen në pjesën e barkut të aortës. Diseksioni i aortës është një tjetër problem i frikshëm i aortës. Në diseksion shkolitja ndodh për disa arsye në murin e brendshëm të aortës dhe gjaku hyn nga kjo çarje (vrimë) me një shpejtësi të lartë. Ajo krijon një rruge false për t’u futur në mes të shtresës së brendshme dhe të mesme të aortës. Pacienti zakonisht ndjen një dhimbje shumë të madhe ne momentin e shkolitjes . Ata zakonisht përshkruajnë këtë dhimbje "sikur dikush po i gjuan në gjoks me thikë”. Diseksioni i aortës është një sëmundje me risk dhe mund të çojë në vdekje, madje edhe me trajtimin optimal. Diseksioni mund të çoj deri në çarjen e aortës dhe në humbjen e pacientit. Diseksioni i aortës ka një normë të vdekshmërisë 80%, dhe 50% të pacientëve që vdesin para se të mbërrijnë në spital. Nëse diseksioni ndodh në pjesën më të afërt të aortës, duhet të planifikohet menjëherë një operacion emergjent. Për çarjet që ndodhin në pjesë të tjera të aortës, hapi i duhur mjekësor është marrja e vendimit për llojin e ndërhyrjes, e cila jepet në shumicën e pacientëve me raste jo të komplikuara. “ Në pacientin tonë, diagnoza ishte diseksion i aortës tipi B. Fillimisht, duke parë se gjendja e pacientit ishte e qetë dhe e qëndrueshme ne vendosëm ta ndjekim pacientin me trajtim mjekësor. Por 15 ditë më vonë, zbuluam një zgjerim të aortës e cila mund të shkaktojë çarjen e saj. Për këtë arsye vendosëm të futim një graft artificial në aortë për të eliminuar këtë zgjerim. Kjo metodë e cila ka evituar operacionet me rrezik të lartë është përhapur shumë vitet e fundit dhe në Shqipëri u realizua për herë të parë vetëm në Spitalin Amerikan”; shprehet Prof. Dr. Neyyir Tuncay Eren, kardiokirurg në Spitalin Amerikan. Operacionet e aortës janë të komplikuara dhe duke qenë procedura me rrezik të lartë kërkojnë një teknologji të përparuar dhe stafi të specializuar. Në vazhdimësi, Spitali Amerikan ka kryer me sukses operacione për të gjitha llojet e patologjive të aortës. “ Krahasuar me kirurgjinë e hapur vendosja e graftit endovaskular (Evar dhe TEVAR),Tevar janë ndërhyrjet të cilat kanë më pak rrezik dhe aplikohen më lehtë tek pacientët e sëmurë. Ndonjëherë ne kemi kryer edhe procedura të kombinuara të ashtuquajtura Operacione Hibride, në raste të veçanta” u shpreh Prof . Dr. Neyyir Tuncay Eren.

Zanfina i del në krah Rita Orës

Zanfina Ismajli është acaruar nga veprimet e Rob Kardashian, i cili dje sulmoi rëndë me disa postime në Twitter këngëtaren kosovare Rita Ora. Fansat në tërë botën, u shokuan dje me disa postime nga Rob Kardashian, të cilat ishin mjaft ofenduese dhe të cilat mendohet që i ishin drejtuar Rita Orës. “Ajo më tradhtoi mua me rreth 20 djem përderisa ishim në lidhje, pyes veten se me sa do të flejë ajo tani më që jemi ndarë? Por unë pyes veten, 20?!!!” ishte vetëm njëra ndër shumë postime që ai bëri, dhe më pas i fshiu të gjitha. Dhe, mes shumë të prekurve nga këto pstime ishte edhe këngëtarja Zanfina Ismajli, e cila ka shfyttëzyar faqen e saj për të shkruar: “Kurgjo skena bo na në “Taken” qa kena me t’bo ty oj qyqe”. Edhe në faqen “Facebook” ajo ka bërë thirrje që të gjithë të postojnë fjalinë “DontMessWithAlbaniansRob”, për t’i dalë në përkrahje bashkëkombases Rita Ora.

