Opozita kundër “grupit të unitetit” për veriun

Partitë opozitare nuk do t’i mbështesin nismat e Qeverisë për formimin e një ekipi të përbashkët për trajtimin e çështjes së veriut të Kosovës. Në vend të formimit të grupeve dhe hartimit të strategjive, opozita kontributin e vet e ofron përmes institucioneve, përkatësisht Kuvendit.
Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri, ka thënë se opozita përmes Kuvendit do t’i mbështeste hapat eventual të Qeverisë për normalizimin e gjendjes në veri, pa pasur nevojë që të krijohen grupet e përbashkëta punuese.
“Edhe po të ketë ftesë, LDK-ja nuk do t’i bashkëngjitet kurrfarë grupi që formon Qeveria, në këtë rast, as për çështjen e veriut. Fundi i fundit ne konsiderojmë që formimi i grupeve është vetëm për të humbur kohë dhe për të mos kryer punë. Qeveria, partnerët e koalicionit e kanë përgjegjësinë dhe le t’i kryejnë punët e veta”, thotë Beqiri, raporton REL.
Një qëndrim kundër përfshirjes së pozitës dhe opozitës në kuadër të një ekipi të përbashkët për veriun ka edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Zëdhënësi i AAK-së, Ernest Luma, thotë se veriu mbetet çështje jetike dhe sfidë për shtetin e Kosovës. Por, ai e konsideron si aventurë përfshirjen e opozitës në planet e Qeverisë…
“Në asnjë mënyrë nuk do të jemi qorrazi pjesë e projekteve me përplot sekrete e të panjohura dhe deri më tani Qeveria ka dëshmuar që ka bërë vetëm aventurë me veriun e Kosovës dhe ne nuk do të jemi pjesë e aventurave. Ne nga jashtë do t’i sfidojmë dhe parandalojmë zhvillimet e këqija për veriun dhe vendin në përgjithësi”, thekson Luma.
Sidoqoftë, gjendja në veri të Kosovës mbetet e brishtë. Institucionet e Kosovës nuk kanë arritur të shtrijnë autoritetin e tyre në atë pjesë për shkak të kundërshtimeve nga strukturat politike të serbëve lokalë, të cilët nuk e pranojnë shtetin e Kosovës. Këto struktura mbështeten dhe dirigjohen nga Beogradi zyrtar. 

Austri: Të pastrehët strehohen nga të ftohtit në bordel

Të pastrehët në Austri janë mbledhur në bordelin Red Rooms Laufhaus në Vjenë, pasi pronari Peter Laskaris ofroi dhoma për pushim për t’i mbrojtur ata nga temperaturat e ulëta.
 Laskaris çdo natë siguron dhoma, dushe dhe ushqim të nxehtë për dhjetë të pastrehë. Ai insiston se shërbime tjera të bordelit nuk përfshihen në këtë ofertë.
Laskaris tha se oferta e tij u popullarizua, kështu që ai tash ka filluar bisedimet edhe me shtëpitë tjera publike në Vjenë në përpjekje për t’i bindur pronarët që të ndjekin shembullin e tij.
“Këto ditë ka ra puna. Shumë njerëz janë nëpër pushime. Dhomat tonë kryesisht qëndrojnë të zbrazëta, kështu që duhet të përdoren për qëllime të mira. Askush nuk duhet të qëndrojë jashtë në temperatura minus 20 gradë celsius”, deklaroi Laskaris.
Pronari i shtëpisë publike tha se secila dhomë ka një shtrat dhe një dush, mbuloja të pastra dhe peshqirë.

Shoferi rally “parkoi” në oqean (Video)

Shoferi rally mori lejen nga i ati që ta vozisë makinën e tij klasike me dy kushte, të fitojë dhe të mos e shkatërrojë makinën.
George Miedecke (25 vjeçar), jo vetëm se nuk fitoi, por as që arriti ta përfundojë garën. Në një kthesë ai humbi kontrollin dhe makinën e të atit “parkoi” në oqean. George huazoi Ford Capri Peran, pasi që i ati Andrew u tërhoq nga garat pas lëndimit të shpatullës.
Në një kthesë të rrezikshme duke vozitur me shpejtësinë prej 130 km në orë e humbi orientimin, ra nga rruga e drejtë e në oqean. Gjatë rënies goditi edhe makinën Subaru WRX STI, të cilën e voziste një koleg i tij. Shoferi i Subarusë po ashtu kishte dalë nga rruga dhe kishte përfunduar në oqean vetëm disa minuta para se edhe George të fluturonte nga rruga.
Organizatori i rally Tar Wrest Point në Australi tha se fluturimi nga shtegu ka qenë spektakolar.

Tabletët po e shkatërrojnë E Ink-un

Edhe një kategori e pajisjeve në të cilën po ndikon negativisht rritja e popullaritetit të tabletëve janë lexuesit e e-librave. Derisa prodhuesit po i adaptohen tregut të “e-lexuesve” me mundësi multimediale dhe me ekranet LCD me ngjyrë, kompania E Ink nuk po e sheh këtu shansin e vet.
E Ink prodhon ekrane për përdorim në lexuesit e vërtetë të e-librave, e siç po qëndrojnë gjërat tani, ata kanë shumë arsye për brengosje. Në të vërtetë, kompania paraqiti 48 milion dollarë qarkullim për janarin, e ky rezultat është madje për 63% më i dobët se në janarin e vitit të kaluar. Në krahasim me një muaj më parë, rënia është 11%. Në kompani prapëseprapë shpresojnë se në nivel të tërë vitit do të kenë rritje të të hyrave prej 5 për qind në krahasim me vitin e kaluar.
Kindle i Amazonit është lexuesi më i popullarizuar i e-librave, dhe për një kohë të gjatë është njëkohësisht edhe pajisja më e shitur në Amazon. Por, gjithnjë e më shumë po ka njerëz të cilët janë të gatshëm të sakrifikojnë ekranin E Ink për mundësitë multimediale dhe të rrjetës që ofrojnë tabletët.

Muzikë pa tela nga Google

Sipas shkrimit në The Wall Street Journal, Google sipas pohimeve po punon në pajisjen e cila do të duhej të mundësonte shpërndarjen pa tela të muzikës brenda shtëpive të shfrytëzuesve.
Ky do të duhej të ishte tentimi i parë i Google që të bëj dizajnin dhe promocionin e një pajisje elektronike të dedikuar për një rreth të gjerë të shfrytëzuesve. Në të vërtetë gjatë zhvillimit të pajisjeve si telefoni mobil Nexus One dhe Google TV, Google është mbështetur tek partnerët e vet të cilët ishin përgjegjës për zhvillimin e harduerit.
Për momentin nuk ka kurrfarë informata konkrete rreth specifikave harduerike dhe mundësive të pajisjes, e as kur ajo do të mund të arrinte në treg. 

