Roma kërkon Van der Wiel

Roma është vënë në kërkim të anësorit holandez, Gregory Van der Wiel dhe kërkon të finalizojë gjithçka për një shumë prej 5 milionë eurosh.
Holandezi, i cili ka edhe një vit kontratë me klubin, ka thënë se do të largohet gjatë afatit kalimtar veror dhe Roma është klubi që ka shprehur interesim më të madh për të.
Roma mund ta realizojë operacionin, pasi ekipe si Chelsea dhe Barcelona kanë hequr dorë nga lojtari, për shkak të mungesës së minutazhit për të në Amsterdam Arena.

Di Matteo të mbetet menaxher i Chelseat

Shefi ekzekutiv i Chelseat, Ron Gourlay, ka konfirmuar se italiani Roberto Di Matteo, do të mbetet menaxher i klubit londinez edhe sezonin e ardhshëm.
“Janë spekulime fjalët se ai do të largohet. Të gjithë në bord e dinë këtë. Unë shkoj në stërvitje dy herë në javë, udhëtoj çdo ku me klubin dhe bëj atë që duhet bërë dhe mendoj se ky njeri është në të gjitha nivelet e një menaxheri”.
“Nuk jam i sigurt se kah kanë ardhur spekulimet për largimin e tij, por ne mbetemi të fokusuar në një ndeshje të madhe sezonin e ardhshëm. Ne jemi tejet të fokusuar dhe Di Matteo mbetet menaxher i joni edhe për sezonin e ardhshëm”, ka thënë Gourlay.

Juve të kompletojë blerjën e Boriellos

Marco Boriello mund të qëndrojë te Juventusi edhe pas përfundimit të huazimit të tij nga Roma, pasi Bianconerët duan të nënshkruajnë kontratë permanente me të.
29 vjeçari iu bashkua Juventusit në formë huazimi deri në fund të sezonit gjatë afatit kalimtar veror dhe që nga ajo kohë ka shënuar dy herë në 15 paraqitje.
Edhe lojtarë si Robin Van Persie, Fernando Torres dhe Gonzalo Higuain janë lidhur me një kalim te gjiganti italian Juventus.

Schweini: Mourinho do ishte i suksesshëm te Bayerni

Mesfushori i Bayernit të Munichut, Bastian Schweinsteiger, mendon se trajneri portugez, Jose Mourinho, do të ishte shumë i suksesshëm edhe te klubi gjerman, pas sukseseve në katër kampionate të ndryshme.
“Më duhet të pranoj se e shoh Mourinhon si trajner të shkëlqyer. Fatkeqësisht ai nuk flet gjermanisht. Sidoqoftë, besoj se Mourinho është trajner që do të ishte shumë i suksesshëm te Bayerni”.
“Vërtet do të më pëlqente nëse Bayerni mendon për Mourinhon, apo nëse jemi në treg për një trajner të ri”, ka potencuar mesfushori gjerman.

Alonso: Të mos ndalen ndryshimet

Fernando Alonso ka sugjeruar inxhinierët e Ferrarit që të vazhdojnë me ndryshimet në makinën për sezonin e ardhshëm, duke thënë se ‘kokëkuqja’ italiane duhet të jetë sa më konkurruese stinorin e ardhshëm.
“Ne nuk e dimë se çfarë veturë do të kemi. Ne i kemi pjesët e reja. Ferrari duhet të vazhdojë me ndryshimet pasi të gjithë kanë hapur syt kah ne dhe për atë që do të sjellim”.
“Ne duhet të bëjmë një hap para, ne besojmë në këtë. Nuk është janë këta hapat e parë, por ne duhet të sjellim definitivisht pjesë të reja për të vazhduar përmirësimin dhe ngritjen drejt vendeve të para”, është shprehur Alonso. 

Mourinho kërkon një ‘Maicon’

Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, është duke kërkuar një emër të madh për krahun e djathtë të mbrojtjes, si pjesë e planeve të tij për përforcimin e ekipit para sezonit të ri.
Marca shkruan se Real Madridi ka angazhuar agjentin Gines Carvajal për të gjetur një anësor klasi të krahut të djathtë, i cili mund të luajë dhe në sulm edhe në mbrojtje. Por, deri tani me opsionet e Carvajal, Mourinho është ndarë i pakënaqur.
“Ma gjeni një Maicon”, besohet t’u ketë thënë Mourinho njerëzve të angazhuar te Reali për transferimet gjatë afatit kalimtar veror.
Kapiteni i Bayernit të Municnut, Philip Lahm dhe ylli i Barcelonës, Daniel Alves, konsiderohen si lojtarët më të mirë në këtë pozitë, por asnjëri prej tyre nuk mund të jetë lojtar i Real Madridit

City, 100 milionë funte për ‘treshen fantastike’

Manchester City është duke planifikuar që të shpenzojë 100 milionë funte këtë verë, për të sjellë në ekip Robin Van Persien, Gareth Bale dhe Eden Hazard.
Mirror shkruan se City ka 100 milionë funte për këtë afat kalimtar veror dhe se caqet kryesore janë futbollistët kryesorë të tri ekipeve që nuk janë rivalë të sheikëve.
Mancini ka planifikuar një spastrim total të ekipit gjatë verës dhe e sheh këtë si çelësin drejt shumëzimit të trofeve.

Ganso objektiv i Milanit

Këshilltari i Milanit, Serginho, ka zbuluar se gjiganti italian është duke e monitoruar vazhdimisht mesfushorin Paul Henrique Ganso.
“Ganso mund të bëhet cak i Milanit për verën që vjen, pasi ata janë duke e monitoruar nga afër. Milani është duke e përcjellur Ganson. Për momentin nuk ka asgjë konkrete, por gjithmonë Milani e ka monitoruar atë”.
“Nëse Ganso është mirë fizikisht, atëherë ai tërheq vëmendjen për teknikën e tij. Ai është lojtar që ofron diçka tjetër për dallim prej lojtarëve tjerë. Ganso është sportist tjetër i futbollist të sotëm. Klubet e mëdha gjithmonë kanë qenë të interesuara për të, duke përfshirë këtu edhe Milanin”, ka deklaruar Serginho përGloboesporte

“Ju garantoj, United do ta kërkojë Sneijderin”

Legjenda e Manchester United, Teddy Sheringham, ndjen se Sir Alex Ferguson do të bëjë një ofertë të re për asin e Interit, Wesley Sneijder, gjatë këtij afati kalimtar veror.
“Mendoj se ata do të bëjnë ofertë të re dhe këtë e them pa kurrfarë dyshimi. Ferguson ka tentuar ta transferojë Sneijderin vitin e kaluar dhe kur ai pëlqen dikë, atëherë është shumë e vështirë që dikush t’ia marrë nga dora”.
“Ai bëri këtë me shuëm lojtarë. Van Nistelrooy për shembull e theu këmbën kur Ferguson e kërkoi në fillim, por ai u rikthye dhe Ferguson e bleu. Nuk do të më befasonte nëse Sneijder do të kalonte këtë verë në Old Trafford”, ka deklaruar Sheringham. 