Arta me një trofe më shumë

Arta Dobroshi është shpërblyer me çmimin“Barbara Tipple Best Actress” në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit dhe Televizionit për Femra. Këtë çmim ajo e fitoi me rolin e saj të mrekullueshëm në filmin “Three Worlds” (“Tre botët”), i cili pati sukses të madh në skenën kinematografike. Çmimi “Barbara Tipple Best Actress” jepet për artistet femra që të promovohen dhe të zbulohen sa më shumë në skenën humanitare dhe sociale, e mënyra më e mirë për këtë është njohja përmes filmave. Ceremonia zyrtare e ndarjes së çmimeve është mbajtur në Los Angeles, në kinemanë e Quentin Tarantinos, “New Beverly Cinema”.

Tyson kishte kapur gruan në shtrat me Brad Pitt

Mike Tyson ka zbuluar se një herë ai e kishte gjetur gruan e tij në shtrat me Brad Pitt. Ish-kampioni i botës në peshat e rënda thotë se ai ishte tërbuar krejtësisht kur e kishte parë Brad (aso kohe aktor i panjohur) dhe ish-gruan e tij, modelen Robin Givens ,duke bërë seks në shtratin e saj në fund të viteve 80-ta, pasi martesa e tyre ishte afër fundit. “Isha krejtësisht i tërbuar! Unë u futa... ju duhet ta kishin parë fytyrën e tij kur ai më pa mua”. “Unë isha në proces të divorcit, por çdo ditë shkoja në shtëpinë e saj për të bërë seks me të. Këtë ditë, dikush më mposhti. Mendoj se Brad kishte arritur atje më herët se unë”, ka kujtuar Tyson.

Lavezzi: Duam ta shmangim Barcën

Ezequiel Lavezzi shpreson Paris Saint-Germain të përfundojë në pozitën e parë të grupit të Ligës së Kampionëve, me qëllim që të shmangë ekipet e fuqishme si Barcelona, edhe pse ka frikë edhe nga skuadrat italiane, të cilat janë të dytat nëpër grupe. “Ne duam ta shmangim Barcelonën në rundin e 16-tëshes. Po ashtu, skuadrat italiane gjithmonë janë rivalë të vështirë. Milani duket më pak i fuqishëm se më parë, por ata kanë shumë kualitet dhe përvojë në Evorpë, sikur Juventusi”. “Për PSG, është vendimtare të mbijetojmë në rundin e 16-tëshes. Liga e Kampionëve është një garë shumë e paparashikueshme pas rundit të 16-shes”. “Vitin e kaluar, Chelsea u duk sikur do të eliminohet pas disfatës së parë kundër Napolit. Megjithatë ata fituam dhe vazhduan më tej dhe e fituan garën”, ka thënë Lavezzi për Extratime. PSG sonte do të ndeshet me Porton, dhe një fitore e mundshme do t’ia jepte skuadrës francez kreun e grupit A.

Stevens kërkon të përfundojë mbi Arsenalin

Huub Stevens thotë se Schalke do të synojë tre pikë në ndeshjen e sotme të Ligës së Kampionëve kundër Montpellier, me qëllim që të përfundojë para Arsenalit në grupin B. Skuadra nga Bundeliga udhëheq grupin me 11 pikë nga pesë ndeshje, dhe një fitore ndaj skuadrës nga Ligue 1 do të konfirmonte kreun. “Prioriteti im është ta mbaj kreun e këtij grupi. Në fazën e ardhshme eliminatore nuk ka skuadra të dobëta, por duke përfunduar të parët ne mund të shmangim disa prej më të mëdhenjve”. “Ne jemi këtu për ta fituar ndeshjen dhe grupin. Gjërat do të ishin ca më ndryshe nëse ne duhej të kualifikoheshim, andaj mendoj se ne do të jemi ca më të relaksuar, por sërish të fokusuar”, ka thënë Stevens.