Vitamina C nuk funksionon kur shfaqen simptomat

Deri tani dinim se, marrja e vitaminës C ndihmon në përballimin e një të ftohure të thjeshtë. Çfarë rezultoi nga vlerësimi i 29 studimeve të Universitetit Kombëtar të Australisë?
Vitamina C nuk duket se funksionon kur kanë filluar tashmë të shfaqen simptomat. Marrja parandaluese e saj përforcon sistemin imunitar dhe e mbron përballë faktorit ngjitës që shkakton e ftohura.
Shkencëtarët thonë se vitamina C është shumë e dobishme dhe kuruese në këtë drejtim, mirëpo efekti i saj nuk është i menjëhershëm, por afatgjatë.

Përqendrohuni në kualitetin e ushtrimeve, jo në gjatësinë e tyre

Ekspertët kanë zbuluar se femrat të cilat ushtrojnë më pak (rreth 15 minuta) kanë pothuajse dyfish shanse të qëndrojnë në planin e tyre të ushtrimeve nga ato të cilat ushtrojnë orë të tëra.
Shumica e femrave besojnë se sa më gjatë që të bëjnë ushtrime, është më mirë. Tani nuk është kështu. Përqendrohuni në kualitetin e ushtrimeve, jo në gjatësinë e tyre, thonë ekspertët, të cilët trajnojnë yjet botërore.
Ato njëkohësisht kanë krijuar më shumë muskuj të lëmuar dhe kanë humbur sasi të njëjtë të yndyrave trupore sesa ato të cilat ushtrojnë edhe më shumë se një orë.
Pra, vendosni të ushtroni më pak dhe fillojani ushtrimeve të cilat i kanë krijuar ekspertët për ju. Nga 15 minuta, sapo të jeni ngritur nga shtrati, derisa jeni akoma të veshura me pizhame, bëni ushtrime tri herë në javë dhe për afro gjashtë javë barku, ijët dhe kërdhokullat do t’ju jenë më të forta. 

Teuta së shpejti emision për femra

Aktorja kosovare Teuta Krasniqi do të kthehet në ekranin televiziv me një tjetër emision. Ajo ka kohë që e reklamon emisionin me përfundimin, “Së shpejti”.
Emisioni i ri televiziv do t’i kushtohet krejtësisht botës së femrës shqiptare. Kështu ka deklaruar vet aktorja Krasniqi në emisionin “Talk” të Kohavisionit.
Se në cilin televizion do shfaqet do e merrni vesh… “së shpejti”. 

Rita Ora pozon për revistën “i-D”

Këngëtarja kosovare në Londër Rita Ora ka pozuar për revistën e njohur “i-D”.
E bukur, gazmore dhe me një stil kaq të veçantë, kosovarja Rita siç duket është në rrugë të pushtojë revistat e famshme.
Rita së fundmi realizoi këngën “Hot Rigt Now” e cila është pritur mjaft mirë.

Ciljeta dhe Ingridi vijnë si “mike dhe rivale”

Sapo ka dalë dhe klipi më i ri nga dy prej këngëtareve më seksi shqiptare, Ciljeta Xhilaga dhe Ingrid Gjoni.
Kënga mban titulli “Mike dhe rivale” dhe vajzat e skenës tregojnë dhe momentet e bukura në prezantimet e tyre qoftë në skenë, qoftë edhe në programe si dy mike.
Ndërsa më pas nis edhe ecuria e tyre e jetës edhe në dasmë, dhe në fund si plaka. Videoja është xhiruar nga “Max Production”. 
Më poshtë mund ta shikoni videoklipin e këngës “Mike dhe rivale”. 

Maradona: Kurrë nuk do ta drejtoja Anglinë

Ish-përzgjedhësi i Argjentinës, Diego Maradona, ka thënë se trajtimi që i është bërë Fabio Capellos nga FA është tepër i vrazhdë dhe thotë se ai kurrë nuk do të nënshkruante për postin e përzgjedhësit të Anglisë.
Trajneri i Al Wasl i bëri këto komente të enjtën mbrëma pas fitores prej 1-0 ndaj Bani Yas në UAE Pro League.
“FA e mori si arsyetim John Terryn për të shkëputur kontratën nga Capello. Ata nuk ishin të kënaqur me punën e tij dhe e kanë parë si mundësi të përkryer për ta bërë të largohet”, theksoi Maradona duke shtuar se ai kurrë nuk do të nënshkruante për FA. 

Capello të drejtojë Chelsean?

Ish-përzgjedhësi i Anglisë në futboll, Fabio Capello, është duke u lidhur me detyrën e Andre Villas-Boas te Chelsea.
The Sun shkruan se dorëheqja e italianit nga posti i trajnerit të Anglisë menjëherë ka shtuar presionin në Andres Villas-Boas.
Ka spekulime në Stamford Bridge se ish-menaxheri i Milanit dhe Real Madridit mund të caktohet si menaxheri i tetë i Bluve në tetë vite.
“Ka spekulime të fuqishme se Capello do të vijë dhe kjo mund të ndodh më herët”, ka thënë një burim nga Chelsea.

Del Bosque të pensionohet pas Euro 2012?

