SHBA do ta ndihmojë Kosovën të anëtarësohet në NATO dhe BE

Sekretarja amerikane Shtetit, Hillary Clinton, pas takimit me kryeministrin e Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në Washington DC, ka deklaruar se beson fuqimisht në pavarësinë, integritetin dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës. Ajo ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do ta ndihmojnë Kosovën që të jetë pjesë e Bashkimit Evropian dhe NATO-s.
Clinton i ka bërë këto komente para pak minutash në një konferencë të përbashkët për media që kishte me kryeministrin Thaci në Departamentin e Shtetit. Ajo ka dhënë vlerësim pozitiv për marrëveshjet e arritura mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, duke thënë se të dyja vendet duhet të shtojnë përpjekjet për të ndërtuar një fqinjësi të mirë.
Nga ana e tij, kryeministri Thaçi falënderoi sekretaren Clinton për mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhënë Kosovës. Ai tha se ndjehet krenar me marrëdhëniet midis dy kombeve, të cilat sipas tij, do të vazhdojnë të jenë përgjithmonë në nivelin e duhur.
Kryeministri i Kosovës tha se me sekretaren e Shtetit ka diskutuar për disa çështje dypalëshe, ndërsa marrëveshjet në dialog me Serbinë i ka vlerësuar si kapituj të rinj mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian.
Kryeministri ka deklaruar se liria, pavarësia dhe integriteti nuk do të ndryshoj kurrë. “Vizioni ynë është që Kosova të ketë të ardhme dhe fqinjësi të mirë me të gjitha shtetet e rajonit”, ka thënë Thaçi, duke shtuar se “Kosova do të vazhdojë me përkushtim përpjekjet për integrim në strukturat euroatlantike.
Thaçi, i cili ndodhte për vizitë zyrtare disaditëshe në Shtetet e Bashkuara, të enjten do të takohet me nënpresidentin amerikan, Joe Biden, ndërsa të premten është paraparë një takim me presidentin Barack Obama.

Muniesa dhe Sanchez vazhdojnë me Barcën

Barcelona ka njoftuar se lojtarët e rinj, Marc Muniesa dhe Ilie Sanchez, kanë nënshkruar kontrata të reja deri në vitin 2013.
Të dy lojtarëve u kishin mbetur vetëm pak muaj në kontratat e tyre me Blaugranët, prandaj drejtuesit e klubit vendosën t’ua zgjatnin ato.
Muniesa, i cili në sezonin e ardhshëm pritet që t’i bashkohet ekipit të parë në baza permanente, gjatë këtij sezoni ka bërë dy paraqitje për ekipin e Pep Guardiolas, të dyja në Ligën e Kampionëve. Ndërsa shpesh ka qenë në bankën rezervë të Barcës. 

Cassano të luajë ndaj Fiorentinas?

Antonio Cassano i është afruar edhe më shumë rikthimit në ekipin e parë të Milanit, pasi ka marrë pjesë në një ndeshje stërvitore të mërkurën.
Sulmuesi italian nuk është duke luajtur që nga nëntori kur iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjike në zemër, ndërsa mjekët e Federatës italiane ia kanë dhënë dritën e gjelbër për ta rikthyer karrierën e tij.
Pas pjesëmarrjes në stërvitje, janë përhapur spekulime se atij mund t’i jepet rasti i rikthimit në ndeshjen e të dielës kundër Fiorentinas.

Gago: E ardhmja ime varet nga Reali

Mesfushori i Romës, Fernando Gago, dëshiron të qëndrojë te klubi italian, mirëpo e ka të qartë se është në dorë të Real Madridit të vendosë për të ardhmen e tij.
Argjentinasi është i huazuar në Olimpico, ndërsa në fund të sezonit aktual pritet të kthehet në Santiago Bernabeu, së paku sipas marrëveshjes ekzistuese.
“Nuk e kam problem (të qëndroj te Roma), por kjo nuk varet vetëm nga unë. Janë të përfshira edhe dy palë të tjera: Roma dhe Reali”, ka qartësuar mesfushori. 

Salustro kërkon sërish "arrest shtëpie" për Limajn!

Kërkohet sërish masa e arrestit shtëpiak për deputetin e Kuvendit të Kosovës, Fatmir Limaj. Avokati i tij, Tahir Rrecaj, ka deklaruar se rikthimi i kësaj mase është kërkuar nga prokurori i çështjes, Maurisio Salustro, pas vendimit të gjykatës për vazhdimin e procesit gjyqësor për njësitet komanduese të UÇK-së.
Rrecaj tha se ka proceduar menjëherë me një kërkesë në gjykatë se shqiptimi i masës së arrestit është i panevojshëm, dhe se nuk ka bazë ligjore për këtë.
Në ditët në vijim pritet të mbahet seanca e radhës gjyqësore në të cilën do të vendoset edhe për këtë çështje.
Limaj ishte liruar nga arresti shtëpiak pas vendimit të Gjykatës së Qarkut në Prishtinë për t’i shpallur të papranueshme dëshmitë e dëshmitarit të vdekur Agim Zogaj.

Kosova po u përgjigjet me maturi provokimeve serbe!

Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri, ka deklaruar të mërkurën se aktet e fundit të kryera nga Qeveria e Serbisë (kidnapimi i dy policëve kosovarë në brendësi të territorit të Republikës së Kosovës nga xhandarmeria e Serbisë), janë cenim i sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës dhe në kundërshtim të plotë me vlerat dhe standardet evropiane për fqinjësi të mirë dhe paqe të qëndrueshme të mbarë rajonit.
Zëvendëskryeministrja Tahiri i bëri këto komente gjatë takimit me ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Ernest Reichel. Ajo tha se institucionet e Kosovës i janë përgjigjur me maturi shtetërore këtyre provokimeve të rënda të Serbisë. Sipas saj, Kosova edhe një herë e dëshmoi se është një vend ku mbizotëron fryma evropiane.
Duke folur për zbatimin e marrëveshjeve të arritura në dialogun teknik, Tahiri tha se zbatimin e plotë të marrëveshjeve pala serbe është duke e prolonguar, kjo edhe për faktin se ende nuk e ka nënshkruar protokollin teknik për marrëveshjen e integruar të kufijve, i cili ishte kusht i BE-së për marrjen e statusit të kandidatit.
Në anën tjetër, ambasadori Reichel tha se shteti i tij është duke e përcjellë me vëmendje gjendjen politike në vend, e sidomos zbatimin e marrëveshjeve, gjë të cilin Gjermania e konsideron si kyç për proceset e mëtejme të stabilizimit të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe njëkohësisht për avancimin e të dyja vendeve drejtë BE-së.
Reichel tha se e çmon lartë përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për angazhim konstruktiv në këtë proces, dhe se përkrahja e Gjermanisë për Kosovën do të jetë e vazhdueshme. Ai tha se mosmbajtja e zgjedhjeve serbe në Kosovë dhe zhbërja e strukturave paralele, janë domosdoshmëri dhe në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, të cilën Serbia patjetër se duhet ta respektojë.

Conte: Ta bëjmë Milanin të pështyjë gjak

Trajneri i Juventusit, Antonio Conte, i ka grumbulluar lojtarët e tij për t’u thënë që ta vazhdojnë presionin për titull ndaj Milanit deri në ndeshjen e fundit të sezonit.
Zonja e Vjetër gjendet dy pikë prapa liderit të Serie A dhe do të luajë në finale të Kupës së Italisë kundër Napolit, ndërsa trajneri ka frikë se në pjesën e mbetur të sezonit lojtarët mund të ndjehen të qetë pasi i kanë tejkaluar të gjitha parashikimet.
La Gazzetta dello Sport e ka cituar Conten të ketë thënë se përkundër lëvdatave dhe duartrokitjeve, realiteti në fushë kërkon sakrificë dhe se Bianconerët nuk kanë arritur asgjë ende.
“Të shohim kë e kemi përpara tash, sepse jemi mjaft të pjekur që të luftojmë deri në fund. Siç kam thënë më herët, ata (Milani) do të duhet të pështyjnë gjak deri në ndeshjen e fundit”, ka thënë trajneri i Juventusit. 