Neymar: Messi duhet ta fitojë Topin e Artë

Ylli i Santos, Neymar, ka mbështetur Lionel Messi ta fitojë çmimin Topin e Artë të këtij edicioni. Sulmuesi i Barcelonës ka shënuar 86 gola për klubin dhe vendin e tij gjatë këtij viti, një numër që pritet të ritet deri në fund të muajit. Dhe 20-vjeçari brazilian mendon se argjentinasi e meriton çmimin më të famshëm të vitit, për shkak të paraqitjeve të tij mahnitëse. “Fituesi do të jetë Messi pasi ai ka kaluar një sezon të jashtëzakonshëm. Ronaldo ka pasur një sezon të shkëlqyeshëm po ashtu, andaj do të jetë në garë e ngushtë dhe ngazëlluese, por Messi duhet të jetë fitues”, ka thënë Neymar për Globoesporte.

Agger: Jemi plot vetëbesim

Mbrojtësi i Liverpoolit, Daniel Agger, beson se skuadra e tij po fiton vetëbesim nën drejtimin e menaxherit të ri, Brendan Rodgers. Agger shënoi golin e fitores 1-0 ndaj Southampton vikendin e kaluar, një rezultat që i rendit Redsat katër pikë prapa vendit të gjashtë, Evertonit, pavarësisht fillimit të tmerrshëm të sezonit. “Vetëbesimi është një gjë e rëndësishme dhe mendoj se ne e kemi. Ne jemi të mprehtë në top, duam të shkojmë në sulm dhe ne nuk është se vetëm sillemi rrotull dhe mendoj se ky është dallimi”. “Mendoj se ne po krijojmë më shumë shanse se sa sezonin e kaluar. Nuk e di si janë statistikat, por ndjenja në fushë është se ne krijojmë shanse më të mëdha”. “Disa ndeshjet e fundit ne kemi luajtur shumë mirë. Mendoj se ndeshja ndaj Tottenham (të mërkurën) ishte një prej ndeshjeve tona më të mira që kam luajtur për në kohë të gjatë – ne i mposhtëm ata në fushë”. “Është vështirë të krahasohen dy sezonet, por është ndjenjë më e mirë tash”, ka thënë danezi.

Agnelli: Ndaj Shakhtarit, të pagabueshëm

Andrea Agnelli kërkon një paraqitje të pamëshirshme dhe të vendosur nga Juventusi për ndeshjen e nesërme të Ligës së Kampionëve ndaj Shakhtar Donetsk. Barazimi do të ishte i mjaftueshëm t’i dërgojë kampionët e Serie A në fazën e ardhshme të garës evropiane, duke ua siguruar vendin e dytë, por presidenti i klubit ka paralajmëruar Bianconerët se ende asgjë nuk ka përfunduar. “Ndeshja e të mërkurës është jashtëzakonisht e rëndësishme. Ne do të duhet të përballemi në të me vendosmëri, zemërim dhe pamëshirë”. “Mund të ndodhin dy rezultate krejtësisht të kundërta, që nga kryesimi i grupit, deri te eliminimi i plotë. Andaj ne do të duhet të jemi krejtësisht të fokusuar, pasi duam ta mbajmë ëndrrën evropiane të gjallë”, ka thënë Agnelli.