Marty pritet të dëshmojë për “Medicus” më 18 qershor

Ish-senatori zviceran, Dick Marty, do të japë dëshminë e tij për rastin “Medicus” më 18 qershor në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë. Kryetari i trupit gjykues, Arkadiush Sadek, ka thënë se ende nuk e di nëse Dick Marty do të vijë personalisht në Kosovë për të dëshmuar apo këtë do ta bëjë nëpërmjet ndonjë video lidhjeje.
Mbrojtja është e bindur se Marty nuk do të vijë fare në Kosovë dhe as që do të dëshmojë në këtë rast. Prokurori Jonatan Ratel ka propozuar edhe dy dëshmitarë të tjerë në këtë proces. Ai ka thënë se në mungesë të doktor Stojevit, i cili kishte hartuar raportin e forenzikës për ato që ishin gjetur në Klinikën “Medicus”, do të dëshmojë shefi i Departamentit të Mjekësisë Ligjore në EULEX, Alan Robinson, raporton KTV.
Gjithashtu Rateli ka ftuar si dëshmitar edhe ekspertin e forenzikës, italianin Cristian Jugoveri, i cili do të flasë për ekspertizën e disa e-maileve.
Rateli ka bërë të ditur se SHBA-ja kanë ndihmuar për gjetjen e 500 e-maila-ve në adresat elektronike në rrjetet Hotmail dhe Yahoo të Lutfi Dervishit, 10-12 prej tyre, sipas prokurorit, do t’i hynë bukur shumë në punë gjykatës në formën e korrespodencave të Lutfi Dervishit me Jusuf Sonmezin dhe Manfred Phirin.
Megjithatë, mbrojtja ka kundërshtuar thirrjen e dëshmitarëve të rinj, sidomos të ekspertëve të EULEX-it, sepse, sipas tyre, janë të njëanshëm.

Serbët e Kosovës i frikësohen ngritjes së Dacicit

Qeveria e re e Serbisë duhet urgjentisht ta ndryshojë politikën ndaj Kosovës dhe të hartojë një strategji të re për zgjidhjen e problemeve të komunitetit serb në Kosovë, thonë përfaqësues të serbëve në Graçanicë. Sipas tyre, nga kjo varet edhe ekzistenca e serbëve në Kosovë.
"Prioritet i Qeverisë re të Serbisë duhet të jenë bisedimet më efikase të Beogradit dhe Prishtinës të cilat të sillnin rezultate të vërteta, që kanë të bëjnë me jetën më të mirë të të gjithë qytetarëve të Kosovës", citohet të ketë thënë për "Zërin e Amerikës" (në serbisht) Rada Trajkovic, deputete e Kuvendit të Kosovës, transmeton QIK-u.
Sipas fjalëve të saj, bisedimet e gjertanishme vetëm sa e kanë larguar komunitetin serb dhe shqiptar, kanë ngritur tensionet dhe kanë vështirësuar jetën e qytetarëve.
Ajo konsideron se serbët në Kosovë duhet të shqetësohen për shkak të suksesit të madh të Partisë Socialiste të Serbisë në zgjedhjet parlamentare, sepse, siç thotë, “politika e liderit të kësaj partie Ivica Dacic, e cila ka të bëjë me ndarjen e serbëve dhe shqiptarëve si dhe arrestimi i shqiptarëve, serbëve të Kosovës nuk u sjell asgjë të mirë”.
Trajkovic thotë se sipas saj një qeveri më stabile do të ishte ajo mes Partisë Demokratike dhe asaj Përparimtare, por gjithsesi me koalicionin e Cedomir Jovanovicit.

Shqiptarët e Luginës sigurojnë një mandat deputeti

Lista e Pakicës Koalicioni i Shqiptarëve të Luginës së Preshevës ka siguruar një mandat deputeti në përbërjen e re të Kuvendit të Serbisë, ndërkaq koalicioni “Kthesa“ në vend të 20 vendeve të shpallura më herët ka marrë 19 sish, ka njoftuar Komisioni Republikan i Zgjedhjeve në Serbi.
Sipas agjencisë së lajmeve Beta, komisioni ka thënë se në bazë të rezultateve preliminare nuk priten ndryshime në listat e tjera zgjedhore, transmeton Rel.
Ky organ sonte shpall rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare të mbajtura më 6 maj në Serbi. 

Thaçi përshëndet lirimin e Haradinajt

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, përshëndet dhe shpreh respektin për vendimin e Tribunalit të Hagës që të lirojë të mbrohet në liri, ish-kryeministrin Ramush Haradinaj.
“Ne asnjëherë nuk kemi dyshuar në drejtësinë ndërkombëtare, por, njëkohësisht, kemi besuar edhe në pastërtinë e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për ngadhënjimin e vlerave të lirisë, demokracisë dhe drejtësisë për të gjithë qytetarët e Kosovës”, ka thënë kryeministri Hashim Thaçi.
“Sipas këtyre parimeve, ne vazhdojmë të besojmë se vendimi i përfundimtarë i Tribunalit të Hagës, për akuzat ndaj ish-kryeministrit Ramush Haradinaj dhe bashkëluftëtarëve të tij, do të jetë në përputhje me bindjen tonë, dhe ata do të lirohen”, thuhet në deklaratën e kryeministrit Thaçi.

NATO kërkon zgjidhje për hapësirën ajrore të Kosovës

NATO ka nisur identifkimin e një shteti anëtar të saj që do të do të ofronte përkohësisht shërbime të navigacionit ajror në hapësirën e lartë ajrore të Kosovës. Kjo është bërë e ditur gjatë një takimi të zhvilluar mes gjeneralit Istvan Talla, zëvendës ndihmës-sekretar i NATO-s dhe Ministrit të Infrastrukturës, Fehmi Mujota.
Në një njoftim për media të ministrisë, thuhet se në takim Talla ka shpalosur opsionet që po i konsideron Këshilli i NATO-s.
Gjenerali Talla, sipas njoftimit, premtoi që procesi i hapjes së hapësirës së lartë ajrore do të përmbyllet brenda një viti ndërsa u shpreh i kënaqur me rolin që autoritetet e Kosovës po luajnë në këtë nismë.
Ndërsa, ministri Mujota siguroi gjeneralin Talla se autoritetet do të vazhdojnë të bashkëpunojnë ngushtë me NATO-n, KFOR-in dhe partnerët tjerë në gjetjen e një zgjidhjeje të përkohshme sa më të mirë për Republikën e Kosovës, sigurinë e fluturimeve, komunitetin e aviacionit dhe udhëtarët që shfrytëzojnë Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.

Ramush Haradinaj në mbikëqyrje të EULEX-it

Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX) do të monitorojë përmbushjen e kushteve të lirimit të përkohshëm të Ramush Haradinajt, i cili sot mbërriti në Kosovë, pas lirimit nga Tribunali i Hagës.
Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Haradinaj, do të duhet të paraqitet një herë në javë në policinë e EULEX-it.
“Me kërkesë të Tribunalit të Hagës për Krime Lufte në ish-Jugosllavi, ICTY-s, EULEX do të ndihmojë gjykatën në monitorimin e kushteve të lirimit të përkohshëm të zotit Haradinaj”, i ka thënë gazetës Jeta në Kosovë, zëdhënësi i EULEX-it, Blerim Krasniqi.
“Ndër detyrat që policia e EULEX-it do të kryejë janë: shoqërimi i Haradinaj për në dhe nga Aeroporti i Prishtinës, do ta takojë Haradinaj një herë në javë, si dhe do të mbajë dokumentet e udhëtimit të tij”, ka saktësuar ai.