‘Chelsea mund ta zë vendin e katërt dhe ta fitojë LK-në’

Mesfushori i Chelseat, John Obi Mikel, beson se klubi i tij mund ta zë vendin e katërt në tabelën e Ligës Premier dhe po ashtu vlerëson se Blutë mund ta fitojnë Ligën e Kampionëve.
Chelsea aktualisht mban pozitën e pestë në Ligën Premier dhe ka pesë pikë më pak se Arsenali dhe Tottenhami që gjenden në pozitat tre dhe katër, ndërkohë sonte (e mërkurë) zhvillon ndeshjen kthyese çerekfinale të Ligës së Kampionëve kundër Benficas, të cilën do ta nisë me avantazh prej 1-0 nga ndeshja e parë në udhëtim.
Mikel mendon se Arsenali dhe Tottenhami kanë disa ndeshje të vështira për të luajtur dhe mund të lëshojnë pikë dhe Chelsea mund të përfitojë falë ngritjes në formë pas angazhimit të Roberto Di Matteos në postin e trajnerit.
Nëse kualifikohet në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, Chelsea duhet të luajë ndaj Barcelonës, por mesfushori mendon se Blutë mund të arrijnë në finale dhe pastaj të mundohen ta fitojnë atë.
“Dëgjoni, ne mund ta fitojmë Ligën e Kampionëve. Ende kemi disa ekipe të mira për të mposhtur, duke filluar me Benfican, por ne mund të konkurrojmë me këdo”.
“Barcelona, Bayern Munichu dhe Real Madridi janë ekipe të shkëlqyera, prandaj duket e vështirë, por ne duam ta fitojmë”, ka thënë Obi Mikel për faqen zyrtare të Chelseat.

Barcelona interesohet për Giovincon

Agjenti i Sebastian Giovincos ka thënë se Barcelona dëshiron ta transferojë klientin e tij.
Italiani që luan për Parmën pritet që të kthehet te Juventusi që pronëson gjysmën e kartonit të tij, megjithatë agjenti Andrea D’Amico ka njoftuar se Blaugranët dëshirojnë nënshkrimin e 25-vjeçarit.
“Interesimi nga një klub si Barcelona është gjithmonë i këndshëm”.
“Giovinco tashmë është një lojtar i rëndësishëm me një talent dhe teknikë të shkëlqyer, i cili tash po e shfaq potencialin e tij, prandaj është normale që ka interesim”, citon Sportal.it  fjalët e D’Amicos.

Interi, Chelsea dhe Unitedi pas Lucas Moura

Mesfushori i Sao Paulos, Lucas Moura, është bërë një nga shënjestrat kryesore për afatin kalimtar veror. Agjenti i tij ka thënë se 19-vjeçari tashmë është kontaktuar nga Chelsea, Manchester Unitedi dhe Interi.
“Lucas prej tani ka gjithçka që i nevojitet për në Evropë dhe klubet e dinë këtë. Ai është i fortë, i shpejtë dhe shuton mirë. Unë tashmë jam kontaktuar nga Interi, Chelsea dhe Manchester Unitedi”, ka thënë agjenti për Globoesporte.
Talenti i ri është pjesë e formacionit bazë të Sao Paulos që nga viti 2010, ndërsa së bashku me Leandro Damiao, Neymar dhe Ganso, konsiderohet si një nga pjesëtarët më premtues nga gjenerata e re braziliane.
Ai nuk ka mbushur akoma 20 vjet, ndërsa ka regjistruar 87 paraqitje për klubin e tij, duke shënuar 23 gola. 

Dortmund – Bayern, vendos titullin

Mesfushori ofensiv i Bayern Munichut, Thomas Mueller, mendon se përballja ndaj Borussia Dortmundit mund të vendosë se në çfarë drejtimi do të shkojë gara për titullin e Bundesligas.
Bavarezët gjenden tre pikë prapa liderit të Kampionatit gjerman, ndërsa 22-vjeçari beson se derbi mes dy klubeve nga kreu i tabelës që zhvillohet javën e ardhshme në Westfalenstadion do ta vendosë titullin.
“Dortmundi ka treguar në Bundesliga se mund të reagojë mirë kur është nën presion”.
“Prandaj, lufta për titull është shumë e ngushtë. Ndeshja në Dortmund është vendimtare dhe ky është përqendrimi ynë. Ajo do të përcaktojë se ku do të jemi”.
“Mirëpo, gjithçka është në duart tona. Nëse i fitojmë të gjitha ndeshjet do të bëhemi kampionë”, ka thënë gjermani për Sport-Bild

Kosova ka shtrirë dorën, Serbia ofron grushtin

“Kosova ia ka shtrirë dorën e bashkëpunimit Serbisë, e cila dorën e saj e bën grusht për të na goditur sa herë i krijohet rasti”, deklaroi kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, në një takim që zhvilloi të mërkurën me kongresistët amerikanë.
Krasniqi i ka njoftuar ligjvënësit amerikanë se Beogradi nuk po i zbaton marrëveshjet e arritura në Bruksel, ndërsa ka shprehur shqetësimin e tij për problemet e shkaktuar nga Serbia në veri të Kosovës.
Në këtë kuadër, Krasniqi, sipas një komunikate, ka thënë “ka përmendur funksionimin e strukturave paralele të Serbisë në këtë pjesë të Kosovës dhe arrestimin ditë më parë të dy policëve të Kosovës brenda territorit të vendit”.
Duke i falënderuar Shtetet e Bashkuara për “mbështetjen për shtetin dhe popullin e Kosovës”, para delegacionit të kongresistëve amerikanë në përbërjen e të cilit janë David Dreir, David Price, Jim McDermott, Erik Paulsen dhe Gerry Conelly, Krasniqi ka folur edhe “për vështirësitë dhe sfidat e brendshme me të cilat ballafaqohet Kosova, si: zhvillimin e pamjaftueshëm ekonomik të vendit, papunësinë e madhe, sundimin e rendit dhe të ligjit etj, kurse në planin e jashtëm ka veçuar mosnjohjen e Kosovës nga pesë vende të BE-së, çështjen e liberalizimit të vizave”.

Thaçi s'e zgjodhi Mustafin!

Qeveria e Republikës së Kosovës sqaron opinionin publik lidhur me disa shkrime në media rreth Task Forcës Antikorrupsion, themelimin e përbërjen e saj, në veçanti emërimin e prokurorëve, që lidhet me rastin e Nazmi Mustafit, shef i Task Forcës Antikorrupsion, i cili u arrestua dy ditë më parë nën dyshimin për korrupsion.
“Ligji për Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës është miratuar në Kuvend, i cili rregullon kompetencat dhe përzgjedhjen e prokurorëve në kuadër të kësaj prokurorie dhe ku shihet qartas se Qeveria e Kosovës nuk emëron prokurorë në asnjë rast, as në rastin e emërimit të prokurorëve të Task Forcës Antikorrupsion”, thuhet në deklaratën për media të Zyrës për informim të Kryeministrisë.
Qeveria e Republikës së Kosovës me datë 26.02.2010 ka nxjerrë vendimin, në të cilin ceket se: “Qeveria e Republikës së Kosovës në bashkëpunim me EULEX-in kërkon nga Prokuroria Speciale e Kosovës që në kuadër të saj të themelojë një Departament Special Antikorrupsion, me qëllim të hulumtimit dhe luftimit të dukurive korruptuese në Kosovë”.
Po ashtu, në bazë të këtij vendimi, Qeveria është zotuar se do të vë në dispozicion të këtij departamenti të gjitha resurset e nevojshëm logjistike dhe stimulim financiar për punonjësit e këtij departamenti, në mënyrë që departamenti të jetë efikas në punën e tij.
“Në bazë të gjithë kësaj, që u potencua më lartë dhe vendimit të Qeverisë, ritheksojmë që Qeveria e Republikës së Kosovës nuk ka përcaktuar përbërjen e prokuroreve, por ka mbështetur themelimin dhe funksionalizimin e saj në shërbim të luftës kundër korrupsionit”.
“Qeveria e Republikës së Kosovës do të vazhdojë luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe të gjitha dukurive negative, sipas kompetencave Kushtetuese dhe Ligjore, në funksion të fuqizimit të sundimit të rendit dhe ligjit në tërë territorin e Kosovës. Çdo tendencë për interpretim tjetër të emërimit të prokurorëve në këtë Task Forcë, apo edhe në çdo rast tjetër është jo ligjore dhe joprofesionale”, thuhet ndër të tjera në komunikatë.