Trajneri i Spanjës, Vicente Del Bosque, ka zbuluar se ai nuk është i interesuar të drejtojë Real Madridin ose ndonjë klub tjetër pasi kontrata e tij me Federatën Spanjolle të Futbollit të skadojë, dhe ka shtuar se më parë do të pensionohej.
“Nuk do të marr në drejtim asnjë klub kur të largohem nga skuadra kombëtare. As Real Madridin as ndonjë klub tjetër. Ju kurrë nuk mund të thoni për diçka 100 për qind, por mendoj se thjesht do të pensionohem kur kontrata ime me Federatën Spanjolle të Futbollit të skadojë”.
“Njerëzit të cilët thonë se unë i kam ndërprerë negociatat për kontratën e re me Federatën pasi isha kandidat te Madrid, e kanë krejtësisht gabim”, ka thënë trajneri spanjoll për CTrajneri i Spanjës, Vicente Del Bosque, ka zbuluar se ai nuk është i interesuar të drejtojë Real Madridin ose ndonjë klub tjetër pasi kontrata e tij me Federatën Spanjolle të Futbollit të skadojë, dhe ka shtuar se më parë do të pensionohej.
“Nuk do të marr në drejtim asnjë klub kur të largohem nga skuadra kombëtare. As Real Madridin as ndonjë klub tjetër. Ju kurrë nuk mund të thoni për diçka 100 për qind, por mendoj se thjesht do të pensionohem kur kontrata ime me Federatën Spanjolle të Futbollit të skadojë”.
“Njerëzit të cilët thonë se unë i kam ndërprerë negociatat për kontratën e re me Federatën pasi isha kandidat te Madrid, e kanë krejtësisht gabim”, ka thënë trajneri spanjoll për Canal Plus.
Del Bosque ka marrë nën drejtim kombëtaren spanjolle nga Luis Aragones pas Euro 2008 për ta udhëhequr atë drejt triumfit në Kupën Botërore Afrika e Jugut 2010. Ai ka kontratë deri pas përfundim të kampionatit evropian Euro 2012 që zhvillohet këtë verë. anal Plus.
Del Bosque ka marrë nën drejtim kombëtaren spanjolle nga Luis Aragones pas Euro 2008 për ta udhëhequr atë drejt triumfit në Kupën Botërore Afrika e Jugut 2010. Ai ka kontratë deri pas përfundim të kampionatit evropian Euro 2012 që zhvillohet këtë verë. 

Giggs edhe një vit te Man United

Ryan Giggs ka nënshkruar vazhdimin njëvjeçar të kontratës e cila do t’i lejojë atij të luajë sezonin e 22-të në karrierë për Manchester United.
“Kur nënshkrova kontratën time të parë, kurrë nuk kisha menduar se do të jem në gjendje të luaj për United për 22 vite, por ndjehem mirë dhe e di se ende mund të kontribuoj duke mbajtur ekipin në garë për trofe”.
“Të fitoj titullin e 19-të për klubin ka qenë një ndjenjë e veçantë, por ky klub gjithmonë sheh çfarë do të bëjë në hapin e ardhshëm dhe jam shumë i kënaqur që jam pjesë e kësaj”, ka thënë Giggs.
38-vjeçari ka bërë 22 paraqitje deri tash këtë sezon, duke çuar në 898 numrin e ndeshjeve për United.
Gjatë karrierës së tij në Old Trafford, Giggs ka fituar 12 tituj të Ligës Premier, dy tituj të Ligës së Kampionëve, katër Kupa FA dhe katër Kupa të Ligës.

Shaqiri: Do ta dëshmoj veten te Bayerni

Xherdan Shaqiri ka shprehur kënaqësinë e tij me transferimin te Bayern Munich në fund të sezonit, dhe është i vendosur të tregojë se ai mund të arrijë sukses me gjiganin e Bundesligës.
Ylli i Baselit ishte cak i shumë klubeve të mëdha evropiane por zgjodhi të nënshkruajë me klubin gjerman, fanellën e të cilit do ta veshë pas fundit të këtij sezoni.
“Është një lëvizje normale për dikë të largohet nga Superliga e Zvicrës për një klub aq të madh. Jam i vendosur të tregoj vlerën time te Bayern dhe jam i gatshëm për të konkurruar për vende”.
“Gjysma e Evropës më duket se ishin të interesuar të nënshkruajnë me mua, dhe shumë gjëra kanë ndodhur në dy – tre vitet e kaluara. Është shkruar shumë për një transferim të mundshëm dhe jam shumë i lumtur që kam nënshkruar me Bayernin”, ka thënë Shaqiri. 

EuroLeague: Galatasaray befason CSKA-në

Galatasaray Medical Park ka shënuar fitore befasuese me rezultat 68-64 në grupin E ndaj CSKA Moskës, për t’i dhënë fund serisë prej 14 fitoreve në Euroligë të skuadrës ruse.
Josh Shipp ishte heroi i Galatasaray duke shënuar 22 pikë përfshirë edhe pikët vendimtare, pasi Milos Teodosic humbi një nga dy gjuajtjet e lira me 10 sekonda të mbetura.
Në grupin G, Panathinaikos ka shënuar fitore të lehtë me rezultat 72-62 ndaj Fenerbahce Ulker, për t’u barazuar me liderin Unics Kazan me rekord fitoresh 3-1. Djaloshi i madh Kostas Tsartsaris udhëhoqi te skuadra greke me 21 pikë.
Nga ndeshjet tjera në grupin H, Barcelona ka ardhur nga disavantazhi për të mposhtur skuadrën Zalgiris, derisa në po të njëjtin grup Maccabi Electra fitoi ndaj Bennet Cantu me rezultat 75-60.

AVB: Redknapp meriton një shans me Anglinë

Menaxheri i Chelseat, Andre Villas-Boas, thotë se angazhimi në postin e përzgjedhësit të Anglisë në futboll do të ishte ideal për menaxherin e Tottenhamit, Harry Redknapp.
Redknapp përflitet se mund të jetë pasardhësi i Fabio Capellos në karrierën e trajnerit të kombëtares angleze, dhe Villas-Boas mendon se kjo do të ishte një hap i qëlluar për karrierën e kolegut të tij.
“Do ta uroja atë, sigurisht. Ai ka pasur një karrierë të jashtëzakonshme e cila është bërë edhe më e mirë me kalimin e kohës me sukses të vazhdueshëm, dhe t’ia vësh kulmin një karrierë fantastike duke menaxhuar ekipin kombëtar do të ishte e jashtëzakonshme”, ka thënë Villas-Bioas.

NBA: Lakersat fitojnë në kohën shtesë

Pau Gasol është treguar i saktë në momentet vendimtare për të ndihmuar Los Angeles Lakers të fitojë me rezultat të ngushtë 88-87 ndaj Boston Celtics në kohën shtesë.
Ishte pikërisht Gasol që çoi në lojë shtesë pasi shënoi pikë me 10 sekonda të mbetura për të barazuar rezultatin në 82-82 dhe më pas siguroi fitoren në kohën shtesë.
“Ju duhet të luani derisa ora ec dhe kjo është ajo që unë përpiqem të bëj. Kam qenë në situata të tilla gjatë karrierës sime kur ju thjesht ngrini dhe humbni kohën duke shikuar në top dhe dikush luan dhe ju e humbni ndeshjen. Sonte më vjen mirë që isha në gjendje të luaj deri në fund dhe të luaj një ndeshje të mirë për skuadrën”, ka thënë Gasol.
Disfata u dha fund pesë fitoreve radhazi të Celtics, derisa çoi në 4-9 raportin fitore/disfatë në ndeshjen në udhëtim këtë sezon për Lakers.
Kobe Bryant udhëhoqi te Lakers (15 fitore dhe 11 disfata këtë sezon) me 27 pikë, derisa Gasol shënoi double-double me 25 pikë dhe 14 kërcime. Andrew Bynum përfundoi ndeshjen me 16 pikë dhe 17 kërcime.
Ray Allen udhëhoqi me 22 pikë te Celtics (14 fitore dhe 11 disfata këtë sezon).

