Ramush Haradinaj do të kthehet të enjten në mesditë në Prishtinë, pas gati dy vitesh që ndodhet në burgun e Hagës. Ish-komandantit të UÇK-së iu mundësua mbrojtja në liri, pak kohë përpara se Tribunali ta thotë fjalën përfundimtare në këtë proces gjyqësor.
Pas shumë kohe qëndrimi në paraburgim nga Tribunali i Hagës, ai do t’i bashkohet familjes së tij, njofton “Express”.
Ish-komandanti i UÇK-së nga Rrafshi i Dukagjinit dhe më vonë kryeministër i vendit vetëm për njëqind ditë, është liruar të martën nga paraburgimi.
Deri në marrjen e një vendimi përfundimtar ndaj tij, ai do të mbrohet në liri. Ky ishte vendimi i Tribunalit, të cilin as Prokuroria nuk e kundërshtoi.
Ndonëse gjatë ditës së mërkurë nga Tribunali i Hagës, nuk është konfirmuar lajmi në mënyrë zyrtare për lirimin e Haradinajt, në familjen e tij në Gllogjan të Deçanit, këtë e kanë kuptuar të martën.
Këtë e konfirmon për Express, Vetoni, njëri nga vëllezërit e Ramush Haradinajt.
Sipas tij, lajmi për lirimin e të vëllait nga Tribunali i Hagës u ka shkuar të martën, ndonëse detajet e tjera nuk i di.
Megjithëkëtë, edhe pse nuk di për shumë të tregojë se çfarë do të ndodhë në orët në vazhdim, Vetoni konfirmon se Ramush Haradinaj pritet të zbresë me aeroplan në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari” në Prishtinë.
Ardhja e tij pritet ndodhë të enjten, rreth orës 11. E, familja e tij në Gllogjan të Deçanit, lajmin për lirimin e djalit të tyre e kanë pritur me gëzim të madh.
Hilmi Haradinaj, babai i ish-kryeministrit, ka deklaruar se nuk është gëzuar vetëm ai, por e gjithë Kosova.
“Nuk jemi gëzuar vetëm ne, por edhe Deçani e krejt Kosova, sepse Ramushi nuk është veç i familjes Haradinaj, po është i krejt Kosovës. E, unë e shoh shumë ditë të madhe dhe shumë gëzim të madh këtë ditë”, është shprehur Hilmi Haradinaj.
Ai beson shumë në drejtësi dhe thotë se sikurse herën e parë, edhe kësaj radhe, djali i tij do të dalë i pafajshëm.
“Gjithnjë e kam ditë se Ramushi do të del i pafajshëm, sepse Ushtria Çlirimtare e Kosovës e ka bërë një luftë mbrojtëse, e lufta e drejtë dhe drejtësia gjithmonë triumfon”, ka thënë Hilmi Haradinaj.
Pas vendimit të Tribunalit për lirim me kusht të Haradinajt, Prokuroria ka pasur kohë deri të mërkurën në orën 12 të bëjë ankesë, por një veprim të tillë nuk e ka bërë.
Procesi i rigjykimit ndaj ish-eprorit të UÇK-së dhe dy bashkëluftëtarëve të tij, Idriz Balaj dhe Lahi Brahimaj, pritet të përfundojë diku nga mesi i këtij viti.
Gjykata Ndërkombëtare për Krime Lufte në ish-Jugosllavi, ka vendosur që më 25 dhe 26 qershor të këtij viti, të mbahen seancat përmbyllëse të procesit gjyqësor kundër ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj dhe dy ish-bashkëluftëtarëve të tij, Idriz Balaj dhe Lah Brahimaj.
Gjykata ka kërkuar që deklaratat përfundimtare të prokurorisë dhe të mbrojtjes të paraqiten me shkrim deri më 11 qershor.
Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj dhe dy të akuzuarit e tjerë, Idriz Balaj dhe Lah Brahimaj, ngarkohen me “krime të kryera gjatë luftës në Kosovë”.
Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj dhe dy të akuzuarit e tjerë, Idriz Balaj dhe Lah Brahimaj, ngarkohen me “krime të kryera gjatë luftës në Kosovë”.
Rigjykimi i pjesshëm i ish-komandantëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka nisur në muajin gusht të viti 2011.
Ramush Haradinaj ishte shpallur të pafajshëm më 3 prill të vitit 2008 nga akuzat për krime kundër njerëzimit, ndërsa një rigjykim i pjesshëm kishte filluar vitin që shkoi për shkak të paraqitjes së dëshmive shtesë në procesin kundër tyre.