Marty thirret të dëshmojë në rastin “Medicus”

Gjyqtarët në procesin gjyqësor "Medicus" në Prishtinë, thonë se do ta ftojnë si dëshmitar raportuesin e Këshillit të Evropës, Dick Marty.
Një panel i dominuar nga gjyqtarët e Bashkimit Evropian tha se “do të lejojë deklaratë” të Martyt për dyshime për trafikim të organeve, gjatë luftës në vitet 1998-99 në Kosovë.
Rasti 'Medicus" ka të bëjë me akuza të ngritura për shtatë persona, nën dyshimet për trafikim organesh dhe transplantim të paligjshëm. Në mesin e të akuzuarve janë Lutfi Dervishi, Driton Jilta, Sokol Hajdini dhe Ilir Rrecaj.
“Marty pretendon se ai ka informata të rëndësishme për këtë çështje, prandaj ne do të kërkojmë nga ai të tregoj se çfarë lloj të informacioneve ka dhe cilat janë burimet e këtyre informacioneve”, ka thënë për AFP gjyqtari kryesues, Arkadiusz Sedek nga Polonia.
Në raportin e tij, Dik Marty pati akuzuar pjesëtarët e ish UÇK-së, përfshirë edhe kryeministrin aktual të Kosovës, Hashim Thaçi, për involvim në krim të organizuar dhe trafikim të organeve gjatë dhe pas luftës.
Kosova dhe Shqipëria në mënyrë të fuqishme i kanë kundërshtuar akuzat dhe e kanë hedhur poshtë raportin e tij.
Prokurori special i Bashkimit Evropian, Jonathan Ratel, në seancën e 23 marsit kishte kërkuar që në cilësinë e dëshmitarit thirret edhe Marty, raportues i Këshillit të Evropës.
“Unë i kam të gjitha arsyet të besoj se ai mban në posedim evidencën për këtë rast”, ka thënë Ratel.
Ndaj propozimit të prokurorit Ratel kishte reaguar mbrojtja, duke thënë se nëse Martyi ftohet të dëshmojë lidhur me këtë rast penal, atëherë gjykimi do ta humbë esencën e penales dhe do të shndërrohet në politike.
Kohë më parë, përfaqësues të misionit evropian për sundimin e ligjit, EULEX, kanë deklaruar për Radion Evropa e Lirë se janë të ndara rasti "Medicus' dhe “krimet e luftës, të kryera në Shtëpinë e Verdhë”. 


Liverpooli ka nevojë për tifozët

Ish-menaxheri i Liverpoolit, Roy Evans, ka kërkuar nga tifozët e klubit që t’i qëndrojnë pranë skuadrës së tyre të zemrës.
Të Kuqtë kanë përjetuar një dështim të madh në vitin 2012 duke rënë në tabelën e Ligës Premier, ndërsa Evans mendon se suksesi në Carling Cup dhe vazhdimi në FA Cup u jep arsye për të bërtitur.
“Duhet të jeni pozitivë. Duhet të qëndroni bashkë në momente të këtilla, duke filluar nga lojtarët, menaxheri, stafi dhe mbështetësit”.
“Ata (tifozët) kanë çdo të drejtë për të kritikuar. Kjo është pjesë e të qenit tifoz. Mirëpo, Liverpooli akoma ka mundësi që ta fitojë Kupën FA, dhe t’ia bashkojë (trofeun) Kupës Carling”, ka thënë Evans për faqen zyrtare të klubit.

Emrat nuk i fitojnë ndeshjet

Sulmuesi i Benficas, Oscar Cardozo, e ka paralajmëruar Chelsean se duhet ta dëshmojë në fushë epitetin e favoritit.
Klubi portugez të mërkurën mbrëma është mysafir në Stamford Bridge, pas humbjes prej 1-0 në shtëpi të vet, ndërsa Blutë konsiderohen mysafirë për t’u kualifikuar në gjysmëfinale.
“Ndoshta ndeshja është 60-40 në favor të Chelseat, por kjo nuk do të thotë se është e humbur”.
“Është absolutisht e mundshme që të tejkalohet një gol në Evropë”.
“Forca sulmuese e Chelseat është shumë e mirë. Vetëm përmendja e emrave të tyre e dëshmon këtë, megjithatë jo gjithmonë kjo mjafton për t’i fituar ndeshjet”, citon Goal.com fjalët e paraguaianit. 

Rauli është shembull për futbollistët

Anësori i Athletic Bilbaos, Iker Muniain, ka shprehur admirimin për sulmuesin e Schalkes, Raul, para ndeshjes kthyese në kuadër të Europa League.
“Është çmenduri me Raulin. Ai është një lojtar që ka luajtur aq shumë ndeshje me Real Madridin, i cili ka fituar aq shumë trofe me ta dhe i cili ka shënuar aq shumë gola, ndërsa akoma ka urinë dhe dëshirën për t’u përmirësuar. Është thjesht e jashtëzakonshme”.
“Të gjithë i admirojnë lojtarët e mëdhenj të cilët kanë arritur gjëra të mëdha, ndërsa Rauli është një shembull për të gjithë futbollistët. Ai është një nga më të mirët”, ka thënë Muniain përUefa.com.

Kosova meriton të ardhme më të mirë

Kryesuesi i delegacionit nga Kongresi Amerikan, David Dreir gjatë takimit me kryeparlamentarin Jakup Krasniqi ka përkujtuar historinë e dhimbshme nëpër të cilën ka kaluar Kosova, duke vlerësuar se populli i Kosovës, sidomos rinia e saj, të cilën e ka vlerësuar të shëndoshë, të fuqishme dhe të bukur, meriton perspektivë më të mirë zhvillimi dhe përfaqësim sa më cilësor në institucione.
Dreir, ka vlerësuar të arriturat demokratike dhe shtetndërtuese të popullit të Kosovës, kurse është shprehur se ndihet krenar për marrëdhënie të shkëlqyera ndërmjet dy vendeve dhe për ndihmën e madhe të vendit të tij për popullin e Kosovës.
Në njoftimin për media të Kuvendit të Kosovës thuhet se ligjvënësit amerikanë kanë përcjellë përshëndetjet e presidentit Obama dhe të sekretares Clinton për kuvendin dhe popullin e Kosovës.
Kongresisti tjetër, David Price, ka theksuar rëndësinë që i japin SHBA-ja zhvillimeve të demokracive në vendet e Evropës Qendrore dhe të asaj Juglindore dhe mbështetjen amerikane për proceset pozitive në këto vende.
Ndërkaq, në takimin me kongresistët amerikanë, kryeparlamentari Kransiqi i ka njoftuar ata se Beogradi nuk po i zbaton marrëveshjet e arritura në Bruksel.
Ai ka folur për funksionimin e strukturave paralele të Serbisë në veri të Kosovës dhe arrestimin ditë më parë të dy policëve brenda territorit të vendit të Kosovës. Pavarësisht këtyre, Krasniqi ka thënë se “Kosova ia ka shtrirë dorën e bashkëpunimit Serbisë, e cila dorën e saj e bën grusht për të na goditur sa herë i krijohet rasti”.
Krasniqi ka folur edhe për sfidat e brendshme me të cilat ballafaqohet Kosova, si: zhvillimin e pamjaftueshëm ekonomik të vendit, papunësinë e madhe, sundimin e rendit dhe të ligjit etj, kurse në planin e jashtëm ka veçuar mosnjohjen e Kosovës nga pesë vende të BE-së, çështjen e liberalizimit të vizave, dhe sidomos problemet e shkaktuar nga Serbia në veri të Kosovës. 