Hoti ripohon se bëri atentate në Rugovën

Për të dytën ditë me radhë, Agim Hoti nga burgu i Dubravës ka deklaruar për shtypin e përditshëm se është autor i dy atentateve ndaj Presidentit Ibrahim Rugova.
Dje për gazetën “Express”, ndërsa sot për "Bota sot", Hoti thotë se për vrasjen në tentativë ka bërë pazar me Xhavit Halitin, nënkryetar dhe deputet aktual i PDK-së në Kuvendin e Kosovës e Artan Nimani, profesor universiteti si dhe Agron Haradinajt, i cili punon në PTK. Për këto pretendime ai thotë se ka fakte që do t'ua tregojë edhe hetuesve. Ndërkaq personat e apostrofuar këto deklarime i quajnë shpifje.
Agim Hoti, i cili është duke e vuajtur dënimin me burg për një atentat tjetër, në vitin 2007 ndaj Anton Berishës, ish shefit të Autoritetit Rregullativ të Telekomunikacionit (ART), pretendon se ai vetë ka kryer edhe dy sulme të tjera, njërin në vitin 2004, e tjetrin një vit më pas. Të dy këto atentate ndaj ish-Presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova.
"Unë jam ai i cili e kam gjuajtur bombën më 12 mars të vitit 2004, në oborrin e shtëpisë së Ibrahim Rugovës, me urdhër të Xhavit Halitit, Agron Haradinajt e Artan Nimanit", saktëson Hoti. Në të dyja gazetat më tej ai deklaron se sulmin tjetër që ka ndodhur një vit më pas ndaj ish Presidentit i ka kryer vetë, dhe me të njëjtit urdhra nga të njëjtit njerëz, transmeton Koha.
"E kam ndrequr dinamitin dhe e kam instaluar në një kontejner. Jam ulur në një qebaptore kinse për të ngrënë dhe me teledirigjues është aktivizuar, kur makina e tij ka kaluar andej".
Madje ai thotë se për të gjitha këto që thotë, ka edhe prova. "I kam të gjitha mjetet elektronike, kapsulat me të cilat është dirigjuar bomba, e të gjitha i kam", thekson Hoti. "Në parkingun e hotelit 'Grand', jam takuar me Artan Nimanin, i cili m'i ka dhënë të hollat për ta blerë topin e dorës. Prej asaj kohe e kam ruajtur Presidentin te varri i dëshmorit Afrim Vitia, rrugës për në 'Velani', thotë ai.
E pas shumë dështimeve dhe presioneve që Hoti thotë të ketë pasur, tregon se e kanë detyruar ta instalojë bombën te ndërtesa e "Sllovenia Sportit" në Prishtinë. "Një ditë para se Rugova të takohej me Solanën, unë kam shkuar në këtë pjesë të qytetit dhe kam bërë përgatitjet", sqaron Hoti.
"Për krejt këto i kam marrë 5 mijë euro. Jam paguar vetëm për sulmin e parë dhe për sulmin e dytë nuk jam paguar kurrë, pasi më kanë thënë se nuk e kam kryer punën deri në fund", thotë Hoti, duke shtuar se të gjitha këto që thotë, u qëndron prapa dhe ka vendosur t'i bëjë publike.
Agim Hoti thotë se është penduar për veprimet e tij sidomos ndaj Presidentit Rugova. Hoti thotë se ka qenë pjesëtar i SHISH-it (Shërbimit Informativ të Shqipërisë), madje tregon edhe se ka pasur shifrën 121 dhe ka kontaktuar me personin e quajtur Sokol Pago. Ai thotë se ka marrë para në dollarë nga SHISH-i.
Hoti thotë se gjithë pretendimet e tij do t'ia tregojë EULEX-it. Xhavit Haliti dhe Artan Nimani dje kanë hedhur poshtë pretendimet e Agim Hotit.

Serbët e veriut, takim me përfaqësuesit e KFOR-it

Në takimin e sotëm të përfaqësuesve të serbëve nga veriu i Kosovës me komandantët e KFOR-it është vlerësuar se zgjedhjet serbe kanë kaluar mirë dhe se nevojitet të vazhdojnë përgatitjet për raundin e dytë të zgjedhjeve e presidenciale, që mbahen më 20 maj.
Pas takimit në Leposaviq, i ashtuquajturi shef i Qarkut të Mitrovicës, Radenko Nedelkovic, u ka thënën gazetarëve se serbet dhe përfaqësuesit e institucioneve ndërkombëtare në Kosovë janë dakord se nuk duhet bërë veprime të njëanshme, meqë kjo mund të destabilizojë situatën, transmetojnë mediat.
"Edhe sot kemi kërkuar përgjigje pse nuk janë ndriçuar shumë vepra penale në territorin tonë, pse nuk është gjetur vrasësi i Sava Mojsicit, ndonëse ka kaluar gjysmë viti, cilat grupe të armatosura të shqiptarëve në civilë po shëtisin pranë magjistrales në afërsi të fshatrave shqiptare në komunën e Leposaviqit", citojnë mediat serbe të ketë thënë Nedelkovic, duke folur për takimin me përfaqësues të KFOR-it. 

QKUK, kërkon ndihmën e donatorëve

Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës është prezantuar formimi i Komisionit për hartimin, realizimin e projekteve për zhvillimin dhe avancimin e punës si dhe për hulumtimin e donacioneve të mundshme. Me këtë rast janë prezantuar edhe donacionet e para që kanë arritur pas formimit të komisionit, ndërsa është bërë apel tek donatorët të ndihmojnë QKUK-në.
Nijazi Gashi, drejtor ekzekutiv i QKUK-së, tha se deri tani donacionet janë realizuar në formë individuale pa adresë të caktuar, ndërkaq, tash e tutje ata që shprehin vullnet dhe dëshirë ta ndihmojnë QKUK-në, do ta kenë adresë të tyre Komisionin për donacione dhe zhvillim të projekteve, ku çdo gjë do të shkojë në formë të organizuar.
Ai shpjegoi se në takimin që kanë pasur në Ministri të Shëndetësisë me Bankën Islamike, është biseduar mundësia që ata të japin kredi për ndërtimin e objektit të ri të Qendrës Emergjente.
Drejtori i QKUK-së, apeloj të ndihmohet QKUK me çarçafë, mbulesa batanije peshqirë dhe me gjëra të tjera që janë të domosdoshme.
Bujar Gjikolli, kryesues i komisionit tha se fillimisht është përpiluar udhëzuesi i detajizuar për realizimin e donacioneve, pastaj do të përcaktojnë elementet e shkruara dhe principet ligjore që duhet përmbajtur një projekt për tu zbatuar në QKUK.
“Sipas vendimit që më është lëshuar, nën patronatin e drejtorit ekzekutiv, kërkohet të formoj komisionin e ekspertëve të gatshëm të kontribuojnë në zhvillimin e avancimin e punës në QKUK, për hulumtim të nevojave materiale, infrastrukturore dhe profesionale të QKUK, në bashkëpunim me menaxhmentin dhe drejtorët e klinikave e instituteve”, theksoi Gjikolli.
Në fund të konferencës u ndanë mirënjohje për kompanitë që dhanë donacione për QKUK, pas formimit të komisionit, si Smard – kompanisë së parë për shitjen online përmes internetit (www.smard.info), portalit Telegrafi.com, përfaqësisë së kompanisë Roche në Kosovë si dhe kompanisë Meditech në Prishtinë.