Zubizarreta: Barca në duar të sigurta

Andoni Zubizarreta është i bindur se Tito Vilanova është njeriu i duhur për ta udhëhequr Barcelonën drejt trofeve këtë sezon. 44-vjeçari zëvendësoi Pep Guardiolan në pozitën e trajnerit të Barcelonës në fund të sezonit të kaluar, dhe ka ndihmuar katalanasit të shijojnë fillimin më të mirë në La Liga, me 13 fitore nga 14 ndeshje. “Ne jemi në duar të mira. Kur unë e shoh atë duke punuar në hapësirën e tij, mendoj se ne jemi në duar të mira. Tito ka të njëjtën filozofi, ai është trashëgimtar i Pep”. “Ia vlejti të vazhdojmë me këtë ide të papërfunduar të futbollit, për të shfrytëzuar disa lojtarë fitues, dhe për të qëndruar besnik ndaj stilit që ka e ka bërë klubin tonë një shembull aq të mrekullueshëm”. “Unë nuk e vlerësoj atë në bazë të rezultateve. Fuqia e Tito për mua është mënyra se si ai është zhvilluar dhe mënyra se si ai i merr vendimet në situata të vështira”, ka thënë Zubizarreta.

Bizneset kundër mbylljes së depove doganore

Vendimi i Doganës së Kosovës për mbylljen e depove doganore, i cili është kundërshtuar nga komuniteti i bizneseve, sipas zëdhënësit të Doganës Adriatik Stavileci, është marrë për shkak se shumica e këtyre depove nuk kanë treguar arsyeshmëri ekonomike, por më shumë janë përdorur për shtyrjen e afatit të taksave nga ana e bizneseve. “Në momentin që Dogana e ka vlerësuar se këto depo nuk janë duke u shfrytëzuar për asgjë më shumë se shtyrja e pagesës së taksës doganore, atëherë Dogana ka vendosur që një pjesë, disa prej këtyre depove të cilat nuk është vërejtur arsyeshmëri ekonomike, të mbyllen. Pra që këto kompani të paguajnë taksat në kufi dhe jo të bëjnë shtyrjen e pagesës së taksave përmes procedurave të depove doganore”, thotë zëdhënësi Stavileci. Sipas tij, ato biznese të cilat kanë arritur që mallin e vendosur në këto depo ta eksportojnë në vendet jashtë Kosovës, mund t`u lejohet mbajtja e këtyre depove, por jo edhe atyre që destinacion e kanë vetëm tregun e brendshëm. “Ky mall një pjesë shkon për treg të Kosovës, kurse një pjesë tjetër e eksportoj, në atë moment depoja ka arsyeshmëri ekonomike. Në momentin që depoja shfrytëzohet vetëm për me importuar mallin me fut në depo edhe me shit prapë në treg të brendshëm, atëherë ajo është e panevojshme”, thotë Stavileci. Ndërsa Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu ka kritikuar vendimin e Doganave që u është përcjellë shumë bizneseve për mbylljen e depove doganore, duke theksuar se kjo vetëm sa do të vështirësojë edhe më tej punën e tyre. “Këto depo e kanë qëllim që të jenë në funksion të zhvillimit dhe forcimit të prodhimit. Mirëpo, nuk mund të jemi më evropian se vet evropianët, dhe vërtet aty ku ka mundësi që sektori privat të mbështetet, të gjejë mbështetje”, tha Gërxhaliu.