Kuçi: Kosova ka pasur një okupator të rëndë

Zëvendëskryeministri, njëherësh ministër i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, në akademinë përkujtimore me rastin e 13 vjetorit të Masakrës së Kralanit, ka thënë se Kosova ka pasur një okupator të rënd, një okupator që nuk ka kursyer as popullatën civile, por i cili ka paguar çmimin përballë botës demokratike.
Në kumtesën për media bëhet e ditur se në fjalën e tij të mbajtur në këtë akademi, Kuçi në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës ka shprehur dhimbjen dhe respektin për të gjithë ata të cilët kanë pësuar në këtë masakër, për familjet e tyre dhe për të gjithë të pagjeturit që sipas tij, janë brengë e madhe jo vetëm për familjaret e tyre, por për gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.
“Maskara e Kralanit është një pjesë e memorieve më të hidhura gjatë luftës së fundit në Kosovë, por që tregon njëkohësisht çmimin e lartë që ka paguar Kosova për liri dhe pavarësi”, u shpreh Kuçi, duke shtuar se Kosova ka ardhur këtu ku është sot, falë gjakut të dëshmorëve, punës së madhe të bërë nga njerëzit e rënë dhe të gjallë.
Zëvendëskryeministri tha se Kosova ka pasur një okupator të rënd, një okupator që nuk ka kursyer as popullatën civile, por i cili ka paguar çmimin përballë botës demokratike.
Në masakrën e Kralanit janë vrarë 87 persona, ndërsa ende mbetet i pazbardhur fati edhe i 51 personave tjerë.
Në këtë akademi përkujtimore u bë edhe promovimi i monografisë “Masakra e Kralanit”, përgatitur nga Jusuf Osmani dhe Ramë Manaj. 

KFOR-i do të përcaktojë vijën kufitare me Serbinë

Problemet kufitare me Serbinë, mosdefinimi i vijës kufitare ndërshtetërore, do të jetë pengesa kryesore për përcaktimin e vendit të arrestimit të dy policëve të Kosovës.
Për këtë, KFOR-i ka marrë përsipër që të përcaktojë vijën kufitare, duke mos sqaruar se a është ky proces i demarkacionit. Këtë ia ka konfirmuar KTV-së zëdhënësi i KFOR-it, Dan Harvey.
“Roli i KFOR-it është të përcaktojë lokacionin e vijës së kufirit. Policia e Kosovës dhe Policia e Serbisë, së bashku apo të pavarura, do të hetojnë ku, pse, kur dhe si ndodhi kjo. Ne do të asistojmë për të definuar se ku është vija kufitare, pra lokacionin. Vendin e incidentit do ta definojë hetimi i EULEX-it dhe PK-së”, ka deklaruar Harvey.
Kosova ka demarkacionin me Shqipërinë dhe Maqedoninë, e një proces të tillë e ka nisur edhe me Malin e Zi.

LDK: Disa struktura të Policisë me militantë të PDK-së

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) vlerësoi të mërkurën se në vazhdën e punës së keqe dhe dështimeve të vazhdueshme të Qeverisë, ishte edhe dështimi në fushën e sundimit të ligjit dhe të rendit juridik. LDK ka kritikuar kryeministrin Thaçi se po favorizon korrupsionin nëpërmjet strukturave të shtetit.
LDK theksoi se sundimi i ligjit në Kosovë po përballet me sfida të shumta, të cilat si pasojë i paaftësisë së Qeverisë së Kosovës po shndërrohen në defekte serioze sistemore.
“Po t’i shtohen kësaj edhe problemet, të cilat janë evidente në fushën e drejtësisë nga ndërhyrja e Qeverisë, me militantë politikë, me emërime politike dhe partiake të zyrtarëve të lartë në organet e shtetit kjo përbën shkeljen tjetër të rëndë dhe kërcënim për të ardhmen e shtetit të së drejtës. Rastet më të rënda janë në policinë e Kosovës, në njësitë speciale, si në drejtorinë për krimet ekonomike, luftën kundër korrupsionit, luftën kundër krimeve të rënda, luftën kundër terrorizmit dhe të tjera, përveçse të gjitha këto janë të koncentruara në një drejtori në Policinë e Kosovës, që përbën organizmin jofunksional”, vlerësojnë zyrtarë të LDK-së.
Sipas kësaj partie, disa nga strukturat e Policisë së Kosovës janë mbushur me militantë partiakë dhe të strukturave ilegale partiake të PDK-se, të cilat veprojnë në interes të partisë (PDK) dhe të grupeve kriminale.
Për LDK-në, këta individë partiakë të futur në strukturat speciale të shtetit, shpesh përdorin institucionet e shtetit për shantazhe politike.
“Po ashtu, shumë shqetësuese mbetet gjendja në fushën e drejtësisë, ku ditëve të fundit ka ndodhur edhe arrestimi i shefit të njësisë speciale (Task Force) për luftimin e korrupsionit të krijuar nga Kryeministri Thaçi dhe të proklamuar nga ana e tij si një angazhim personal në luftën kundër korrupsionit. Task Force ishte një angazhim personal i z.Thaçi në luftën kundër korrupsionit dhe sot shihet se sa rezultate ka kjo njësi speciale e formuar nga ai. Sot shefi i kësaj njësie speciale rezulton i arrestuar për zhvatje, shantazh dhe përfshirje në afera korruptive, të cilat e kanë dëmtuar shtetin e Kosovës. Fatkeqësisht, kjo është një dëshmi e angazhimeve të Qeverisë për korrupsion e jo për luftën kudër korrupsionit”, thuhet ndër të tjera në kumtesë. 

SPMK kërkon lirimin e sindikalistit Abazi

Sindikata e Pavarur e Metalistëve të Kosovës së bashku me 12 federatat sindikale kanë kërkuar nga zyrat diplomatike që veprojnë në Kosovë si dhe nga shefja e Politikës së Jashtme të BE-së, Catherine Ashton që të bëjnë ç’është e mundur për lirimin e sindikalistit, Hasan Abazi.
Po ashtu kanë kërkuar nga instancat vendore më të larta të mos të rrinë duarkryq, pasi sipas tyre janë të zgjedhur nga vota e popullit.
“Të respektuar diplomat të të gjitha vendeve që veproni në Republikën e Kosovës. Ne përfaqësuesit e Sindikatave të Pavarura të Kosovës u drejtohemi me kërkesën për reagim dhe ndihmë në lirim të z.Hasan Abazi, kryetar i Sindikatës të Pavarur të Metalistëve të Kosovës i arrestuar në kufirin me Serbinë. I njëjti akuzohet për spiunazh-dhënie të informacioneve NATOS”, thuhet në kumtesë.
Në njoftimin thuhet se Abazi është viktimë e marrëveshjeve të arritura në mes të Republikës të Kosovës dhe Republikës të Serbisë me ndërmjetësimin e BE për “qarkullim të lirë” dhe “menaxhim të integruar të kufijve”.
Sipas tyre, deklarimi i ministrit të Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Dacic se arrestimi është bërë në shenjë hakmarrjeje nuk do koment për këtë çështje.
SPMK ka njoftuar se Abazi po mbahet në burgun e Vranjës në një dhomë të vogël pa kushte elementare për jetë.