Feguson shpjegon transferimin e Veselit

Menaxheri i Manchester United, Sir Alex Ferguson, ka shpjeguar transferimin e shqiptarit me nënshtetësi zvicerane Frederic Veseli nga Manchester City.
Veseli arriti në Old Trafford në ditën e fundit të afatit kalimtar për t’u inkuadruar në skuadrën e rezervave në tentim për të bindur menaxherin për t’ia vazhduar qëndrimin e tij edhe pas fundit të sezonit.
“Kjo erdhi rastësisht. Një anëtar i departamentit të vëzhguesve erdhi dhe na tregoi se City e kishte liruar këtë djalosh të ri nga Zvicra dhe ata e kishin përcjellë atë duke luajtur disa vite më parë”.
“Nuk kishte asgjë për të humbur. Ne menduam ta marrim atë deri në fund të sezonit dhe të shohim se si do t’ia dalë ai. Shpresojmë se ai do t’ia dalë mirë”, ka thënë Ferguson për Man United TV. 

Henry NUK do ta vazhdojë qëndrimin te Arsenali

Sulmuesi i Arsenalit, Thierry Henry, nuk do ta vazhdojë qëndrimin e tij në Londër në formë huazimi dhe do të kthehet te New York Red Bulls javën e ardhshme, kjo sipas menaxherit Hans Backe.
Kishte shpresa se francezi mund të qëndrojë në Emirates edhe pas 17 shkurtit pasi ai ishte përfshirë në ekipin e Ligës së Kampionëve, por Backe ka hedhur poshtë këto spekulime.
“Kur fola me të, ai më tha se ai ishte 100 për qind i sigurt se do të kthehet më 17 shkurt. Nga ajo sa di unë, këto janë thashetheme. Unë nuk kam dëgjuar asgjë nga [Arsenali] për vazhdimin e huazimit”, ka thënë trajneri.

Kryeministri ndan dhjetë mijë euro për familjen Berisha

Me qëllim që t’u gjendet sa më pranë në këto momente të vështira familjarëve të viktimave të shpërthimit të zjarrit në Vasilevë të Drenasit, ku humbën jetën tre anëtarë të familjes Berisha dhe dy të tjerë u lënduan, kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka marrë vendim që të ndajë dhjetë mijë euro për këtë familje.
Në një njoftim të Zyrës së Kryeministrisë thuhet se shefi i ekzekutivit edhe njëherë u ka shprehur ngushëllime familjarëve të viktimave dhe uron që fëmijët e lënduar të familjes Berisha të shërohen sa më shpejtë. 

Pacolli me tjetër mision në Eritre

Zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli ka nis përgatitjet për një udhëtim të ri në Eritre. Ai synon që nga burgjet e këtij shteti tani ta nxjerr gazetarin suedez Dawit Isaak i cili ndodhet i burgosur tash e dhjetë vite.
Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Behgjet Pacolli, pritet të udhëtojë edhe njëherë drejt Eritreas, ku synon ta nxjerrë nga burgu gazetarin suedez Dawit Isaak , i cili mbahet i burgosur atje qe 10 vite.
Pas lirimit të pilotit shqiptaro-amerikan James Berisha, i cili u mbajt në burgjet e këtij shteti afrikan disa muaj, bëhet e ditur se kabineti i zëvendëskryeministrit ka nisur përgatitjet për misionin e ri të Pacollit në Eritre.
“Gjatë angazhimit të zëvendëskryeministrit Pacolli për lirimin e James Berishës, jemi njoftuar edhe për rastin e gazetarit suedez Dawit Isaak . Zëvendëskryeministri Pacolli ka vendosur që të angazhohet edhe në rastin e gazetarit i cili qe 10 vite gjendet në paraburgim në Eritre”, ka thënë për Kosova Times këshilltari i Pacollit, Jetlir Zyberaj, duke shtuar se ky angazhim i Pacollit vjen krahas angazhimeve të tij për njohjet e reja.

Aktakuzë lidhur me një rast të mashtrimit në votime

Një prokuror i EULEX-it nga Prokuroria e Qarkut në Prishtinë ka ngritur aktakuzë kundër një personi në Gjykatën Komunale në Gllogoc- thuhet në një komunikatë për media të EULEX-it.
“Ky person është akuzuar për mashtrim në votime, në kundërshtim me nenin 180 të Kodit Penal të Kosovës, me të cilin parashihet dënimi prej gjashtë muaj deri në pesë vjet. Më 12.12.2010, pohohet se gjatë kohës së votimit, personi ka hyrë në hapësirën e vendvotimit në fshatin Krajkovë dhe në kutinë e votimit i ka futur rreth 150 fletëvotime. Për këtë shkelje pohohet se ai është vërejtur nga një monitorues i zgjedhjeve. Duke pasur parasysh numrin e fletëvotimeve për të cilat pohohet se personi i ka futur në kuti, ai është akuzuar për falsifikim të rezultateve të zgjedhjeve”, thuhet në komunikatë.
Ndërkaq, bëhet e ditur se rezultatet e zgjedhjeve nga vendvotimi i përmendur ishin anuluar nga Komisioni i Zgjedhjeve për Ankesa dhe Parashtresa me anë të vendimit të datës 16.12.2010 dhe më pas Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kishte organizuar zgjedhje të reja. Prandaj, personi është akuzuar edhe për dëmtim të Buxhetit të Kosovës.

Mazzarri i zhgënjyer me disfatën nga Siena

Trajneri i Napolit, Walter Mazzarri, është i zhgënjyer me disfatën 2-1 të skuadrës së tij nga Siena në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Kupës së Italisë.
“Urime për Sienën, por ne kishim shumë shanse. Këtë vit po humbim shumë mundësi. Ishte një ndeshje në të cilën ne nuk duhej të pranonim gola, por me dy gabime që i bëmë, siç ka ndodhur shpesh këtë vit, ne pranuam gola”.
“Ne kishim një sfidë të madhe, por Napoli im dha një mund të madh. Ne u përpoqëm deri në fund dhe mendoj se Napoli jo vetëm që e meritoi barazimin por po ashtu edhe fitoren”, ka thënë Mazzarri.
Napoli tash do të mundohet t’i kthejë gjërat në ndeshjen e kthimit në San Paolo më 21 mars, ku shpreson edhe në mbështetjen e publikut.

