Amerikani theu rekordin për lëvizjet e vetullave (Video)

botëror në ngritjen e vetullave. Ai arriti të lëvizë vetullat 185 herë për dy minuta e 30 sekonda.
Rekordi i Leonit, me titull të plotë “Lëvizja më e shpejtë e vetullave derisa dëgjoni recitalin e aktorit Jeff Daniels”, sipas Recordsetter, edhe zyrtarisht është regjistruar si rekord botëror, ndërsa ai që do ta provojë ta thyejë këtë rekord duhet patjetër të dëgjojë recitalin.
Leon është shpërblyer për mundin e tij, por dëshmitarët thonë se lëvizja e vetullave është “sport” shumë i vështirë dhe goxha i mundimshëm.

Asgjë nga Xboxi i ri

Për Xboxin e ri parashikohet se do të ketë të integruar sistemin Kinect, por këtë pehri nuk do ta shohim të gjallë edhe për ca kohë, edhe pse ka kohë që po flitet ndryshe, veçanërisht në kuadër të thashethemeve për panairin e ardhshëm E3.
Cedrick Delmas, drejtori i marketingut i Microsoftit në Francë, tha se është e sigurt se nuk do të shohim asgjë të re gjatë vitit 2012. “Po të dëshironim ti bënim konkurrencë Nintendos, do të duhej të paraqisnim ndonjë risi menjëherë, por kjo nuk do të ndodhë. Nuk jemi këtu që të shtyhemi me Nintendon, ata kanë cikël tjetër”, shtoi ai. Delmas mendon në Nintendo Wii U i cili ësht paraqitur në E3 të mbajtur vitin e kaluar, e i cili në shitore pritet të paraqitet para fundit të vitit 2012.
Përveç Kinectit të përmendur, së voni janë paraqitur edhe thashethemet se në E3 të këtij viti, për Xboxin e ri Microsoft do të paralajmëroj platformën grafikën edhe deri në gjashtë herë më të mirë në krahasim me atë të deritashmen. E po ta shohim se çfarë do të ndodhë...

Rihanna blen portretin e Marilyn Monroes me kristale Swarovski

Rihanna ka paguar 120.000 euro për një fotografi të Marilyn Monroe të krijuar nga 65.000 kristale.
Këngëtarja nga Barbadosi e ka porositur artisten britanike Claire Milner që ta bëjë fotografinë e ikonës së ndjerë të Hollywoodit.
Për ta bërë këtë portret të aktores legjendare, Milnerit i janë dashur katër muaj punë, ndërsa falë kristaleve Swarovski fotografia e ndërron ngjyrën vazhdimisht.
Duket se Rihanna po e krahason veten me yllin e viteve të pesëdhjeta, duke qenë se edhe ajo po përballet me presionin e famës. 

Reja: Klose më i mirë se Ibra

Trajneri i Lazios, Edy Reja, mendon se Miroslav Klose është sulmues më i mirë sesa Zlatan Ibrahimovici i Milanit.
“Ibra është më spektakolar, ai kërkon hapësira për të goditur”.
“Klose i sjell më shumë skuadrës, ai punon për skuadrën. Ai është një lojtar i mençur, një lojtar i vërtetë ekipor”, ka thënë Reja për Lazio Style Radio.
Lazio është nikoqir i Milanit në ndeshjen e të mërkurës në Serie A, ndërsa trajneri i ka lëvduar Rossonerët, të cilët i konsideron favoritë.

Si ta merrni vesh kohën e ovulacionit?

Disa gra thjesht e dinë se kanë pasur ovulacionin. Disa gra tjera nuk vërejnë kurrfarë ndryshimi...
Nëse mendoni që të mbeteni shtatzënë “komunikoni” me trupin tuaj dhe kërkoni shenjat natyrale që tregojnë se ovulacioni po afrohet. Këto shenja janë:
• sekreti vaginal shtohet sa më shumë që i afroheni kohës së ovulacionit. Ky sekret është i lëngshëm, i ngjashëm me të bardhën e vesë.
• shtohet libido
• ndjeni një dhimbje të lehtë në njërën anë të barkut
Për të determinuar kohën kur ju duhet t’i keni këto shenja, përdorni kalkulatorin e ovulacionit. Konsultohuni me gjinekologun tuaj për të t’ju sqaruar shenjat e ovulacionit.
Gjinekologët mendojnë se gjasat për të mbetur shtatzënë janë maksimale nëse çifti ka marrëdhënie seksuale 2 ose 3 herë në javë. Këtë provoni për disa muaj dhe pastaj nëse nuk keni sukses bisedoni me gjinekologun. Ai duhet t’ju ndihmojë dhe t’ju tregojë mënyrën se si të detektoni kohën e ovulacionit. 

Pinto: Nuk heqim dorë nga titulli

Portieri i Barcelonës, Jose Pinto, ka deklaruar se gara për titullin e Kampionatit spanjoll është duke vazhduar dhe Blaugranët nuk dorëzohen për asgjë.
Katalunasit kanë mbetur shtatë pikë prapa Real Madridit në tabelën e La Ligas, ndërsa shumëkush mendon se titulli tashmë u takon Mbretërve.
“Mesazhi që vjen nga skuadra është mesazh i vetëbesimit. Ne kemi shumë pakëz hapësirë për gabime, por ne nuk dorëzohemi nga asgjë”, ka deklaruar portieri i dytë i Barcës për faqen zyrtare të klubit.

Klum nuk e heq unazën e martesës

Manekinia e famshme, Heidi Klum, është paraqitur në publik, për herë të parë pasi u përhap lajmi rreth ndarjes nga këngëtari Seal.
Mirëpo, përkundër njoftimeve, duket se çifti akoma nuk është gati për t’i dhënë fund jetës së përbashkët.
Më herët është parë Seal duke e mbajtur unazën e martesës, ndërsa tani edhe Kluim është shfaqur me unazën në gisht.
“Ne nuk po shkurorëzohemi. Madje as që jemi ndarë, vetëm se jemi larguar pakëz”, pati deklaruar Seal, duke shtuar se nuk është i sigurt nëse do të kthehen sërish bashkë. 

Me kritika pozitive nis seriali “Kombinati”

