Përfaqësues nga sektorë të ndryshëm të institucioneve qendrore dhe lokale po mobilizohen për mbrojtjen dhe rritjen e kontributit të pyjeve në ekonominë e përgjithshme. Sot u mbajt takimi i parë i Bordit për Menaxhimin e Pyjeve, i cili zyrtarisht e filloj punën e tij.
Ministri i Bujqësisë, Blerand Stavileci, tha se pyjet mbulojnë rreth 41 % të territorit të Kosovës dhe përfaqësojnë një burim shumë të rëndësishëm me vlera jo vetëm ekonomike, por edhe sociale dhe mjedisore. “Vendosja e legjislacionit përkatës, përcaktimi i politikave dhe strategjisë zhvillimore, ndërtimi institucional dhe decentralizimi janë vetëm disa nga të arriturat tona, të cilat janë bazë për një zhvillim të qëndrueshëm të sektorit pyjor”, ai.
Stavileci tha se pylltaria si sektor në natyrën e saj është mjaft komplekse dhe për këtë arsye është e nevojshme që shumë palë të interesit të përfshihen në zbatimin e programit të përcaktuar zhvillimor.
Ndërsa, Kushtrim Cukaj, ekspert i pyjeve dhe kryesues i këtij bordi, tha se nxitja dhe promovimi i rolit shumëfunksional të pyjeve është një model të cilin shoqëria jonë duhet ta ndjekë në të ardhmen. “Për të krijuar instrumentet për menaxhimin e parimeve të sofistikuara të resurseve natyrore përfshirë këtu edhe pyjet dhe në pajtim me Planin e Veprimit dhe Strategjinë për Pylltarinë 2010-2020, ne do t’i mbikëqyrim, koordinojmë dhe përkrahim institucionet relevante që janë të angazhuara në zhvillimin e aktiviteteve për implementim të politikave dhe strategjive të reja pyjore, si dhe projekteve të tjera zhvillimore që derivojnë nga këto”, tha Cukaj.
Bordi për Menaxhimin e Pyjeve është një organ ndërministror dhe ndërsektorial me kompetenca ekzekutive dhe përbëhet prej Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Ministrisë së Financave, Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Asociacionit të Pronarëve të Pyjeve Private, Asociacionit të Komunave të Kosovës dhe dy anëtarëve të komunitetit të donatorëve (një përfaqësues i donatorëve nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe një përfaqësues i donatorëve nga Bashkimi Evropian).
Në Kosovë sipërfaqja e përgjithshme e tokave pyjore është rreth 464.000 hektarë, ku rreth 278.000 hektarë janë pyje publike dhe rreth 186.000 hektarë janë pyje private.