Carlos: Pepe luan në stilin e Real Madridit

Carlos mendon se mbrojtësi i Real Madridit, Pepe, do të mësojë ta kontrollojë agresionin e tij, por ka thënë se portugezi luan në stilin e vërtetë të klubit.
“Nëse Raul gjithmonë shënonte gola të shkëlqyeshëm kundër Barcelonës dhe thuhej se ishte favoriti i fansave, Pepe dëshiron të jetë po ashtu favoriti i fansave me stilin e tij të lojës; me agresivitetin e tij”.
“Ai është i ri dhe do të mësojë të bëhet më i qetë. Por ai e ka stilin e Madridit – është një luftëtar i vërtetë”, ka thënë Carlos.

Villas-Boas i jep pushim Terryt

Menaxheri i Chelseat, Andre Villas-Boas, ka konfirmuar se John Terry ka marrë ca kohë pushim nga klubi gjatë kësaj jave.
Terry do të mungojë në ndeshjen kundër Evertonit këtë vikend derisa rikuperohet nga lëndimi në gju dhe atij i është dhënë edhe ca kohë shtesë për të qëndruar larg fushe.
“Ai ka disa ditë pushim, por kjo është për shkak të lëndimit të tij, jo për shkak të situatës së trazuar dhe mediave”, ka thënë Villas-Boas.

Giggs: Duhet të qëndrojmë para Liverpoolit

Veterani i Manchester United, Ryan Giggs, thotë se ata duhet të qëndrojnë përpara Liverpoolit.
United e ka rikuperuar deficitin prej 11 titujsh por, në prag të vizitës së Redsave në Old Trafford këtë vikend, Giggs e di se puna e kampionëve nuk ka mbaruar me kaq.
“Ata janë një klub i ngjashëm me ne me një histori të madhe. Ne jemi dy skuadrat më të suksesshme në vend, andaj e dimë se duhet të performojmë dhe të luajmë mirë për të nxjerrë gjithçka nga ndeshja kundër tyre”.
“Ne e dimë se do të kemi një ndeshje të vështirë. Është klubi të cilin jemi përpjekur ta arrijmë aq gjatë dhe tash i kemi arritur dhe sfida është të qëndrojmë para tyre”, ka thënë 38-vjeçari. 

Mertesacker: Mund t’i bëj ballë orarit të ngjeshur

Mbrojtësi i Arsenalit, Per Mertesacker, thotë se ai mund t’ia dalë mbanë me orarin e ngjeshur të Ligës Premier.
“Ishte zgjidhja ime për të shkuar në ligën angleze dhe të mos kem pushim dimëror, pa marrë frymë në fund të vitit. Normalisht në Gjermani ju keni shans të qetësoheni në fund të vitit, ndoshta të shkoni në pushime”.
“Ishte vështirë [të mos kem pushim dimëror]. Ne kalojmë kohë të mira me familjen këtu në Londër, por ju duhet të përballeni me situatën. Është vështirë, por vërtet më pëlqen këtu. Kjo është jeta ime e re: ju mësoheni me gjithçka”, ka thënë Mertesacker. 

Van Persie fiton Këpucën e Artë

Sulmuesi i Arsenalit, Robin Van Persie, ka fituar Këpucën e Artë nga Barclays për kuotën e 20 golave të shënuar në pjesën e parë të sezonit në Ligën Premier.
Holandezi tregoi formë të jashtëzakonshme duke shënuar hiç më pak se 20 gola në 19 ndeshjet e para në Ligën Premier dhe çmimi vjen në mënyrë të veçantë kësaj radhe për holandezin.
I vetmi që mund ta pengojë Van Persien për t’u bërë realizatori më i mirë në Ligën Premier për këtë sezon është Demba Ba i Neëcastle, i cili ka 16 gola.

Ekonomia kineze drejt rënies

Eksportet e Kinës pësuan rënie në janar, rënia e parë në më shumë se dy vjet, duke ngjallur frikën e një ngadalësimi ekonomik si rrjedhojë e impaktit nga kriza e Eurozonës. Eksportet u reduktuan me 0.5 për qind në krahasim me muajin dhjetor, ndikuar dukshëm nga rënia e kërkesës botërore, por edhe nga mbyllja disa-ditore e aktivitetit për shkak të Vitit të Ri Kinez.
Së bashku me eksportet, importet gjithashtu u reduktuan me 15.3 për qind, duke bërë që janari të mbyllej me një plus në bilancet tregtare prej 27.3 miliardë dollarësh, shifra më e lartë në gjashtë muaj.
Rënia e importeve vjen ndërsa Pekini zyrtar është duke u përpjekur të orientojë tregun më shumë drejt prodhimeve vendase, si një mënyrë për të kompensuar rënien e kërkesës nga tregjet e mëdha ndërkombëtare.
Sidoqoftë, analistët parashikojnë që rritja ekonomike kineze të jetë më e ulta e dekadës në 2012, ndërsa vendi po jep shenja gjithmonë e më të mëdha nga “infektimi” prej krizës ekonomike botërore.

Kushtet e FMN-së për Serbinë

Serbia do të duhet të rishikojë buxhetin e saj për vitin 2012 me qëllim që t'i jepet kësti i parë i një kredie prej një miliardë eurosh nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), theksoi qeveria e Beogradit.
"Përfaqësuesit e FMN-së u shprehën se kësti i parë i kredisë do të bëhej efektiv pas miratimit të rishikimit buxhetor'', theksoi qeveria në një komunikatë në përfundim të një vizite një javore në Beograd të një misioni të FMN-së.
Fondi Monetar Ndërkombëtar vonoi akordimin e këstit të parë të një kredie prej 190 milionë eurosh për Serbinë, sepse qeveria serbe kishte modifikuar një buxhet për të cilin kishte rënë dakord më parë me institucionin financiar ndërkombëtar, në fushën e garancive shtetërore dhe kredive.