Seriali “Kombinati” që ka nisur mbrëmë në platformën kabllovike të rrjetit “Kujtesa”, është një komedi e cila vë në thumb të kritikës, nëpërmes humorit të hollë, problemet që përcjellin ndërmarrjet shoqërore në vend. Aty, ku gati secili është njëfarë shefi, dhe ku askush nuk çan kokën për ndërmarrjen duke tentuar që secili të përfitoj personalisht sa më shumë.
Në një ambient pune, pothuajse të viteve të 80-ta të shekullit të kaluar, aktorët e serialit më të ri vendor, në mënyrë komike trajtojnë fatin e keq të ndërmarrjeve shoqërore në Kosovë.
Ky serial që do të shfaqet çdo të diel në K-Channel, ka nisur premierën mbrëmë, ndërsa menjëherë ka pasur edhe reagime pozitive sa i përket lojës së artorëve, temës që ata trajtojnë por në veçanti falënderime për kompaninë Kujtesa e cila mblodhi një gamë të çmuar të aktorëve kosovarë për të realizuar një serial vendor dhe shfaqur atë para publikut.
Ky serial, do të ketë disa edicione, ndërsa në edicionin e saj të parë do të ketë 40 episode. Ai është pjesë e produksionit ‘Isstra Creative Factory’, me autor dhe producentë ekzekutivë Shkumbin Istrefi e Mentor Shala, i cili është edhe regjisor, me asistencë regjie të Blerta Basholli, njëherësh edhe bashkëskenariste me aktorin Armond Morina.
Ndër emrat më të veçuar të këtij seriali, janë Armond Morina, i cili luan në rolin e Shaqës, si zëvendësdrejtor i ndërmarrjes, një burrë manipulues, i cili shfrytëzon asetet e firmës për përfitime private.
Yllka Gashi luan në rolin e Shehides, porse bëhet shumë nervoz nëse ndokush e thërret në emër, pasi bukuroshja preferon që ta quajnë Sheki. Ajo është një zyrtare e lartë për fotokopje. Sheki, ka hyrë në punë me mbështetje politike, vjen në punë kur t’i teket dhe nuk i jep llogari askujt. Është thellësisht e preokupuar me dukjen e saj.
Ilir Prapashtica, është shoferi dhe miku i madh i Shaqës. Në rolin e Zeqës, ai luan një tip poltroni i cili ushtron autoritet në ata që i ka nën të dhe i nënshtrohet atyre që kanë fuqi.
Luan Jaha, luan rolin e Fahriut. Një portier i Kombinatit, një fshatar i cili e ka lëshuar banesën e tij në Prishtinë me qira dhe jeton në kioskën e portës. Ky e ka një kushëri të fortë politikisht dhe askush nuk guxon t’ia prishë.
Aktorja e madhe Leze Qena, luan në rolin e Dadës. Një pastruese e Kombinatit, dikur (gjatë kohës së ish-Jugosllavisë) grua e fortë. Problemin kryesor e ka me e “rehatuar” vajzën e saj Tinën. E menaxhon edhe bufenë e Kombinatit, bashkë me vajzën.
Valina Muçolli luan rolin e vajzës së Dadës, pra kjo është Tina një vajzë “darkerkë“ që nuk pajtohet me kriteret e kohës, luftën për ekzistencë, turbofolkun, etj.
Ylber Bardhi, është djali i Masarit (komercialistit të dikurshëm të Kombinatit). Ai luan rolin e Fidanit, dhe vjen në Kombinat, si zakonisht, me të njohshëm, por pasi ka përfunduar studimet në Tiranë. Babai i tij Masari, ia “trashëgon“ vendin e punës, pa dëshirën e tij. Meqenëse është i rritur në mentalitet ku prindi vendos për fatin e tij, ai “duhet“ t’i nënshtrohet.
Në këtë serial, i cili do të transmetohet çdo të diel, luajnë edhe shumë aktorë tjerë, ndërsa herë pas here do të ketë edhe prurje të reja.

Juan nënshkruan për Interin

Nerazzurët kanë siguruar firmën e mbrojtësit brazilian, Juan, të cilën e kanë transferuar nga Internacional.
Konfirmimi për transferimin e 20-vjeçarit është bërë në faqen zyrtare të Interit, ndërsa nuk dihet shuma e blerjes.
Juan është produkt i Akademisë së Internacional, ndërsa mund të luajë si qendërmbrojtës ose si mbrojtës krahu, ndërsa shumë skuadra evropiane shprehën interesim për blerjen e tij.

Conte: Milani është superfavorit për titull

Juventusi akoma nuk e di se si është të humbësh këtë edicion, mirëpo trajneri Antonio Conte e konsideron kampionin në fuqi, Milan, si favorit kryesor për titull.
“Milani është superfavorit. Ne duhet të japim gjithçka dhe të gërmojmë thellë së bashku me të tjerët prapa nesh”.
“Të jesh i detyruar për të shkuar përpara nuk funksionon gjithmonë, por të motivon”, ka deklaruar Conte për Sky Sport Italia.

Thomas Eisfeld drejt Arsenalit

Arsenali është pranë transferimit të talentit të Borussia Dortmundit, 19-vjeçarit Thomas Eisfeld.
Ruhr Nachrichten citon një burim të ketë thënë se lojtari dhe agjenti i tij janë në Londër për ekzaminimet mjekësore dhe për nënshkrimin e kontratës.
Eisfeld, i cili është një mesfushor ofensiv, ëndërron për një karrierë në futbollin profesionist, ndërsa Topçinjtë mund t’ia japin këtë mundësi.

Roma huazon Marquinhon

Giallorossët kanë kompletuar transferimin e mbrojtësit brazilian të krahut, Marquinho, në formë huazimi deri në fund të sezonit aktual.
Konfirmimin e ka bërë klubi i Romës përmes një komunikate për media duke treguar se lojtari i Fluminenses në pjesën e mbetur të sezonit të veshë fanellën e kryeqytetasve.
25-vjeçari, i cili mund të luajë edhe si mbrojtës krahu edhe si mesfushor, e ka filluar karrierën profesionale në Palmeiras, ndërsa ka veshur edhe fanellat e Botafogo dhe Figueirense, para se t’i bashkohej Fluminenses në vitin 2009.

Ilegalët duan referendum, nuk e duan ‘katërpikëshin

Anëtarët e të ashtuquajturit Kuvend i komunave dhe vendbanimeve serbe në Kosovë kanë mbështetur sot referendumin që pritet të mbahet në komunat veriore në lidhje me njohjen e institucioneve të Kosovës dhe iu bënë thirrje qytetarëve, që t’i përgjigjen thirrjes për referendum dhe kështu të tregojnë “lojalitetin ndaj shtetit serb”.
Ky organ paralel ka hedhur gjoja poshtë “planin katërpikësh” të Boris Tadicit për zgjidhjen e problemit të Kosovës dhe vlerësuan se “ai plan nuk dallon prej planit të Ahtisaarit, i cili parasheh pavarësinë e Kosovës dhe të cilin e ka hedhur poshtë Këshilli i Sigurimit dhe Kuvendi i Serbisë”.
Anëtarët serbë të këtij organi po ashtu kanë gjykuar gjoja “presionet që qeveria serbe po bën ndaj serbëve të katër komunave në veri të Kosovës nën synimin që t’i disiplinojë për të ndjekur politikën tradhtare të regjimit të Boris Tadicit”.

Votohet projektstatuti i LDK-së

Këshilli i Përgjithshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës (KP i LDK-së), në mbledhjen e tij të pestë, të mbajtur të hënën, miratoi Orientimet Programore dhe Projektstatutin e Lidhjes Demokratike të Kosovës me Ndryshime dhe Plotësime.
“Dokumentet, pas një debati të hapur dhe tejet përmbajtjesor, u miratuan me shumicë absolute votash”, thuhet në një komunikatë për media. Për votuan 80 anëtarë të Këshillit, 1 ishte kundër dhe pati 1 abstenim.
Këto dokumente janë pjesë e procesit të reformimit të brendshëm të LDK-së dhe u miratuan pas debatit në terren, me përfaqësues të degëve, nëndegëve, anëtarëve dhe simpatizantëve të LDK-së. Këshilli po ashtu i ka dhënë përkrahje të plotë vazhdimit të reformave në LDK.

