Lopez e buzëqeshur për Valentin

Jennifer Lopez mund të jetë e njohur për romancat e saja të shkurtra në të kaluarën, por ajo së fundmi është parë duke u kënaqur me valltarin, të dashurin e ri Casper Smart.
J.Lo, 40 vjeçare, para pak kohësh përjetoi divorcin e tretë nga Marc Anthony, ndërsa menjëherë u shfaq e lidhur me Casper Smart, lidhje që ka nisur në nëntor.
Që të dy besohet të jenë shumë të lumtur, pasi janë parë duke luajtur në plazh dhe duke shkruar “Jennifer + Casper” në rërë, pikërisht për Shën Valentin.

Linda Halimi fejohet me Big D?

Është ky lajmi i madh të cilin në njëfarë mënyre e konfirmon Panorama, pasi mediumi nga Shqipëria beson se këngëtarja Linda Halimi ka kurorëzuar dashurinë me reperin amerikan Big D.
Para shumë kohësh ishte spekuluar se Linda mund të ketë një marrëdhënie dashurie me Big D, por këngëtarja shpejt i mohoi këto zëra duke deklaruar për Telegrafin se ka vetëm marrëdhënie shoqërie me reperin. Sidoqoftë, Panorama zbulon se kot çifti nuk ka qëndruar së bashku.
Madje Panorama beson se udhëtimet e shpeshta në SHBA të Lindës po ashtu nuk kanë qenë të rastësishme, pasi ajo ka takuar prindërit e Davon Edëards, ndryshe i njohur si Big D. Dhe kështu, në ditën e Shën Valentinit ata e kurorëzuan dashurinë e tyre me fejesë.
Zyrtarisht këto pohime nuk janë të konfirmuara, por duke parë statuset në profilin e Lindës së Facebook mund të konstatojmë se lajmi mund të jetë shumë i vërtetë.

Roma në luftë për LK

Roma është inkuadruar në luftën për pozitën që dërgon në Ligën e Kampionëve pas fitores minimale në Olimpico ndaj Parmës.
Roma ishte dominante nga fillimi i takimit, ndërsa kjo u shfaq me golin e sulmuesit më në formë të Romës, i cili tregoi se ditë të bardha nuk ka për kundërshtarët.
Fabio Borini realizoi në minutën e 26-të për 1-0, që ishte dhe rezultati përfundimtar, përkundër rasteve të Romës deri në fund të sfidës.
Me këtë fitore Roma ngjitet në kuotën e 38 pikëve në vendin e pestë, tre pikë larg Udineses që ka një ndeshje më pak të zhvilluar. 

Guardiola trajner, Wenger në bord?

Arsenali është duke synuar që ta emërojë Pep Guardiolën si pasues të Arsene Wenger në stolin e Arsenalit, pas rezultateve të dobëta këtë sezon.
Mail on Sunday shkruan se burimet brenda Arsenalit besojnë se pronarët janë duke menduar që Arsene Wengerit t’ia japin një post kyç në bordin drejtues, teksa për trajner do të emërohej tekniku katalanas i cili është i specializuar për të drejtuar lojtarët e rinj.
Pep Guardiola gjatë tri viteve të qëndrimit të tij te Barcelona ka fituar hiç më pak se 13 tituj dhe kontrata e tij skadon në qershor të këtij viti.

City ta mposhtë Unitedin për Gaitan

Manchester City është duke planifikuar një ofertë të jashtëzakonshme për yllin e Benficas, Nicolas Gaitan.
Mirror shkruan se City është i gatshëm të ofrojë 40 milionë euro për mesfushorin fantastik, duke prishur kështu planet e Sir Alex Ferguson.
Gaitan konsiderohet si një prej lojtarëve të rinj më të shpejt dhe më atraktiv në botë, ndërsa ka lënë përshtypje të mirë në sfidat ndaj Manchester Unitedit në Ligën e Kampionëve, që për pasojë pati eliminimin e klubit më të trofeshëm anglez.

Milani shkatërrimtar, i afrohet majes

Milani ka shënuar fitore shumë të rëndësishme dhe jashtëzakonisht të lehtë në udhëtim te Cesena me rezultat 3-1, duke ashpërsuar edhe më tej luftën për titull të kampionit në Serie A.
Milani që nga fillimi ishte dominues dhe e gjeti shpejt golin. Duke reflektuar paraqitjen e tij të mirë, Sulley Muntari shënoi në minutën e 29-të për 1-0 dhe epërsinë e parë të Rossonerëve. Nuk kaluan dy minuta dhe Emmanuelson e zgjeroi këtë epërsi në 2-0.
Në vazhdim të pjesës së dytë Milani përsëroi dominoi dhe ishte Robinho ai që për 3-0 (55’), vazhdoi formën e tij të mirë para ndeshjeve shumë të rëndësishme. Rezultatin prej 3-1 e vuri Pudil në minutën e 65-të, por vendasit nuk ishin në gjendje që të shënojnë gola të tjerë.
Me këtë fitore, Milani është në vendin e parë me 50 pikë, një pikë më shumë se Juventusi që ka një ndeshje më pak të zhvilluar. Javën e ardhshme Juventusi i shkon Milanit në San Siro në duelin që mund ta përcaktojë titullin. 

Ronaldo barazon rekordin e Juanitos

Cristiano Ronaldo është golashënuesi i 13-të më i mirë në historinë e Real Madridit, pasi shënoi golin e 121-të në fanellën e Los Blancos në sfidën ndaj Santanderit.
Goli i shënuar me kokoë nga Ronaldo, barazon rekordin e Juanitos i cili shënoi po aq gola në 400 paraqitje, kurse Ronaldo i shënoi për vetëm 123 paraqitje në gara zyrtare.
Golashënuesi më i mirë i Real Madridit është Raul me 323 gola, i ndjekur nga Di Stefano (308) dhe Santillana (290).