Llamkos do të investoj edhe 30 milionë euro

Oden Ekonomike të Kosovës e vizitoi Menaxhmenti i kompanisë ‘Llamkos GalvaSteel” udhëhequr nga menaxheri operativ Arten Bajrushi me bashkëpunëtorë të cilët priten nga Kryetari i Odes Ekonomike të Kosovës, Safet Gerxhaliu.
Bajrushi falënderoi Oden Ekonomike të Kosovës për mbështetje që i jep procesit të privatizimit në Kosovë dhe me këtë rast edhe përkrahjen me përkushtim për Menaxhmentin e ri të kompanisë “Llamkos GalvaSteel”.
U debatua për efektet pozitive në aspektin social që ka arritur menaxhmenti i ri përmes punësimit të një numri të konsiderueshëm të punëtoreve ku për momentin punojnë mbi 350 punëtorë dhe pritet së shpejti ky numër të rritet në 437 – sipas kushteve të parapara në procesin e privatizimit. Në të njëjtën kohë rëndësi të veçantë i kushtojnë edhe edukimit dhe riaftësimit të punëtoreve bazuar në normat dhe standardet e kërkuara moderne.
Pas një fillimi të suksesshëm të linjës së prodhimit të llamarinës së zinkuar, kompania “Llamkos GalvaSteel” ka angazhuar kompaninë italiane “Danieli” për të kryer një studim të fizibilitetit rreth fillimit të ndërtimit të fabrikës së re – linjës së plastifikimit – që është edhe një dëshmi e seriozitetit të kompanisë “Llamkos GalvaSteel” pronarë e së cilës është kompania “Core Group” me seli në Dubai.
Po ashtu një rëndësi e veçantë i kushtohet arritjes së standardeve të kërkuara me norma evropiane dhe me gjerë sepse vetëm kualiteti i larte është garancë e suksesit të kompanisë në fjalë, dhe ky është synimi i tyre.
Jemi të bindur se një investim i tillë çfarë është bërë nga kompania “Core Group” është një storie e suksesit në Kosovë dhe shembull për atraktimin e investitorëve të huaj që pretendojnë të hyjnë në tregun kosovar.
Një seriozitet i tillë është obligim moral i menaxhmenti aktual të “Llamkos GalvaSteel” nga vetë fakti që mbrapa investitorëve qëndron njëra nga bankat më të mëdha minerare në botë –Standard Bank.
Gerxhaliu tha se është i impresionuar me përkushtimin e tillë që është duke bërë Core Group përmes “Llamkos GalvaSteel” por edhe menaxhmenti aktual i cili me këtë profesionalizëm po e kthen dhe po e përmirëson imazhin e procesit të privatizimit në Kosovë, përkundër të gjitha sfidave me të cilat ballafaqohet kjo kompani, po ndikon në mirëqenien sociale, në përmisimin e imazhit të Kosovës dhe mbi të gjitha vetë prania e Core Group në Kosovë vetvetiu reflekton me faktin se Kosova është vend i sigurt për investime dhe se Kosova ka ardhmëri dhe atraktivitet përmes investitorëve të huaj.
Gerxhaliu inkurajoi menaxhmentin në fjalë të qëndrojnë të gatshëm në përmbushjen e obligimeve të tyre por në të njëjtën kohë e vlerësoi lartë angazhimin e kompanisë DANIELI në hartimin dhe implementimin e vizionit të ri në kuadër të “Llamkos GalvaSteel” në zgjerimin e kapacitete prodhuese të produkteve të reja me teknologji moderne ku vlera e këtij projekti do të jetë mbi 30 milion euro si dhe do të krijohen 200 vende të reja të punës.
Gerxhaliu tha se këto plane dhe implementimi i tyre janë mu ato procese që i nevojiten Kosovës në momentin aktual por në të njëjtën kohë theksoi ai është një obligimi moral për Institucionet vendore dhe ndërkombëtare në Kosovë, qoftë të nivelit Qendror apo Lokal, që të bëjnë edhe më tepër në përkrahjen e Investitorëve në kompaninë në fjalë por në të njëjtën kohë apeloi tek mediet që raste të tilla pozitive në Kosovë të kenë hapësirë më të madhe mediale si mbështetje për investitorët ekzistues dhe po në të njëjtën kohë të ngritët atraktiviteti i Kosovës për investitorë të tjerë potencial. 

BSPK kundër shtrenjtimit të rrymës

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) fuqimisht kundërshton kërkesën e KEK-ut për ngritjen e Tarifave të Energjisë Elektrike. Sipas BSPK-së, ky vendim do të ndikojë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve dhe të punëtorëve të Kosovës, ku edhe ashtu po ballafaqohen me inflacion të dukshëm dhe gjendje të rëndë sociale.
Zyrtarët e BSPK-së kanë thënë nëpërmjet komunikatës se me këtë kërkesë të KEK-ut, do të dëmtohet rëndë popullata , punëtoria si dhe ekonomia e Kosovës, e cila edhe ashtu ka pësuar dëme të mëdha financiare si pasojë e reduktimeve të mëdha të energjisë elektrike.
“Kjo ngritje e çmimeve nuk do të zgjedh problemet në KEK, por vetëm se do t’i ripërtërij ato dhe do ti rris ato probleme. BSPK-ja nga KEK-u kërkon që ta rishikojnë edhe një herë këtë vendim dhe ta rikthejë në vendimin e mëparshëm”, thekson BSPK-ja.
BSPK përkrah të gjitha shoqatat joqeveritare që kundërshtojnë ngritjen e çmimit të energjisë elektrike. 

Në 2013 zbatimi i Ligjit për mbrojtjen e dëshmitarëve

Ligji për mbrojtjen e dëshmitarëve, i paralajmëruar se do të hyjë në fuqi këtë vit, do të gjejë zbatim në vitin 2013- ka bërë të ditur për Radio Kosovën zëvendëskryeministri dhe ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi.
Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës kanë paralajmëruar kohë më parë se Ligji për mbrojtjen e dëshmitarëve do të hyjë në fuqi në shtatorin e këtij viti, por Kuçi ka shuar shpresat se një ligj i tillë do të fillojë të zbatohet këtë vit.
Për t’u funksionalizuar plotësisht ky ligj, sipas Kuçit, kërkohet mbështetje buxhetore. Sipas tij, disa pjesë të këtij ligji kanë hyrë në fuqi, por në tërësi do të fillojë të zbatohet vetëm në vitin 2013. 

