"Messi më i miri në histori"

Mesfushori i Barcelonës, Xavi, ka deklaruar se ai beson që bashkëlojtari i tij, Lionel Messi është në rrugë të mirë për t’u shndërruar në futbollistin më të mirë të të gjitha kohërave.
Argjentinasi e ka fituar Topin e Artë tri vitet e kaluara dhe së fundmi është shndërruar në golashënuesin më të mirë të klubit dhe atë vetëm në moshën 24 vjeçare. Këto dhe të arriturat tjera e bëjnë Xavin të besojë se Messi është në rrugë të drejtë për t’u shpallur më i miri.
“Nëse ai vazhdon kështu atëherë mendoj se Messi do të jetë lojtari më i mirë në histori të futbollit”, ka theksuar Xavi për FIFA.com. 

Mourinho: Jam trajner i madh

Bosi i Real Madridit, Jose Mourinho, ka thumbuar edhe njëherë të gjithë ata që e urrejnë, pasi ka deklaruar në mënyrë tendencioze se ai mendon për vete se është trajner i madh, pas të arriturave që ka në karrierën e tij.
“Të flasësh për veten nuk është e lehtë, sepse gjithmonë është rreziku që njerëzit të mendojnë se jeni egoist”.
“Por, duke marrë parasysh se çfarë kam arritur, unë e konsideroj veten, në një mënyrë shumë pragmatike, të jem trajner i madh”.
“Unë e shoh veten në fazat finale të karrierës pas 20 vitesh. Unë do të përfundoj në maje në moshën 65 apo 70 vjeçare dhe të vazhdoj të jem krenar me karrierën time. Futbolli do të jetë pjesë e rëndësishme e jetës time deri në ditën që do të pensionohem, sepse më pas do të mbarojë gjithçka për mua. Unë nuk do të jem ai njeri që do të ndalojë tërësisht pjesëmarrjen në futboll, që ndalet përgjithmonë së luajturi futboll apo së drejtuari një skuadër, por do të jem ai që do të dështojë të jetojë në paqe edhe pas pensionimit”, ka deklaruar Mourinho. 

Rexhepi: KFOR-i kishte informata të gabuara

Fillimisht u tha se një njësi i KFOR-it kishte kontrolluar bazën e forcave speciale të policisë së Kosovës - ROSU në Mitrovicë. Por, më vonë u tha se ishte keqkuptim.
“E kanë pasur një patrullë edhe janë tërhequr, kanë pasur informata të gabuara, dhe janë tërheq sot”, ka thënë për “Tribuna Shqiptare”, ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi. “Nuk ka pasur asnjë incident”, ka thënë Rexhepi.
Edhe Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, ka hedhur poshtë raportimet e disa mediave në Prishtinë, ku thuhet se KFOR-i gjatë gjithë natës së kaluar, ka ruajtur dhe vëzhguar bazën e forcave speciale të policisë së Kosovës në Mitrovicë, pasi ka pasuar një informacion se ROSU do të intervenoj në veriun e Mitrovicës natën ndërmjet të enjtes dhe të premtes.

Allegri: Do ta fitojmë titulin

Bosi i Milanit, Massimiliano Allegri, nuk ka dyshime se ekipi i tij do ta mbrojë titullin e kampionit të Italisë këtë sezon.
“Unë ende besoj se do ta fitojmë titullin. Ne do të luftojmë për titull, por e dimë se do të jetë e vështirë”.
“Të dielën mbrëma ne do të shohim se ku jemi, por kanë mbetur edhe shumë ndeshje. Ne duhet të rikthehemi në maje të tabelës”, ka deklaruar Allegri para ndeshjes ndaj Genoas.
Juventusi ka një pikë më shumë se Milani në renditjen tabelare në Serie A pas disfatës që Milani pësoi javën e kaluar nga Fiorentina në San Siro.