Duhet të ndryshojë Serbia – jo Kosova

Ne jemi një shtet i ri, ne kemi emrin tonë, Republika e Kosovës, por ne ende kemi nevojë për të konsoliduar institucionet tona. Sipas mendimit tim, Kosova tani ka dy probleme të mëdha: mungesën e sovranitetit - dhe çfarë do të thotë një pavarësi pa sovranitet? - dhe papunësinë. Megjithatë, për të arritur një zhvillim socio-ekonomik duhet të bëhemi shtet sovran. Kështu ka thënë lideri i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti në një intervistë për të përditshmen zvicerane ‘24 Heures’, ndërsa citon Albinfo.
Ai ka theksuar se nuk është kundër të gjithë ndërkombëtarëve, porse është kundër ndërkombëtarëve, si atë të EULEX-it, që, sipas Kurtit, i kanë të gjitha kompetencat.
“Ata janë mbi institucionet e Kosovës, ata vendosin për ne, kurse kurrë nuk kanë qenë të zgjedhur! Unë gjithashtu i fajësoj ata për menaxhimin e krizës në mënyrë afatshkurtër, pa menduar asnjëherë në afate më të gjata. Ata na trajtojnë sikurse Afganistanin”, ka thënë lideri i “Vetëvendosje”.
Në vazhdim të intervistës, Kurti thotë se “Qeveria është e korruptuar” dhe se drejtuesit e saj po “privatizojnë në mënyrë të shfrenuar” dhe se nuk shpjegojnë arsyet “e këtyre privatizimeve, aq më pak se çfarë janë përfitimet”. Edhe pse e konsideron të rëndësishëm liberalizmin e vizave, ai vlerëson se “edhe nëse ne fitojmë liberalizimin, njerëzit do të qëndrojnë këtu, e ne kemi nevojë të përmirësojmë kushtet e tyre të jetesës! Është si të jesh në një anije që rrezikon të fundoset dhe në vend të riparimit të saj, të propozoni bileta të barkave për të ikur dhe mbijetuar”.
Kurti mendon se problemi në negociatat me Beogradin qëndron në atë se “Serbia ende na konsideron si një krahinë! Ajo kurrë nuk ka kërkuar falje, e as ka paguar për dëmet. Ajo vazhdon të mbajë 1.800 trupa të të vdekurve tanë, etj. Asnjëra prej këtyre pikave nuk është e paraparë në përmbajtjen e negociatave, kurse këto pika do të duhej të jenë një parakusht për çdo diskutim. Normalizimi i marrëdhënieve do të jetë i mundshëm vetëm nëse Serbia ndryshon, dhe jo Kosova”.

Korrupsioni në shëndetësi, pasojë e mungesës së legjislacionit

Dukuria e korrupsionit, sikurse thuajse çdo fushë, e ka prekur edhe sektorin e shëndetësisë. Faktorët që kanë ndikuar në rritjen e vazhdueshme të kësaj dukurie, llogariten të jenë të shumtë. Ekspertë të shëndetësisë vlerësojnë se ndërrimi i shpeshtë i ministrave, mandej menaxhmentit në QKUK, kanë ndikuar në keqmenaxhim dhe abuzim të buxhetit. Sipas tyre, një ndikim në rritjen e korrupsionit në shëndetësi, ka pasur edhe mosmiratimi i ligjit për shëndetësi dhe ai për sigurime shëndetësore.
Shëndetësia në Kosovë vazhdon të vuajë nga problemet e shumta, të cilat po e pengojnë përmirësimin e shërbimeve mjekësore ndaj qytetarëve. Të gjitha qeveritë e pasluftës në Kosovë gjatë fushatave zgjedhore janë thirrur në atë se shëndetësia do të jetë prioritet gjatë mandatit të tyre. Mirëpo, nga praktika mësojmë se deri më tani asnjë qeveri nuk e ka parë si prioritet shëndetësinë. Si pasojë e kësaj, ende fusha e shëndetësisë në Kosovë, vazhdon të mbetët pa ligjin për sigurime shëndetësore, i cili përllogaritet si zgjidhje e problemit të korrupsionit si institucional, ashtu edhe individual.
Sipas Kosovapress, kryetari i FSSHK-së, Blerim Syla, korrupsionin në shëndetësi e ka ndarë në dy dimensione dhe se për parandalimin e korrupsionit opsion të vetëm e sheh implementimin e ligjeve që janë bllokuar nga FMN-ja dhe Banka Botërore.
Kurse drejtori i QKUK-së, Njazi Gashi, pranon faktin që korrupsioni në shëndetësi është problem i kamotshëm, i cili sipas tij, do të vazhdojë edhe më tutje. Mënyra më e mirë e luftimit të kësaj dukurie, sipas Gashit, do të jetë miratimi i ligjit për shëndetësi dhe ai për sigurime shëndetësore.
Ndërkaq, kryetari i sindikatës së punëtorëve të QKUK-së, Xhemail Selmani, duke folur për problemet e shumta në shëndetësi, vlerëson si shumë të rëndësishëm dhe të domosdoshëm decentralizimin në Ministri të Shëndetësisë dhe QKUK.
Luan Jaha, nga departamenti për shëndetësi në AAK, vlerëson se arsyeja pse ka korrupsion në shëndetësi, qëndron në faktin se, një pjesë e shërbimeve shëndetësore nuk mbulohen nga fondet e Qeverisë së Kosovës dhe se, sipas tij, ky korrupsion do të çrrënjoset me aplikimin e sigurimeve shëndetësore.
Ndryshe, ligji për shëndetësi dhe ai për sigurime shëndetësore vazhdojnë të qëndrojnë të bllokuara nga FMN-ja dhe BB-ja, për shkak të kostos së lartë financiare të tyre. Megjithatë, ekspertë nga fusha e shëndetësisë, ligjet në fjalë i kanë vlerësuar jo praktike dhe vështirë të implementueshme. Por, pas aprovimit të tyre nga ana e mekanizmave financiarë ndërkombëtarë, të dy ligjet pritet të dalin në diskutim publik dhe më pas të vihen në Kuvend për miratim, në mënyrë që nga fillimi i vitit 2013 të fillojë zbatimi i tyre në praktik. Zbatimi i këtyre dy ligjeve pritet të përmirësojë situatën e rëndë në shëndetësi dhe po ashtu të ndërpresë edhe abuzimin dhe korrupsionin në shëndetësi. 

Peja me plan operativ për nxënësit

Mesë nesër do të rifilloj procesi mësimor, autoritetet komunale, në bashkëpunim me Policinë Rajonale të Pejës, kanë nisur një plan operativ për të liruar një pjesë të rrugës për kalimin e nxënësve.
Udhëheqësi i shërbimeve teknike në Drejtorinë për Punë Komunale, Skënder Avdyli, ka thënë se komuna po përpiqet që ta krijoj një terren të sigurt për udhëtimin e nxënësve për në shkollë.
“Trotuaret nuk kanë mundur të lirohen tërësisht. Qarkullimi në skaj të rrugës paraqet ende rrezik për nxënësit, nga rënia e sasive të borës nga pullazet. Andaj, jemi duke u përpjekur që të lirojmë një skaj të rrugës, për kalimin e nxënësve”, potencoi Avdyli për “kosovapress”.
Edhe zyrtarë të policisë Rajonale të Pejës thanë se plani operativ përfshinë shpërndarjen e patrullave policore nëpër rrugë dhe në afërsi të shkollave, në mënyrë që të ndihmohet qarkullimi i nxënësve dhe kalimtarëve tjerë.
Policia sërish apelon tek ngasësit e automjeteve që të jenë të kujdesshëm dhe të rrisin vigjilencën, për shkak të ngricave eventuale në rrugë.
Ndryshe, kryetari Ali Berisha sot e ka shpallur e përfunduar gjendja e jashtëzakonshme në Pejë.

