Serbët e Kosovës i frikësohen ngritjes së Dacicit

Qeveria e re e Serbisë duhet urgjentisht ta ndryshojë politikën ndaj Kosovës dhe të hartojë një strategji të re për zgjidhjen e problemeve të komunitetit serb në Kosovë, thonë përfaqësues të serbëve në Graçanicë. Sipas tyre, nga kjo varet edhe ekzistenca e serbëve në Kosovë.

"Prioritet i Qeverisë re të Serbisë duhet të jenë bisedimet më efikase të Beogradit dhe Prishtinës të cilat të sillnin rezultate të vërteta, që kanë të bëjnë me jetën më të mirë të të gjithë qytetarëve të Kosovës", citohet të ketë thënë për "Zërin e Amerikës" (në serbisht) Rada Trajkovic, deputete e Kuvendit të Kosovës, transmeton QIK-u.
Sipas fjalëve të saj, bisedimet e gjertanishme vetëm sa e kanë larguar komunitetin serb dhe shqiptar, kanë ngritur tensionet dhe kanë vështirësuar jetën e qytetarëve.
Ajo konsideron se serbët në Kosovë duhet të shqetësohen për shkak të suksesit të madh të Partisë Socialiste të Serbisë në zgjedhjet parlamentare, sepse, siç thotë, “politika e liderit të kësaj partie Ivica Dacic, e cila ka të bëjë me ndarjen e serbëve dhe shqiptarëve si dhe arrestimi i shqiptarëve, serbëve të Kosovës nuk u sjell asgjë të mirë”.
Trajkovic thotë se sipas saj një qeveri më stabile do të ishte ajo mes Partisë Demokratike dhe asaj Përparimtare, por gjithsesi me koalicionin e Cedomir Jovanovicit.