Mancini: Do ta mbaj punën

Bosi i Manchester Cityt, Roberto Mancini, është i bindur se pronarët e klubit janë në krah të tij dhe se do të vazhdojnë ta përkrahin.
“Kur erdha këtu pronarët më thanë që të shkojmë në Ligën e Kampionëve dhe të luftojmë për titullin brenda dy-tri vitesh. Pas një viti ne zëmë vendin e tretë dhe fituam FA Cup. Në vitin e dytë, ne kemi luftuar për titull deri tani. Gjatë gjithë kohës, njerëzit thonë se kemi shpenzuar. Por, nuk është sikurse ekipet tjera. Në gjashtë-shtatë vitet e fundit edhe ne sikur ata kemi shpenzuar vetëm 400-500 milionë funte”.
“Ne nuk kemi blerë Ronaldon, Messin ose Iniestën. Nëse do të kishim blerë Messin, atëherë do të duhej të fitonim. Ne do të kishim një lojtar që shënon nga dy gola çdo ndeshje. Por, ne kemi blerë lojtarë të rinj që mund të përmirësohen së bashku”, ka deklaruar Mancini. 

Maradona: Pele është budalla

Legjenda argjentinase, Diego Maradona, ka akuzuar rëndë Pelen, duke e quajtur atë budalla për pohimet se Neymar është më i mirë se sa Lionel Messi.
Pele ka deklaruar të enjtën se Lionel Messi është shumë larg Neymarit, të cilit sipas tij i mungon vetëm përvoja në futbolin evropian.
“Zoti im, ky është budalla. Ndoshta Neymar është lojtari më i mirë në botë, por vetëm nëse thuani që Lionel Messi është nga planeti tjetër”, ka theksuar Maradona.

Jones: Qesharak progresi i Scholes

Mbrojtësi i Manchester United, Phil Jones, thotë se Paul Scholes është aq i mirë, sa që e bën atë të qesh.
Scholes ka luajtur rol të madh në tejkalimin e Manchester Cityt dhe rikthimin e United në majen e tabelës së Ligës Premier dhe gjithë kjo i duket sikur një shaka e madhe mbrojtësit të ri anglez.
“Ai është lojtar fantastik. Kur e shihni atë në stërvitje, gjërat që ai bën, është vërtet shaka. Ai është sikurse magnet për topin. Pozicionimi i tij e bën atë mjeshtër dhe aftësia për të pranuar dhe pasuar topin është madhështore”, ka potencuar Jones.

Ronaldo ka gola sa krejt Liverpooli

Statistikat impresionuese të Cristiano Ronaldos, mund të maten me një klub të tërë. Portugezi deri më tani shënoi 40 gola, një më shumë se Leo Messi, pas (hat-trick-ut) që e shënoi në derbin lokal kundër Atl. Madridit.
Sipas analizave të bëra i bie se Ronaldo ka shënuar më shumë se 52 skuadra nga 98 në total sa janë pjesëmarrës në top 5’ ligat evropiane.
Më i suksesshëm është se 12 skuadra spanjolle, 9 skuadra italiane ku poashtu janë zhvilluar 32 xhiro. Ka statistika më të mira se 9 skuadra angleze por atje janë zhvilluar 33 xhiro kurse sipas kësaj Ronaldo ka shënuar gola i vetmuar sa krejt skuadra e Liverpoolit.
Ka shënuar më shumë se 8 skuadra gjermane e Bundesliga ka zhvilluar 30 xhiro dhe më i mirë se plot 14 skuadra franceze ku është zhvilluar java e 31.
Ronaldo gjatë këtij edicioni shënoi 20 gola në udhëtim ndërsa vetëm Barcelona (30) dhe Rayo Vallecano (20) kanë shënuar më shumë gola se Ronaldo.