Zbogar: Kosova dhe Serbia të jetojnë në fqinjësi të mirë

Zëvendëskryeministri, njëherësh ministër i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, është takuar me shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zbogar, ndërsa u theksua nevoja që ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të ketë raporte fqinjësore.
Në njoftimin e Ministrisë së Drejtësisë thuhet se zëvendëskryeministri Kuçi i ka ofruar bashkëpunimin e plotë të institucioneve të Kosovës, me qëllim të ecjes përpara të proceseve të përgjithshme të Kosovës.
Kuçi dhe Zbogar biseduan për zhvillimet e përgjithshme në Kosovë, me theks të veçantë për sundimin e rendit dhe ligjit, si dhe për raportet e Kosovës me Bashkimin Evropian.

Kushti i ri për Serbinë: Njohja e Kosovës

Pas marrjes së kandidaturës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, Serbia po hyn në fazën e caktimit të datës së bisedimeve për anëtarësim.
Pritet që kësaj date do t’i paraprijnë kushtëzimet tjera, ndër të cilat është njohja e pavarësisë së Kosovës. Tash për tash kjo kërkesë është formuluar si “realizimi i raporteve të mira me shtetet fqinje”. Në këtë nivel flet Rezoluta e Parlamentit Evropian, në kopje të së cilës e posedon Vesti.
Dokumenti përmban edhe kërkesa për hetimin e privatizimit të 24 firmave të mëdha në Serbi. Ndërsa, nga Beogradi kërkohet që të hiqet shënjimi “konfidenciale” nga dokumentet shtetërore. Pra, që të mos ketë sekrete shtetërore, meqë kjo është në kundërshtim me standardet evropiane.
Sipas Rezolutës, mund të pritet që Serbia në të ardhmen të ballafaqohet edhe me kërkesën e gjermanëve të Vojvodinës, për kthimin e pasurisë që ju është konfiskuar nga komunistët pas Luftës së Dytë Botërore. Në këtë aspekt nuk përmenden gjermanët, por flitet për dëmin e pësuar në kuadër të "fajit kolektiv".
Ndërsa, shqetësim të madh për PE-në paraqesin edhe akuzat në proceset e Serbisë, në bazë të nenit 359 të Kodit Penal, që flet për “keqpërdorim të postit”. Kështu, Serbia do të detyrohet të kthej edhe pronat e konfiskuara në bazë të këtij neni.
Nga Serbia po ashtu pritet të eliminohet trashëgimia e shërbimeve sekrete komuniste, të hapen dosjet dhe të zbardhen ato. Kjo përfshinë edhe hapjen e arkivave kombëtare, si dhe kontrollin e tashëm të shërbimeve sekrete. 

Ramadan Hasani, kandidat i AKR-së për Ferizajn

Aleanca Kosova e Re ka emëruar Ramadan Hasanin kandidat për kryetar të komunës së Ferizajt.
Hasani është kryetar dege dhe njëherësh zëvendësministër i Zhvillimit Ekonomik.
“Hasani është kryetar dege dhe njëherësh zëvendësministër në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik. Aleanca Kosova e Re, i beson suksesit të Hasani dhe jemi të bindur që kemi zgjedhur kandidaturën më të mirë që sot ka qyteti i Ferizajt”, thuhet në kumtesë.

S’ka BE për Serbinë, pa i rregulluar raportet me Kosovën

Zyrtar i Komisionit Evropian, Stefano Sannino, tha se hapja e bisedimeve për anëtarësim të Serbisë në BE, kushtëzohet me përparimin e bisedimeve me Prishtinën.
"Duhen përpjekje tjera në përmirësim e dukshëm dhe të qëndrueshëm të marrëdhënieve me Kosovën", tha Sannino pas takimit në Beograd të grupit të ekspertëve të Trupit Koordinues për procesin e anëtarësimit të Serbisë në BE.
Sannino, që është shefi i Drejtorisë për zgjerim të Komisionit Evropian, tha se Serbia duhet po ashtu të bëj edhe reforma tjera të brendshme. 

Polonia nuk do ta braktisë Kosovën

"Polonia nuk do të tentoj të ikë nga përgjegjësitë e saja për sigurinë në rajon”, ka thënë Presidenti i Polonisë, Bronisław Komorowski, gjatë vizitës që u bëri trupave polake në Kosovë.
Komorowski të hënën u takua me disa nga 220 ushtarët polakë që janë pjesë e misionit të NATO-së në Kosovë, dhe me disa nga 120 policët dhe rojet kufitare të angazhuara në misionin e EULEX-it.
"Polonia është vend i lirë tani, dhe unë e dua këtë liri dhe këtë siguri për të tjerët”, ka thënë Komorowski.
Ai e theksoi rëndësinë e veçantë për stabilitetin në Evropë, të misionit paqeruajtës në Kosovë.
"Unë mendoj se ky është vendi më i mirë për të uruar ushtarët dhe oficerët, kujdestarët e sigurisë tonë, me rastin e festës së ardhshme të Pashkëve", tha ai, transmeton thenews.pl.
Presidenti Komorowski udhëhoqi një delegacion të nivelit të lartë në Kosovë, përfshirë ministrin e Mbrojtjes Tomasz Siemoniak, shefin e Shtabit të Përgjithshëm, gjeneralin Mieczyslaw Cieniuch, shefin e Policisë Marek Działoszyński dhe Komandantin e forcave tokësore, gjeneralin Zbigniew Głowienka.
Tensioni është ende evident mes kosovarëve dhe pakicës serbe, por “situata është nën kontroll”, ka thënë zëdhënësja e misionit të KFOR-it në Kosovë, Magdalena Koscinski.
"Vendasit e pranojnë prezencën e ushtarëve dhe policëve polakë. Ata duan që ne të jemi këtu për aq kohë sa të jetë e mundur ", ka pohuar Kościńska. 

EULEX-i 40 vetura për ATK-në dhe Doganat

EULEX-i i ka dhuruar donacion nga 20 vetura për Administratën Tatimore dhe Doganat e Kosovës. Vlera e përgjithshme e këtyre veturave që i janë dhuruar të mërkurën këtyre dy institucioneve është rreth 75 mijë euro.
Shefi i EULEX-it, Xavier de Marnhac, në ceremoninë e dhurimit të veturave tha se ndër rolet e EULEX-it, është edhe mbështetja e institucioneve të Kosovës, me mjete të ndryshme.
“Është kënaqësi për mua që sot po i dhurojmë 40 vetura për ATK-në dhe Doganat e Kosovës në vlerë prej rreth 75 mijë euro. Ne presim që kjo të ndikojë në përmirësimin e rolit dhe funksionimit të këtyre dy institucione. Mendoj se kjo është edhe një përkrahje për buxhetin e Kosovës”, tha Marnahc.
Ndërsa, ministri i Financave (MF), Bedri Hamza, tha se kjo do të kontribuojë në kryerjen e punës nga këto institucione sa më me efikasitet. “Ky numër prej 40 makinave të dhuruara nga misioni i EULEX-it, do të jetë një përkrahje dhe një lehtësim për punën e këtyre dy institucioneve. Puna e këtyre institucioneve lidhet edhe me terrenin dhe sigurisht që kjo do t’ua lehtësojë punën. Me të drejtë, De Marnak tha se kjo do të jetë edhe një përkrahje për buxhetin e Kosovës, sepse ne nuk do të kemi nevojë që të ndajmë para nga Buxheti i Kosovës, për këtë investim”, tha Hamza.

