Aplikimi i tenderëve njëburimorë në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) edhe më tej nuk ka të ndalur. Gjatë javës që lamë pas KEK-u e ka përzgjedhur Institutin e Mjekësisë së Punës në Obiliq, si fitues të tenderit për shërbime shëndetësore, ku vlera e tenderit është hiç më pak se 730 mijë euro.
Zëdhënësi i KEK-ut, Viktor Buzhala, thotë se konform ligjit për siguri dhe shëndet në punë, blerja e shërbimeve mjekësore nënkupton mundësimin e vizitave sistematike të punëtorëve të korporatës, vizitat kurative-mjekuese dhe vlerësimin e rrezikshmërisë dhe të kushteve të punës industriale.
Sipas tij, ky tender është shpallur për t’u mundësuar punëtorëve që të mjekohen në rast të problemeve shëndetësore dhe të ndërmerren masat preventive. “Këto shërbime ofrohen për punëtorët e korporatës, në mënyrë që të kenë siguri në punë dhe shëndetin e tyre dhe të jenë sa më të mbrojtur nga problemet e mundshme shëndetësore”, tha Buzhala.
Sipas tij, tenderin e ka fituar Instituti i Mjekësisë së Punës në Obiliq, që ka një traditë mbi 40-vjeçare në ofrimin e këtyre shërbimeve. Ai tha se vlera e kontratës nuk mund të dihet pasi bëhet fjalë për kontratë kornizë që bazohet në bazë të çmimeve për njësi. “Kontrata është kornizë me çmime për njësi sepse KEK-u nuk mund ta dijë sa punëtorë të vet do të kenë nevojë për ndihmë mjekësore apo vizita sistematike gjatë një viti“, tha ai.
Nga ana tjetër, zyrtarë të Sindikatës së punëtoreve të KEK-ut, thonë se në këtë Institut çdo punëtor i KEK-ut mund të shkojë të kontrollohet nëse ka nevojë.
Izet Mustafa, kryetar i Sindikatës së punëtoreve të KEK-ut, thotë se në mungesë të sigurimit shëndetësor, ofrimi i shërbimeve shëndetësore është e vetmja mundësi që punëtoreve të KEK-ut të këtë së paku një mbrojtje shëndetësore. “Asnjë punëtor i KEK-ut nuk ka sigurime shëndetësore sepse kostoja është shumë e lartë, pasi që kompanitë private të sigurimeve për shkak të shumë vdekjeve në vende të punës nuk duan të hyjnë në KEK”, tha ai, treguar se kompanitë private të sigurimeve, kanë kërkuar rreth 7 milionë euro për sigurime shëndetësore të punëtoreve të KEK-ut.