Integriteti dhe sovraniteti të paprekshëm për SHBA-të

Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, në kuadër të vizitës zyrtare në SHBA, në Departamentin e Shtetit është pritur nga ndihmës-sekretari amerikan i Shtetit për Evropë dhe Euroazi, Philip Gordon, me ç’rast ka marrë mbështetjen e Departamentit të Shtetit të SHBA-ve për zhvillimet pozitive në Republikën e Kosovë.
Hoxhaj e ka informuar ndihmës-sekretarin Gordon për procesin e përfundimit të mbikëqyrjes së pavarësisë, ku Republika e Kosovës ka arritur një sukses shumë të madh në konsolidimin e shtetësisë së brendshme dhe të jashtme, në reformimin e vendit dhe adresimin e nevojave ekonomike dhe sociale. Ndërsa, nga ana e tij, Gordon ka thënë se SHBA-të mbështesin fuqishëm zhvillimet pozitive brenda për brenda Kosovës dhe reformat e gjithëmbarshme. Ai ka theksuar se për SHBA-të, integriteti dhe sovraniteti i Republikës së Kosovës është i paprekshëm.
Duke folur për përpjekjet e vazhdueshme të Qeverisë së Kosovës për shtimin e numrit të njohjeve, Gordon ka paralajmëruar se SHBA-të do të mbështesin fuqishëm Republikën e Kosovës në përmbylljen e procesit të njohjeve si dhe në anëtarësimin në strukturat euroatlantike.
Ministri kosovar e ka informuar bashkëbiseduesin edhe për gjendjen e tensionuar, vazhdimin e pranisë së barrikadave dhe praninë e strukturave ilegale të sigurisë, policisë dhe grupeve paramilitare serbe në veri të Kosovës. Me këtë rast, Hoxhaj ka ritheksuar se nëse Serbia shpërblehet me statusin e kandidatit, pa shpërndarjen e strukturave të policisë dhe sigurisë në veri të Kosovës, pa largimin e barrikadave dhe pa zbatimin e plotë të marrëveshjeve, atëherë pasojat do të jenë të afatshkurtra dhe afatgjata në rajon.

Asnjë plan tjetër, pos atij të Ahtisaarit

Ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, u ka bërë thirrje udhëheqësve kosovarë që të mos pranojnë asgjë tjetër për veriun, pos zbatimit të Planit Ahtisaari që, sipas tij, ishte kompromisi i të gjithëve.
“Nuk ishte e lehtë të arrihej deri te pakoja e Ahtisaarit. Mes kompromisesh, ky propozim zgjidhjeje rezultoi i mirë për Kosovën, u pranuan disa komuna të reja serbe e në të parashihet edhe zgjidhja për Mitrovicën. Asnjë plan tjetër nuk duhet pranuar, pos zbatimit të Planit të Ahtisaarit për Kosovën", ka thënë Sejdiu në një ligjëratë në Shkollën Politike, ndërsa transmeton Indeksonline.
Ai nuk është shprehur kundër dialogut me Serbinë, por ka kërkuar që të kihet kujdes në marrëveshjet që arrihen, e veçmas problem për të do shfaqen edhe fusnotat e çfarëdo tjetër që nuk është në favorin e vendit.
Sipas ish-presidentit, duhet një baraspeshë e qartë pushtetesh, ndërsa politika nuk duhet të ndërhyjë në sistemin gjyqësor, në institucione të pavarura, në polici apo dogana.

Është qenësore që Kosova të ketë një ulëse

Duke komentuar zhvillimet në veri të Kosovës, i porsaemëruari përfaqësues special i BE-së për Kosovë, Samuel Zbogar, ka theksuar se institucionet dhe qytetarët e Kosovës duhet të gjejnë zgjidhje për të integruar këtë pjesë të vendit. Sipas tij, Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, prandaj ai beson se përkundër faktit që situata në veri aktualisht nuk është e mirë, institucionet do të gjejnë zgjidhje për ta ndryshuar gjendjen.
“Veriu nuk guxon të shndërrohet në konflikt të ngrirë”, ka deklaruar Zbogar në një intervistë për RTK-në, ndërsa ka folur edhe për mosmarrëveshjet që po zvarrisin dialogun mes Kosovës e Serbisë.
“Në takimet e ndryshme, përfshirë këtu edhe takimet e Këshillit të Sigurimit, vendet përfaqësohen vetëm me emrat e tyre, pa e specifikuar a është fjala për republikë apo për mbretëri”, ka theksuar Zbogar, duke shtuar se është qenësore që Kosova të ketë një ulëse, ashtu siç e kanë vendet e tjera nëpër forumet e ndryshme.
Përfaqësuesi special i BE-së ishte i qartë se marrëveshja përkitazi me këto çështje do të ndihmonte që Kosova të krijojë marrëdhënie kontraktuale me Bashkimin Evropian, të cilat aktualisht nuk i ka. Sipas tij, marrëveshja e Kosovës për mënyrën se si do të përfaqësohet ajo në forumet rajonale e ndërkombëtare do të ndikojë edhe në qëndrimin e vendeve të BE-së, të cilat nuk e kanë njohur ende Kosovën.
Ai e ka cilësuar si ‘të mirë’ idenë për një takim eventual mes kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe presidentit të Serbisë, Boris Tadic. 

VV: Padrejtësia u bë dhunë

Më 10 Shkurt 2007, në sheshin e Prishtinës, dhuna e pushtetit që po na e impononte një proces politik për zgjidhjen e statusit politik të Kosovës në negociata me Serbinë, u njësua me manifestimin më brutal të ushtruar nga pushteti- theksohet në një komunikatë të Lëvizjes “Vetëvendosje” me rastin e pesëvjetorit të demonstratës ku humbën jetën Mon Balaj dhe Arben Xheladini.
“Pushteti që po e dialogonte vullnetin e popullit me Serbinë, komunikonte me popullin përmes plumbave, gazit lotsjellës, shkopinjve të gomës e burgjeve. Ishim ballë për ballë: Plani i Ahtisaarit kundër vetëvendosjes, populli kundër pushtetit. Si për të ilustruar krejt këtë situatë këtë ndarje kontradiktore, atë ditë që Prishtina përgjakej, Grupi i Unitetit udhëtonte me helikopter nëpër qiell. Udhëtonin nëpër qiell, por idilikën e tyre nuk e ndanin dot me popullin e Kosovës. Hegjemonia e konsensusit politik e medial kishte marrë fund, populli po bëhej vetvetja. Populli ishte në rrugë, ata ishin në qiell. Populli e vërteta, pushteti iluzioni. Padrejtësia u bë dhunë sepse populli kundërshtoi padrejtësinë. Pushteti u bë i dhunshëm, sepse populli kërkoi vetëvendosje”, thuhet në komunikatë.
“Vetëvendosje” konsideron se situata në të cilën gjendet sot Kosova nuk ndryshon nga viti 2007 dhe se një pushtet që mohon vullnetin e popullit nuk mund të ofrojë kurrfarë drejtësie.
“Gjendemi në një proces negociator që Kosovës po ia heq atributet e shtetësisë, por tashmë jemi dëshmitarë për përpjekjet e para për ta ndërtuar Grupin e Unitetit 2 që do të zhvillojë negociata për veriun e vendit. 10 Shkurti nuk është përkujtimi i datës, ai është përkujtimi i thirrjes kundër planeve të huaja. Më 10 shkurt, kujtojmë virtytet dhe gatishmërinë e Monit e të Arbenit për sakrificë, para të cilëve përkulemi, për të mos u përkulur para pushtetit”, theksohet më tej në komunikatë.
Ndërkohë, organizata ndërkombëtarë për të drejtat e njeriut, Amnesty International, i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar në Kosovë që të ofrojë drejtësi për familjet e Mon Balajt dhe Arben Xheladinit, të vrarë në protestat e 10 shkurtit të vitit 2007 në Prishtinë.
Amnesty International tërheq vërejtjen se nuk janë hapur hetime të pavarura lidhur me vrasjet dhe plagosjet e asaj dite, ndërsa hetimet e një prokurori ushtarak rumun janë mbyllur pa identifikimin e autorëve. Kjo organizatë thekson se për pesë vjet me radhë familjet e të vrarëve kërkojnë drejtësi dhe i bëjnë thirrje Misionit të Bashkimit Evropian për policinë dhe drejtësinë që fillojnë një hetim të paanshëm dhe të pavarur. 