Kryeministri uron besimtarët ortodoksë për Pashkët

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka uruar qytetarët e besimit ortodoksë, të cilët në Kosovë shumicën e përbëjnë serbët, për Festën e Pashkëve.
 “Festa e Pashkëve simbolizon idenë e Ringjalljes së vlerave shpirtërore dhe filozofike, besimin në të mirën e jetës, kulturës dhe idealeve të përbashkëta të njerëzimit” thuhet në urimin e kryeministrit.
“Të gjithë jemi përgjegjës për ndërtimin e vendit tonë dhe po punojmë bashkërisht për ta bërë Kosovën shtet me të cilin të gjithë do të krenohemi, vend të sigurt dhe me perspektivë për fëmijët tanë”.
"Qytetarët e Kosovës do të vazhdojnë të kremtojnë festat e tyre në paqe e tolerancë, në solidaritet dhe mirëkuptim. Duke besuar se në familjet tuaja do të mbretërojë lumturia, mirëqenia dhe paqja, në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emrin tim, ju shpreh urimet më të sinqerta për Festën e Ditëve të Pashkëve”, thuhet në telegram.

KFOR-i lëshon demant, ROSU është partner i yni!

E plotësuar: Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka hedhur poshtë raportimet e disa mediave në Prishtinë se gjoja pjesëtarët e tij kanë bastisur Njësinë Speciale të Policisë së Kosovës – ROSU.
 “Këtë javë ka pasur dy incidente të raportimeve të rrejshme në media. Raportimi i tretë i pasaktë ka ndodhur sot në lidhje me raportet tona me Policinë e Kosovës”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë zëdhënësi i KFOR-it, Uve Nowicki. Ai ka thënë se misioni i NATO-s e konsideron Policinë e Kosovës si partnerin më të besueshëm dhe më të aftë kur është në pyetje sigurimi i ambientit të qetë dhe të sigurt.
“KFOR-i kurrë nuk e ka parë nevojën për të kontrolluar apo monitoruar ndonjë element të Policisë së Kosovës, andaj edhe hedh poshtë raportimet e sotme të rreme”, ka deklaruar Nowicki. Ai ka thënë se “thashethemet e tilla shërbejnë vetëm për të minuar bashkëpunimin tonë të ngushtë me partnerët”.
Reagimi ka ardhur pas një shkrimi të botuar në “Koha Ditore”, ku thuhet se KFOR-i gjatë gjithë natës, ka ruajtur dhe vëzhguar bazën e forcave speciale të policisë së Kosovës, ROSU në Mitrovicë. Burime ndërkombëtar i kanë thënë gazetës me kushte anonimiteti se KFOR-i ka pasuar një informacion se Njësia speciale e policisë së Kosovës e njohur si ROSU do të intervenoj në veriun e Mitrovicës natën ndërmjet të enjtes dhe të premtes. 
Ndërkohë, Shaban Shala, Kryesues i Departamentit të Njësive Speciale të policisë së Republikës së Kosovës, në një prononcim për TV ‘Dukagjini’, ka thënë se nuk ka pasur kurrfarë urdhri për nisjen e ROSU-së në veri.
Shala ka deklaruar se ka një zinxhir komandues që funksionon, ndërsa lëvizjet e Njësive ROSU nga Peja për në Mitrovicë, që janë raportuar nga mediat, i ka quajtur lëvizje në kuadër të detyrave që kanë pjesëtarët e këtyre njësive speciale. Shala po ashtu ka demantuar që KFOR-i të ketë bastisur bazën e Njësive Speciale Opertaive të njohura si ROSU.

Mourinho hesht deri në fund të sezonit

Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, ka marrë vendim që të vazhdojë heshtjen e tij mediatike deri në fund të sezonit, por do të paraqitet në konferenca për shtyp në ndeshjet për Ligën e Kampionëve, ashtu siç përcaktojnë rregullat e UEFA-s.
Ish-bosi i Interit, i cili njihet për deklaratat e tij kontraverse, ka vendosur të heshtë deri në fund të sezonit dhe kjo ka irrituar trajnerin e Sporting Gijon, i cili pos që ka izoluar veten, e ka izoluar gjithë ekipin e tij para ndeshjes ndaj Realit.
Los Blancos takohen me Sporting Gijonin të shtunën në ora 20:00 në Santiago Bernabeu.
Real Madridi është lider në La Liga me katër pikë më shumë se Barcelona para El Clasicos së 21 prillit. 

