Thaçi: Ata që bëjnë zhurmë patriotike, kanë deficite serioze patriotike

“Opozita ka të drejtën qytetare dhe kushtetuese t’i kritikojë politikat qeverisëse, por më duket e paarsyeshme që tërë kohën t’u bijë sirenave të alarmit”, ka thënë kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi.

Sipas tij, brenda një harku kohor shkumë të shkurtër, Kosova ka hedhur hapa të rëndësishëm në të gjitha aspektet e fuqizimit të shtetësisë.
“Natyrisht ende ka shumë punë për t’u bërë. Ka gjëra që duhet përmirësuar, por realiteti historik i popujve të tjerë na ka treguar se shtetet demokratike nuk bëhen brenda natës”, ka thënë Thaçi për “Epoka e Re”.
Kreu i Qeverisë thotë se marrëveshja për bashkëpunimet rajonale, për të cilën po bisedohet këto ditë, nuk do ta dëmtojë shtetin e Kosovës.
“Më asnjë mënyrë nuk do të ndodhë diçka e tillë. E përsërisë, në asnjë mënyrë”, shton ai.
Thaçi në këtë intervistë ka folur edhe për “patriotët e vonuar” të skenës politike të Kosovës.
“Është një fakt i mirënjohur se ata që bëjnë zhurmë patriotike rëndom kanë deficite serioze patriotike në jetën e tyre. Shpeshherë kjo i komplekson, por politika nuk është vend ku shërohen komplekset”.
Ditë më parë, derisa kryenegociatorja Edita Tahiri po takohej me ndërmjetësin e bisedimeve Robert Cooper, aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje shkruan parullën “Kosova Republikë”, në ndërtesën e Qeverisë së Republikës së Kosovës. Aksioni, sipas lëvizjes, kundërshtonte bisedimet “për të hequr dorë nga Republika”.
Thaçi thotë se të shkruash nëpër mure parulla politike në vitin 1981, ka qenë domosdoshmëri e luftës për liri brenda një regjimi diktatorial.
“Të bësh një punë të tillë parullash në Kosovën demokratike të vitit 2012 është komike, foshnjore dhe jokreative”.