Vendimi i Doganës së Kosovës për mbylljen e depove doganore, i cili është kundërshtuar nga komuniteti i bizneseve, sipas zëdhënësit të Doganës Adriatik Stavileci, është marrë për shkak se shumica e këtyre depove nuk kanë treguar arsyeshmëri ekonomike, por më shumë janë përdorur për shtyrjen e afatit të taksave nga ana e bizneseve.
“Në momentin që Dogana e ka vlerësuar se këto depo nuk janë duke u shfrytëzuar për asgjë më shumë se shtyrja e pagesës së taksës doganore, atëherë Dogana ka vendosur që një pjesë, disa prej këtyre depove të cilat nuk është vërejtur arsyeshmëri ekonomike, të mbyllen. Pra që këto kompani të paguajnë taksat në kufi dhe jo të bëjnë shtyrjen e pagesës së taksave përmes procedurave të depove doganore”, thotë zëdhënësi Stavileci.
Sipas tij, ato biznese të cilat kanë arritur që mallin e vendosur në këto depo ta eksportojnë në vendet jashtë Kosovës, mund t`u lejohet mbajtja e këtyre depove, por jo edhe atyre që destinacion e kanë vetëm tregun e brendshëm. “Ky mall një pjesë shkon për treg të Kosovës, kurse një pjesë tjetër e eksportoj, në atë moment depoja ka arsyeshmëri ekonomike. Në momentin që depoja shfrytëzohet vetëm për me importuar mallin me fut në depo edhe me shit prapë në treg të brendshëm, atëherë ajo është e panevojshme”, thotë Stavileci.
Ndërsa Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu ka kritikuar vendimin e Doganave që u është përcjellë shumë bizneseve për mbylljen e depove doganore, duke theksuar se kjo vetëm sa do të vështirësojë edhe më tej punën e tyre. “Këto depo e kanë qëllim që të jenë në funksion të zhvillimit dhe forcimit të prodhimit. Mirëpo, nuk mund të jemi më evropian se vet evropianët, dhe vërtet aty ku ka mundësi që sektori privat të mbështetet, të gjejë mbështetje”, tha Gërxhaliu.
Bizneset kundër mbylljes së depove doganore
12:41
Unknown