Pique rikthehet në stërvitje

Mbrojtësi i Barcelonës, Gerard Pique, është një hap larg që të bëjë rikthimin e tij në fushë, pasi 25 vjeçari vazhdoi të stërvitet për ndeshjen ndaj Levantes në transfertë.
Spanjolli pësoi një lëndim në gju në fitoren me rezultat 3-1 ndaj Milanit në Ligëne Kampionëve dhe janë 10 ditë që prej se ai mungon, ndërsa tani i është rikthyer ekipit.
Ndeshja tejet e rëndësishme për të dyja skuadrat do të zhvillohet në Estadio Ciudad de Valencia të shtunën në ora 22:00.
 

Shkencëtarët: në Mars ka jetë 99%

Në korrikun e vitit 1976 një sondë e lëshuar në Mars nuk pati arritur të sjell ekzemplarët të cilët do të konfirmonin ekzistencën e jetës, mirëpo, tri dekada më vonë, shkencëtarët mendojnë se ai eksperiment nuk pati dhënë rezultatet e vërteta.
Viking 1 nuk pati arritur të gjej dëshmi për ekzistencën e jetës, më saktë të mikrobeve të huaja në ekzemplarët e tokës së marrë.
Analiza matematikore e ekzemplarëve solli përfundimin se në ekzemplarë deri diku janë ndryshuar vlerësimet fillestare – dhe se ata në të vërtetë përmbajnë shenja të fuqishme të jetës.
Me analizën e re janë kërkuar shabllone më komplekse në tokë – diçka që do të mund të sugjeronte se kishte jetë. Në habinë e vet shkencëtarëve, ata ia arritën të gjejnë diçka interesante.
“Analizat e fundit sugjerojnë për ekzistencën e jetës në Mars dhe ato përkrahin faktin se Viking 1 në të vërtetë ka gjetur mikrobe në Mars”, tha një nga shkencëtarët nga instituti Kek.
Përsëritja e kontrollimit të ekzemplarëve është nisur pas zbulimit të “perklorhidratit” në ekzemplarët e marrë nga lokacioni tjetër në të cilin ka zbarkuar sonda Feniks në vitin 2008.
Shkencëtarët që kanë kryer eksperimentin janë të ndarë rreth përfundimeve të cilat mund të nxjerrin këto rezultate. “Zbulimi i materieve organike nuk është dëshmi e jetesës, ose se kishte jetesë, kjo është vetëm dëshmi e ekzistencës së materieve organike”, tha Christofer McKey nga qendra e hulumtimeve Ames e NASAs.
“Dëshmi ultimative do të ishte incizimi i baktereve të panjohura . Duhet dërguar një mikroskop me të cilin do të shikonim nëse këto baktere lëvizin. Në bazë atë asaj çfarë kemi zbuluar deri tani, 99 për qind jemi të sigurt se ka jetë në Mars”, mendon Josef Miller nga shkolla e medicinës Kek.
Mirëpo, përkundër mospajtimeve, shkencëtarët shpresojnë se misioni i radhës i dërguar në Mars do të arrij të marr 100 për qind përgjigje të saktë në përgjigjen nëse ka jetë në atë planet, e kjo mund të ndodhë me reverin Curiosity i cili është lansuar në nëntorin e vitit 2011. 