Thaçi e pranon fusnotën me Rezolutën 1244

Pas paqartësive disajavore rreth përfaqësimit të Kosovës në forumet dhe nismat rajonale, Prishtina zyrtare u shpreh në mbështetje të një modeli ku do të merrej parasysh edhe rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara - siç kishte insistuar Serbia - por edhe Deklarata e shpalljes së pavarësisë së vendit dhe mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për ligjshmërinë e aktit të shpalljes së pavarësisë.
 Për zhbllokimin e ngërçit të deritashëm rreth kësaj çështjeje, në një bisedë telefonike me “Radion Evropa e Lirë” foli e kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi.
Ai tha se modeli aktual për përfaqësimin e Kosovës në forumet rajonale është i balancuar, meqë merr parasysh dy realitetet ekzistuese - atë të Kosovës së pavarur dhe atë të Serbisë që nuk e njeh shtetësinë e saj.
“Në bashkëpunimin regjional, në të njëjtën kohë, Kosova do të përfaqësohet me Deklaratën e Pavarësisë - pra do të merret parasysh Deklarata e Pavarësisë së Kosovës e 17 Shkurtit 2008 - e gjithashtu opinioni i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë që rikonfirmon edhe ndërkombëtarisht pavarësinë e Kosovës, dhe Rezoluta 12 44 që njeh dhe garanton integritetin territorial të Republikës së Kosovës dhe prezencën e NATO-s në Kosovë”, u shpreh kryeministri Thaçi.
Deri vonë, në opinionin publik patën qarkulluar ide të ndryshme për mënyrën e përfaqësimit të Kosovës në nismat rajonale. Thuhej se në këto nisma Kosova do të përfaqësohej pa fjalën “Republikë” dhe me një fusnotë që do të përmbante disa sqarime për Kosovën.
I pyetur se a është pajtuar pala kosovare për heqjen e fjalës “Republikë” nga përfaqësimi i vendit në këto organizime, kreu i ekzekutivit të Kosovës u shpreh: “Për ne nuk kanë qenë me rëndësi formulimet dhe simbolikat. Për ne është me rëndësi agjenda evropiane, përshpejtimi i pakos evropiane për Republikën e Kosovës”!
Përmirësimi i marrëdhënieve me Kosovën i ishte përmendur Beogradit si parakusht për marrjen e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Vendimi për këtë çështje pritet të merret në fillim të muajit të ardhshëm, por kryeministri Thaçi shfaqi shpresën se pas zhvillimeve diplomatike të së shtunës edhe për Kosovën pritet të ketë përshpejtim të agjendës evropiane.
“Ka një rritje të vetëdijesimit në domosdoshmërinë e lëvizjes së shpejtë të Kosovës drejt agjendës evropiane. E theksoj se Brukseli, padrejtësisht, ka pasur hezitime në ofertën evropiane për Kosovën. Kosovarët janë evropianët më të rinj, kanë merituar dhe meritojnë lëvizje më të shpejtë, sepse kemi implementuar agjendë të rëndësishme evropiane”, theksoi kryeministri Thaçi.
Megjithëkëtë, nga Serbia nuk ka ende ndonjë sinjal për përqafimin eventual të modelit të përmendur nga kryeministri Thaçi.
Paraqitja e modelit në fjalë erdhi pas presioneve të shumta që Bashkimi Evropian dhe Washingtoni zyrtar u bënë palëve të përfshira në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja.

Mësimi nuk vazhdon në Deçan

Nuk ka ndonjë komunë, pos Deçanit, që momentalisht ka raportuar për pamundësi të fillimit të mësimit.
“Përndryshe, mësimi fillon nesër. Gjatë ditës Komunat do të njoftojnë nëse ka kushte apo jo për fillimin e mësimit. Në ndonjë zonë të thellë rurale, ku lëvizja mund të jetë e vështirësuar, mësimi mund të shtyhet, por kjo është në kompetencë të Drejtorive Komunale”, ka thënë për “kosovapress” zëdhënësi i Ministrisë së Arsimit, Ragip GJoshi.
Ndryshe, vendimi për shtyrjen e fillimit të mësimit është marrë si rezultat i temperaturave të ulëta dhe reshjeve të vazhdueshme të borës në vendin tonë.

Adele padit revistën franceze për seks videon

Adele ka paditur një revistë franceze për pohimet e rrejshme se në qarkullimi dhe pranë lansimit është një video pornografike e superyllit britanik.
Avokatët e Adele tashmë kanë bërë punën e tyre duke bërë padi për videon pornografike të rrejshme sipas këngëtares, e cila kategorikisht mohon të jetë në ato sekuenca.
“Adele nuk është shfaqur në videon pornografike ashtu sikurse është pohuar në artikull. Adele nuk paraqitet në ato fotografi. Këto pohime janë të pa vërteta dhe të shpifura”, ka thënë një prej avokatëve
të Adeles

Petriti kritikon zgjedhjet e djemve në Big Brother

Ish-banori i reality show Big Brother, Petrit Bylykbashi, i cili njihet për qëndrimin e tij kontravers, ka kritikuar ashpër përzgjedhjen e banorëve të rinj, sidomos të meshkujve të cilët kanë hyrë në shtëpinë më të madhe në Shqipëri.
Djemt të cilët kanë hyrë në ditën e parë të edicionit të pestë të Big Brother janë Graciano, Liami, Ermali, Floriani, Gjoni dhe kosovarët Meti dhe Elvisi. Kryesisht të gjithë të lartpërmendurit ishin prezantuar me të njëjtin stil flokësh në natën e parë dhe sjellja e karakteri i tyre nga shikimi i parë nuk është lënë pa u kritikuar nga Petriti.
“Kësaj radhe Big Brother i paska mbledhur të gjithë homoseksualët bashk...:S”, është shprehur në profilin e tij në Facebook dizajneri i njohur.