Vazhdon kontrabanda në veri

Pikat kufitare mes Kosovës e Serbisë janë dy nga pikat kufitare ku më së shumti tentohet të bëhet kontrabanda, thonë zyrtarë të Doganave të Kosovës. Kontrabanduesit, sipas tyre, tentojnë t’i fusin mallrat e kontrabanduara përmes rrugëve tjera alternative, në pamundësi që këtë ta bëjnë përmes pikave kufitare.
Zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci, thekson se në ato pjesë të pikave kufitare ku kontrolli është më i ulët, aty edhe tentohet të futen mallra në mënyrë ilegale.
“Në pjesën veriore ka kontroll më të ulët dhe ka kontrabandë më shumë. Por, që prej marrjes së dy pikave në kontroll, kemi parë një zvogëlim të kontrabandës”, thekson Stavileci për Radio Evropa e Lirë
Autoritetet e Doganave të Kosovës bëjnë të ditur se artikujt që më së shumti kanë peshuar në ekonominë joformale janë ato me akcizë, si nafta dhe derivatet e saj, pijet alkoolike dhe duhani.
Zëdhënësi i Doganave të Kosovës thekson se përveç pikave kufitare me Serbinë, kontrabanda tentohet të bëhet edhe në pikat tjera kufitare me Shqipërinë.
Konsiderohet se me vite të tëra kur pikat kufitare në veri kanë qenë jashtë kontrollit, janë kontrabaduar mallra me vlerë deri në 50 milionë euro, mallra këto të cilat kanë hyrë në tregun e Kosovës pa paguar asnjë obligim dhe që e kanë dëmtuar konkurrencën e lirë.
Nga niveli i lartë i kontrabandës, sipas njohësve të çështjeve ekonomike, buxheti i Kosovës dhe ekonomia kosovare në përgjithësi ka pësuar humbje të mëdha.
Sekretari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, thotë se ekonomia jofomale në Kosovë është deri në 30 për qind e bruto produktit të brendshëm.
“Tani ka një nivel më të vogël të kontrabandës, që bëhet në masë më të vogël dhe me automjete më të vogla. Por, prapëseprapë është një vrimë e zezë... shqetësuese për ekonominë e vendit”, thekson Rukiqi.
Kalimi nga ekonomia joformale në atë formale ishte caktuar nga Qeveria e Kosovës në prioritetet e planit ekonomik 2011 - 2014. Sidoqoftë, njohës të çështjeve ekonomike thonë se ky prioritet i Qeverisë nuk duhet mbetur vetëm në letër, por të zbatohet.

BQE i reziston Gjermanisë, norma në 1 %

Banka Qendrore Europiane ruajti të pandryshuar normën bazë të interesit në 1 për qind dhe i rezistoi kërkesës së lobit gjerman në bordin drejtues të saj për të dalë nga statusi i emergjencës. Vendimi pason qëndrueshmërinë e brishtësisë ekonomike në bllokun e monedhës së përbashkët dhe rritjen e presionit të tregjeve ndaj Spanjës, që ka gjasa të jetë shënjestra e radhës për investitorët e shqetësuar nga pamundësia e saj për të kontrolluar financat publike. Në bordin drejtues, gjermanët kanë kërkuar të shtrëngohen kushtet e kreditimit të Bankës Qendrore, duke argumentuar se injektimi i më shumë se 1 trilion euro në sistem ka krijuar kushtet për inflacion në terma afatgjatë.
Në muajin mars, inflacioni në Eurozonë ra në 2.6 për qind vlerë më e lartë se kufiri 2 për qind që synon banka, por ajo nuk ka luksin për të dalë nga statusi i politikës liberale-monetare për shkak të situatës ekonomie në Spanjë dhe vendet e tjera. Të premten e kaluar, Spanja prezantoi një buxhet me kursime të shpenzimeve sa 2.5 për qind e totalit të ekonomisë.
Banka Qendrore Europiane deklaron se ka luajtur pjesën e saj në lojën e krizës së borxheve sovrane dhe thotë se tashmë janë qeveritë ato që duhet të kryejnë detyrat e tyre për të qetësuar tregjet. Një veprim i tillë ka qenë vendimi i një jave më parë për të rritur fondet në funksion të stabiliteti financiar në 840 miliardë euro.
Paralelisht, zyrtarët europianë po punojnë për të shuar në zero varësinë e sistemit bankar nga fondet e Bankës Qendrore Europiane. Ndërkohë, Mario Dragi në fundin e muajit të kaluar deklaroi se kriza europiane e borxheve ka kaluar pjesën më të vështirë të saj, por të dhënat ekonomike të Eurozonës flasin për dobësi në nivel të lartë. Në mars statistika tregoi për infektim të aktivitetit të prodhimit në Gjermani dhe Francë, si pasojë e dobësisë në Eurozonë. Për pasojë politika liberale-monetare e Bankës së Europës do vijojë të jetë prezent në muajt në vijim.

Chelsea 33 milionë për Di Marian

Chelsea është duke përgatitur ofertë për anësorin e Real Madridit, Angel di Maria.
Di Maria ka refuzuar ofertën për kontratë të re me Realin, e cila i ofronte atij dyfishin e pagës aktuale, dhe tash është duke menduar opsionet e tij.
Mediat spanjolle raportojnë se ish-mesfushori i Benficas është caku kryesor i pronarit të Chelseat, Roman Abramovich, dhe ndërmjetësuesit kanë thënë se ai është i gatshëm të ofrojë 35 milionë funte për argjentinasin.

Giovinco i hapur për rikthim te Juve

Mesfushori i Parmës, Sebastian Giovinco, është i hapur për mundësinë e rikthimit te Juventusi.
Giovinco thotë se atij i pëlqen ideja e të qenit pasardhësi i Alessandro del Pieros.
“Një rikthim te Juventusi? Ende është herët, bashkëpronësia duhet të zgjidhet, kjo po ashtu varet nga projekti të cilin ata e kanë në mendje për ose kundër meje, por unë tash nuk mendoj për asgjë tjetër”.
“Juve po kalon një sezon të tmerrshëm dhe shpresoj që ky të dalë edhe më mirë në fund”.
“Vitin e ardhshëm numri 10 do të jetë i lirë? Sigurisht që është një numër i cili më pëlqen, por sërish, është shumë herët”, ka thënë Giovinco për Mediaset.

Guidolin: Pesë klube luftojnë për pozitën e tretë

Trajneri i Udineses, Francesco Guidolin, beson se janë pesë skuadra të cilat luftojnë për pozitën e tretë e cila dërgon në Ligën e Kampionëve.
“Gara për pozitën e tretë është shumë e hapur, pajtohem. Skuadrat si Lazio, Napoli, Inter dhe Roma të gjitha synojmë këtë dhe kjo ka qenë një objektiv i hershëm i sezonit për të gjithë”.
“Fatkeqësisht për ta, e para dhe e dyta tashmë janë vendosur dhe me të gjithë të tjerët duke luftuar është edhe Udinese, për të cilën gjë jam krenar”, ka thënë Guidolin. 

Allegri: Gjyqtari ia falë penaltinë Barcës

Trajneri i Milanit, Massimiliano Allegri, është i pakënaqur pas disfatës 3-1 nga Barcelona në ndeshjen e mbrëmshme çerekfinale të Ligës së Kampionëve.
Ndaj Rossonerëve u akorduan dy penalti, njëra jo shumë bindëse e cila erdhi kur rezultati ishte 1-1.
“Është për të ardhur keq, pasi ishte momenti i ndeshjes ku Barcelona nuk po bënte shumë dhe ishte pikërisht para pauzës. Ata kishin dy penalti, njëra e dhuruar nga ne, tjetra e dhuruar nga gjyqtari”.
“Ne bëmë shumë gabime dhe pasime të gabuara kur kishim shanse të depërtojmë në hapësira. Ne e hapëm ndeshjen për ca kohë dhe menduam se mund të shkojmë me kokën lart”, ka thënë Allegri për Sky Sport Italia.
“Mendoj se kishim një sërë shansesh për të krijuar gola, por ne gabuam me pasimet dhe morëm disa vendime të gabuara. Ne e dinim se Barcelona ishte skuadra më e mirë në botë për momentin”, ka thënë Allegri.

Rooney: Fitorja ndaj Arsenalit, vendimtare

Sulmuesi i Manchester United, Wayne Rooney, ka nënvizuar fitoren 2-1 në udhëtim ndaj Arsenalit si ndeshjen e cila ka qenë vendimtare për garën e tyre për titull.
“Ajo gjithmonë është një ndeshje e vështirë dhe të shkosh atje dhe të fitosh ishte një rezultat i mrekullueshëm, veçanërisht duke marrë parasysh serinë e vështirë të ndeshjeve që ne kishim në atë pjesë të sezonit”.
“Ishin ndeshjet në ligë kundër Arsenalit, Liverpoolit dhe Chelseat dhe ndeshjet e Kupës me Cityn dhe Liverpoolin, të gjitha në atë kohë. Të dalësh me rezultatin ishte brilante dhe na dha neve vetëbesim”, ka thënë Rooney. 

