Interpelanca e sotme e zëvendëskryeministres, Edita Tahiri lidhur me fatin e të zhdukurve në raport me bisedimet me Serbinë, ka kaluar me një debat të gjatë, ku është kritikuar qasja e Qeverisë së Kosovës, për të hyrë në bisedimet me Serbinë pa u kushtëzuar gjetja e këtyre personave. Gjithashtu është kritikuar edhe zëvendëskryeministrja, Edita Tahiri, që nuk ka bërë shumë lidhur me këtë çështje.
Deputetja e AAK-së, Kimete Bajraktari e cila është iniciuese edhe kësaj interpelance, ka thënë se ende nuk dihet fati i 1780 personave të zhdukur. Sipas saj, Serbia deri më tani nuk ka treguar vullnet për të zgjidhur këtë çështje.
“Serbia nuk ka treguar asnjëherë vullnet politik për të punuar në zbardhjen e fatit të tyre. Në mars të viti 2011, ka filluar procesi i bisedimeve dhe deri më tash nuk ka pasur asnjë informatë, apo informim në Kuvend për çështjen e bisedimeve dhe temën e personave të të zhdukurve”, ka thënë Bajraktari, transmeton Kosovapress.
Ndërkohë zëvendëskryeministrja, Edita Tahiri, ka thënë se bisedimet për këtë çështje kanë lënë të kuptohet se Serbia vazhdon me qasje politizuese, përkundër faktit se çështja e të pagjeturve është obligim ndërkombëtar.
“Ky qëndrim i Serbisë nuk është i panjohur, çështja e të pagjeturve po zvarritet kaq shumë vite. Si qeveri kemi kërkuar që BE të angazhohet direkt dhe të bëhet garantues i procesit dhe zgjidhjes finale. Mund të shtojë edhe diçka, se pala serbe nuk ka dalluar nga politikat e kohës së Miloseviqit. Për këtë arsye si qeveri kemi kërkuar që BE të angazhohet direkt dhe të bëhet garantues i këtij procesi dhe zgjidhjes finale”, ka thënë Tahiri.
Sipas saj, BE-ja është zotuar se do të angazhohet për këtë çështje dhe Raporti i Progresit do të trajtojë këtë problem ku do të dalin obligime për të dyja shtetet.
Ajo ka shtuar se është kërkuar për informata të sakta për vendndodhjen e personave të zhdukur dhe vendet me mbetjet mortore të të zhdukurve. Gjithashtu, sipas saj, është kërkuar përshpejtimi i rasteve të parashtruara, si rasti i Rashkës, Medvegjes, Perucacit, Koshares dhe rasteve të tjera.
Më pas debati ka vazhduar nga ana deputetëve, ku deputeti, Shaip Muja, nga radhët e PDK-së, ka thënë se përcaktimi i numrit të personave të zhdukur është i vështirë, kur aktorët e shumtë grumbullojnë informata të ndryshme.
Muja vlerëson se ka ardhur koha që të ndryshohet qasja e bisedimeve ndaj Serbisë, pasi që deri më tash nuk është arritur ndonjë rezultat.
Nga ana tjetër, deputetja e LDK-së, Rita Hajzeraj ka thënë se çështja e tyre është prej çështjeve më të dhimbshme. Ajo ka shtuar se Qeveria e Kosovës nuk ka treguar gatishmëri për trajtimin e kësaj çështje.
Grupi Parlamentar i LDK-së kërkon të trajtohet seriozisht kjo çështje që të respektohen rezolutat dhe vendimet e Kuvendit.
Ndërkaq deputeti i Lëvizjes Vetëvendosjes, Albin Kurti ka thënë se kjo qeveri, por edhe të tjerat nuk ka bërë gjë konkrete për të pagjeturit.
Ndërkaq deputeti i Lëvizjes Vetëvendosjes, Albin Kurti ka thënë se kjo qeveri, por edhe të tjerat nuk ka bërë gjë konkrete për të pagjeturit.
“Kjo është qeveri e papërgjegjshme, që nuk i kanë kërkuar kurrë. Të pagjeturit janë braktisur. Prej kur Qeveria Thaçi hyri në negociata, të pagjeturit kurrë nuk janë shtruar si çështje për të zgjidhur. Të pagjeturit kanë shërbyer si retorikë. Por krejt çka po shohim janë tetë marrëveshje me Serbinë, ku qeveria ka lëshuar pe për sovranitetin, kufijtë, regjistrat civilë e kadastralë, etj.”, ka thënë Kurti.
Sipas tij në vend se të pagjeturit të shërbejnë si çështje humanitare, Serbia i ka kthyer të pagjeturit në kushtëzim për favore në negociata.
Kurse shefja e Grupit Parlamentar të Koalicionit për Kosovë të Re, Myzejene Selmani ka thënë se ky grup kërkon të pamundurën që të zgjidhet kjo çështje njëherë e përgjithmonë.
Debati i deputetëve për këtë çështje është duke vazhduar, ndërsa pritet që në fund Kuvendi të nxjerrë disa rekomandime.