Fillon Big Brother 5 (video)

Ka filluar edicioni i pestë i reality show, Big Brother Albania, me banorë të karakteristikave, moshave dhe vendeve të ndryshme.
Në një shtëpi madhështore të ndërtuar nga Top Channel enkas për këtë spektakël, filloi edicioni i pestë i Big Brother Albania, i cili edhe kësaj radhe do të drejtohet nga prezantuesja e njohur Arbana Osmani.
Të shtunën mbrëma në spektaklin hapës kanë hyrë në shtëpi 18 banorë, tri nga të cilët janë nga Kosova, bëhet fjalë për Elvisin, Metin dhe Albulenën, teksa dy banorë janë nga diaspora – Liami nga Gjermania dhe Gjoni nga Italia.
Nga ana tjetër, karakteristike është hyrja në reality show i konkurrentit në moshë, Edgarit, i cili njihet për paraqitjen e tij epike në emisionin “Kush do të bëhet Milioner?”, si kandidati që ka arritur më pranë se askush tjetër çmimit kryesor.
Dhe kështu, filloi dhe Big Brother Albania 5, formati më i suksesshëm i reality shoë në botë, i cili do të zgjasë rreth tri muaj, me konkurrentë të shumtë të cilët do të hyjnë edhe në javët në vazhdim, e të cilët do të luftojnë për çmimin kryesor – 100 mijë euro. 

Mbijeton pas dy muajsh i bllokuar në borë

Një burrë është gjetur i gjallë brenda një makine të zhytur në borë, pas dy muajsh qëndrimi në temperatura ekstremisht të ulëta, në veri të Suedisë.
Personi, i cili sipas mediave lokale është bllokuar më 19 dhjetor, ka mbijetuar brenda “thesit të gjumit” duke ngrënë borë. Ai është gjetur në një rrugë pylli pranë Umeas, pasi ca kalimtarë kanë ngritur alarm.
I mbijetuari aktualisht po trajtohet në spitalin e Umeas dhe gjendja e tij është përshkruar si “e mirë, nën rrethanat e tilla”.
Temperaturat në veri të Suedisë kanë arritur në minus 30 gradë Celsius në javët e fundit.

App Store – së shpejti në 25 miliard shkarkime

Përveç që është platforma udhëheqëse për nga numri i aplikacioneve të ofruara, iOS së shpejti do të bëhet edhe platforma udhëheqëse edhe për numrin e shkarkimeve totale të aplikacioneve, pasi që i është afruar shifrës prej madje 25 miliard.
Apple në të vërtetë dëshiron të festoj këtë moment kështu që qysh tani ka vendosur një numërues në faqet e veta. 
Kështu që, nëse jeni pronar i ndonjë pajisje të Apple, përcillni numëruesin, për shkak se nëse do të jeni personi i cili ka kaluar shifrën 24,999,999,999 në 25 miliard, do të fitoni një bono-dhuratë prej 10,000 dollarëve amerikan për blejë në App Store. Mënyrë alternative është që të plotësoni pyetësorin në vend se të blini/shkarkoni ndonjë aplikacion.

Conte: Jemi ekip i madh

Trajneri i Juventusit, Antonio Conte, beson se ekipi i tij ka treguar se është ekip i madh pasi arriti të rikthejë rezultatin në sfidën ndaj Catanias nga disavantazhi në minutat e para të sfidës.
“Ne kemi qenë të mirë, ishim të koncentruar dhe të matur dhe shfaqëm përgjigje të shkëlqyer për tifozët, pasi treguam se jemi ekip i madh”.
“Ne jemi grup i madh dhe kjo është parë edhe të shtunën. Unë e kam ditur se ne do të përballemi me një Catania të fortë, që po ashtu tregoi forcat e veta. Ata kanë lojtarë të mirë dhe është dëshmi se drejtori Pietro Lo Monaco po bën punë shumë të mirë”, tha Conte.

Ibra: Juve favorit, luan një herë në javë

Sulmuesi i Milanit, Zlatan Ibrahimovic, është i bindur se Juventusi është favorit për ta fituar sfidën kruciale për titull që zhvillohet javën e ardhshme në San Siro, ndërsa si arsye për këtë e sheh faktin se Bianconerët luajnë një herë në javë.
“Mendoj se vitin e kaluar kur kemi luajtur keq, ne fitonim pikët, por këtë vit sa herë kemi luajtur keq, kemi pësuar disfata dhe mendoj se kjo është cilësi e kampionatit”.
“Mendoj se Juventusi po bën mirë, por nuk duhet të harrojmë se ata luajnë një herë në javë, kurse ne tri ndeshje në javë. Dallimi është shumë i madh”, tha Ibra.

Heynckes i frustruar me ekipin

Trajneri i Bayernit të Munichut, Jupp Heynckes është tejet i frustruar me paraqitjen e ekipit të tij ndaj Freiburgut, ku bavarezët dështuan të fitojnë.
“Ne ishim të dobët në pjesën e parë. Ne kemi menduar se do të kishim sukses me futboll të bukur. Ne është dashur t’u rezistojmë në mënyrë energjike, ne është dashur që të jemi më agresiv. Por, ne nuk e kemi bërë këtë deri në fund të pjesës së dytë”.
“Për këtë arsye luftohet 90 minuta për të fituar. Në tabelë, edhe dy pikë janë lëshuar. Ekipi në maje është shumë stabil dhe kështu natyrisht ne nuk mund të lejojmë gabime të tilla”, deklaroi Heynckes.

Mazzarri: Chelsea, test i tmerrshëm

Trajneri i Napolit, Walter Mazzarri, është i vetdishëm për sfidën e vështirë për skuadrën e tij ndaj Chelseat, që vlen për kualifikim në çerekfinale të Ligës së Kampionëve.
“Unë nuk pajtohem se Napoli është favorit. Chelsea dëshiron të bëjë mirë në Ligën e Kampionëve dhe ata kanë lojtarët të cilët janë mësuar me ndeshje të tilla”.
“Do të jetë test i tmerrshëm dhe nëse duam të kualifikohemi duhet të bëjmë mrekullira”, ka thënë Mazzarri. 

Pirlo i gatshëm për rikthimin në San Siro

Mefushori i Juventusit, Andrea Pirlo, thotë se ai është i gatshëm që të rikthehet në San Siro për një ndeshje emocionale ndaj ish-ekipit të tij, Milanit.
“Unë në mënyrë të pa evitueshme do të ndjej emocione”.
“Do të jetë ndeshje e rëndësishme, në të cilën do të përballen dy ekipe të shkëlqyera. Nëse lojtarët më të mirë do të përfshihen, atëherë sigurisht se ndeshja do të jetë më interesante”, ka thënë Pirlo. 

Mourinho: E dua Interin dhe Chelsean, por nuk rikthehem

Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, ka pranuar se ai ndjen dashuri për ish-klubet e tij, Chelsean dhe Interin, por nuk dëshiron që të rikthehet.
Blutë e Londrës dhe Nerazzurët janë dëgjuar duke brohoritur emrin e Mourinhos nëpër tribuna të stadiumeve dhe kjo ka bërë që të preket edhe vet Mourinho, i cili ka aluduar në qëndrim te Real Madridi.
“Unë vërtet e dua Chelsean dhe Interin. Sidoqoftë, preferoj të jem tifoz i këtyre ekipeve dhe të dëgjoj tifozët duke thirrur emrin tim”, u shpreh portugezi.

