Marty pritet të dëshmojë për “Medicus” më 18 qershor

Ish-senatori zviceran, Dick Marty, do të japë dëshminë e tij për rastin “Medicus” më 18 qershor në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë. Kryetari i trupit gjykues, Arkadiush Sadek, ka thënë se ende nuk e di nëse Dick Marty do të vijë personalisht në Kosovë për të dëshmuar apo këtë do ta bëjë nëpërmjet ndonjë video lidhjeje.

Mbrojtja është e bindur se Marty nuk do të vijë fare në Kosovë dhe as që do të dëshmojë në këtë rast. Prokurori Jonatan Ratel ka propozuar edhe dy dëshmitarë të tjerë në këtë proces. Ai ka thënë se në mungesë të doktor Stojevit, i cili kishte hartuar raportin e forenzikës për ato që ishin gjetur në Klinikën “Medicus”, do të dëshmojë shefi i Departamentit të Mjekësisë Ligjore në EULEX, Alan Robinson, raporton KTV.
Gjithashtu Rateli ka ftuar si dëshmitar edhe ekspertin e forenzikës, italianin Cristian Jugoveri, i cili do të flasë për ekspertizën e disa e-maileve.
Rateli ka bërë të ditur se SHBA-ja kanë ndihmuar për gjetjen e 500 e-maila-ve në adresat elektronike në rrjetet Hotmail dhe Yahoo të Lutfi Dervishit, 10-12 prej tyre, sipas prokurorit, do t’i hynë bukur shumë në punë gjykatës në formën e korrespodencave të Lutfi Dervishit me Jusuf Sonmezin dhe Manfred Phirin.
Megjithatë, mbrojtja ka kundërshtuar thirrjen e dëshmitarëve të rinj, sidomos të ekspertëve të EULEX-it, sepse, sipas tyre, janë të njëanshëm.