Jahjaga ngushëllon familjen Berisha

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, i ka dërguar një telegram ngushëllimi familjes Berisha nga Vasileva e Drenasit, e cila humbi tre anëtarë, pas zjarrit që shpërtheu në shtëpinë e tyre.
“Morëm me dhimbje të thellë lajmin për vdekjen e tre anëtarëve të familjes suaj, nga zjarri që shpërtheu në shtëpinë tuaj. Vdekja e më të dashurve tuaj është një humbje shumë e madhe për familjen tuaj. Këtë dhimbje e bashkëndjejnë edhe institucionet dhe qytetarët e Republikës së Kosovës, që janë me ju në këto çaste të rënda dhimbjeje”.
“Unë ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta për humbjen e më të dashurve tuaj dhe lutem shumë për shëndetin e anëtarëve të lënduar të familjes suaj dhe ju dëshiroj atyre shërim sa më të shpejtë”, thuhet në telegramin e presidentes.

‘Presioni është mbi palën kosovare’

Shefi i ekipit negociator të Beogradit në bisedimet me Prishtinën, Borislav Stefanovic, ka përgënjeshtruar shkrimet e disa medieve se kohëve të fundit janë shtuar presionet ndaj Serbisë që të ketë rezultat për përfaqësimin rajonal të Kosovës deri kah mesi i shkurtit.
Në një intervistë për Politika, ai ka pohuar se kësaj radhe “presionet janë mbi palën tjetër, së paku në këtë fazë”. Ai ka thënë se Serbia ka hyrë me mençuri në këtë proces duke u mbështetur në interesin kombëtar dhe Rezolutën 1244.
“Fokusi i aktiviteteve të bashkësisë ndërkombëtare është në Prishtinë. Interesi ynë është që të gjejmë zgjidhje në afat sa më të shkurtër dhe në atë aspekt ne kemi dhënë disa propozime për zgjidhje. Kemi qenë aktivë dhe konstruktivë dhe kjo e ka forcuar pozicionin tonë para marrëveshjes së mundshme rreth përfaqësimit rajonal të Prishtinës”, ka deklaruar Stefanovic.
Ai ka shtuar se të gjithë pajtohen se dialogu i deritanishëm ka sjellë rezultate të shkëlqyeshme dhe të pranueshme, ndërsa ka shtuar se pala serbe në asnjë mënyrë
nuk do ta flijojë “interesin kombëtar në Kosovë, Kushtetutën dhe ligjin”.

Edhe komunat anashkalojnë presidenten

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Ismet Ibishi, ka thënë se komunat të cilat kanë shpallur këto ditë gjendje të jashtëzakonshme për shkak të të reshurave të borës, kanë shkelur hierarkinë e ligjshmërisë.
“Komuna nuk ka të drejtë të shpallë gjendje të jashtëzakonshme. Niveli komunal gëzon të drejtën të emërojë koordinatorin e emergjencave në nivel lokal dhe të ngrejë gatishmërinë e potencialeve të veta në nivel të lartë, por nuk ka të drejtë të shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme. Të gjitha komunat që kanë shpallur gjendje të jashtëzakonshëm janë ndeshur me rregullat strategjitë dhe ligjet e vendit”, ka thënë Ibishi, ndërsa transmeton Zëri.
Sipas zëvendësministrit, është dashur që Qendra Operative Rajonale të vlerësojë fillimisht situatën dhe kjo qendër të njoftojë Qendrën për Menaxhimin e Emergjencave, e cila më pas përcjell shqetësimet tek institucionet e tjera.
“Pra unë si organi më i lartë për menaxhimin e emergjencave në nivel kombëtar thërras të gjitha autoritetet dhe në bazë të të dhënave bëhet vlerësimi nëse konstatohet se gjendja është e rëndë, atëherë është në autoritetin e presidentit të vendit të shpallë gjendje të jashtëzakonshme”, ka shtuar.
Nga ana tjetër, kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, ka thënë se për komunën që ai udhëheq është vetë përgjegjës. Sipas tij, po të pritej hierarkia që të shpallet gjendja e jashtëzakonshme qytetarët do të mbeteshin akoma të ngujuar. Veliu ka thënë se ajo pak ndihmë që u ka shkuar më shumë ka pasur efekt medial, sesa që është bërë ndonjë ndihmë.
“Për komunën time, unë gjendjen e jashtëzakonshme e shpall vetë, nuk kam nevojë me pritë as ministrinë e as presidenten. Sepse unë jam bashkë me qytetarët e as Ministria e as presidentja kurrë nuk kanë ardhur t’i shohin qytetarët se në çfarë gjendjeje janë. Unë nuk kam nevojë të merrem me këto punë përderisa qytetarët ballafaqohen me vështirësitë nga bora që ka rënë”, ka deklaruar ai.
Ndërkaq, zëvendësministri Ibishi thotë moti i lig që mbretëroi këto ditë në Kosovë ka bërë që të jetë një gatishmëri më e lartë, por jo edhe për të shpallur gjendjen e jashtëzakonshme.
Ndryshe, si rrjedhojë e reshjeve të mëdha disa komuna kanë shpallur gjendje të jashtëzakonshme si Podujeva, Peja, Juniku, Kaçaniku dhe Vitia, ndërkaq Vushtrria dhe Mitrovica kanë shpallur gjendje të gatishmërisë së lartë.