Wenger bën thirrje për ringjallje

Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, është duke kërkuar ringjallje nga lojtarët e tij, për t’iu kthyer fitoreve pas disfatës së radhës në transfertë te Sunderlandi me rezultat 2-0.
“Unë ndjej se kemi pasur një paraqitje të mirë, ku kemi dhënë gjithçka. Ishte ndeshje shumë e vështirë. Ne kemi pasur tri ndeshje në udhëtim për një javë dhe të trija në terrene të vështira. Është një kalendar fatkeq”.
“Ne kemi luftuar shumë, por nuk kemi pasur fat. Ishte 100 përqind penalti të cilën Webb nuk e akordoi, ndërsa Sunderlandi shënoi në goditjen e parë në portë. Më pas, ne është dashur ta ndjekim rezultatin dhe kështu rrezikuam e u dënuam”, u shpreh francezi. 

Boateng në dyshim për Juventusin

Milani ka marrë lajme të këqija para duelit krucial ndaj Juventusit, pasi mesfushori Kevin Prince Boateng ka pësuar një lëndim në kofshë që mund ta lë atë jashtë sfidës së rëndësishme.
Mesfushori i shumëanshëm u rikthye pas lëndimit në ndeshjen që përfundoi me rezultat 4-0 ndaj Arsenalit, kurse ai u zëvëndësua në pjesën e dytë pas një lëndimi në kofshën e majtë.
“Milani dëshiron të bëjë të ditur se pas ndeshjes ndaj Arsenalit, Boateng është zbuluar se ka pësuar një zgjatje muskulore në kofshën e tij të majtë. Në ditët e ardhshme do të dimë periudhën se kur ai mund të kthehet në ekip”, shkruan në një komunikatë në faqen zyrtare të Rossonerëve.

Jeremic: Uganda nuk e ka njohur Kosovën

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremic, ka thënë sot se Uganda nuk e ka njohur pavarësinë Kosovës dhe se as nuk e ka “ndërmend ta bëj një gjë të tillë”.
"Ministri i Jashtëm i këtij vendi, Oryem Henry Okello, ma ka thënë konfirmuar këtë sot, direkt mua”, ka thënë Jeremic për “Tanjug”.
"Është e mundur që janë korruptuar disa njerëz të afërt me autoritetet e këtyre vendeve, por nuk ka pasur asnjë ndryshim në vendimin e tyre për të respektuar sovranitetin dhe integritetin territorial të Serbisë”.
Sipas tij, ky është edhe një tentim i “mashtrimit” nga ana e Prishtinës, “siç kanë bërë me Nigerinë dhe Republikën Qendrore Afrikane”. Ai thotë se politikanët e Prishtinës janë nën presion ndërkombëtar, "që të heqin dorë nga qëndrimet e ngurta në dialog me Beogradin”.
“Kësht,u ata duan ta tërheqin vëmendjen e opinionin të brendshëm ndaj këtyre fakteve jo të këndshme për ta”.