Dialogu teknik është në dobi të stabilitetit rajonal!

Zëvendëskryeministrja e Republikës së Kosovës, Edita Tahiri, priti të hënën në takim Ambasadorin e Britanisë së Madhe, Ian Cliff, me të cilin diskutoi për situatën politike aktuale në vend, si dhe rrjedhat e dialogut teknik midis Kosovës dhe Serbisë.
Zëvendëskryeministrja Tahiri foli për reformat e domosdoshme që po ndermirën në arritjen e prioriteteve të Qeverisë së Kosovës për vitin 2012, me qellim integrimin sa më të shpejtë të Republikës së Kosovës në Bashkim Evropian dhe në NATO. Ajo vlerësoi lartë vendimin e Grupit Drejtues Ndërkombëtar, dhe fillimin e përgatitjeve për përfundimin e pavarësisë së mbikëqyrur.
Një pjesë e bisedës u përqendrua në dialogun teknik me ç’rast të dy palët u pajtuan se dialogu teknik është në dobi të qytetarëve dhe stabilitetit rajonal dhe rritë perspektivat evropiane për Kosovën.
Po ashtu gjate takimit u theksua rëndësia e zbatimit të plotë dhe të shpejtë të marrëveshjeve të arritura në Bruksel, me theks të veçantë për marrëveshjen për menaxhimin e integruar të kufjeve, dhe domosdoshmërinë e heqjes se barrikadave dhe strukturave paralele serbe me qellim të normalizimit të asaj pjese dhe shtrirjes se plote të sovranitetit në gjithë territorin e Republikës se Kosovës.
Ambasadori Cliff, nga ana e tij, ritheksoi mbështetjen e fuqishme të shtetit të tij për forcimin e shtetit të Kosovës si në planin e brendshëm ashtu edhe atë ndërkombëtar. Ai rikonfirmoi mbështetjen e Britanisë për integrimin e Kosovës në BE dhe NATO.

EULEX-i emëron kryeprokuroren e tij

EULEX-i e ka emëruar për kryeprokurore të tij, çeken Jaroslava Novotna. Ajo ka punuar si prokurore për më shumë se tridhjetë vite, kurse kohëve të fundit ka punuar në Prokurorinë Supreme të Republikës së Çekisë.
Novotna ka një përvojë të specializuar në trajtimin e rasteve të ndërlidhura me trafikimin e drogave dhe me krimin e organizuar. Po ashtu, ajo është specialiste në bashkëpunimin ligjor për çështje penale.
Novotna ka qenë përfaqësuese e Republikës së Çekisë për Misionin Eurojust në Tribunalin e Hagës, ku është marrë kryesisht me bashkëpunimin gjyqësor ndërmjet Republikës së Çekisë dhe autoriteteve tjera kompetente të vendeve anëtare të BE-së.
Kryeprokurorja e sapoemëruar e EULEX-it do ta fillojë detyrën e saj menjëherë.

Vetëvendosje: Projektrezoluta e rrezikshme

Lëvizja Vetëvendosje ka bërë publike qëndrimet e saj lidhur me seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Republikës së Kosovës, e cila do të mbahet të martën. Në këtë seancë, të thirrur nga Grupi parlamentar i PDK-së, pritet të diskutohet dhe votohet një projektrezolutë për përmbylljen e pavarësisë së mbikëqyrur.
“Lëvizja Vetëvendosje është për përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë sikur që ishim kundër çfarëdo kufizimi ndaj pavarësisë sonë në vitin 2008. Ne kemi qenë dhe mbetemi për Republikën sovrane të Kosovës, kundër mbikëqyrjes ndërkombëtare dhe kundër kushtëzimeve ndaj pavarësisë që vijnë nga Plani i Ahtisaarit. Rrjedhimisht jemi për fundin e mbikëqyrjes, e jo për këmbim të kësaj mbikëqyrjeje me formalizimin e strukturave të Serbisë brenda Kosovës dhe për betonimin e mbikëqyrjes së Serbisë përmbi Kosovë”.
“Ne e kemi kundërshtuar një rezolutë të tillë edhe si metodë edhe si përmbajtje. Aty thuhet se Kuvendi mirëpret përmbylljen e mbikëqyrjes së pavarësisë, njëkohësisht duke kërkuar që Kosova ta ketë vendin e vet në bashkësinë e shteteve të pavarura të botës. Ne konsiderojmë që një kërkesë e tillë është e panevojshme meqenëse vet shpallja e pavarësisë do të duhej ta nënkuptonte këtë. Me ta shpallur Kosovën të pavarur, automatikisht institucionet e Republikës së Kosovës e kanë kërkuar një gjë të tillë”.
“Pika më problematike e tekstit të propozuar përmes kësaj rezolute, megjithatë, është ajo që kërkon nga Kuvendi të zotohet se do t’i përmbush të gjitha obligimet që dalin nga procesi i përmbylljes së pavarësisë së mbikëqyrur. Rezoluta nuk saktëson se cilat do të jenë obligimet. Në këtë mënyrë kërkohet nga Kuvendi që të zotohet blanko për një proces me shumë të panjohura dhe shumë rreziqe”.
“Kjo madje, është dhe formë jo demokratike e të votuarit sepse kërkohet nga deputetët të zotohen se do të votojnë në favor të ligjeve për të cilat nuk e dinë se çka përmbajnë... Parlamentarizmi dhe demokracia përfaqësuese nuk mund të tkurret në tre - katër burra që shtrëngojnë duart...Kjo rezolutë është një tentim i hapur i qeverisë së Thaçit t’i mbulojë koncesionet që ai është gati t’i bëjë në negociatat me Serbinë, që kështu të kontrabandohet statusi i veçantë për veriun e vendit si çmim për përmbylljen e mbikëqyrjes së pavarësisë. Ne jemi për Republikën e Kosovës, të bazuar në parimet e drejtësisë, barazisë mes shteteve, dhe lirisë së pakushtëzuar”, thuhet ndër të tjera në komunikatën e lëshuar nga Grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje.

Top çamçakëzi i rëndë 80 kilogramë

Amerikani Berry Chappell (50 vjeçar) për gjashtë vjet rresht përtypi çamçakëzë kundër pirjes së duhanit dhe i shndërroi në një top i cili arriti peshën 80 kilogramë, duke u shpallur si topi më i rëndë i këtij lloji.
Diametri i topit prej çamçakëzi është 150 centimetra, ndërsa vlerësohet se ai ka përtypur 95.200 copa çamçakëzë Nicorette.
“Nuk mund të besojë se sa jam krenar me këtë punë”, tha Chappell i cili jeton në Kaliforni, shkruan LajmeNews.