Prorektori në BQK

Hetimet për konflikt interesi nuk i kanë penguar drejtuesit e Bankës Qendrore të Kosovës, që Sejdi Rexhepin nga pozita e anëtarit të thjeshtë ta emërojnë kryetar bordi. Rexhepi po hetohet nga Agjencia Kundër Korrupsion për mbajtjen e dy posteve – atë të prorektorit në Universitetin e Prishtinës dhe si anëtar i thjeshtë i bordit. Në pozitën si prorektor për buxhet dhe financa, Rexhepi është emëruar pas ardhjes së rektorit Ibrahim Gashi. Në të njëjtën kohë ai e ushtronte edhe funksionin si anëtar i bordit të BQK-së. Por, pavarësisht hetimeve, në mbledhjen e fundit, bordi aktual i BQK-së ka vendosur që nga anëtar i thjeshtë Rexhepin ta emërojë kryetar të bordit. “Bordi i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës në mbledhjen e gjashtëdhjetenjë, të mbajtur më 29 nëntor 2012, mori vendimet si në vijim: emëroi Sejdi Rexhepin për kryetar të Bordit të Bankës Qendrore”, thuhet në vendimin e fundit të Bordit të BQK-së. Në Agjencinë antikorrupsion thonë se janë në dijeni lidhur me këtë rast dhe se po punojnë për të parë se a ka konflikt interesi, shkruan Express. Kreu i kësaj agjencie, Hasan Preteni, thotë se gjithçka do të sqarohet pas përfundimit të procedurave. “Në ketë rast Agjencia tashmë është duke punuar. Ju rikujtoj se për ta trajtuar një rast duhet të realizohen procedurat e nevojshme të përcaktuara me ligj. Ligji përcakton se procedura është e mbyllur për publikun dhe i njëjti informohet vetëm me vendimin final të Agjencisë”, theksoi Preteni. Ndërkaq, sipas zyrtarëve të Bankës Qendrore, përzgjedhja e Rexhepit si kryesuese bordi është bërë pasi ka skaduar mandati i kryetarit paraprak. Këtë detyrë e ushtronte profesori i ekonomisë Gazmend Luboteni. “Sipas Ligjit për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës, mbledhjet e Bordit të Bankës Qendrore kryesohen nga kryetari, i cili zgjidhet prej Bordit të Bankës Qendrore nga radhët e anëtarëve joekzekutivë të tij”, ka thënë Besnik Kada, zyrtar për marrëdhënie me medie në BQK. Nga viti 2002 deri me 2007, kryetari i sapoemëruar i Bordit Sejdi Rexhepi ka qenë këshilltar në Kuvendin Komunal në Prishtinë nga radhët e PDK-së.

Facebook Photo Sync në dispozicion për të gjithë

Facebook ishte duke e testuar funksionin e sinkronizimit të fotografive për tre muaj rresht. Tipari i ri i rrjetit social i cili quhet Facebook Photo Sync tani është në dispozicion tek të gjithë përdoruesit. Ky funksion u mundëson të gjithë përdoruesve të ngarkojnë fotografitë e tyre nga telefonat e mençur mobil në mënyrë automatike, dhe të njëjtat pas ngarkimit ruhen në faqen e Facebook, në një folder privat. Kjo do të thotë se përdoruesit nuk do të turpërohen nga postimi i panevojshëm i fotografive qesharake në publik. Opsioni i ngarkimit të fotografive në Facebook mund të bëhet përmes butonit në anën e majtë të faqes, i cili është tani edhe në telefon apo tablet. Pas hapjes së këtij butoni, përdoruesit do tu qasen fotografive të tyre të ngarkuara, pas aktivizimit të sinkronizimit të fotografive. Me këtë funksion të ri në faqe, Facebook synon që të shumëfishojë numrin e fotografive të ngarkuara nga përdoruesit e saj, për tu konfirmuar edhe një herë më shumë si lider online edhe sa i përket përmbajtjes me fotografi.

Rovena të rikthehet në mënyrë “bombastike”?

Rovena Stefa ka pohuar se këtë fund-viti ajo do të kthehet në skenë me shumë projekte të reja dhe me ndryshime në pamjen e saj. Në një intervistë për “Zëri”, Rovena ndër të tjera ka folur edhe për këngën e saj të re që do ta lansojë shumë shpejt. “Është një këngë me tematikë dashurie, për të cilën nuk mund të flas më shumë. Kënga është një kompozim i imi dhe do të lansohet bashkë me videoklip të përgatitur në Kosovë. Uroj që adhuruesit e mi ta mirëpresin edhe këtë projekt timin”, ka thënë ajo. Përveç këngës, këngëtarja nga Shqipëria është zotuar të “bombardojë” edhe me pamjen e saj. “Do të jem pjesëmarrëse në shumë emisione televizive, me një look dhe stil të veçantë. Kam përshtypjen se do të bëj një paraqitje bombastike”, ka shtuar Rovena.

