Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës është prezantuar formimi i Komisionit për hartimin, realizimin e projekteve për zhvillimin dhe avancimin e punës si dhe për hulumtimin e donacioneve të mundshme. Me këtë rast janë prezantuar edhe donacionet e para që kanë arritur pas formimit të komisionit, ndërsa është bërë apel tek donatorët të ndihmojnë QKUK-në.
Nijazi Gashi, drejtor ekzekutiv i QKUK-së, tha se deri tani donacionet janë realizuar në formë individuale pa adresë të caktuar, ndërkaq, tash e tutje ata që shprehin vullnet dhe dëshirë ta ndihmojnë QKUK-në, do ta kenë adresë të tyre Komisionin për donacione dhe zhvillim të projekteve, ku çdo gjë do të shkojë në formë të organizuar.
Ai shpjegoi se në takimin që kanë pasur në Ministri të Shëndetësisë me Bankën Islamike, është biseduar mundësia që ata të japin kredi për ndërtimin e objektit të ri të Qendrës Emergjente.
Drejtori i QKUK-së, apeloj të ndihmohet QKUK me çarçafë, mbulesa batanije peshqirë dhe me gjëra të tjera që janë të domosdoshme.
Bujar Gjikolli, kryesues i komisionit tha se fillimisht është përpiluar udhëzuesi i detajizuar për realizimin e donacioneve, pastaj do të përcaktojnë elementet e shkruara dhe principet ligjore që duhet përmbajtur një projekt për tu zbatuar në QKUK.
“Sipas vendimit që më është lëshuar, nën patronatin e drejtorit ekzekutiv, kërkohet të formoj komisionin e ekspertëve të gatshëm të kontribuojnë në zhvillimin e avancimin e punës në QKUK, për hulumtim të nevojave materiale, infrastrukturore dhe profesionale të QKUK, në bashkëpunim me menaxhmentin dhe drejtorët e klinikave e instituteve”, theksoi Gjikolli.
Në fund të konferencës u ndanë mirënjohje për kompanitë që dhanë donacione për QKUK, pas formimit të komisionit, si Smard – kompanisë së parë për shitjen online përmes internetit (www.smard.info), portalit Telegrafi.com, përfaqësisë së kompanisë Roche në Kosovë si dhe kompanisë Meditech në Prishtinë.