Në videon e reklamës së re të Kosovës të emetuar në CNN, për të cilën Qeveria e Kosovës ka ndarë 1 milion euro, simboli i pavarësisë së Kosovës, NEWBORN, duket si NEWPORN.
Zëdhënësja e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI), Arta Istefi, ka thënë për Telegrafin se ky është “lëshim teknik”, për shkak të shpejtësisë me të cilën është punuar reklama.
“Ne i kemi shkruar CNN-it, dhe lëshimi teknik në reklamë do të rregullohet me urgjencë”, tha Istrefi.
Reklama është punuar nga CNN Tunner Commercial Production. Sipas saj, kompania e ka marrë fotografinë e fundit dhe e ka punuar reklamën.
“Pjesa e shkronjës B është e ngjyrosur me të zezë, e kur është punuar ka dal me dritë të kaltër. Na ka ikur ky detaj, i cili do të rregullohet shumë shpejt”, shton Istrefi.
I menjëhershëm mbrëmë, pas lajmit të publikuar nga Telegrafi, ka qenë edhe reagimi i ministres Mimoza Kusari-Lila.
Sipas një prononcimi të saj në rrjetin social facebook, “ajo çfarë po shihet tani, do të korrigjohet, ndërsa të gjithë që duan të kontribuojnë në pjesët tjera të kampanjës, mund të na kontaktojnë pa hezitim".
Monumenti siç dukej para disa vitesh, me ngjyrën e zezë në shkronjën B.
Instalacioni metalik me shkronja, i vendosur para Pallatit të Rinisë në Prishtinë (ish-Boro e Ramizi), u zbulua më 17 shkurt të vitit 2008. Në mesin e atyre që e përuruan ishte edhe kryeministri Hashim Thaçi dhe ish-kryetari i Kosovës Fatmir Sejdiu,
Ky simbol i pavarësisë së Kosovës, kohë më parë është ngjyrosur me të zezë, duke bërë që shkronja B të duket si P. Kjo vërehet edhe në videon e reklamës së re të Kosovës në CNN (sekonda 10-11), për të cilën Qeveria e Kosovës ka ndarë 1 milion euro. Çuditërisht, ngjyra e zezë duket e kaltër!
Monumenti siç duket në reklamën e CNN-it
Por, ngjyrosja e zezë e pjesës së poshtme të shkronjës B është korrigjuar që moti. E tillë ishte edhe gjatë kohës kur është punuar dhe emetuar spoti në CNN.
Ideatori i kësaj vepre, Fisnik Ismajli, në një reagim që ia dërgon ministres Kusari-Lila, thotë se asnjë fushatë në botë, me buxhet prej 1 milion eurosh, nuk realizohet për 7 ditë.
Ismaili, i cili ka përvojë 17 vjeçare në reklamime në mbi 350 projekte dizajni dhe fushata reklamimi, për të cilat ka fituar edhe 6 çmime të mëdha, thotë se kjo reklamë ka 11 kuadre, 6 nga të cilat as që janë xhiruar në Kosovë.
“Janë blerë prej ‘stock footage’, një databazë xhirimesh në internet”, thotë Ismaili.
Monumenti siç duket sot dhe gjatë kohës kur është punuar reklama
Ismaili thotë se më 10 shkurt 2012, është kontaktuar me email nga dikasteri i ministres Kusari-Lila, me kërkesën për të dërguar fotografi me të drejta të autoriale, të monumentit NEWBORN.
“Meqë unë isha atë ditë i angazhuar në homazhin për Mon Balajn edhe Arben Xheladinin, nuk e pata mundësinë t’i siguroj me kohë të drejtat autoriale prej fotografëve. Po të mos ishte bë kjo reklamë për nguti, ndoshta edhe nuk do të ndodhte ky gabim”, thotë Ismaili, sipas të cilit ky nuk ka qenë problem i madh.
“Në internet ka me qindra foto të NEWBORN, si në Flickr për shembull, ku personat përgjegjës për fushatën kanë pas mundësi t’i gjejnë edhe fotot e edhe t’i identifikojnë fotografët”.
Sipas Ismailit, gjëja e parë dhe më e rëndësishme e secilës fushatë, është justifikimi i arsyes pse realizohet, çfarë qëllimi ka, për kë bëhet dhe çfarë rezultatesh pritet të sjellë. Sipas tij, reklama në CNN nuk përmbush asnjë nga këto kritere.
“Cilit ‘ekspert’ i ka shkuar mendja se më i rëndësishëm është numri i transmetimeve në CNN dhe ‘çmimi i ulët i sekondave’, sesa cilësia e video së reklamës që do të transmetohet? A e di ai person se një video reklamë e keqe, e transmetuar shpesh, ka efekt ma negativ sesa një reklamë e mirë, e transmetuar ma rrallë?”, shton Ismaili.