Komisioni për siguri rekomandon masa për veriun

Komisioni për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, rekomandon Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Policinë e Kosovës, për të ndërmarrë masa konkrete për vendosjen e rendit dhe sundimin e ligjit në pjesën veriore të Kosovës.
 Ahmet Isufi, kryetar i Komisionit parlamentar për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, në mbledhjen e mbajtur të premten, tha se Komisioni, pasi ka shqyrtuar situatën e sigurisë në Kosovë, me theks të veçantë në veri, ka marrë vendim që t’i drejtohet Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Policisë së Kosovës, me disa rekomandime për të ndërmarrë masa konkrete për vendosjen e rendit dhe sundimin e ligjit në këto komuna.
Komisioni rekomandon MPB-në dhe Policinë e Kosovës të dëshmojnë përmbushjen e misionit për vendosjen e rendit dhe kushtetutshmërisë pasi pavarësisht situatës së ndjeshme dhe specifikave që ka shteti i Kosovës, institucionet e saj duhet të marrin vendime dhe të çojnë përpara gjërat me interes për qytetarët e vendit.
Po ashtu rekomandohet të ndërmerren të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur qytetarët të cilët mund t’iu nënshtrohen kërcënimeve ose veprimeve diskriminuese, armiqësisë apo dhunës, si rrjedhojë e identitetit të tyre kombëtar, etnik, kulturor, gjuhësor ose fetar.
Komisioni vlerëson se Policia e Kosovës në bashkëpunim me Qeverinë dhe organizmat tjerë përgjegjës, duhet të ndërmarrin hapa konkret që të sigurohet jeta, prona dhe lëvizja e lire në komunat Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe pjesa veriore e qytetit të Mitrovicës në mënyrë që të parandalohet vendosja e ligjit në duar të individëve.
Ndërkaq, 15 ditë pas pranimit të këtyre rekomandimeve, ministri i Punëve të Brendshme dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, obligohen të raportojnë në Komision, për situatën në tri komunat veriore të Kosovës. Andaj, sipas komisionit, ata urgjentisht duhet të planifikojnë dhe të ndërmarrin masa që të sigurojnë zbatimin e Kushtetutës në tërë territorin e Republikës së Kosovës. 

Thaçi kërkon koordinim për të vendosur rend në veri

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka thirrur të premten në një takim komandantin e KFOR-it, gjeneralin Erhard Drews, zëvendës shefin e EULEX-it, Andy Sparks, përfaqësuesin special të BE-së, njëkohësisht shef i Zyrës së BE-së në Kosovë, Samuel Zbogar, si dhe zëvendës ambasadorin e SHBA-së në Kosovë, Michael Marfy, me të cilët ka diskutuar për zhvillimet e fundit në veri të Kosovës.
 Kryeministri Thaçi ka theksuar vendosmërinë e Qeverisë së Republikës së Kosovës për forcimin e sundimit të rendit dhe ligjit si dhe shmangien e incidenteve ndëretnike në veri të Kosovës. Ai ka theksuar se për të arritur këto objektiva nevojitet rritje e koordinimit dhe e vendosmërisë së mekanizmave ndërkombëtare dhe vendore të sigurisë.
Të gjithë të pranishmit në takim dënuan ashpër aktin terrorist të ndodhur javën e kaluar në Mitrovicë, në të cilin humbi jetën qytetari i Kosovës, Selver Haradinaj.
Lidhur me incidentin e arrestimit të dy policëve kosovarë nga Serbia, kryeministri Thaçi tha se Policia e Kosovës ka autoritetin e vet kushtetues dhe ligjor për të vepruar. “Kushdo që pretendon qoftë edhe një centimetër të cenojë integritetin territorial të Kosovës, apo dinjitetin e uniformës së policisë së Kosovës, policia e ka mandatin të përdorë gjithë autoritetin kushtetues dhe ligjor, qoftë edhe përballë xhandarmërisë serbe”, theksoi kryeministri.
Sipas një komunikate të Zyrës së Kryeministrit, ata u dakorduan për angazhimin e koordinuar që në veri të Kosovës të vendoset rendi dhe ligji, dhe në këtë mënyrë të hapet perspektiva e zhvillimit ekonomik dhe e funksionimit demokratik të institucioneve legjitime edhe në atë pjesë të territorit të Kosovës.