Guardiola ia kthen Ibras

Trajneri i Barcelonës, Pep Guarediola, i është kundërpërgjigjur sulmuesit të Milanit, Zlatan Ibrahimovic, në lidhje me komentet e tij pas ndeshjes së mbrëmshme të Ligës së Kampionëve.
Ibra u ankua rreth mënyrës së akordimit të penaltive për Barcelonën dhe tha se “tash e kupton se pse Mourinhos nuk i pëlqen të luajë këtu”.
“Ibrahimovic dëshiron të bëhet mik me Mourinhon, por ne kemi qenë në gjysmëfinale pesë herë. Ne flasim në fushë”.
“Ka vende ku njerëzit nuk duhet të flasin, por disa e bëjnë këtë. Ibra është i lirë ta bëjë këtë vlerësim. Unë do të jap vlerësimin tim për Interin dy vite më parë...”, ka thënë Guardiola.

Mourinho mendon vetëm për Realin

Jose Mourinho thotë se ai shpreson të qëndrojë te Real Madridi edhe pas fundit të këtij sezoni.
Mourinho është lidhur me një rikthim në Angli ku Tottenham, Manchester City dhe ish-klubi i tij Chelsea, të gjithë janë përmendur si destinacione të mundshme.
“Kjo është një temë rreth të cilës nuk ka asgjë për t’u thënë. Unë kam edhe dy vite të mbetura në kontratën time me Real Madridin dhe kurrë nuk kam thënë se nuk do të qëndroj në Madrid”, ka thënë Mourinho për Corriere della Sera. 

Rihanna nuk ka nevojë për mashkull

Rihanna thotë se ajo nuk ka nevojë për mashkull për të qenë e lumtur në jetë.
Këngëtarja thotë se njerëzit nuk duhet të shqetësohen shumë për të gjetur dashurinë, pasi ajo vjen kur më së paku pritet.
“Të jesh në dashuri përfundimisht është pjesë e lumturisë, por ju duhet të gjeni lumturinë në veten tuaj së pari. Ju nuk mund të pritni që një mashkull t’ju bëjë të lumtur”.
“Nëse një mashkull është një prej gjërave ju mungon në jetë, kjo nuk do të thotë se ju nuk duhet të jeni të lumtur. Ka edhe diçka tjetër. Mendoj se njerëzit fokusohen në dashuri shumë. Shpesh kur ju shikoni, kjo ndodh kur ju nuk e gjeni atë”.
“Unë besoj në dashuri. Edhe nëse nuk ke dikë në jetë, gjithmonë ekziston ajo nevoja për të dhënë dashuri”, ka thënë këngëtarja. 

Rita sjell klipin e këngës ‘R.I.P' (Video)

Këngëtarja kosovare Rita Ora, e cila është duke bërë bujë në tregun muzikor botërorë, ka realizuar edhe një projekt të ri muzikor.
‘R.I.P’, këngë kjo e cila është publikuar më herët në YouTube, tashmë është realizuar edhe me videoklip.
Rita, këngën ‘R.I.P’ e sjell në bashkëpunim me Tinie Tempah.
Më poshtë mund ta shikoni videon e kësaj kënge.

Seldi dhe Sinani ribashkohen për një hit të ri?

Mosmarrëveshjet mes dy miqve këngëtarë, Sinan Hoxhës dhe Seldi Qalliu, duket se tashmë janë një e kaluar. Dyshja po shfaqën përsëri nëpër koncerte së bashku, ndërsa arsyet kryesore për zënkat mes tyre nuk i ka treguar asnjëri.
Ata janë justifikuar me faktin se nuk duhet të shfaqen gjithnjë se bashku pasi nuk janë grup, por secili ka edhe karrierë solo.
Iniciatorë për ketë bashkëpunim të ri janë disa organizatorë të koncerteve, të cilët insistojnë që ata dy të shfaqen gjithmonë së bashku nëpër mbrëmjet muzikore.
Ndërsa në lidhje me këtë bashkëpunim, Sinani dhe Seldi nuk kanë pohuar ende asgjë. 

Harrelson: Femrat sjellin lumturi

Woody Harrelson beson se lumtura e gjitha është të jesh i rrethuar nga femrat.
“Unë kam tre vajza, pastaj kam një grua dhe një dado, dhe qeni im është femër dhe dy macet janë femra”.
“Ka shumë energji femërore rreth shtëpisë. Ndjej sikur jam në mes të të gjithë këtyre perëndeshave të mahnitshme të cilët janë njerëz të jashtëzakonshëm”, ka thënë Harrelson.

Alban Skenderaj pendohet për tatuazhin e bërë

Alban Skenderaj, i cili është pjesë e jurisë në shoun e talenteve “ Factor Albania”, gjatë këtij spektakli ishte ngacmuar nga prezantuesja Alketa në lidhje me tatuazhin e tij që ka në dorë.
Këngëtari nga Shqipëria duket se është mërzitur me këtë tatuazh, të cilin e ka bërë para disa vitesh dhe është shprehur i penduar nga kjo “marrëzi” që dikur donte ta bënte.
Albani së fundmi ka publikuar këngën e tij të re “Më prit atje”, e cila është pritur mjaft mirë nga publiku.

Shtyhet lansimi i tabletit të lirë Vivaldi

Edhe pse ishte thënë se tableti i lirë Vivaldi me një çmim prej 200 eurosh do të lansohej në muajin maj, një zhvillues i afërt me kompaninë ka thënë se ky lansim do të shtyhet për së paku një muaj.
Tableti me kod të hapur, Vivaldi, i cili është i pajisur me ekran të ndjeshëm në prekje me diagonale prej 7 inç, rezolucion prej 800 x 480 pikselëve, do të kushtojë jo më shumë se 200 euro.
Pajisja mbështetet nga procesori 1 Ghz AMlogic, ndërsa i njëjti përdor kodin e hapur të Linux, me të cilin prodhuesi shpreson ta bëjë dallimin në treg. 

Lajmëtarët e apokalipsit? (Video)

Ata që dikush i quan meteorë, UFO apo fluturake të jashtëtokësorëve, të tjerët i emërtojnë si lajmëtarë të apokalipsit.
Dukuritë e pazakonshme në qiell janë ndodhi të përditshmërisë, ndërsa një dukuri e tillë është parë së fundmi edhe në Zelandë të Re.
Shumë profeci në lidhje me fundin e botës janë mbushur me tregime rreth kometave, meteorëve dhe trupave të ngjashëm qiellorë, të cilët do të duhej të shërbenin si paralajmërim për njerëzimin.
Ka të tillë që mendojnë se dukuritë e tilla qiellore janë vetëm shenja paralajmërimi, ndërsa të tjerët pohojnë se një nga meteorët e tillë do të na shkatërrojë në fund.
Megjithatë, duke lënë anash parashikimet e atyre që besojnë në apokalips, mbetet të vërtetohet se çfarë ishte ajo që e ndriçoi qiellin në Zelandën e Re dhe la pas vetes gjurmë të gjatë me kilometra. 