Beyonce “lëndë” studimi në universitet

Studentët që e adhurojnë këngëtaren Beyonce së shpejti do të kenë mundësi të studiojnë lidhur me yllin pasi Rutgers University në SHBA e ka futur atë në planprogramin e arsimit.
Burri i saj, reperi Jay-Z, tashmë është nderuar nga Universiteti i Georgetown me një kurs sociologjie me emrin e tij, por tash është radha e Beyonces që të ligjërohet për të nëpër amfiteatro universitetesh.
Departamenti i Studimeve Gjinore të Universitetit të Rutgersit së shpejti do të fillojë kursin për rëndësinë shoqërore dhe kulturore të imazhit muzikor të yllit të Destiny Child.
Kursi “Politizimi i Beyonces” do t’i lejojë adhuruesit e pop kulturës të eksplorojnë alter egon e këngëtares Sacha Fierce dhe të debatojnë kufirin e kontrollit që ajo ka mbi imazhin e saj.
Studentët po ashtu do të debatojnë nëse personifimi si një femër provokative e veshur me të kuqe është një shembull i forcimit të pozitës së gruas në shoqëri ose kjo thjeshtë i përket stereotipeve gjinore të kulturës perëndimore.
Profesor i këtij kursi është kandidati i doktoraturës së Universitetit Rugers Kevin Allred, i cili sqaron rëndësinë e kursit në faqen e internetit të universitetit.
“Është e vërtetë që ajo lëvizi çdo kufi. Derisa artistët tjerë thjeshtë publikojnë muzikë të re, ajo krijoi edhe një narracion të përkryer përreth jetës së saj, karrierës dhe personalitetit”.
Studentët po ashtu do të diskutojnë për këngëtarët tjera ikonë si Lady Gaga, Billie Holiday dhe Nina Simone. Nuk dihet se çfarë mendon këngëtarja e lindur në Texas, e cila u bë nënë për herë të parë në fillim të këtij muaji, për lëndën e re në kurrikulën e universitetit.

Qeshni, sot është e hëna më e lumtur e vitit

Edhe pse fillimi i javës është gjithmonë i mërzitshëm dhe e hëna konsiderohet si dita më depresive e javës, por kjo e sotmja është krejt ndryshe, thonë ekspertët.
Këtë javë hyjmë në muajin e ri dhe psikologët mendojnë se dita e parë e kësaj jave është njëra nga ditët më të lumtura të vitit. Ka shumë arsye për këtë gëzim, ndërsa njëra nga kryesoret është përmirësimi i gjendjes financiare. Pas festave të fund vitit dhe pushimeve dimërore xhepat dhe llogaritë bankare na janë zbrazur.
E hëna që na fut në muajin e ri, sipas psikologëve, është dita kur ndjejmë forcë dhe optimizëm dhe për këtë arsye këtë ditë jemi shumë të lumtur.
Po afrohet dita kur në llogarinë tonë bankare do të “derdhet” paga e shumëpritur dhe për këtë arsye e shohim dritën në horizont gjithnjë e më shkëlqyese. “Të hënën më 30 janar të gjithë shkojmë në punë me një elan të ri. Kjo është dita kur ndjehemi më të lumtur se kurrë”, thotë David Holmes, psikolog në Universitetin Manchester Metropolitan.
Holmes vlerëson se sivjet do të jenë gjithsej 11 ditë të lumturisë kolektive përfshirë edhe ditën kur fillon numërimi veror i kohës. 

Olimpiada e lepujve

Gara interesante e lepujve organizohet çdo vit në Harrogate të Anglisë, ndërsa në të marrin pjesë veshgjatë nga vende të ndryshme të botës.
Përafërsisht 3000 kafshë morën pjesë në këtë shou të përvitshëm, i cili mbahet për dy ditë rresht dhe ka një traditë që daton që prej vitit 1921.
Sivjet gara është organizuar në frymën e Lojërave Olimpike të cilat priten të mbahen gjatë verës në Londër.

NEC largon 10,000 punëtorë

Kompania japoneze NEC vitin e kaluar e ka përmbyllur me humbje prej 1.3 miliard dollarë amerikan, e kjo është hera e tretë gjatë katër viteve të fundit që po e përfundon vitin me humbje.
Si pasojë e kësaj do largohen 10,000 punëtorë, me atë që më së shumti njerëz do të humbin punën në departamentin e telefonave mobil, ndërsa prej numrit total 7,000 vende të punës do të humben në Japoni.
Kjo situatë sjell pas vetes pyetjen se çfarë do të ndodhë me telefonat e ardhshëm, siç do të ishte rasti për shembull me pasuesit e modelit ultra-të-hollë MEDIAS N-04C të bazuar në Android. Kompania përndryshe në marsin e vitit të kaluar ka pasur 115,840 të punësuar.

Lyrical Son bashkëpunim me grupin Ilirët

Reperi i njohur kosovar, Lyrical Son, së shpejti pritet të vijë në bashkëpunim me grupin e njohur Ilirët.
Festim Arifi, i njohur si Lyrical Son, gjatë një interviste për Kohavizion, ka pohuar se është duke bashkëpunuar me grupin Ilirët për një projekt të ri muzikor.
Lyrical Son, njëri nga anëtarët e labelit “Pint” dhe krijues i hiteve si “Pa mu”, ”Pse t’fola”, po ashtu  ka pohuar se i pëlqen shumë muzika popullore.

Carlos pensionohet në fund të vitit

Legjenda braziliane, Roberto Carlos, ka njoftuar se në fund të këtij viti do t’i japë fund karrierës si futbollist aktiv.
“Marrëveshja ime me Anzhin skadon në qershor të vitit 2013, mirëpo në dhjetor planifikoj të ndërpres së luajturi”.
“Pastaj do të vazhdoj të punoj si asistent i presidentit Suleyman Kerimov, sepse me të kam marrëveshje të përjetshme”.
“Ai më ka angazhuar t’i ndihmoj në ndërtimin e strukturës së klubit për dhjetë vitet e ardhshme”, ka thënë 38-vjeçari në një intervistë për Marca.

Mazzarri: Nuk e imitojmë Barcën

Trajneri i Napolit, Walter Mazzarri, ka deklaruar se skuadra që drejton ai nuk po mundohet ta imitojë lojën e Barcelonës apo cilësdo skuadër tjetër.
“Ne e dimë se cili sistem funksionon më mirë për ekipin tonë dhe ne po mundohemi ta zhvillojmë atë sa më shumë që mundemi. Ne nuk e shfrytëzojmë modelin e Barcelonës apo të ndonjë skuadre tjetër”.
“Por është e qartë se Barcelona, që po shkruan historinë tash, ka mentalitet fitues dhe ky është imazhi që ua projektojnë të gjithëve”.
“Shumë skuadra të tjera e kanë studiuar mënyrën e tyre të lojës, dhe stili i tyre është një nivel për t’u arritur nga të gjithë”, citon faqja zyrtare e FIFA-s fjalët e Mazzarrit.

Mourinho: Nuk kemi fituar asgjë

Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, ka thënën se asgjë nuk është vendosur sa i përket titullit të La Ligas, përkundër se ekipi i tij gjendet shtatë pikë përpara pozitës së dytë që e mban Barcelona.
“A janë shumë shtatë pikë? Shtypi mund të mendojë ashtu, por unë nuk pajohem”.
“Njerëzit që shkruajnë se ne jemi kampionët e rinj dhe se Barcelona nuk mund të arrijë, janë po të njëjtët njerëz të cilët më herët janë munduar të krijojnë ndarje dhe konflikte te Madridi”.
“Ata do të thonë sërish se ne jemi në krizë, porsa të lëshojmë pikë. Ata janë po të njëjtit që duan ta minojnë baraspeshën te Madridi”, ka deklaruar portugezi.