Festivali i RTSH-së nis më 20 dhjetor

Festivali i Këngës i Radiotelevizionit Shqiptar do të fillojë në datën 20 dhjetor, për të vazhduar më 21 dhe do të përfundojë më 22 dhjetor. Festivali muzikor i përvitshëm, i cili organizohet në Shqipëri për tashmë një gjysmë shekulli, dërgon këngëtarët shqiptarë në Eurosong për të përfaqësuar shtetin shqiptar. Si 51 vitet e kaluara, edhe këtë vit, në festival do të marrin pjesë 26 këngëtarë, përzgjedhja e të cilëve është bërë nga juria profesionale e RTSH. Festivali do të zgjasë tri net dhe në natën finale do të përzgjidhet fituesi, i cili do të përfaqësojë Shqipërinë dhe Kosovën. Fituesja e vitit të kaluar e Festivalit të RTSH-së ishte Rona Nishliu me këngën “Suus” e cila në festivalin evropian, Eurosong, u rendit e pesta.

Lohan vërtet është “jashtë kontrollit”

Lindsay Lohan është përshkruar si “e dalë nga kontrolli” nga miqtë e saj të afërt. Aktorja 26-vjeçare u arrestua javën e kaluar për supozimet se kishte sulmuar Tiffany Mitchell në klubin e natës Avenue në New York dhe miqtë e afërt të saj janë të shqetësuar se Lindsay është në prag të një krize të re. “Lindsay është jashtë kontrolli. Miqtë e saj nuk dinë çfarë të bëjnë. Ajo nuk do të ndryshojë kurrë”. “Ajo do t’i mashtrojë njerëzit të mendojnë se ka ndryshuar, por në një moment të natës ajo përnjëherë kërcet dhe gjithmonë është i njëjti tregim”, ka thënë burimi.

Për Leonorën, nuk ka rëndësi pamja fizike

Këngëtarja joshëse, Leonora Jakupi, në një intervistë për gazetën ‘Mapo’ ka përshkruar me disa fjalë mashkullin që do të pëlqente ta kishte pranë. “Nuk e di! Ndonjëherë edhe kam menduar për këtë gjë, ndonjëherë edhe jo. Besoj një njeri që më mirëkupton mua dhe profesionin tim, që di të bëjë një lloj balance mes jetës artistike dhe jetës sime, mes adhurueseve dhe miqve”. “Të jetë një karakter i fortë, burrëror sigurisht, sepse unë i jap gjithmonë 51% meshkujve. Dhe natyrisht një njeri intelektual. Nuk ka rëndësi fare pamja fizike”, ka thënë këngëtarja duke shtuar se ende nuk e ka një mashkull në krah.

Kunis fiton çmimin ‘Fotografia më seksi’ (Foto)

Mila Kunis ka fituar edhe një tjetër çmim – për ‘Fotografinë më seksi të vitit 2012’, të cilin e ndan The Sun. Aktorja me origjinë ukrainase e ka fituar çmimin falë fotografisë në ballinën e revistës Esquire, e cila në muajin tetor e shpalli Kunisin si femrën më seksi në botë.
Nga 38.670 votues, 29-vjeçarja fitoi 20 për qind të tyre. Vendi i dytë, me 18 për qind të votave, i takoi Jodie Marsh, ndërsa në garë ishin edhe emra, si Kim Kardashian e Pamela Anderson.