Dialogu të kushtëzohet me të pagjeturit

Interpelanca e sotme e zëvendëskryeministres, Edita Tahiri lidhur me fatin e të zhdukurve në raport me bisedimet me Serbinë, ka kaluar me një debat të gjatë, ku është kritikuar qasja e Qeverisë së Kosovës, për të hyrë në bisedimet me Serbinë pa u kushtëzuar gjetja e këtyre personave. Gjithashtu është kritikuar edhe zëvendëskryeministrja, Edita Tahiri, që nuk ka bërë shumë lidhur me këtë çështje.
Deputetja e AAK-së, Kimete Bajraktari e cila është iniciuese edhe kësaj interpelance, ka thënë se ende nuk dihet fati i 1780 personave të zhdukur. Sipas saj, Serbia deri më tani nuk ka treguar vullnet për të zgjidhur këtë çështje.
“Serbia nuk ka treguar asnjëherë vullnet politik për të punuar në zbardhjen e fatit të tyre. Në mars të viti 2011, ka filluar procesi i bisedimeve dhe deri më tash nuk ka pasur asnjë informatë, apo informim në Kuvend për çështjen e bisedimeve dhe temën e personave të të zhdukurve”, ka thënë Bajraktari, transmeton Kosovapress.
Ndërkohë zëvendëskryeministrja, Edita Tahiri, ka thënë se bisedimet për këtë çështje kanë lënë të kuptohet se Serbia vazhdon me qasje politizuese, përkundër faktit se çështja e të pagjeturve është obligim ndërkombëtar.
“Ky qëndrim i Serbisë nuk është i panjohur, çështja e të pagjeturve po zvarritet kaq shumë vite. Si qeveri kemi kërkuar që BE të angazhohet direkt dhe të bëhet garantues i procesit dhe zgjidhjes finale. Mund të shtojë edhe diçka, se pala serbe nuk ka dalluar nga politikat e kohës së Miloseviqit. Për këtë arsye si qeveri kemi kërkuar që BE të angazhohet direkt dhe të bëhet garantues i këtij procesi dhe zgjidhjes finale”, ka thënë Tahiri.
Sipas saj, BE-ja është zotuar se do të angazhohet për këtë çështje dhe Raporti i Progresit do të trajtojë këtë problem ku do të dalin obligime për të dyja shtetet.
Ajo ka shtuar se është kërkuar për informata të sakta për vendndodhjen e personave të zhdukur dhe vendet me mbetjet mortore të të zhdukurve. Gjithashtu, sipas saj, është kërkuar përshpejtimi i rasteve të parashtruara, si rasti i Rashkës, Medvegjes, Perucacit, Koshares dhe rasteve të tjera.
Më pas debati ka vazhduar nga ana deputetëve, ku deputeti, Shaip Muja, nga radhët e PDK-së, ka thënë se përcaktimi i numrit të personave të zhdukur është i vështirë, kur aktorët e shumtë grumbullojnë informata të ndryshme.
Muja vlerëson se ka ardhur koha që të ndryshohet qasja e bisedimeve ndaj Serbisë, pasi që deri më tash nuk është arritur ndonjë rezultat.
Nga ana tjetër, deputetja e LDK-së, Rita Hajzeraj ka thënë se çështja e tyre është prej çështjeve më të dhimbshme. Ajo ka shtuar se Qeveria e Kosovës nuk ka treguar gatishmëri për trajtimin e kësaj çështje.
Grupi Parlamentar i LDK-së kërkon të trajtohet seriozisht kjo çështje që të respektohen rezolutat dhe vendimet e Kuvendit.
Ndërkaq deputeti i Lëvizjes Vetëvendosjes, Albin Kurti ka thënë se kjo qeveri, por edhe të tjerat nuk ka bërë gjë konkrete për të pagjeturit.
“Kjo është qeveri e papërgjegjshme, që nuk i kanë kërkuar kurrë. Të pagjeturit janë braktisur. Prej kur Qeveria Thaçi hyri në negociata, të pagjeturit kurrë nuk janë shtruar si çështje për të zgjidhur. Të pagjeturit kanë shërbyer si retorikë. Por krejt çka po shohim janë tetë marrëveshje me Serbinë, ku qeveria ka lëshuar pe për sovranitetin, kufijtë, regjistrat civilë e kadastralë, etj.”, ka thënë Kurti.
Sipas tij në vend se të pagjeturit të shërbejnë si çështje humanitare, Serbia i ka kthyer të pagjeturit në kushtëzim për favore në negociata.
Kurse shefja e Grupit Parlamentar të Koalicionit për Kosovë të Re, Myzejene Selmani ka thënë se ky grup kërkon të pamundurën që të zgjidhet kjo çështje njëherë e përgjithmonë.
Debati i deputetëve për këtë çështje është duke vazhduar, ndërsa pritet që në fund Kuvendi të nxjerrë disa rekomandime.

Interi t’i kundërpërgjigjet Juves për ‘yllin e tretë’

Gjiganti italian, Juventus, ka paralajmëruar ditët e fundit se fanellat e sezonit të ardhshëm do të kenë tri yje mbi logon e klubit, përkundër faktit se zyrtarisht Zonja e Vjetër ka fituar vetëm 28 tituj, e sigurisht se ky hap nuk është mirëpritur fare nga rivalët e bardh e zinjve.
Interi sipas mediave italiane me urdhrin e Massimo Morattit pritet që të vë në fanellë njërën prej frazave: “L’Unica squadra mai retrocessa” ose “Mai stati in B”, e që në shqip përkthehen si: “E vetmja skudër që s’ka rënë kurrë nga liga” ose “Nuk kemi qenë kurrë në Serie B”.
Interi është i vetmi klub italian që asnjëherë në histori të klubit nuk ka rënë nga Serie A dhe vendimi i Juventusit për të vendosur yllin e tretë në fanellë pa i pasur ende 30 tituj, pa dyshim se do të shpjerë drejt vendimeve tjera nga hierarkia zikaltër. 