Ozil: Me Kaka gjithmonë shënojmë

Mesut Ozil është i ngazëllyer që është shkruar në listën e shënimeve për Real Madridin në fitoren e vikendit ndaj Real Zaragozës.
“Jam shumë i lumtur që kam ndihmuar ekipin dhe sepse ne kemi fituar. Ishte një ndeshje e rëndësishme. Unë punoj fuqishëm çdo ditë dhe bisedoj me trajnerin shumë”.
“Ndjehem shumë mirë me Kaka. Ne të dy shënojmë kurdo që luajmë së bashku edhe në seancat stërvitore edhe në ndeshje”, ka thënë Ozil. 

Roma të bëjë ofertë për Kuyt?

Roma raportohet se sot ka diskutuar mundësinë e transferimit të sulmuesit të Liverpoolit, Dirk Kuyt.
Corriere dello Sport shkruan se trajneri i Romës, Luis Enrique, ka kërkuar nga bordi të sjellin një lojtar i cili mund të ketë ndikim të menjëhershëm – dhe Kuyt i përshtatet kërkesës së spanjollit.
Drejtori i Romës, Walter Sabatini, është duke diskutuar mundësinë e përgatitjes së një oferte për holandezin sot, një ditë para mbylljes së afatit kalimtar dimëror.
Kuyt është i pakënaqur me kohën që po fiton te Liverpooli nën drejtimin e trajnerit Kenny Dalglish dhe mund të jetë i gatshëm të largohet nga klubi anglez.

Mourinho të drejtojë Anglinë?

Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, është lidhur me një largim nga gjiganti spanjoll për të marrë nën drejtim skuadrën e Anglisë.
Mourinho pritet të largohet nga Reali gjatë verës për një rikthim në Angli – me skuadra si Tottenham dhe Arsenal që janë lidhur me ish-menaxherin e Chelseat.
Megjithatë, Daily Mail shkruan se edhe Federata Angleze e Futbollit do të ishte e interesuar ta angazhojë portugezin si pasues të Fabio Capellos gjatë verës, edhe pse menaxheri i Tottenhamit, Harry Redknapp, mbetet favoriti kryesor.

Villas-Boas: Sezoni pa trofe është dështim

Menaxheri i Chelseat, Andre Villas-Boas, thotë se ai synon të fitojë trofe këtë sezon me Blutë.
Villas-Boas ka përjashtuar skuadrën e tij nga gara për titull, por ai është i bindur se ata janë të motivuar për të përfunduar sa më lart në Ligë dhe për të luftuar për titullin e Kupës FA dhe Ligës së Kampionëve.
“Mendoj se motivimi jonë duhet të jetë të luajmë ndeshje pas ndeshje dhe sigurimi i Ligës së Kampionëve, që është objektivi minimal që mund ta keni”.
“Ne nuk po largohemi nga përgjegjësitë tona. Nëse përfundoni sezonin pa titull, atëherë kjo është dështim”, ka thënë portugezi. 

Allegri i ngazëllyer me fitoren e Milanit

Trajneri i Milanit, Massimiliano Allegri, ishte i ngazëllyer me fitoren 3-0 ndaj Cagliarit.
“Për moment tabela ka filluar të shtendoset, andaj ishte e rëndësishme për ne të fitojmë sonte”.
“Ne jemi ende afër Juventusit dhe jeni larguar nga ndjekësit, pasi edhe Udinese edhe Inter humbën gjatë vikendit”.
“Kemi luajtur një ndeshje të mirë, edhe pse ne vuajtëm deri në golin e Zlatan Ibrahimovic Pas kësaj, ishte shumë më e thjeshtë”, ka thënë Allegri.

Ranieri i zhgënjyer pas disfatës nga Lecce

Interi dje befasisht u mposht nga Lecce me rezultat minimal 1-0, gjë që ka tronditur edhe trajnerin Claudio Ranieri.
“Sot ne kishim përballë një portier të shkëlqyeshëm dhe një skuadër që u mbrojt shumë mirë”.
“Ne pastaj u bëmë shumë të shqetësuar dhe nuk ishim mjaft të mprehtë për të sulmuar. Po ashtu goditëm shtyllën dhe na u anuluan dy gola të pastër, andaj ishim të paaftë për të dalë nga një ndeshje e vështirë”, ka thënë Ranieri.

Hazard preferon Ligën Premier

Ylli i Lille, Eden Hazard, ka shprehur dëshirën e tij për të luajtur në Ligën Premier.
Chelsea, Manchester United and Arsenal që të gjithë janë lidhur me një transferim të belgut, i cili e ka bërë të qartë ambicien e tij.
“Mendoj se do të shkoj në Angli, stili i lojës më përshtatet mua. Është e qartë se ka shumë klube të interesuara”.
“Paris? Tashmë kam thënë se do të doja të luaj jashtë Francës. Kam luajtur mbi 100 ndeshje në Ligue 1. Paris po i josh lojtarët atje tash, por është një vendim që tashmë e kam marrë”, ka thënë Hazard.

Milani dhe City në luftë për Ronaldon

Ylli i Real Madridit, Cristiano Ronaldo, mund të largohet nga Spanja në fund të sezonit.
Sport shkruan se dy prej destinacioneve më të mundshme për Ronaldon janë Manchester City dhe Milani.
Presidenti i Milanit, Silvio Berlusconi, është inkurajuar nga lajmi se Ronaldo po ndërton një shtëpi në Lake Como (Itali) dhe nuk e ka fshehur admirimin e tij për ish-yllin e Manchester United.
Te City, Sheiku Mansour ka resurse për t’i mposhtur të gjithë rivalët e tij për portugezin. Vitin e kaluar u raportua se City përgatiste ofertë në vlerën e 170 milionë eurove për të sjellë Ronaldon në Angli, por sulmuesi refuzoi ta shikojë ofertën.
Megjithatë këtë sezon gjërat kanë ndryshuar dhe raporti i tij me fansat ka sjellë dilema për të ardhmen e tij. Ai madje ishte sulmuar edhe nga presidenti i nderit i Realit, Alfredo di Stefano. 

Puyol: Nuk dorëzohemi

Kapiteni i Barcelonës, Carles Puyol, thotë se Barcelona nuk do të dorëzohet në garën për titullin e La Ligës.
Barca ka ngecur shtatë pikë prapa Real Madridin në tabelën e La Ligës pasi barazoi pa gola ndaj Villarrealit në fundjavë.
“Skuadra do të reagojë; ne do të bëjmë më shumë, çfarë do që do të nevojitet për të fituar. Nuk ka arsyetime. Lojtarët janë mësuar të luajnë çdo tre ndeshje dhe La Liga nuk është humbur. Ne nuk do të dorëzohemi”, ka deklaruar Puyol.

Kuyt: Dua të luaj rregullisht

Njëshi i Liverpoolit, Dirk Kuyt, thotë se është i pakënaqur me kohën sa po luan këtë sezon.
“Është shumë vështirë, jam një lloj i lojtarit i cili ka nevojë të luajë ndeshje radhazi. Sa më shumë minuta që luaj, ndjehem më mirë dhe jam mësuar të luaj çdo ndeshje në 10 vitet e fundit të karrierës time”.
“Është e qartë se vetëm dua të luaj çdo ndeshje dhe duhet të përpiqem t’ia dëshmoj këtë menaxherit çdo herë që luaj. Është vendim i menaxherit dhe ju duhet ta respektoni këtë, veçanërisht kur menaxher është Kenny Dalglish”, ka thënë Kuyt.