Shteti i ri me probleme të mëdha

Ditorja “Zaman”, në një artikull të botuar sot, shkruan për problemet politike dhe ekonomike me të cilat ballafaqohet Kosova katër vjet pas shpalljes së pavarësisë. Sipas ditores, është BE-ja ajo që mund të zgjidhë problemet mes Serbinë. Ndërsa, kur është fjala për ekonominë, autori i shkrimit, Seyit Arslan, nuk është shumë optimist. Ai përmend shifrën prej 50 për qind të papunëve, dhe 50 për qind të popullatës nën moshën 25 vjeçe. Mangësitë në prodhim dhe eksport, sipas tij, kanë bërë që vendi të jetë i varur nga shtetet tjera. Ndërsa, përgjigja që merr përkitazi me këtë, nga ambasadori i Kosovës në Vjenë, Sabri Kiçmari, është pothuaj se qesharake. Ai përmend një sondazh të para dy viteve, ku kosovarët dalin më të lumturit në Evropë! Ndërsa, si “sukses ekonomik” e konsideron moshën e re të popullatës. “Ne nuk jemi duke luftuar me problemet që ndërlidhen me pensionimin, e me të cilin Evropa po përballet tani”, thotë Kiçmari.
Kosova është shtet i ri që shpalli pavarësinë më 17 shkurt 2008 ri. Çdo lagje në vend mbart gjurmët dhe shenjat e pavarësisë së freskët.
Pavarësisht mungesës së infrastrukturës dhe problemeve urbane që i hetova gjatë një udhëtimi nga Prizreni - kryeqyteti kulturor i vendit, deri në Prishtinë - kryeqytetin politik, autostradat e reja, ndërtimi i objekteve të reja dhe sheshndërtimet masive në Prishtinë janë tregues të një transformimi të vendit. Siç pritet, sektori i ndërtimit është aktiv, megjithatë, shifrat e papunësisë nuk korrespondojnë me këtë - me 45 për qind të njerëzve të papunë në Kosovë.
Kosova, që doli si shteti i 50-të në Evropë, ballafaqohet me një numër të madh të problemeve teksa feston përvjetorin e katërt të pavarësisë së saj. Mbështetja dhe prania e shteteve perëndimore, që luajtën një rol të rëndësishëm dhe përcaktues në pavarësinë e saj, është jetike në luftën e Kosovës ndaj problemeve të saj.
Ambiciet e pakicës serbe në pjesën veriore të vendit - sidomos në Mitrovicë - që të bashkohet me Serbinë dhe refuzimi i tyre ndaj sovranitetit të Kosovës, janë problemet më të mëdha politike me të cilat duhet të merret shteti i ri.
Derisa mungesa e njohjes nga Serbia dhe nga banorët në veri të Kosovës janë dy çështjet kryesore politike, problemi më i ngutshëm në Kosovë është papunësia, ku 50 për qind e popullatës është nën moshën 25 vjeçe.
Qeveria e koalicionit përballet me probleme serioze, si ajo për të krijuar institucione të reja shtetërore, ashtu edhe për të ringjallur ekonominë. Populli kosovar, që ka menduar se gjithçka do të jetë më mirë pas pavarësisë, tash e kupton se i nevojitet kohë për të zgjidhur problemet e veta.
Kryeministri Hashim Thaçi dhe partia e tij, Partia Demokratike e Kosovës, ka mbështetjen e BE-së, por duhet të merret me rivalët politikë, për shkak të problemeve të vazhdueshme ekonomike dhe politike.
I deleguari i Kosovës në Vjenë,  Sabri Kiqmari, duke komentuar për situatën ekonomike, thotë: "Fatkeqësisht, papunësia është një realitet, sidomos për të rinjtë. Nga ana tjetër, ne nuk jemi duke luftuar me problemet që ndërlidhen me pensionimin e me të cilin Evropa po përballet tani. Sa i përket zhgënjimit të njerëzve, unë do të nxjerr në pah një sondazh të opinionit publik të realizuar dy vjet më parë, që tregon se kosovarët janë më të lumturit në Evropë. Stimulimet për ndërmarrjet e vogla janë në rritje. Papunësia është një problem që duhet të zgjidhet hap pas hapi. Unë besoj se shkalla e papunësisë do të bjerë me 10 për qind përmes masave që ne do të ndërmarrim  gjatë pesë viteve të ardhshme”.
Mangësitë në prodhim dhe eksport kanë bërë që vendi të jetë i varur nga shtetet tjera. Mirëmbajtja e sigurisë kombëtare nga ana e forcave ndërkombëtare tregon se varësia nuk është e kufizuar vetëm në fushën e ekonomisë.
Institucionet ndërkombëtare kanë bërë kritika serioze në lidhje me krimin e organizuar, që gjithashtu paraqet një kërcënim për zhvillimin ekonomik. Është e qartë se Kosova po përdoret nga trafikantët e drogës si një rrugë transiti, dhe sasia e drogës e sekuestruara së fundi nga forcat e sigurisë e konfirmon këtë.
Në anën tjetër, politikanët serbë duhet të bëjnë një zgjedhje në mes të kërkesave territoriale mbi Kosovën dhe anëtarësimit në BE. BE-ja kishte theksuar më parë se për fillimin e negociatave për anëtarësim, Serbia duhet të përmirësojë marrëdhëniet e saj me Kosovën. Në dhjetor, kur është parë se përpjekjet e saj nuk ishin të mjaftueshme, BE-ja ia mohoi statusin e kandidatit Serbisë. Kandidatura e Serbisë për anëtarësim në BE do të vendoset në takimet në Bruksel, në muajin mars.
BE-ja i ka detyruar autoritetet serbe që të bëjnë lëshime në çështjet doganore, për shkak të problemit të Kosovës.
Ulrike Lunacek, raportuese e Parlamentit Evropian për Kosovën, ka një mesazh të qartë për Serbinë: "Serbia duhet të jetë e qartë për një gjë: BE-ja ndjek parimin e bashkëpunimit, e jo të konfrontimit".
E njëjta gjë vlen edhe për Serbinë e edhe për Kosovës: Ata duhet të punojnë së bashku e me fqinjët e tyre.
Në një shprehje solidariteti me serbët e Kosovës, Presidenti serb Boris Tadic dhe zyrtarët tjerë serbë bëjnë shpesh referenca me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, të miratuar në vitin 1999. Rezoluta, që i referohet integritetit territorial të Jugosllavisë së asaj kohe, është e pavlefshme tani. Serbia, duke u thirrur në këtë Rezolutë e mohon ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës - të njohur tani nga 87 vende në mbarë botën - për çka çështjen e shpiu në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Por, ky veprim u kthye Serbisë si një bumerang.
Gjykata, e cila për herë të parë mori një vendim për mosmarrëveshjet territoriale midis dy kombeve, e justifikoi shfaqjen e Kosovës si shtet i pavarur. Vendimi, i cili nuk ka efekt detyrues, inkurajoi kombet e tjera për ta njohur Kosovën. Por, anëtarësimit të Kosovës në organizatat dhe institucionet ndërkombëtare i është vënë vetoja nga Rusia dhe Serbia.
Në gjendjen e tashme, janë tri palë në tavolinë: administrata e Prishtinës, serbët në veri të Kosovës dhe Serbia. Faktori i vetëm që do të shtyjë Serbinë drejtë njohjes së Kosovës është oferta e anëtarësimit në BE. Për Lunacekun, zhvillimi i një dialogu të sinqertë dhe konstruktiv midis Serbisë dhe Kosovës është parakusht për përparimin e procesit të anëtarësimit të dy vendeve në BE. Nëse nuk ka përparim në këtë proces të dialogut, nëse Serbia nuk e lejon pjesëmarrjen e Kosovës në forumet rajonale, atëherë do të jetë vështirë për të dy vendet që të bëjnë progres në rrugën e tyre evropiane..
Në lidhje me qëndrimin e Serbisë ndaj Kosovës, ambasadori Kiçmari thotë: "Serbia është duke vepruar thua se jeton në të kaluarën. Ne nuk mund të pranojmë qëndrimin e Serbisë e cila i referohet Rezolutës 1244. Kjo rezolutë ishte e vlefshme deri në zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Tani ka mbaruar çështja e statusit të Kosovës".
Është fakt se Serbia ndërhyn  përmes pranisë së saj në veri të Kosovës. Rreth 6,000 punëtorë serbë të këtij rajoni, që kanë ikur nga vendi gjatë luftës, ende marrin pagat e tyre nga Qeveria e Serbisë, thua se janë  duke punuar në Kosovë. Sipas vlerësimeve të fundit, pagesat e bëra nga autoritetet serbe për këta punëtorë, gjatë 12 viteve të fundit - që prej ardhjes në pushtet të OKB-së në Kosovë – arrijnë totalin e 6.2 miliardë eurove.
Serbia ka dhënë shenja se ajo do ta preferoj anëtarësimin në BE. Për këtë qëllim, qytetarët kosovarë janë lejuar të hyjnë në territorin e Serbisë, nëse paraqesin kartat e tyre të identitetit, ndërsa edhe automjetet lejohen të kalojnë portat doganore. Mundësia e statusit të anëtarësimit, pas përmirësimit të lidhjeve me Kosovën, do ta forcojë pozitën e qeverisë para zgjedhjeve të ardhshme në prill. Kjo kushtëzohet përmes koncesioneve të mundshme që qeveria mund të bëjë në lidhje me çështjen e Kosovës. A do t’i refuzoj populli serb këto koncesione apo do të bëj se nuk sheh - për hir të anëtarësimit në BE - këtë koha do ta tregoj.
Duke komentuar anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian, Lunacek tha: "Kurrë nuk do të ketë një Qipro të dytë në BE. Nuk ka tokë për t'u përfshirë në BE, kufijtë e të cilit nuk janë të qartë”.
Në përgjigje të pyetjes se ku duan ta shohin Kosovën në 10-vjetorit e pavarësisë, Kiçmari ka thënë: "Dhjetë vjet pas pavarësisë do të jetë një lojtar i rëndësishëm në arenën ndërkombëtare, si anëtar i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evrope (OSBE) dhe i OKB-së. Ministri i Jashtëm austriak, Michael Spindelegger, e ka përmendur vitin 2020 për integrimin e vendeve të Ballkanit. Deri atëherë ne do të bëhemi anëtar të BE-së. Ne kemi miq shumë të mirë, përfshirë BE-në, SHBA-të dhe Turqinë”.