Diego: Ishim të përkryer

Mesfushori i Atletico Madrid, Diego, mendo se skuadra e tij bëri një paraqitje të përkryer në fitoren 3-0 ndaj Athletic Bilbao në finalen e Ligës së Evropës.
27-vjeçari shënoi njërin nga golat pas një aksioni të vetëm të tij në minutat e fundit të ndeshjes dhe është plot lëvdata për arritjen e skuadrës së tij.
“Ne luajtëm kundër një rivali të vështirë si Athletic, por ne luajtëm një ndeshje po thuajse të përkryer”.
“Ishte një ndeshje e vështirë, ne kurrë nuk thamë se do të jetë e lehtë. Duhet ta falënderoj Zotin për këtë fitore”, ka thënë Diego për faqen zyrtare të UEFA-së

Zyrtare: Nesta largohet nga Milani

Mbrojtësi i Milanit, Alessandro Nesta, ka zbuluar se ai nuk do ta veshë fanellën Rossonere në sezonin e ardhshëm.

Largimin e tij nga San Siro, ku kaloi dhjetë vite të karrierës së tij, Nesta e ka konfirmuar sot gjatë një konferencë shtypi, raportojnë mediat italiane.

“Futbolli italian dhe evropian janë shumë të shpejtë për mua tash. Nëse nuk ndjehem i rëndësishëm, preferoj më shumë të qëndroj në shtëpi.
Kam fituar shumë gjëra, por me gjithë respektin për klubin dhe bashkëlojtarët kam vendosur të provoj një plojë ejtetër në një klub në të cilin mund të jap diçka të mirë.
“E marr këtë vendim pas 10 vitesh te Milani, ku kam kaluar kohë të shkëlqyeshme, ku kam fituar shumë, por me gjithë respektin për klubin dhe bashkëlojtarët e mi kam vendosur të largohem dhe të shijoj një përvojë tjetër ku ende do të mund të kënaqesha, të bëj diçka të mirë dhe të eci përpara”.
“Kam vendosur që në shkurt dhe tashmë kam biseduar me Milanin. Destacinacioni im i ardhshëm? Nuk e di ende, nuk kam nënshkruar me askënd, jam duke i menduar gjërat”, ka thënë italiani.
Destinacion i ardhshëm i Nestas, sipas mediave italiane, me gjasë do të jetë kampionati amerikan i futbollit, MLS. 

Aguero dëshiron shumë tituj me Cityn

Sulmuesi i Manchester Cityt, Sergio Aguero, beson se nëse skuadra e tij arrin ta fitojë titullin e Ligës Premier këtë sezon, kjo do të jetë fillimi i të ardhme të mbushur me trofe për klubin.
City është në prag të fitojë titullin e parë pas 44 vitesh, nëse shënon fitore gjatë të dielës ndaj QPR në Etihad Stadium. Por argjentinasi mendon se skuadra është e aftë të fitojë edhe shumë tituj të tjerë pas këtij.
“Dua ta fitoj titullin e këtij sezoni – dhe pastaj edhe shumë sezoneve të tjera me Cityn. Ne kemi pasur një sezon të shkëlqyeshëm por ka ende shumë për t’u pritur nga ekipi”, ka thënë Aguero për The Sun.

Lavezzi drejt Interit?

Ezequiel Lavezzi mund të largohet nga Napoli gjatë verës pasi Interi është duke treguar interesim të shtuar për të nënshkruar me argjentinasin, shkruan La Gazzetta dello Sport.
Nerazzurrët janë në treg për përforcime në sulm për shkak të paqartësive rreth të ardhmes së Diego Forlan dhe ata raportohet se e shohin 27-vjeçarin Lavezzi si një shtesë të përkryer në skuadër.
Argjentinasi besohet se ka një klauzolë blerëse në vlerën e 31 milionë eurove në kontratën e tij aktuale me Napolin, por Interi shpreson ta ulë çmimin dhe do t’i fillojë negociatat pas finales së Kupës së Italisë.
Napoli do të përballet me Juventusin më 20 maj dhe Interi nuk dëshiron ta destabilizojë skuadrën gjatë përgatitjeve për finalen e Romës.
Lavezzi iu bashkua Napolit nga San Lorenzo gjatë verës së vitit 2007 dhe që atëherë është shndërruar në lojtar kyç për skuadrën nga Serie A.

Falcao në qiell pas triumfit në Europa League

Radamel Falcao është i ngazëllyer që ka fituar trofeun e Ligës së Evropës për të dytin vit radhazi.
Kolumbiani shënoi dy gola për të ndihmuar Altetico Maridin të mposhtë Athletic Bilbaon me rezultat 3-0 në finalen e mbrëmshme, një vit pasi ai e fitoi të njëjtën garë me Porton.
“Kur erdha te Atletico thash se doja të vij në Bukuresht dhe të fitoj. Tash e falënderoj Zotin për këtë dhuratë për këtë skuadër, për bashkëlojtarët e mi dhe stafin stërvitës”.
“Ia dedikoj këtë së pari Zotit, pastaj familjes time në Kolumbi dhe po ashtu tifozëve të Atleticos”, ka thënë Falcao për UEFA.com.
Dy golat e Falcaos në Bukuresht e çuan në 12 numrin e golave të tij duke përfunduar kështu i pari për të dytin vit radhazi në këtë garë.

Di Matteo: Terry ka qenë i mrekullueshëm

Menaxheri i Chelseat, Roberto Di Matteo, ka mbështetur kapitenin John Terry pas performancës së dobët të tij në disfatën 4-1 nga Liverpooli.
Anglezi u mashtrua nga Luis Suarez në golin e parë të takimit, para se ta lejojë Jordan Henderson t’i çojë Redsat në avantazh të dyfishtë.
31-vjeçari po ashtu është kritikuar për kartonin e tij të kuq për ndeshjen gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve kundër Barcelonës, kur e kishte goditur Alexis Sanchez dhe do të mungojë në finale.
“John ka qenë i mrekullueshëm për ne. Ai ka luajtur të gjitha ndeshjet, ai ka qenë lider dhe gjithçka që ju dëshironi te një kapiten”, ka thënë Di Matteo.
Edhe pse disfata nga Redsat u dha fund shpresave të Chelsea për përfundim në top katërsh, ata ende kanë gjasa të luajnë në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm.
Nëse Blutë mposhtin Bayern Munichun në finale të Ligës së Kampionëve më 19 maj, ata do ta fitonin biletën për të luajtur në këtë garë edhe sezonin e ardhshëm, në dëm të skuadrës që do të rreshtohej e katërta në kampionatin anglez.

Krijesë e çuditshme nënujore? (Video)

Një xhirim ku shihet një krijesë të çuditshme, për të cilën nuk dihet nëse është gjallesë deti apo ndonjë objekt, është lansuar në internet dhe ka zgjuar mjaft kureshtje.
Kamerat e kompanisë për shpime nënujore, “Oceaneering”, në thellësitë detare kanë xhiruar një masë të pazakontë, e cila nuk u ngjan gjallesave të njohura deri më tani.
Disa nga komentuesit në YouTube thonë se bëhet fjalë për ndonjë lloj meduze, ndërsa ka të tillë që flasin për krijesë jashtëtokësore. Ndërkaq, të tretët pohojnë se është placentë balene.
Ka të tillë që kanë bërë edhe shaka, ndërsa njëra prej tyre është se çfarëdo të jetë “së shpejti Lady Gaga do ta bëjë një fustan nga ajo”. 