NBA: Lopez sjell fitoren për Hornets

Robin Lopez ka shënuar 11 pikë të njëpasnjëshme në çerekun e tretë për të ndihmuar New Orleans Hornets të shënojnë fitoren aq shumë të nevojshme 102-81 ndaj mysafirëve të Milwaukee Bucks. Lopez shënoi 21 pikë në ndeshjen e mbrëmshme dhe seria e tij e pikëve ndihmoi ekipin të kthehet nga deficiti prej dy pikësh në avantazh 71-60. Kjo ishte vetëm fitorja e dytë në 11 ndeshjet e fundit për New Orleans (5 fitore, 11 disfata gjithë sezonin). Ryan Anderson shënoi 22 pikë për Hornets, dhe ishte një nga gjashtë lojtarët e ekipit që shënuan pikë dyshifrore. Te Bucks lider ishte Brandon Jennings me 25 pikë.

Ozil reagon ndaj kritikave

Mesfushori i Real Madridit, Mesut Ozil, i cili ishte në listën e shënuesve në fitoren ndaj Atletico Madrid në derbin madrilen të së shtunës, u është kundërpërgjigjur kritikëve të tij. Ozil thotë se njerëzit kërkojnë nga ai që secilën herë të bëjë paraqitje të jashtëzakonshme dhe e kritikojnë çdo paraqitje normale të tij. “Të bësh një paraqitje normale më nuk është e mjaftueshme. Kjo ju çon juve drejt kritikave. Ju duhet të mësoheni me këtë te një klub si Real Madridi”. “Unë gjithmonë i dëgjoj kritikat konstruktive. Megjithatë, njerëzit harrojmë për ndeshjet e mira të mira. Shumëçka varet edhe nga paraqitja e skuadrës. Ne jo gjithmonë kemi treguar se çfarë jemi në gjendje të bëjmë. Ne kemi bërë shumë gabime”, ka thënë Ozil.

Beckham e sheh Kakan si zëvendësim të tij

Ylli në largim i Los Angeles Galaxy, David Beckham, mendon se ylli i Real Madridit, Kaka, do të ishte një zëvendësim ideal i tij te skuadra amerikane. Kaka është lidhur me një kalim në kampionatin amerikan, MLS, ku vëllai i tij Digao është duke luajtur te New York Red Bulls. “Mendoj se shumica e klubeve do ta dëshironin Kaka të vijë në ekipin e tyre. Është e qartë se unë kam kaluar shumë kohë me të kur isha te Milani dhe është e qartë se ai është një talent i madh”. “Mund të jetë e pa respekt të flas për ardhjen e tij këtu kur ai ende ka kontratë. Ai është një person i shkëlqyeshëm. Sigurisht nëse ka një shans të lehtë për ta sjellë atë te Galaxy, jam i sigurt se pronarët do të bënin gjithçka të mundshme”, ka thënë Beckham.

United përgatitet ta transferojë Sneijderin

Manchester United raportohet se është i gatshëm ta transferojë mesfushorin e Interit, Wesley Sneijder. The Sun shkruan se United është i alarmuar që Sneijder do të jetë sërish në dispozion për t’u blerë, pas përplasjeve me Interin rreth kontratës së re. Menaxheri Sir Alex Ferguson gjithmonë ka qenë i gatshëm të paguajë shuma të larta për ta transferuar 28-vjeçarin, të cilin tash do të ketë mundësinë ta bëjë për një shumë të përgjysmuar.

Mialni të shesë Paton për ta sjellë Balotellin?

Milani raportohet se planifikon të shesë lojtarë në janar për të krijuar fonde për sulmuesin e Manchester Cityt, Mario Balotelli. Presidenti i Milanit, Silvio Berlusconi, është duke caktuar negociata për Balotellin, por ka porositur zëvendësin e tij, Adriano Galliani, të krijojë dhomë në buxhetin e tij duke shitur lojtarë. Sipas Tuttosport, Mathieu Flamini, Bakaye Traore dhe madje edhe Alexandre Pato janë duke u konsideruar për shitje.