Mësimi rifillon të hënën

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT) njofton të gjithë nxënësit dhe mësimdhënësit se mësimi do të rifillojë nesër, më 20 shkurt 2012, në të gjitha shkollat fillore dhe të mesme të Republikës së Kosovës.
MAShT njofton se mësimi mund të mos fillojë në disa shkolla në zonat rurale, ku Drejtoritë Komunale të Arsimit vlerësojnë se ende nuk ekzistojnë kushtet që të zhvillohet mësimi, për shkak të borës së madhe që ka përfshirë ato vende.
Ditët dhe orët e humbura do të kompensohen sipas planifkimit të përbashkët të DKA-ve me MAShT-in.

Allegri: Ndaj Cesenas, shpirtin e Arsenalit

Trajneri i Milanit, Massimiliano Allegri, u ka sugjeruar lojtarëve të tij që të mbajnë shpirtin që e kanë pasur edhe në ndeshjen ndaj Arsenalit, pasi fitorja ndaj Cesenas është kruciale.
“Ne duhet që t’i qasemi ndeshjes ndaj Cesenas me shpirtin dhe motivimin e njëjtë sikurse ndaj Arsenalit. Ne nuk duhet ta kuptojmë gabimisht, pasi po përballemi me një ekip shumë të organizuar dhe të fortë, që gjithmonë krijon diqka në shtëpi”, theksoi Allegri.
Milanit i duhet patjetër fitorja ndaj Catanias në sfidën që zhvillohet nga ora 15:00, pasi vetëm kështu mban hapin për titull.

Rrahje masive e Chisoras dhe Haye

Boksierët britanik, Derek Chisora dhe David Haye, ishin përfshirë në një konfrontim në Munich, që ka shpjerë drejt një rrahje masive nga e cila i lënduar ka dalë menaxheri i Hayes, Adam Booth.
Incidenti ndodhi në një konferencë për shtyp, pasi Chisora humbi pas një performance të denjë ndaj Vitalit në 12 raunde. Sidoqoftë, Chisora pas duelit ngacmoi Haye, i cili ishte në rolin e analistit për një televizion britanik, duke e kritikuar për mënyrën se si ka humbur nga Wladimir Klitschko.
“David, si e ke gishtin e këmbës”, theksoi Chisora vazhdimisht në konferencë, duke aluduar në arsyetimin e Haye pas duelit me Wladimirin zhvilluar korrikun e kaluar, duke shtuar “Haye, ti dhe unë mund të takohemi në Londër. Mos ki merak”.
Pas këtyre fjalëve, Haye u ngrit dhe filloi të rrahej me Chisoran, teksa ky i fundit pohon të ketë marrë një shishe për ta goditur Hayen, pasi të njëjtën gjë e bëri edhe ky i fundit.
Sipas AP, kur Haye dhe Chisora ishin ndarë, Haye u përfshi në një rrahje tjetër me një antar të stafit të Chisoras me të cilin kanë shkëmbyer disa goditje. Gjatë këtij incidenti tjetër të madh Haye mori një tripod televiziv ndërsa në rrëmujë menaxheri i Haye ka dalë me prerje në fytyrë. Gazetarët janë larguar nga këto skena, teksa sigurimi ka tentuar t’i ndajë palët.
Para rrahjes së Hayes me Chisoran në Munich, Bernd Boente, menaxheri i Klitshkocs tha: Pas përvojave të këqija me boksierët britanik, ne do të kërkojmë boksierë nga vende tjera. Për dallim nga David Haye, Dereck Chisora vërtet luftoi dhe tentoi të fitonte”.
Ndaj kësaj, Haye u përgjigj: “Ju nuk dëshironi të luftoni me mua, apo jo?”, ndërsa Boente tha: “Ti ke pasur ofertë, nuk pranove, tani je jashtë. Ti je jashtë. Jashtë, jashtë, jashtë. Ti nuk mund ta fusësh veten prap në konkurrencë, pasi nuk ke breza. Chisora shfaqi zemër, për dallim prej teje. Ti shfaqe gishtin tënd të këmbës”.
Wladimir Klitschko, i cili ishte dëshmitar i dramës në sallën e konferencës për shtyp në Munich, tha për BBC: “Jam totalisht i zhgënjyer, shkoi shumë larg, sporti i boksit nuk duhet të jetë i tillë. Fytyra të përgjakura në konferencë për shtyp...duhet të ketë luftë në ring, jo jashtë ringut. Jam vërtet i befasuar”.
Dereck Chisora shkaktoi polemika të mëdha pasi para duelit me Vitali Klitschkon e goditi këtë të fundit me shuplakë gjatë matjes zyrtare, por ukrainasi e mori me sportivitet dhe ia tregoi vendin gjatë duelit.

Guardiola aludon në largim

Trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola, tërthorazi ka aluduar në largim, pasi u shpreh i kënaqur me thirrjet për rinovim të kontratës, teksa shtoi se njerëzit do të kishin hedhur gurë mbi të nëse do të kishte dështuar në të kaluarën.
“Unë jam falënderues që njerëzit duan që unë të rinovoj, por nëse nuk do të kishim fituar aq shumë, atëherë ata do të kishin hedhur gurë mbi mua”.
“Unë jam falënderues që klubi nuk ka vendosur limit kohor mbi mua. Nëse ata kanë nevojë të dinë atëherë unë do t’ua kumtoj vendimin së shpejti. Unë tashmë ju kam thënë me mijëra herë. Unë do të rinovoja për pesë apo gjashtë vite, por ju e dini se çfarë mendimi kam. Ëshe zgjedhje personale. Nëse do të kisha dështuar nuk do të kërkonit të rinovoja”, tha Guardiola.

Paqartësi rreth vazhdimit të bisedimeve

I ashtuquajturi sekretari shtetëror për Kosovën, Oliver Ivanovic, ka thënë se të hënën do të merret vendimi se a do të ketë vazhdim të bisedimeve me Prishtinën, më 21 shkurt.
“Ne kemi propozuar që në përfaqësimin e Kosovës të përmendet Rezoluta 1244, ndërsa Prishtina kërkon që të qëndrojë vlerësimi i GJND-së dhe diçka tjetër”, ka thënë ai për “Blic”.
“Të hënën edhe një herë do të ulemi të shqyrtojmë se a ka përafrim të qëndrimeve. Nëse ne dhe ata mbesim me forcë në qëndrimet tona, nuk ka nevojë që të takohemi”.
Rundi i ri i bisedimeve Kosovë-Serbi, ku është paraparë të diskutohet përfaqësimi rajonal i Kosovës në forumet ndërkombëtare dhe realizimi i marrëveshjeve të arritura më herët, është përcaktuar të mbahet të martën, ka deklaruar Maja Kocijançic, zëdhënëse e përfaqësueses së lartë të BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Catherine Ashtone.
Mirëpo, siç raportojnë sot mediat serbe, është shumë e paqartë se a do të mbahen këto bisedime.
Prishtina, siç raporton “Blic’, nuk është e kënaqur me modelin për përfaqësimin e Kosovës, të cilin e propozon Beogradi, sado qo ndërmjetësi Robert Cooper iu ka sugjeruar kosovarëve që ta pranojnë këtë model.
“Ata nuk janë të kënaqur për shkak se Rezoluta fletë për zgjidhja të përkohshme dhe kalimtare. Që do të thotë se statusi i Kosovës nuk është de jure i zgjidhur”, thotë një burim i gazetës nga Qeveria e Serbisë.

