Korrupsioni në shëndetësi, pasojë e mungesës së legjislacionit

Dukuria e korrupsionit, sikurse thuajse çdo fushë, e ka prekur edhe sektorin e shëndetësisë. Faktorët që kanë ndikuar në rritjen e vazhdueshme të kësaj dukurie, llogariten të jenë të shumtë. Ekspertë të shëndetësisë vlerësojnë se ndërrimi i shpeshtë i ministrave, mandej menaxhmentit në QKUK, kanë ndikuar në keqmenaxhim dhe abuzim të buxhetit. Sipas tyre, një ndikim në rritjen e korrupsionit në shëndetësi, ka pasur edhe mosmiratimi i ligjit për shëndetësi dhe ai për sigurime shëndetësore.

Shëndetësia në Kosovë vazhdon të vuajë nga problemet e shumta, të cilat po e pengojnë përmirësimin e shërbimeve mjekësore ndaj qytetarëve. Të gjitha qeveritë e pasluftës në Kosovë gjatë fushatave zgjedhore janë thirrur në atë se shëndetësia do të jetë prioritet gjatë mandatit të tyre. Mirëpo, nga praktika mësojmë se deri më tani asnjë qeveri nuk e ka parë si prioritet shëndetësinë. Si pasojë e kësaj, ende fusha e shëndetësisë në Kosovë, vazhdon të mbetët pa ligjin për sigurime shëndetësore, i cili përllogaritet si zgjidhje e problemit të korrupsionit si institucional, ashtu edhe individual.
Sipas Kosovapress, kryetari i FSSHK-së, Blerim Syla, korrupsionin në shëndetësi e ka ndarë në dy dimensione dhe se për parandalimin e korrupsionit opsion të vetëm e sheh implementimin e ligjeve që janë bllokuar nga FMN-ja dhe Banka Botërore.
Kurse drejtori i QKUK-së, Njazi Gashi, pranon faktin që korrupsioni në shëndetësi është problem i kamotshëm, i cili sipas tij, do të vazhdojë edhe më tutje. Mënyra më e mirë e luftimit të kësaj dukurie, sipas Gashit, do të jetë miratimi i ligjit për shëndetësi dhe ai për sigurime shëndetësore.
Ndërkaq, kryetari i sindikatës së punëtorëve të QKUK-së, Xhemail Selmani, duke folur për problemet e shumta në shëndetësi, vlerëson si shumë të rëndësishëm dhe të domosdoshëm decentralizimin në Ministri të Shëndetësisë dhe QKUK.
Luan Jaha, nga departamenti për shëndetësi në AAK, vlerëson se arsyeja pse ka korrupsion në shëndetësi, qëndron në faktin se, një pjesë e shërbimeve shëndetësore nuk mbulohen nga fondet e Qeverisë së Kosovës dhe se, sipas tij, ky korrupsion do të çrrënjoset me aplikimin e sigurimeve shëndetësore.
Ndryshe, ligji për shëndetësi dhe ai për sigurime shëndetësore vazhdojnë të qëndrojnë të bllokuara nga FMN-ja dhe BB-ja, për shkak të kostos së lartë financiare të tyre. Megjithatë, ekspertë nga fusha e shëndetësisë, ligjet në fjalë i kanë vlerësuar jo praktike dhe vështirë të implementueshme. Por, pas aprovimit të tyre nga ana e mekanizmave financiarë ndërkombëtarë, të dy ligjet pritet të dalin në diskutim publik dhe më pas të vihen në Kuvend për miratim, në mënyrë që nga fillimi i vitit 2013 të fillojë zbatimi i tyre në praktik. Zbatimi i këtyre dy ligjeve pritet të përmirësojë situatën e rëndë në shëndetësi dhe po ashtu të ndërpresë edhe abuzimin dhe korrupsionin në shëndetësi.