Reali dhe Chelsea të shkëmbejnë Pepe dhe Luiz?

Real Madridi dhe Chelsea raportohet se janë në biseda për të shkëmbyer mbrojtësit e tyre.
A Bola shkruan se presidenti i Realit, Florentino Perez, dëshiron ta largojë Pepen në fund të sezonit, pas kundërthënieve që kanë shoqëruar portugezin sezonet e fundit.
Florentino dëshiron të arrijë një marrëveshje shkëmbimi me Chelsean, që do ta dërgonte Pepen në Londër në shkëmbim të arritjes së David Luiz në Madrid.
Pepe vlerësohet lart nga menaxheri i Chelseat, Andre Villas-Boas, i cili nuk ka arritur t’ia përshtatë mbrojtësin David Luiz sistemit të tij të lojës, së paku jo gjatë këtij sezoni.

Nxitja e punësimit

Të dhënat e fundit të organizatave ekonomike në Kosovë, tregojnë se papunësia mbetet një nga problemet kryesore në vend. Në vitet e fundit në Kosovë, sipas njohëseve të çështjeve ekonomike, nuk ka pasur ulje të shkallës së papunësisë. Shkalla e papunësisë në Kosovë, sipas tyre llogaritet të jetë mbi 43 për qind.
Eksperti i çështjeve ekonomike, Agron Demi, thotë se për të nxitur punësimin, autoritetet e Kosovës duhet të krijojnë një ambient të favorshëm për biznese, në të kundërtën, ky numër i të papunëve do të shënojë rritje. “Ajo çfarë Qeveria e Kosovës është duke e bërë gabim është punësimi i njerëzve vetëm në sektorin publik, duke lënë anash sektorin privat apo zhvillimin e sektorit privat, dhe duke mos i krijuar kushte bizneseve. Nëse Qeveria e Kosovës dëshiron të ulë numrin e të papunëve, duhet të krijojë mundësi më të mira bizneseve private dhe në këtë mënyrë ata do të punësojnë shumë më shumë punëtorë”, thotë Demi.
Papunësia, thekson ai, vazhdon të identifikohet nga qytetarët e Kosovës si problem kryesor me të cilin ballafaqohen.
Ai thotë se përpjekjet e Qeverisë së Kosovës për uljen e papunësisë nuk kanë qenë të suksesshme, pasi që ky problem vendin është duke e përcjellë që nga paslufta. “Pritet që kësaj papunësie t’i shtohet edhe një numër i madh i punëtorëve të Korporatës Energjetike të Kosovës, pasi që në marrëveshjen me FMN- në, Qeveria e Kosovës ka premtuar se do të rishikojë numrin e të punësuarve në KEK. Tani së fundi kemi edhe disa deklarata se do të ketë edhe ulje të pagave dhe largim të punëtorëve nga PTK-ja. Edhe pas gjitha këtyre, nuk ka një premtim se sektori privat do të ketë një punësim më të madh”, thekson Demi.
Në anën tjetër, për të nxitur punësimin, eksperti i çështjeve ekonomike, Haki Shatri thekson se Qeveria e Kosovës duhet të tërheqë investitorë të huaj, pasi që sipas tij, aftësia akumuluese që disponon Kosova nuk është e atij niveli që mund të garantojë ndonjë efekt më të madh të punësimit.
“Mendoj që me politikat që disponon qeveria, mund të ndikohet sidomos në orientimin e investimeve publike në lëmi, të cilat do të absorbojnë një numër më të madh të papunëve. Po ashtu mund të ndikohet pozitivisht edhe me politika tjera, siç është krijimi i kushteve për biznese, ku kyçe do të ishte joshja e investitorëve të huaj”, thekson Shatri.
Ndërkohë, Shatri tregon se në tregun e punës në Kosovë hyjnë deri në 35 mijë të rinj, ndërkaq ky treg absorbon nga 4 deri në 6 mijë punëtorë në vit.
Kjo, sipas tij, tregon se shkalla e papunësisë vazhdon të mbetet e lartë dhe e pandryshueshme. “Ka pak hapësirë që mund të bëhet diçka e menjëhershme, por sikur t’i kushtohet një vëmendje më e madhe kësaj dukurie, do të mund të bënin që numri i të papunëve mos të rritet”, thekson Shatri.
Sidoqoftë, edhe raportet e mekanizmave ndërkombëtarë për Kosovën i rekomandojnë Qeverisë së Kosovës që të angazhohet më tepër në rritjen e punësimit, duke vlerësuar se shkalla e punësimit mbetet shumë e ulët, ndërsa papunësia e të rinjve dhe papunësia afatgjate mbesin ende shumë të larta.

Statusi i kandidatit, më shumë fonde për bujqësinë

Shqipëria do të mund të marrë më shumë fonde nëse fiton statusin e vendit kandidat për në BE. Kështu deklaroi ambasadori i BE në Shqipëri, Ettore Sequi, i cili ndër të tjera shtoi se vetëm në sektorin e bujqësisë BE ka investuar 2 milionë euro dhe se në vitet e ardhshme do të mund të investohen edhe 6.2 milionë euro. Sequi u shpreh i bindur se Shqipëria do të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian.
Në konferencën përmbyllëse të projektit "ngritja e kapaciteteve për implementimin e strategjisë së zhvillimit rural", ministri i Bujqësisë Genc Ruli u shpreh se në vitet e fundit Shqipëria e ka rritur numrin e eksporteve deri në 30 për qind. E ndërsa ambasadorja e Gjermanisë, Karola Muller Holtkemper, pohoi se në sektorin e bujqësisë në Shqipëri ka shumë vend për tu përmirësuar dhe se shteti që ajo përfaqëson do të vazhdojë të mbështesë Shqipërinë në këtë fushë jetike.
Fakti që ne kemi investuar deri tani është, për ta përgatitur Shqipërinë që ti bashkëngjitet Bashkimit Europian dhe për të treguar se ne besojmë tek ju për të bërë më të mirën për të fituar statusin e vendit kandidat, në BE. Ne besojmë se Shqipëria do të përmbushë të gjitha kriteret për të fituar statusin e vendit kandidat, ne kemi besim tek ju.
Bashkimi Europian e asiston Shqipërinë që në fillim të viteve 90-të. Ne do të vazhdojmë ta asistojmë atë. Vëmendje e veçantë, në të ardhmen do ti kushtohet investimeve në sektorin e bujqësisë. 