Paratë, i shpërlajnë me ndërtime

Kreu i Shoqatës së ndërtimeve në Kosovë, Nebih Zariqi alarmon se Kosova mund të goditet nga një krizë e patundshmërive. Sipas tij, shumë ndërtues po i shpërlajnë paratë që nuk u dihet prejardhja duke ndërtuar objekte banesore kolektive dhe po e shkatërrojnë tregun pa e llogaritur se a ka kush i blen ato. Ekonomistët thonë se standardi i ulët jetësor mund të pamundësojë kthimin e kredive nga qytetarët.
Kosova do t’ua shohë sherrin banesave të shumta që po ndërtohen. Madje për shkak të tyre, vendi mund të kaplohet nga një valë e krizës së patundshmërive si ajo e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ky është shqetësim i Shoqatës së ndërtimtarisë të Kosovës dhe njohësve të ekonomisë.
Kreu i Shoqatës, Nebih Zariqi thotë se shumica e ndërtimeve në vend po bëhen me para të pista që nuk u dihet origjina dhe pronarët nuk e kanë profesion ndërtimtarinë, por kanë për qëllim vetëm shpëlarjen e parave. “Shpëlarja e parave është duke u bërë në ndërtimtari. Shteti nuk ka kontroll mbi ndërtimin e objekteve kolektive dhe gjithkush investon pa e ditur se nga vijnë paratë”, thekson Zariqi, shkruan Express.
Shumë pronarë të kompanive që punojnë në këtë formë, ai thotë se nuk janë kujdesur shumë për cilësinë e ndërtimit, madje as për obligimet komunale. Kjo, sipas Zariqit, po bën që qytetarët të ngurrojnë të blejnë dhe çmimet e banesave kanë rënë shumë në disa vende.
“Kjo ka filluar të hetohet te disa ndërtues dhe njerëzit janë vetëdijesuar dhe nuk blejnë pa leje e pa kualitet të ndërtimeve. Tani për tani kemi raste në lagjen Arbëria në Prishtinë e në lagjen e Matit”, pohon Zariqi. 

Merkel: Greqia jashtë Eurozonës katastrofë

Kancelarja gjermane, Angela Merkel theksoi se do të ishte katastrofike nëse Greqia do të dilte nga eurozona, e cila nga ana e saj do të dobësohej jashtëzakonisht. ''Kemi marrë vendimin t’i përkasim një bashkimi monetar. Ky është një vendim jo vetëm monetar, por edhe politik'', deklaroi Merkel në një intervistë për rrjetin televiziv BBC.
''Do të ishte katastrofike nëse i thoshnim një vendi që ka vendosur të jetë bashkë me ne se nuk të duam më'', shtoi Merkel.
''Veç kësaj, konventat europiane nuk e lejojnë. Njerëzit në gjithë botën pyesin: kush do të jetë tjetri. Eurozona do të dobësohej jashtëzakonisht'', theksoi ajo.
''Greqia është në qendër të planeve evropiane të shpëtimit, ka përpara një rrugë të gjatë e të vështirë, por do të ishte një gabim kolosal politik të lejohej që Greqia të braktiste euron'', shtoi Merkel. 

Diskriminohet Evropa, favorizohet Serbia

Vetëm nga Serbia dhe Maqedonia, Kosova importon mallra pothuajse sa nga të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Evropian (BE).
Përfaqësuesit e biznesit thonë se me politikat e veta, Kosova po i favorizon vendet të cilat e dëmtojnë vazhdimisht ekonominë e vendit nëpërmjet kontrabandës, përderisa një favorizim i tillë nuk ndodh me vendet e BE-së.
Importi nga Serbia dhe Maqedonia, të cilat janë vende anëtare të CEFTA-s, mund të realizohet pa iu nënshtruar taksave doganore, ndërsa një gjë e tillë nuk është e mundur për vendet evropiane, shkruan Zëri.
Nga ana tjetër, eksporti i Kosovës në BE është i liruar nga dogana. 

BE 5.2 miliardë euro për Greqinë

Greqia do të marrë sot një pagesë prej 5.2 miliardë euro nga kreditorët e saj publikë, pavarësisht nga pasiguria politike, që peshon në vend, por pagesa e kësteve të ardhshme për ndihmë është në diskutim paralajmëroi sot një ministër evropian.
“Pagesa do të bëhet sepse është miratuar tashmë nga donatorët e fondit”, deklaroi një zëdhënës i Komisionit Evropian, Amadeu Altafaj, i pyetur në qoftë se Greqia do të marrë siç pritet 5.2 miliardë euro, që pritet t’i jepen më 10 maj. 

NBA: Heat eliminojnë Knicksat

Miami Heat ka arritur të mposhtë New York Knicks me rezultat 106-94 në ndeshjen e pestë mes tyre, për të siguruar biletën për në rundin e dytë të playoffit të NBA-së.
LeBron James shënoi 29 pikë dhe Dwayne Wade 19 të tjera, derisa Heat kualifikohen më tej duke fituar 4-1 në rundin e parë. Heat në sfidën e radhës do të takohen me Indiana Pacers.
Nga ndeshjet tjera të mbrëmshme, Memphis Grizzlies ka shmangur eliminimin duke mposhtur Los Angeles Clippers me rezultat 92-80 dhe për të ngushtuan në 3-2 disavantazhin.
Marc Gasol shënoi 23 derisa Zach Randolph 19 pikë për Grizzlies. Ndeshja e gjashtë zhvillohet të premten në Los Angeles.

Marchisio i befasuar me suksesin e Juves

Shpallja e Juventusit kampion i Italisë këtë sezon e ka befasuar mesfushorin Claudio Marchisio.
“Jam i lumtur që ne kemi qenë në gjendje të kompletojnë ëndrrën tonë për të fituar Scudetton. Ne e fituam Ligën falë punës së fuqishme dhe sakrificave”.
“Dy sezonet e fundit nuk shkuan mirë për ne, por ne kemi arritur diçka vërtet të papritur këtë vit”, ka thënë Maschisio.

Bielsa: Humbëm për fajin tim

Menaxheri i Athletic Bilbao, Marcelo Bielsa, ka marrë përgjegjësinë e plotë për paraqitjen e dobët të skuadrës së tij në disfatën e mbrëmshme 3-0 nga Altetico Madrid në finalen e Europa League.
Baskët arritën në finale duke bërë paraqitje të shkëlqyeshme dhe duke mposhtur favoritë si Manchester United dhe Schalke, por ishin të paaftë ta shfaqin lojën e tyre të zakonshme edhe në finale.
“Ndjehem tmerrësisht i zhgënjyer. Ne nuk luajtëm mirë. Ne luajtëm si dëshironte Atletico ne të luajmë, duke u lejuar atyre të luajnë në mënyrën e tyre. Është e qartë se unë jam përgjegjës se si luajti skuadra ime dhe ne nuk e arritëm qëllimin tonë”.
“Kundërshtarët merituan të jenë fitues. Kishte një dallim të madh në mes të dy skuadrave”, ka deklaruar argjentinasi për faqen zyrtare të UEFA-së.