Republika Serbe “s’lejon njohjen e Kosovës”

Bosnjë e Hercegovina nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës, pasi këtë nuk do të lejojë Republika Serbe, e cila është një faktor i domosdoshëm për stabilitetin e Bosnjës, ka thënë presidenti i Republikës Serbe, Milorad Dodik.
Ai ka thënë se Kosovën e kanë njohur artificialisht fuqitë e mëdha për të ndëshkuar Serbinë.
“Kosovën e kanë njohur artificialisht fuqitë e mëdha për të ndëshkuar Serbinë dhe popullin serb, për ta poshtëruar atë edhe një herë. Andaj, Kosova nuk mund të marrë legjitimitetin e Republikës Serbe”, transmetojnë mediat në Beograd deklaratën e Dodikut.
Ai ka thënë se Republika Serbe, pavarësisht presioneve të palës boshnjake, nuk do të lejojë që kjo çështje të shqyrtohet.
“Në Bosnjë nuk mund të kryeni asnjë punë pa pajtimin e Republikës Serbe, e cila mbron interesat dhe synimet e saj”, ka thënë Dodik, për të shtuar se “Kosova është burim i jostabilitetit afatgjatë në rajon”.
Një ditë më parë, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka deklaruar për mediat boshnjake se është koha që Sarajeva të pranojë pavarësinë e shtetit kosovar, të shpallur më 17 shkurt të 2008-së.

Australia do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, ka pritur në takim lamtumirës ambasadorin e Australisë në Vjenë, jorezident për Kosovën, Michael Potts. Ky i fundit theksoi se shteti i Australisë do të vazhdojë të mbështesë përpjekjet e Kosovës për njohjen dhe konsolidimin e mëtejshëm ndërkombëtar të shtetit të saj
Presidentja Jahjaga tha se Australia i ka dhënë dhe vazhdon t’i japë ndihmë Kosovës në procesin e shtetndërtimit dhe i cilësoi si shumë të mira marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve.
Ajo tha se përkrahja dhe ndihma e vazhdueshme e Australisë për Kosovën është e nevojshme në veçanti në fushën e ekonomisë, përmes investimeve.
Jahjaga tha se Kosova, shtet i pavarur dhe sovran, synon anëtarësimin në strukturat euroatlantike dhe është e përkushtuar për të ndërtuar marrëdhënie të mira fqinjësore më të gjitha vendet e rajonit. Ajo tha se Kosova po luan një rol të rëndësishëm si faktor paqeje dhe stabiliteti në Ballkan.
Ndërkaq, ambasadori Michael Potts tha se Kosova ka arritur një progres të rëndësishëm gjatë viteve të fundit dhe vlerësoi se ajo është në rrugë të mirë drejt integrimit në Bashkimin Evropian.
Potts theksoi se shteti i Australisë do të vazhdojë të mbështesë përpjekjet e Kosovës për njohjen dhe konsolidimin e mëtejshëm ndërkombëtar të shtetit të saj. 

ROSU nën vëzhgim! (Video)

Një njësit i KFOR-it gjatë natës së mbrëmshme ka vëzhguar bazën e forcave speciale të Policisë së Kosovës, ROSU, në Mitrovicë. Ekipi i KTV-së i cili ka kujdestaruar mbrëmë në këtë qytet ka vërejtur një veturë të KFOR-it duke patrulluar përreth bazës së njësisë speciale.
Burimet ndërkombëtare i kanë thënë gazetës “Koha Ditore” se KFOR-i ka pasur një informacion se njësia speciale e Policisë së Kosovës, e njohur si ROSU, do të intervenojë në veriun e Mitrovicës natën ndërmjet të enjtes dhe të premtes.
Burimet më tej kanë shtuar se KFOR-i ka paralajmëruar edhe zyrtarët e lartë të Policisë dhe Qeverisë së Kosovës se nuk do të lejojë që forcat speciale të kalojnë matanë lumit “Ibër”.
KFOR-i ka ndërmarrë këtë hap pasi nga NATO-ja është marrë informacioni se një njësi e forcave speciale të ROSU-s nga rajoni i Pejës është vendosur në Mitrovicë. Por, zëdhënësi i policisë për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti, ka theksuar se nuk ka pasuar ndonjë plan për lëvizjen e policisë.
Që pas vrasjes së fundit në veri, njësia speciale e Pejës po udhëton çdo ditë në këtë bazë, e cila, sipas burimeve të KTV-së, ka shtuar frikën te KFOR-i për ndonjë ndërhyrje të mundshme në veri, siç ishte ajo e 25 korrikut.
Ndërkaq, para pak çastesh ka përfunduar një protestë, raporton koha.net, e cila është mbajtur para selisë së EULEX-it në Mitrovicë. 

