Kosovarët do të paguajnë trefish më shtrenjtë për energjinë elektrike, pas ndërtimit të termocentralit Kosova e Re. Sipas vlerësimeve të Bankës Botërore, një megavat i prodhuar nga linjiti me teknologji të lartë në këtë termocentral do të kushtojë mbi 80 euro - pa përfshirë distribuimin, ndërsa aktualisht KEK-u një megavat e prodhon me afro 30 euro. Ekonomistët thonë se ky çmim mund të jetë edhe më i lartë.
Për ta hequr qafe terrin energjetik, kosovarët do ta paguajnë shtrenjtë. Tarifat e energjisë elektrike mund të trefishohen me ndërtimin e termocentralit Kosova e Re, projekt ky që vlerësohet se do ta zgjidhë problemin e energjisë në Kosovë.
Në bazë të vlerësimeve të ekspertëve të angazhuar nga Banka Botërore për projektin Kosova e Re, një megavat energji i prodhuar nga ky termocentral do të kushtojë rreth 80 euro. Ndërkaq, çmimi aktual për një megavat të prodhuar nga Korporata Energjetike e Kosovës sillet nga 25 deri në 30 euro, shkruan Express.
Megjithëse për konsumatorët duket të jetë kosto e lartë, studimi i këtyre ekspertëve që ka marrë edhe pëlqimin e Qeverisë, këtë e sheh si alternativën më të lirë për prodhimin e energjisë.