Simeone krenar me skuadrën e tij

Trajneri i Atletico Madridit, Diego Simeone, ka lavdëruar lojtarët e tij pas fitores 3-0 ndaj Athletic Bilbao në finalen e Europa League.
Argjentinasi po ashtu ka përmendur në veçanti paraqitjen e sulmuesit Radamel Falcao, i cili shënoi dy gola të shkëlqyeshëm në pjesën e parë.
“Skuadra luajti shumë mirë dhe Radamel kishte një ndeshje të jashtëzakonshme. Por meritat u shkojnë të gjithë lojtarëve. Ne e nxjerrim në hartë rrugën e tyre, por janë ata që i realizojnë gjërat”.
“Kjo është një kohë e shkëlqyeshme për të kujtuar të gjithë të cilët kanë besuar në ne”, ka thënë Simeone.
Madrilenët tash kanë një tjetër ndeshje të rëndësishme, atë të së dielës ndaj Villarrealit, dhe kanë nevojë për fitore në El Madrigual për të pasur gjasa për vendin e katërt që dërgon në Ligën e Kampionëve, e ku aktualisht ndodhet Malaga.

Bolt ende shpreson t’i bashkohet United

Sprinteri nga Xhamajka, Usain Bolt, edhe një herë ka deklaruar se dëshiron ta provojë veten në futboll te Manchester United.
Në një intervistë me Diario, ai ka zbuluar se ëndrra e tij është të veshë fanellën e futbollistit profesionist pas disa vitesh.
“Vërtet dua ta provoj futbollin pasi mendoj se mund të jem një lojtar i mirë. Mendoj se jam mjaft i mirë për të luajtur te Manchester United. Zakonisht luaj në mesfushë. Luaj me këmbën e majtë dhe jam i shpejtë. Nuk e di se kush mund të krahasohej me mua”, ka thënë atleti. 

Mertesacker: Unë e solla Podolskin te Arsenali

Per Mertesacker thotë se ai kishte qenë faktor i rëndësishëm që Lukas Podolski t’i bashkohet Arsenalit.
“Unë kam folur me të disa herë dhe i kam dhënë një referencë të mirë këtij klubi. Ai do të kënaqet gjatë kohës së tij këtu. Disa gjëra janë ndryshe në Gjermani krahasuar me këtë klub, veçanërisht fusha këtu. Ju nuk keni shtypin, as tifozë këtu rrotull dhe mund të përqendroheni në stërvitje”.
“Këtu është shumë qetë dhe kjo është gjë e mirë, veçanërisht për të, pasi ai është shumë i famshëm në Gjermani dhe ka luajtur shumë mirë në disa turnetë e mëdha të fundit për ta”.
“Ai është shumë i popullarizuar dhe kjo ndonjëherë mund të jetë e rrezikshme pasi çdokush bën presion në të, por këtu ai mund të përqendrohet në veten dhe në skuadrën. Ky është një vend i mrekullueshëm për të për të zhvilluar paraqitjet e tij si futbollist dhe si person, siç kam bërë unë vitin e kaluar”, ka thënë Mertesacker. 

Milito lavdëron Stramaccionin

Diego Milito ka lavdëruar ndikimin që ka pasur te Interi trajneri i përkohshëm Andrea Stramaccioni.
Interi ka humbur vetëm një herë që nga caktimi i Stramaccionit si pasues i Claudio Ranierit, pavarësisht faktit se ai është më i ri se kapiteni Javier Zanetti.
“Është e qartë se unë nuk e kam njohur atë, siç nuk e ka njohur asnjëri prej neve. Për dikë i cili është vetëm 36-vjeçar, ai vërtet më ka befasuar. Trajneri është mirë i përgatitur, di si të imponojë personalitetin e tij në skuadër, ka treguar vetëbesim dhe na ka dhënë edhe neve vetëbesim”.
“Sigurisht gjërat kanë ndryshuar në fushë, pasi ai dëshiron një skuadër e cila gjithmonë është protagoniste dhe sulmon e para. Vetëm fakti se ai nxjerr tre sulmues është i rëndësishëm, edhe për kundërshtarët të cilët kanë nevojë të jenë më të kujdesshëm dhe për ne që kemi më shumë opsione”, ka thënë Milito. 

Moggi: Yllin e tretë do t’ia ngulja Morattit në ballë

Ish-drejtori i Juventusit, Luciano Moggi, është përfshirë në debatin rreth “titullit të 30-të” të Zonjës së Vjetër në Serie A, duke thënë se yllin e tretë të Juves do t’ia ngulte në kokë presidentit të Interit, Massimo Moratti.
Pas skandalit të shumëpërfolur Calciopoli në vitin 2006, Juventusit iu morën dy Scudetto, një nga të cilat iu dha Interit.
Mirëpo, dëshmitë e fundit rreth kësaj çështjeje nxorën edhe klubet tjera të përfshira në skandal, madje edhe më shumë sesa Juventusi. Por, për shkak të pamundësisë së vënies së ligjit nëse një çështje kalon pesë vjet, gjërat kanë mbetur ashtu si janë – Juventusi ka zyrtarisht 28 tituj, ndërkohë që klubi thotë se ka fituar 30-të të tillë.
Sidoqoftë, njeriu në qendër të skandalit, Luciano Moggi, mendon se Juventusi e meriton yllin e tretë në fanellë.
“Sigurisht që Juventusi duhet ta vë yllin e tretë në fanellë. Nëse do të varej nga unë, do t’i ngulja Morattit në ballë”, ka thënë Moggi përRadio 24.

DJDalool në bashkëpunim me Andos

DJ i njohur kosovar DJ Dalool këto ditë ka realizuar edhe një bashkëpunim të ri.
Ai kësaj radhe vjen në bashkëpunim me këngëtarin Andos, me këngën ‘Ti je ajo’. Kënga i takon zhanrit progresive-house dhe pritet t’i pushton klubet e natës.
Dj Dalool së fundmi realizoi këngën ‘Ta Buena La Cosa’ në bashkëpunim me Dia dhe Mark Hardy.

Cilat janë fantazitë më të shpeshta erotike te femrat?

Në seksualitetin femëror mbizotërojnë fantazitë ekzibicionale (p.sh. shikimi i mashkullit në drejtim të femrës mund të veprojë si ndonjë afrodiziak i fuqishëm, edhe në fantazi edhe në realitet).
Pothuajse në tërësi mungojnë fantazitë voajere, derisa tipi i sadomazohizmit është shumë i përhapur: shumë femra ëndërrojnë sikur mashkulli i merr në përqafim fuqishëm. Atë fantazi mund ta lexojmë si porosi të pavetëdijshme apo si synim që femra nuk dëshiron të marrë mbi vete përgjegjësinë për seks.
A mund të ndahen fantazitë me partnerin? Po, por jo përherë. Kjo mund të ndodhë kur ndër partnerët ekziston mirëkuptimi dhe bashkëpjesëmarrja.
humica e meshkujve vërtet mund të bien në krizë kur dëgjojnë se partnerja e tij fantazon për seks me meshkuj të tjerë. Andaj, është mirë që të mos teprohet: pak fshehtësi dhe fshehje të fantazive vetjake do të jenë një afrodiziak magjik. 