Anzhi pas Kolo Toure

Anzhi Makhachkala është duke bërë hapa konkrete për transferimin e mbrojtësit të Manchester Cityt, Kolo Toure. Mediat britanike shkruajnë se klubi i pasur rus është duke kërkuar të transferojë yje të cilët luajnë në Evropë, dhe e kanë shënjestruar Touren si një përforcim të mundshëm. Por, menaxheri i Cityt, Roberto Mancini, nuk duket se e ka në plan ta shesë mbrojtësin. Madje ai nuk mendon përtej muajit janar, kur Kolo, së bashku me vëllain e tij më të ri, Yaya Toure, dhe bashkëkombasin tjetër Abdyl Razak, do të udhëtojnë në Kupën e Kombeve të Afrikës.

Demba Ba caku kryesor i Arsenalit

Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, e ka shndërruar Demba Ba në cakun kryesor të Arsenalit. The Sun raporton se Wenger e di se mund ta sigurojë senegalezin për vetëm 7.5 milionë euro për shkak të klauzolës së tij blerëse në kontratën me Newcastle United. Wenger dëshiron një sulmues të dëshmuar në Ligën Premier pasi shiti superyllin holandez Robin van Persie te Manchester United. Dhe ai beson se Ba mund të jetë përgjigja. Pavarësisht spekulimeve të intensifikuara gjatë verës, asnjë klub nuk bëri hapa konkretë për transferimin e lojtarit. Arsenali është i gatshëm t’i ofrojë sulmuesit një pagë prej 60 mijë funte në javë, plus bonuset.

‘Ajaxi duhet ta mposhtë Realin’

Trajneri i Ajaxit, Frank de Boer, ka thënë se skuadra e tij do të kërkojë fitore kundër Real Madridit, në mënyrë që ta sigurojë kualifikimin në Europa League. Klubi holandez gjendet një pikë përpara Manchester Cityt, ndërsa fitorja do t’ia siguronte kualifikimin në garën tjetër evropiane, pa marrë parasysh rezultatin mes anglezëve dhe Borussia Dortmundit. “Më e rëndësishmja për mua është që të shohim një paraqitje të mirë të Ajaxit”. “Duhet të fitojmë, në mënyrë që ndeshja në Dortmund të jetë e parëndësishme”, ka deklaruar De Boer në konferencën për shtyp.

Allegri nuk do rezultat tjetër, veç fitores

Trajneri i Milanit, Massimilliano Allegri, mendon se skuadra e tij duhet ta mposhtë Zenit St Petersburgun në Ligën e Kampionëve, në mënyrë që ta forcojë edhe më shumë vetëbesimin. Rossonerët e kanë siguruar kualifikimin nga pozita e dytë në Grupin C, ndërsa trajneri kërkon maksimumin për ta mbyllur fazën grupore pa humbje. “Duhet të fitojmë. Në ndeshjet në të cilat veçmë jemi kualifikuar, Milani thuajse asnjëherë nuk ka luajtur mirë”. “Do të jetë një ndeshje për të vazhduar rrjedhën e rezultateve. Të fitosh është mirë”, ka deklaruar italiani për Gazzetta.it.

Beqiraj kërkon fitore ndaj Kievit

Sulmuesi i Dinamo Zagrebit, Fatos Beqiraj, beson se skuadra e tij do t’i sigurojë pikët e para në Ligën e Kampionëve me një fitore kundër Dynamo Kievit. Klubi kroat ka regjistruar pesë humbje në Grupin A, ndërsa futbollisti shqiptar shpreson që të shënojnë një fitore sa për të ruajtur nderin. “Atmosfera në skuadër është shumë e mirë dhe mezi presim të luajmë. Është koha t’i fitojmë pikët e para dhe shpresoj që do t’ia arrijmë”. “Secili që do të luajë do të japë më të mirën. Do të jetë vështirë, por nëse japim maksimumin, atëherë do ta marrim rezultatin”, ka thënë Beqiraj për faqen zyrtare të klubit.