Bashkë për mbrojtjen e pyjeve

Përfaqësues nga sektorë të ndryshëm të institucioneve qendrore dhe lokale po mobilizohen për mbrojtjen dhe rritjen e kontributit të pyjeve në ekonominë e përgjithshme. Sot u mbajt takimi i parë i Bordit për Menaxhimin e Pyjeve, i cili zyrtarisht e filloj punën e tij.
Ministri i Bujqësisë, Blerand Stavileci, tha se pyjet mbulojnë rreth 41 % të territorit të Kosovës dhe përfaqësojnë një burim shumë të rëndësishëm me vlera jo vetëm ekonomike, por edhe sociale dhe mjedisore. “Vendosja e legjislacionit përkatës, përcaktimi i politikave dhe strategjisë zhvillimore, ndërtimi institucional dhe decentralizimi janë vetëm disa nga të arriturat tona, të cilat janë bazë për një zhvillim të qëndrueshëm të sektorit pyjor”, ai.
Stavileci tha se pylltaria si sektor në natyrën e saj është mjaft komplekse dhe për këtë arsye është e nevojshme që shumë palë të interesit të përfshihen në zbatimin e programit të përcaktuar zhvillimor.
Ndërsa, Kushtrim Cukaj, ekspert i pyjeve dhe kryesues i këtij bordi, tha se nxitja dhe promovimi i rolit shumëfunksional të pyjeve është një model të cilin shoqëria jonë duhet ta ndjekë në të ardhmen. “Për të krijuar instrumentet për menaxhimin e parimeve të sofistikuara të resurseve natyrore përfshirë këtu edhe pyjet dhe në pajtim me Planin e Veprimit dhe Strategjinë për Pylltarinë 2010-2020, ne do t’i mbikëqyrim, koordinojmë dhe përkrahim institucionet relevante që janë të angazhuara në zhvillimin e aktiviteteve për implementim të politikave dhe strategjive të reja pyjore, si dhe projekteve të tjera zhvillimore që derivojnë nga këto”, tha Cukaj.
Bordi për Menaxhimin e Pyjeve është një organ ndërministror dhe ndërsektorial me kompetenca ekzekutive dhe përbëhet prej Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Ministrisë së Financave, Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Asociacionit të Pronarëve të Pyjeve Private, Asociacionit të Komunave të Kosovës dhe dy anëtarëve të komunitetit të donatorëve (një përfaqësues i donatorëve nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe një përfaqësues i donatorëve nga Bashkimi Evropian).
Në Kosovë sipërfaqja e përgjithshme e tokave pyjore është rreth 464.000 hektarë, ku rreth 278.000 hektarë janë pyje publike dhe rreth 186.000 hektarë janë pyje private.

Më shumë mbështetje për sektorin privat

Institucionet qendrore prezantuan të hënën në Prishtinë aktivitetet për lehtësirat që synohen për mbështetjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme (NVM), që janë shtyllë e zhvillimit ekonomik në Kosovë. Ndër aktivitetet më të rëndësishme janë hartimi i ligjeve që lehtësojnë afarizmin, si dhe implementimi i strategjisë për zhvillimin e NVM-ve, që është dokument i miratuar nga qeveria në korrik të vitit 2011.
Konferenca informuese u organizua nga Agjencia për Mbështetjen e NVM-ve, agjenci e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, në bashkëpunim me projektin e financuar nga BE-ja ‘EU SME’, ku morën pjesë përfaqësues nga institucionet dhe komuniteti i donatorëve.
Drejtori i Agjencisë për Mbështetjen e NVM-ve, Granit Berisha, tha se Strategjia e zhvillimit të NVM-ve do të shërbejë si guidë për vet Agjencinë në punën e saj mbështetjen e këtij sektori. “Tanimë kemi të aprovuar buxhetin për realizimin e Strategjisë dhe jemi në fazën e konceptimit të planit për implementimin e strategjisë, themelimit të grupeve punuese, dhe përcaktimin e qëllimeve dhe objektivave të strategjisë”, theksoj Berisha.
Ndërsa Soren Hjorth, kreu i projektit EU SME i cili ndihmon zhvillimin e sektorit të NVM-ve në Kosovë, tha se qëllimi i të gjitha aktiviteteve të projektit EU SME është përmirësimi i radhitjes së Kosovës në listën e të bërit biznes në kuadër të Bankës Botërore. “Përndryshe EU SME është një mjet i komunikimit mes Komisionit Evropian dhe qeverisë së Kosovës në shtyrjen përpara të politikave që mbështesin zhvillimin e NVM-ve”, tha Hjorth.
Një ndër aktivitetet e rëndësishme që do të ndërmerren gjatë vitit është edhe përmirësimi i konkurrueshmërisë së NVM-ve. Në kuadër të forcimit të dialogut publiko-privat në konferencë u theksua suksesi i aktiviteteve të Ditëve të Biznesit të Vogël të mbajtura në nëntor të vitit të kaluar. Pjesë e këtyre aktiviteteve ishte edhe shpërblimi i ideve më të mira të biznesit që do të bëhet përmes një ceremonie gjatë muajit shkurt.

Bie çmimi i naftës

Kontratat e naftës regjistruan rënie në sesionin e sotëm ndërkohë që investitorët janë në pritje të mbylljes së marrëveshjes së shkëmbit të borxhit të Greqisë dhe në pritje të fillimit të samitit të udhëheqësve europianë në Bruksel ku do diskutohen instrumentet që garantojnë forcën ën bllokun e monedhës së përbashkët.
Nafta bruto Brent e Londrës për marsin ra 42 cent në 110.99 dollarë për fuçi. Nafta bruto amerikane për marsin ra 73 cent në 98.83 dollarë për fuçi.
Ndikim zhvlerësues në çmimin e naftës ka dhënë edhe rritja e vlerës së dollarit në tregun monetar. 

Turqia 2.5 miliardë euro nga turizmi

Trendi i rritjes që shënoi vitin e kaluar turizmi turk ndaloi në çerekun e fundit të vitit. Instituti turk i statistikave publikoi të dhënat e turizmit për periudhën e katërtë të vitit 2011, që përfshin muajt tetor, nëntor dhe dhjetor.
Sipas këtyre statistikave të ardhurat nga turizmi pësuan një ulje me 1 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm.
Të ardhurat nga turizmi për tremujorin e katërt të vitit 2011 u realizuan afërsisht në shifrën 5 miliardë e 209 miliona lira turk.

KEK, 730 mijë euro për shërbime mjekësore

Aplikimi i tenderëve njëburimorë në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) edhe më tej nuk ka të ndalur. Gjatë javës që lamë pas KEK-u e ka përzgjedhur Institutin e Mjekësisë së Punës në Obiliq, si fitues të tenderit për shërbime shëndetësore, ku vlera e tenderit është hiç më pak se 730 mijë euro.
Zëdhënësi i KEK-ut, Viktor Buzhala, thotë se konform ligjit për siguri dhe shëndet në punë, blerja e shërbimeve mjekësore nënkupton mundësimin e vizitave sistematike të punëtorëve të korporatës, vizitat kurative-mjekuese dhe vlerësimin e rrezikshmërisë dhe të kushteve të punës industriale.
Sipas tij, ky tender është shpallur për t’u mundësuar punëtorëve që të mjekohen në rast të problemeve shëndetësore dhe të ndërmerren masat preventive. “Këto shërbime ofrohen për punëtorët e korporatës, në mënyrë që të kenë siguri në punë dhe shëndetin e tyre dhe të jenë sa më të mbrojtur nga problemet e mundshme shëndetësore”, tha Buzhala.
Sipas tij, tenderin e ka fituar Instituti i Mjekësisë së Punës në Obiliq, që ka një traditë mbi 40-vjeçare në ofrimin e këtyre shërbimeve. Ai tha se vlera e kontratës nuk mund të dihet pasi bëhet fjalë për kontratë kornizë që bazohet në bazë të çmimeve për njësi. “Kontrata është kornizë me çmime për njësi sepse KEK-u nuk mund ta dijë sa punëtorë të vet do të kenë nevojë për ndihmë mjekësore apo vizita sistematike gjatë një viti“, tha ai.
Nga ana tjetër, zyrtarë të Sindikatës së punëtoreve të KEK-ut, thonë se në këtë Institut çdo punëtor i KEK-ut mund të shkojë të kontrollohet nëse ka nevojë.
Izet Mustafa, kryetar i Sindikatës së punëtoreve të KEK-ut, thotë se në mungesë të sigurimit shëndetësor, ofrimi i shërbimeve shëndetësore është e vetmja mundësi që punëtoreve të KEK-ut të këtë së paku një mbrojtje shëndetësore. “Asnjë punëtor i KEK-ut nuk ka sigurime shëndetësore sepse kostoja është shumë e lartë, pasi që kompanitë private të sigurimeve për shkak të shumë vdekjeve në vende të punës nuk duan të hyjnë në KEK”, tha ai, treguar se kompanitë private të sigurimeve, kanë kërkuar rreth 7 milionë euro për sigurime shëndetësore të punëtoreve të KEK-ut. 

