VV: Padrejtësia u bë dhunë

Më 10 Shkurt 2007, në sheshin e Prishtinës, dhuna e pushtetit që po na e impononte një proces politik për zgjidhjen e statusit politik të Kosovës në negociata me Serbinë, u njësua me manifestimin më brutal të ushtruar nga pushteti- theksohet në një komunikatë të Lëvizjes “Vetëvendosje” me rastin e pesëvjetorit të demonstratës ku humbën jetën Mon Balaj dhe Arben Xheladini.

“Pushteti që po e dialogonte vullnetin e popullit me Serbinë, komunikonte me popullin përmes plumbave, gazit lotsjellës, shkopinjve të gomës e burgjeve. Ishim ballë për ballë: Plani i Ahtisaarit kundër vetëvendosjes, populli kundër pushtetit. Si për të ilustruar krejt këtë situatë këtë ndarje kontradiktore, atë ditë që Prishtina përgjakej, Grupi i Unitetit udhëtonte me helikopter nëpër qiell. Udhëtonin nëpër qiell, por idilikën e tyre nuk e ndanin dot me popullin e Kosovës. Hegjemonia e konsensusit politik e medial kishte marrë fund, populli po bëhej vetvetja. Populli ishte në rrugë, ata ishin në qiell. Populli e vërteta, pushteti iluzioni. Padrejtësia u bë dhunë sepse populli kundërshtoi padrejtësinë. Pushteti u bë i dhunshëm, sepse populli kërkoi vetëvendosje”, thuhet në komunikatë.
“Vetëvendosje” konsideron se situata në të cilën gjendet sot Kosova nuk ndryshon nga viti 2007 dhe se një pushtet që mohon vullnetin e popullit nuk mund të ofrojë kurrfarë drejtësie.
“Gjendemi në një proces negociator që Kosovës po ia heq atributet e shtetësisë, por tashmë jemi dëshmitarë për përpjekjet e para për ta ndërtuar Grupin e Unitetit 2 që do të zhvillojë negociata për veriun e vendit. 10 Shkurti nuk është përkujtimi i datës, ai është përkujtimi i thirrjes kundër planeve të huaja. Më 10 shkurt, kujtojmë virtytet dhe gatishmërinë e Monit e të Arbenit për sakrificë, para të cilëve përkulemi, për të mos u përkulur para pushtetit”, theksohet më tej në komunikatë.
Ndërkohë, organizata ndërkombëtarë për të drejtat e njeriut, Amnesty International, i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar në Kosovë që të ofrojë drejtësi për familjet e Mon Balajt dhe Arben Xheladinit, të vrarë në protestat e 10 shkurtit të vitit 2007 në Prishtinë.
Amnesty International tërheq vërejtjen se nuk janë hapur hetime të pavarura lidhur me vrasjet dhe plagosjet e asaj dite, ndërsa hetimet e një prokurori ushtarak rumun janë mbyllur pa identifikimin e autorëve. Kjo organizatë thekson se për pesë vjet me radhë familjet e të vrarëve kërkojnë drejtësi dhe i bëjnë thirrje Misionit të Bashkimit Evropian për policinë dhe drejtësinë që fillojnë një hetim të paanshëm dhe të pavarur.