Shkollat amerikane kërkojnë dëlirësi dhe fisnikëri

Mbrëmja e maturës është një nga momentet më të rëndësishme në jetën e nxënësve të shkollave të mesme, ndërsa vajzat amerikane janë më të përkushtuara për këtë eveniment, saqë me muaj të tërë e zgjedhin fustanin që do ta veshin me këtë rast.
Mirëpo, për dallim nga vitet e kaluara kur kanë mundur lirisht të zgjedhin cilindo fustan, këtë vit ato do të përballen me një punë të vështirë, sepse duhet të kenë kujdes që dukja e tyre të mos i irritojë profesorët.
Shkollat e mesme në SHBA kanë marrë vendim që t’ua ndalojnë vajzave që në mbrëmjen e maturës të shfaqen me fustane tepër seksi.
Nëpër shkolla janë vendosur afishe, ndërsa në internet janë vendosur prezantime, përmes së cilave u tregohet vajzave se cilat fustane janë të përshtatshme, e cilat jo.
Bordet e shkollave nuk duan të shohin fustane me materiale të tejdukshme, me dekolte të madhe ose me prerje të thella anash. 

Kinë, kërkohet thyerja e monopolit të bankave të mëdha

Kryeministri kinez, Wen Jiabao kërkoi thyerjen e monopolit të bankave të mëdha, që pengojnë sipas tij ndërmarrjet të financojnë nevojat e tyre të zhvillimit.
"Disa banka të mëdha zënë një pozicion monopol dhe vetëm tek këto banka mund të marrësh kredi'', tha Wen.
“Ajo që mund të bëjmë për lehtësimin e hyrjes së kapitaleve privatë në sistemin financiar, është në mënyrë thelbësore, thyerja e monopolit'', shtoi ai.

Borxhi publik në Spanjë 79.8 % e PBB-së

Borxhi publik i Spanjës do të arrijë në 79.8 për qind të Produktit të Brendshëm Bruto (PBB) në fund të vitit 2012, njoftoi të martën Ministria e Buxhetit.
Borxhi publik i Spanjës do të arrijë në 79.8 për qind të PBB-së në fund të vitit 2012, njoftoi të martën Ministria e Buxhetit.
"Borxhi publik do të rritet nga 68.5 për qind e PBB-së në fund të vitit 2011 në 79.8 për qind, një nivel që mbetet më i ulët se shifra 90.4 për qind që është mesatarja e zonës euro'', theksoi ministria në një komunikatë, në kuadër të prezantimit në Parlament të buxhetit për vitin 2012. 

Deputetët e PDK-së “tallen” me stafin e Auditorit të Përgjithshëm

Raporti i Auditorit të Përgjithshëm për “Programin e Investimeve Publike (PIP)”, i cili është diskutuar të martën në Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike, ka nxitur reagimin me tone të ngritura të deputetëve të PDK-së, anëtarë të këtij Komisioni. Të fundit, madje kanë shfaqur dilema rreth nivelit profesional të auditorëve, të cilët në këtë mbledhje kanë raportuar gjetjet para zyrtarëve të Ministrisë së Financave, dhe merrnin pjesë aty për të dhënë përgjigje.
Auditori i Përgjithshëm, Lars Lage Olofsson, ka mbrojtur gjetjet e paraqitura në raportin e tyre “Ka mungesë të ndërlidhjes së të dhënave me raporte, ku brenda një raporti individual nuk gjenerohet progresi financiar automatikisht, dhe kjo nuk bën të mundur përcjelljen e ecurisë së projekteve në vazhdim dhe atyre të rejave, në mënyrë të ndarë”, janë disa nga dobësitë e raportit që prezantoi Olofsson.
Në raport më tej thuhet se sistemi lejon hyrjen në obligime për projekte pa fonde të mjaftueshme. Një gjetje tjetër ishte se ka mungesë të analizës së kostos/përfitimit për projekte të mëdha, pastaj se nuk janë vendosur të gjitha informatat në PIP për sa u përket transfereve të ndodhura nga një projekt në tjetrin.
Rreth shumicës së këtyre gjetjeve, ministri i Financave, Bedri Hamza, ka thënë se janë dhënë komentet me kohë, ku është sqaruar se ato janë përmirësuar, apo janë në përmirësim e sipër, ndërsa ka përmendur një fakt interesant. Kur fliste për projektet pa fonde të mjaftueshme, ai ka thënë se duhet pasur parasysh se neni 7 dhe 13 i Ligjit për Buxhetin, lejojnë mundësinë e ndryshimit të disa projekteve deri në momentin e fundit. “Prandaj, ndryshimet në buxhet kanë ndodhur duke u bazuar në këtë”, ka thënë Hamza.
Në kohën kur është hartuar raporti ende nuk kanë qenë të mbyllura dhe të aprovuara projeksionet buxhetore, meqë sipas tij auditori e ka kryer këtë punë në muajin nëntor të vitit të shkuar. “Po flasim për një sistem të teknologjisë, i cili po zhvillohet aq hovshëm, ndaj edhe ky fakt është dashur të merret parasysh”, ka thënë Hamza.
Ai e ka lëshuar takimin menjëherë pasi që ka kryer fjalën, pa e pritur madje as përgjigjet që filloi t’i jepte Olofsson në lidhje me çështjet që ai shtroi. Ky i fundit ka thënë se janë të mirëseardhura disa përmirësime që janë bërë nga Ministria e Financave, që kur auditori ia ka dërguar raportin për të dhënë komentet e tyre.
Pas kësaj, kanë reaguar që të tre deputetët e PDK-së, që i takojnë këtij komisioni. “A keni staf të profesionalizuar për të audituar këso çështjesh”, ka pyetur fillimisht Valbona Dibra, deputete e PDK-së, auditorin Olofsson. Dhe, kur kësaj pyetjeje i është përgjigjur, njëri nga auditorët, duke thënë se është matematikan dhe ka edhe magjistraturë, ka ndërhyrë Ramiz Lladrovci i PDK-së, i cili është edhe nënkryetar i Komisionit.
“Po të ishte ashtu, do të ishe duke punuar diku me pagë prej 5 mijë eurosh, e jo si auditor. Ne e dimë sa e ke pagën”, ka thënë Lladrovci.
Kryetari i Komisionit, Ali Sadria, deputet i LDK-së, i ka kërkuar Lladrovcit që të mos ndërhyjë, por ai e ka ngritur tonin duke thënë se “kam të drejtë të flas, sepse jam nënkryetar dhe unë s’kam nerva me ngu atë kah më tregon këtu se çfarë diplomash ka, apo nëse është i certifikuar nga Microsofti”.
E pas tij fjalën e ka marrë deputeti tjetër i PDK-së, Adem Grabovci, duke thënë se realiteti është shumë më pozitiv sesa që po paraqitet nëpër këto raportet e auditorit. “Ju duhet të keni parasysh lëvizjet shumë pozitive që janë bërë, e jo të hartohen raporte të tilla”, ka thënë Grabovci, duke iu drejtuar auditorëve.

NBA: James dërgon Heat në play-off

Në mungesë të Dwayne Wade, LeBron James ka shënuar pikët më të larta të sezonit, 41 gjithsej, për të ndihmuar Miami Heat të mposhtë Philadelphia 76ers me rezultat 99-93 për të siguruar edhe matematikisht kualifikimin në play-off.
Wade ishte jashtë fushe për shkak të një dëmtimi, por mungesën e tij pa problem e mbuloi James, duke e afruar skuadrën e tij dy ndeshje e gjysmë afër kreut, ku ndodhet lideri i Konferencës Lindore, Chicago Bulls.
Disfata e zbret 76ers një ndeshje e gjysmë prapa Boston Celtics në Divizionin Atlantik, derisa në renditjen e përgjithshme të Lindjes ata pozicionohen në vendin e shtatë.
Në muajin e fundit të sezonit të shkurtuar (nga 82 në 66 ndeshje) për shkak të shtyrjes së fillimit të sezonit, lufta për pozitat që dërgojnë në play-off është bërë më e nxehtë.
Prapa Miamit pozitën e tretë të Lindjes e forcuar Indiana Pacers, që ka fituar 112-104 ndaj New York Knicks, që ndodhen në pozitën e tetë.
Vendi i pestë në Konferencën e Lindjes i takon Orlando Magic, që tash është vetëm një ndeshje larg Atlanta Hawks pas fitores 102-92 ndaj Detroit Pistons.