Zëvendëssekretari amerikan i Shtetit, William Burns, kërkoi nga Prishtina dhe Beogradi të jenë fleksibile dhe konstruktive në çështjen e dialogut.
Ai tha se përfaqësimi i barabartë i Kosovës në forumet rajonale është më i rëndësishëm sesa simbolikat. Por, gjatë qëndrimit në Prishtinë, njeriu i dytë i diplomacisë amerikane la të kuptohet se zgjidhja duhet të gjendet përmes kompromisit dypalësh, raporton “Express”.
Ndërmjetësit e BE-së deri më tani nuk kanë mundur të gjejnë gjuhën e përbashkët mes palëve, pasi autoritetet kosovare kanë theksuar se duan të përfaqësohen vetëm si Republika e Kosovës, derisa Serbia ka kërkuar që përfaqësimi në nismat rajonale të bëhet përmes Rezolutës 1244.
“Koha Ditore” raporton se Burns ka bindur palën kosovare për fusnotën. Palëve, sipas një burimi të gazetës, ua ka vënë kornizat që duhet të përmbajë fusnota, që do ta shoqërojë emrin Kosovo. Sqarimi “duhet të reflektojë dy realitete ekzistuese, atë të Kosovës së pavarur dhe Serbisë që nuk e njeh këtë realitet”.