Orangutangët komunikojnë me iPad

Në një kopsht zoologjik në Miami, kanë filluar të bëhen disa eksperimente të veçanta te orangutangët, të cilëve u mundësohet shfrytëzimi i ‘kompjuterëve tableta’ të Apple, si mjete komunikimi.
Sipas ekspertëve, qëllimi i eksperimentit është që të ndihmojnë në tejkalimin e dallimeve mes njerëzve dhe majmunëve.
Programi që e përdorin orangutangët është i dedikuar për personat autistë, ndërsa në ekran shfaqen fotografi dhe objekte të ndryshme. Arsimtari thotë emrat e objekteve, ndërsa majmuni duhet ta shtypë butonin se për kë është fjala.
Punonjësit në këtë eksperiment thonë se orangutangët janë shumë të mençur, mirëpo paaftësua e tyre për të folur, i kufizon në shfaqjen e inteligjencës së tyre.
Prandaj, thonë ata, përdorimi i iPad-ëve ua jep mundësinë që të tregojnë se çfarë dinë, çfarë janë në gjendje të bëjnë dhe çfarë duan.

Keni apo nuk keni menstruacione në menopauzë?

Ndikimi më i dukshëm i hormoneve në menopauzë është nxitja e menstruacioneve të rregullta.
Cikli menstrual me ndihmën e hormoneve mund të nxitet edhe në moshën 70-vjeçare, mirëpo cikli atëherë është vetëm pasojë e rrudhave e mureve të brendshme të mitrës (për shkak të pranisë së hormoneve), e cila është përgatitur që të pranojë shtatzënësinë eventuale (disa lloje të mjekimeve plotësuese hormonale nuk shkaktojnë menstruacione).
Mirëpo, riprodhimi është tjetër gjë: është i pamundshëm nga momenti kur vezoret kanë pushuar së punuari, si edhe te femrat të cilat marrin pilula kontraceptive, sepse edhe atëherë cikli menstrual shkaktohet nga terapia plotësuese, pra krejtësisht në mënyrë artificiale.
Dobia nga terapia assesi nuk është zgjatja e ciklit të menstruacioneve, por pengimi i vështirësive dhe i sëmundjeve serioze.

USB monitori i Philipsit për afaristë

Philips paraqet USB monitorin 221S3UCB brenda familjes së vet të monitorëve S-Link që i dedikohet përdoruesve afarist. Monitori i dedikohet kryesisht shfrytëzuesve afarist me kërkesa më të vogla të cilët thjeshtë kanë nevojë për më shumë hapësirë ekrani pa ndonjë investim shtesë në nënsistemin grafik të kompjuterit.
Zgjidhja e Philips ka diagonalen e ekranit prej 21.5 inç, matricën TN të rezolucionit të plotë HD (1,920 x 1,080 pikë), LED ndriçimin e prapavijës dhe mundësinë e përkuljes dhe rotacionin e ekranit dhe rregullimin për lartësi. Monitori në kompjuter lidhet përmes USB ndërfaqes së përmendur, derisa specifikat tjera përfshijnë kohën e përgjigjes prej 5 milisekonda, ndriçimin prej 150 cd/m2 dhe marrëdhënien e kontrastit prej 1,000 : 1. Çmimi i propozuar për shitje pa tatim është rreth 145 euro.

Fotografitë artistike nxisin hetim ndërkombëtar për vrasje (Foto)

Disa fotografi artistike të një femre në Vjenë kanë nxitur një hetim policor të Interpolit me dyshimin për vrasje.
Sigrid Fleckseder dhe partneri i saj, Christian Thomas, në kuadër të projektit “Katër stinët e vdekjes” kishin bërë disa fotografi, ku Sigrid kishte pozuar si trup i vdekur.
Ata e kishin dërguar flesh memorien në një dyqan në kryeqytetin austriak për t’i nxjerrë fotografitë, mirëpo stafi është trishtuar aq shumë saqë i ka lajmëruar detektivët e Interpolit.
“Ato ishin aq bindëse. I mashtruan shumë forca policore”, kanë thënë burime të policisë.
Sigrid e kuptoi se ishte hapur një çështje ndërkombëtare rreth “vrasjes” së saj, atëherë kur policia ishte shfaqur në derën e shtëpisë, për të cilën ishte dhënë adresa e kthimit të fotografive.
“Nuk e di kush ishte më shumë i befasuar – unë që isha këtu, apo ata që më gjetën të gjallë”, ka deklaruar artistja.

Azem Syla nuk është më banor i Zvicrës

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Azem Syla dje është çregjistruar nga vendbanimi i tij zyrtar i deritashëm në komunën Biberist të Kantonit të Solothurnit, në Zvicër. Me këtë ai ka shpallur edhe kthimin përfundimtar në Kosovë, duke plotësuar detyrimin që ka marrë nga Gjykata Administrative e Soloturnit. Kjo e fundit i pati caktuar Sylës 15 majin 2012 si datë për lëshimin e Zvicrës.
“Azem Syla me bashkëshorten e tij Hysnije Sylën janë çregjistruar përfundimisht nga komuna e Biberistit”, ka thënë kryetari i komunës Martin Blaser për gazetën “Aargauer Zeitung”.
Blaser ka thënë se ka biseduar personalisht me Sylën dhe ia ka kumtuar se do të kthehet në Kosovë. Me këtë akt po përmbyllet kapitulli me lejen e qëndrimit në Zvicër të deputetit kosovar, transmeton albinfo.ch.
Siç është njoftuar tashmë, Azem Syla ka jetuar në Zvicër nga viti 1994 ndërsa në vitin 1999 është pajisur me lejen e përhershme të qëndrimit (C). Pasi që aktivitetet e tij politike të kryera në Kosovë u bënë të njohura për publikun, Zyra për Migracion e Solothurnit e kishte anuluar atij lejen e qëndrimit.
Shuma prej më shumë se 400 mijë frangash për të cilën ai ngarkohet se e ka marrë pa të drejtë nga ndihmat sociale është objekt i një hetimi penal që po e zhvillon Prokuroria publike e Solothurnit.

Riformulimi i neneve të Kodit në dorën e Kuvendit

Presidentja Atifete Jahjaga ia ka lënë Kuvendit të Kosovës që të dalë me propozime për formulimin e neneve të diskutueshme në Kodin Penal, të cilin një ditë më parë presidentja Atifete Jahjaga e ka kthyer mbrapsht, pa dhënë asnjë propozim se çfarë duhet të bëhet.
Zëdhënësi i Presidencës së Kosovës, Arbër Vllahiu, ka thënë se presidentja e Kosovës e ka kryer punën e saj dhe se tashmë i mbetet Kuvendit që të merret me Kodin, transmeton Koha.net.
Sipas tij, presidentja ka vepruar konform nenit 84 pika 6 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
“I mbetet Kuvendit tash të japë propozimin e vet për pjesën e cila është e debatueshme”, ka thënë ai.