Në veri të Kosovës ka përfunduar referendumi i organizuar nga serbët lokalë. Sipas rezultateve preliminare, të raportuara nga mediat serbe, 99.74 për qind e qytetarëve serbë u kanë thënë “jo” institucioneve të Prishtinës në pjesën veriore të vendit.
Shtrirjen e autoritetit të Kosovës në veri të lumit Ibër thuhet ta kenë përkrahur 69 votues, përkatësisht 0.26 për qind e tyre, transmeton Rel.
Në 82 vendvotime raportohet të kenë votuar 75.28 për qind e qytetarëve, ndërsa rezultatet përfundimtare pritet të bëhen publike të dielën.
Me organizimin e referendumit në Mitrovicë, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq, serbët lokalë kanë thënë se duan të qartësojnë “vullnetin e komunitetit të tyre për lejimin apo moslejimin e shtrirjes së autoritetit shtetëror të Kosovës në veri të vendit”.
Ky organizim është kundërshtuar si nga autoritetet kosovare, ashtu edhe ato ndërkombëtare. Një ditë më parë, Kuvendi i Kosovës ka miratuar deklaratën që e shpall të paligjshëm dhe jokushtetues referendumin e ashtuquajtur të veriut.
Megjithatë, serbët lokalë kanë shfaqur shpresën se komuniteti ndërkombëtar do të respektojë qëndrimin e tyre.
Kundër referendumit është shprehur zyrtarisht edhe Qeveria e Serbisë. Ajo u ka bërë disa herë thirrje përfaqësuesve serbë të veriut që të heqin dorë nga ky organizim.
Në anën tjetër, analistët kosovarë kanë shprehur bindjen se referendumi i veriut e gëzon mbështetjen e plotë të ekzekutivit të Serbisë.