Rama: Bashkim nën qiellin e Evropës

Disa subjekte politike dhe jopolitike shqiptare angazhohen për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Kryetari i Partisë Socialiste të Shqipërisë, Edi Rama, nuk e mbështet këtë ide.
“Për ne bashkimi i Shqipërisë me Kosovën do të ndodhë nën qiellin e Evropës së bashkuar. Integrimi i plotë evropian i Shqipërisë dhe Kosovës është vetë bashkimi i dy shteteve tona në rrugën e re të Bashkimit Evropian”, ka thënë Rama për “express.mk”.
Ndërkaq, për shqiptarët e Luginës së Preshevës, të Maqedonisë apo të Malit të Zi thotë se duhet të “jetojnë të lirë e të respektuar në trojet e tyre”.
“Ne duhet të bëjmë gjithçka për një rajon ku pakicat janë ura lidhjeje mes shteteve e jo hendeqe vuajtjesh për njerëzit si edhe arsye ndasish në rajonin tonë”.

MPJ i kryen detyrat e Jahjagës

Udhëheqësit e Ministrisë së Punëve të Jashtme (MPJ), duke shpërfillur Ligjin për Shërbimin e Jashtëm të Republikës së Kosovës, u kanë dërguar shkresa zyrtare ambasadorëve të Kosovës që aktualisht shërbejnë në vende të ndryshme.
Këtë gjë e ka konfirmuar zëvendësministri i Jashtëm, Ibrahim Gashi, i cili në disa paraqitje publike ka thënë se iu ka dërguar qarkore disa ambasadorëve për t’i njoftuar se së shpejti do të ndërrohen nga ambasadorët e ardhshëm, përkatësisht se do t’ju ndërpritet mandati i tyre, i cili zgjatë katër vjet, raporton “Zëri”.
Mirëpo, në Ligjin për Shërbimin e Jashtëm të Republikës së Kosovës, kjo kompetencë i takon ekskluzivisht presidentes së vendit, e cila megjithatë tërheqjen e një ambasadori – derisa ai nuk e ka përfunduar mandatin – nuk mund ta bëjë “sipas qejfit”, por për këtë duhet të ketë arsye të forta.

Binden për fusnotën?

Zëvendëssekretari amerikan i Shtetit, William Burns, kërkoi nga Prishtina dhe Beogradi të jenë fleksibile dhe konstruktive në çështjen e dialogut.
Ai tha se përfaqësimi i barabartë i Kosovës në forumet rajonale është më i rëndësishëm sesa simbolikat. Por, gjatë qëndrimit në Prishtinë, njeriu i dytë i diplomacisë amerikane la të kuptohet se zgjidhja duhet të gjendet përmes kompromisit dypalësh, raporton “Express”.
Ndërmjetësit e BE-së deri më tani nuk kanë mundur të gjejnë gjuhën e përbashkët mes palëve, pasi autoritetet kosovare kanë theksuar se duan të përfaqësohen vetëm si Republika e Kosovës, derisa Serbia ka kërkuar që përfaqësimi në nismat rajonale të bëhet përmes Rezolutës 1244.
“Koha Ditore” raporton se Burns ka bindur palën kosovare për fusnotën. Palëve, sipas një burimi të gazetës, ua ka vënë kornizat që duhet të përmbajë fusnota, që do ta shoqërojë emrin Kosovo. Sqarimi “duhet të reflektojë dy realitete ekzistuese, atë të Kosovës së pavarur dhe Serbisë që nuk e njeh këtë realitet”.

Dy firmat e Xhavit Halitit

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, është edhe biznesmen. Në dy firma të regjistruara në Kosovë emri i tij figuron si bashkëpronar.
Haliti, zyrtar i lartë i PDK-së, vetëm njërën firmë e ka deklaruar në Agjencinë Kosovare kundër Korrupsionit, nga e cila thotë se nuk fiton asnjë cent. Për tjetrën thotë se nuk di gjë, shkruan sot gazeta “Koha Ditore”.
Sipas gazetës, “DBBH Kosova Clinic Management” me numër regjistrimi 70405407, e regjistruar më 25 janar 2007, figuron në formularin e deklarimit të pasurisë të Xhavit Halitit. Ai thotë se në këtë firmë private ka 25 për qind të aksioneve.
Përveç Halitit, pronarë figurojnë edhe Gani Dreshaj, Roland Josef Berlinger dhe Olaf Baas. Aktivitetet e saj të përshkruara në formularin që gjendet në Agjencinë për regjistrimin e bizneseve në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë janë hotelet, motelet dhe restorantet, përgatitja dhe dhënia e barnave sipas recepturës, tregtia me pakicë e mjeteve mjekësore dhe ortopedike, veprimtaritë e mjekësisë sociale, veprimtaritë e spitaleve, veprimtaritë e praktikës stomatologjike, veprimtaritë e tjera të rekreacionit, ndërtimi i lartë dhe i ulët. Kapitali i saj është i deklaruar 25.000,00 euro.
Firma tjetër e regjistruar si shoqëri me përgjegjësi të kufizuar është edhe “Macrometal Kosova”, me seli në Vrellë të Istogut. Pronarë të saj figurojnë Xhavit Haliti, Gani Dreshaj dhe Alexander Michael Julius. Aktivitete të saj janë tregtia me shumicë e drurit, materialit ndërtimor dhe pajisjes sanitare, kompletimet e tjera ndërtimore, tregtia me shumicë e artikujve të imët metalikë, materialit instalues dhe pajisjes së ujësjellësit dhe ngrohjes, etj. Kapitali i saj figuron të jetë 3000,00 euro. Pronari i këtyre dy firmave, Xhavit Haliti, ka mohuar të ketë ndonjë firmë. Ai nuk ka dhënë përgjigje të qarta për pronësinë e tij e as pse nuk e ka deklaruar edhe firmën tjetër.