Merkel e do Greqinë brenda Eurozonës

Greqia do të qëndrojë në Eurozonë, thekson kancelarja gjermane Angela Merkel në një intervistë në gazetën Bildt. “Në këto momente Eurozonë ka 17 vende anëtare dhe mendoj se në të ardhmen do të jenë më shumë”, tha Merkel.
Kancelarja gjermane vë në dukje se ajo vetë nuk do të pranojë asnjë dalje nga Euros. “Kam thënë në mënyrë të përsëritur se po të dështojë euroja, do të dështojë Evropa, sepse euro ishte një hap vendimtar drejt thellimit të integrimit evropian.
Këtë hap nuk mundim ta tërheqim pa pasoja serioze dhe risk të madh. Këtë unë nuk kam për ta bërë, sepse posaçërisht ne gjermanët kemi përfituar shumë nga euro”, theksoi kancelarja Merkel.

Stimulimi fiskal i Qeverisë nuk e rriti ekonominë

Një studim i kryer nga ekspertët e Bankës së Shqipërisë ka zbuluar se stimuli fiskal i zbatuar nga Qeveria e Shqipërisë në disa raste gjatë viteve të fundit, nuk jep efekt domethënës në rritjen e Prodhimit të Brendshëm Bruto, duke rekomanduar se një disiplinë fiskale më e madhe mund të ndihmojë në përmirësimin e ekonomisë shqiptare.
Studimi me titull: “Politika fiskale dhe rritja ekonomike: Rasti i Shqipërisë”, ka për autorë Arlind Gjokutaj dhe Gerti Shijaku, punonjës të Bankës së Shqipërisë. Si rregull, këto studime nuk shprehin qëndrim zyrtar të Bankës së Shqipërisë, por kanë vetëm qëllim studimor. ”Rezultatet e marra tregojnë që rritja e të ardhurave ka një efekt më të lartë në rritjen e prodhimit përkundrejt stimulit fiskal nëpërmjet rritjes së shpenzimeve”, - thuhet në përmbledhjen e studimit sipas gazetës ‘Shqip’.
“Impaktin e shpenzimeve dhe të ardhurave në rritjen ekonomike e kemi analizuar duke i ndarë të ardhurat tatimore, në: shtrembëruese dhe joshtrembëruese. Ndërsa shpenzimet, nga ana tjetër, i kemi ndarë në: shpenzime publike produktive dhe joproduktive. Ndarja e këtyre zërave në nënkategori konfirmoi rezultatet e mësipërme”, thonë më tej autorët.

Franca vazhdon të mbështesë Kosovën

Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ka pritur sot në takim ambasadorin e Republikës së Francës, Jean-François Fitou, me të cilin ka diskutuar për zhvillimet aktuale politike në Kosovë.
Në takim vëmendje e veçantë iu kushtua procesit të përfundimit të Pavarësisë së mbikëqyrur, për çka bashkëbiseduesit shprehen gatishmërinë për bashkëpunim në këtë proces, ndërsa Ambasadori Fitou konfirmoi mbështetjen e plotë të Qeverisë franceze.
Në takim u diskutua edhe për fushën e drejtësisë, për çka Kuçi theksoi angazhimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës, “për rend dhe ligj, si dhe koordinim mes institucioneve vendore dhe ato ndërkombëtare, në veçanti me EULEX-in”. 

Shqyrtohet Raporti për protestat e 14 janarit

Në mbledhjen e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, të kryesuar nga kryetari i komisionit, Ahmet Isufi, u shqyrtua Raporti i Policisë së Kosovës lidhur me ngjarjet e 14 janarit, gjatë protestave të organizuara nga Lëvizja Vetëvendosje në Merdare dhe te Dheu i Bardhë.
Disa nga anëtarët e Komisionit paraqitën vërejtje për këtë raport, duke theksuar se posedon evidenca të pasakta. Nënkryetari i komisionit, Rexhep Selimi, tha se në raport ka tendenca të animit politik.
Disa nga anëtarët tjerë të komisionit vlerësuan se raporti paraqet në pah zhvillimet e 14 janarit dhe veprimet e PK-së, duke theksuar se Policia e Kosovës ka zbatuar ligjin.
Pas një diskutimi të gjerë rreth këtij raporti, anëtarët e komisionit kanë nxjerr disa konkluzione dhe rekomandime. U tha se Raporti i dorëzuar në Komision nga Drejtori i Përgjithshëm i PK-së është raport i bazuar në rrjedhat e protestës së 14 Janarit dhe se përmban të dhëna për veprimet policore sipas planit operativ të përpiluar paraprakisht.
Tutje u theksua se janë identifikuar disa raste individuale ku ka dyshim të bazuar për tejkalim autorizimesh nga ana e PK-së dhe se këto raste individuale, qoftë nga pjesëtarë apo eprorë të PK-së, për asnjë çast nuk “duhet të zbehin imazhin e Policisë së Kosovës, kundruall qytetarëve të vendit”.
Anëtarët e komisionit theksuan se deri javën e kaluar janë hapur për hetim katër raste: tri raste janë dërguar në Drejtorinë për Standarde Profesionale në PK dhe një rast është duke u hetuar nga Inspektorati Policor i Kosovës. Rastet tjera ende janë në hetim preliminar.
Anëtarët e komisionit kanë nxjerrë këto rekomandime: Raporti i PK-së duhet të plotësohet me të dhëna të sakta statistikore, të cilat duhet të përfshijnë numrin dhe natyrën e lëndimeve të pjesëtarëve të PK-së dhe protestuesve; arrestimin e Deputeteve të Parlamentit të Kosovës; arsyetimin për ndërhyrje në pronat private; lëndimin e gazetarëve; si dhe numrin e rasteve nën hetim lidhur me ngjarjet e 14 Janarit.
Rekomandim tjetër i komisioni është që organet përgjegjëse, Inspektorati Policor i Kosovës, si dhe Drejtoria për Standarde Profesionale pranë PK-së, sa më shpejt të jetë ë mundur të përmbyllin dhe të publikojnë rezultatet e hetimeve.