Në mbledhjen e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, të kryesuar nga kryetari i komisionit, Ahmet Isufi, u shqyrtua Raporti i Policisë së Kosovës lidhur me ngjarjet e 14 janarit, gjatë protestave të organizuara nga Lëvizja Vetëvendosje në Merdare dhe te Dheu i Bardhë.
Disa nga anëtarët e Komisionit paraqitën vërejtje për këtë raport, duke theksuar se posedon evidenca të pasakta. Nënkryetari i komisionit, Rexhep Selimi, tha se në raport ka tendenca të animit politik.
Disa nga anëtarët tjerë të komisionit vlerësuan se raporti paraqet në pah zhvillimet e 14 janarit dhe veprimet e PK-së, duke theksuar se Policia e Kosovës ka zbatuar ligjin.
Pas një diskutimi të gjerë rreth këtij raporti, anëtarët e komisionit kanë nxjerr disa konkluzione dhe rekomandime. U tha se Raporti i dorëzuar në Komision nga Drejtori i Përgjithshëm i PK-së është raport i bazuar në rrjedhat e protestës së 14 Janarit dhe se përmban të dhëna për veprimet policore sipas planit operativ të përpiluar paraprakisht.
Tutje u theksua se janë identifikuar disa raste individuale ku ka dyshim të bazuar për tejkalim autorizimesh nga ana e PK-së dhe se këto raste individuale, qoftë nga pjesëtarë apo eprorë të PK-së, për asnjë çast nuk “duhet të zbehin imazhin e Policisë së Kosovës, kundruall qytetarëve të vendit”.
Anëtarët e komisionit theksuan se deri javën e kaluar janë hapur për hetim katër raste: tri raste janë dërguar në Drejtorinë për Standarde Profesionale në PK dhe një rast është duke u hetuar nga Inspektorati Policor i Kosovës. Rastet tjera ende janë në hetim preliminar.
Anëtarët e komisionit kanë nxjerrë këto rekomandime: Raporti i PK-së duhet të plotësohet me të dhëna të sakta statistikore, të cilat duhet të përfshijnë numrin dhe natyrën e lëndimeve të pjesëtarëve të PK-së dhe protestuesve; arrestimin e Deputeteve të Parlamentit të Kosovës; arsyetimin për ndërhyrje në pronat private; lëndimin e gazetarëve; si dhe numrin e rasteve nën hetim lidhur me ngjarjet e 14 Janarit.
Rekomandim tjetër i komisioni është që organet përgjegjëse, Inspektorati Policor i Kosovës, si dhe Drejtoria për Standarde Profesionale pranë PK-së, sa më shpejt të jetë ë mundur të përmbyllin dhe të publikojnë rezultatet e hetimeve.