Kurti iu shkruan ministrave të jashtëm të vendeve të BE-së

Kryetar i Komisionit parlamentar për Punë të Jashtme, Albin Kurti, njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, iu ka shkruar një letër 27 ministrave të Punëve të Jashtme të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, në lidhje me arrestimet e shqiptarëve nga Serbia dhe aktin terrorist në lagjen "Tre rrokaqiejt" në Mitrovicë, ku mbeti i vrarë Selver Haradinaj dhe u plagosën fëmijët tij.
Kurti në letër i shkruan ministrave të jashtëm të shteteve anëtare të BE-së se ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Dacic ka pranuar se arrestimet janë bërë në shenjë hakmarrjeje për arrestimin e katër serbëve në Kosovë.
“Është e qartë se motivet janë thjesht politike dhe se arrestimet janë shkelje të rënda të të drejtave të njeriut”, shprehet Kurti, duke iu bërë thirrje ministrave për të ushtruar ndikimin e tyre në lirimin e menjëhershëm dhe të pakushtëzuar të të gjithë shqiptarëve të arrestuar nga Serbia me motive politike gjatë muajit të kaluar.
Kurti me këtë rast iu shkruan edhe për situatën e sigurisë në veri të Kosovës, që sipas tij është përkeqësuar seriozisht.
“Të shtunën pasmesnatës, në zonën e Tre Rrokaqiejve, Selver Haradinaj (38 vjeç), u vra në një sulm terrorist me bombë në shtëpinë e tij, e cila gjithashtu plagosi gruan dhe katër fëmijët e tij. Të hënën më 9 prill, një pikë statike e policisë, u shkatërrua nga pjesëtarët e strukturave ilegale të Serbisë. Pavarësisht nga situata shumë e rëndë, ka pak dëshmi të presionit ndërkombëtar mbi Beogradin për lirimin e të arrestuarve në mënyrë arbitrare. Nuk ka asnjë veprim në Kosovë nga institucionet ndërkombëtare të sigurisë si KFOR-it për të mbrojtur shqiptarët e pambrojtur që jetojnë në veri të Mitrovicës”, thuhet ndër të tjera në letër.
Sipas tij, shpërblimi për Serbinë me statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian, pa e detyruar që ajo të ndryshojë qëndrimin e saj apo sjelljen ndaj Kosovës, e ka inkurajuar qeverinë në Beograd në fushatën e saj destruktive dhe kriminale në vendin tonë.
“Unë sinqerisht shpresoj se ju do të veproni për të kundërshtuar këtë padrejtësi dhe do të mbështetni bashkatdhetarët tanë në këtë çështje që cenon rëndë të drejtat dhe liritë e qytetarëve tanë”, pohon Kurti. 

KEK: Konsumatorët se paguajnë dy herë rrymën

Pas deklaratave të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), se 40 për qind energjisë së prodhuar po humbet ka reaguar Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), duke sqaruar se humbjet teknike dhe komerciale nuk janë mbi 40 për qind siç pretendon kjo parti, por viti 2011 është përmbyllur me nivelin 30 për qind dhe në tremujorin e parë të këtij viti humbjet kanë trend të rënies së mëtutjeshme. Humbjet teknike janë 16 për qind, ndërsa humbjet komerciale janë 14 për qind, e jo 24 për qind siç pretendon letërshkruesi.
“KEK është shoqëri aksionare në pronësi publike dhe i takon të gjithë qytetarëve te vendit. Përparimit e korporatës në katër vjetët e fundit kanë qenë të jashtëzakonshme, ku inkasimi nga 96 milionë euro ka arritur në 201 milionë me 2011, prodhimi është rritur me 5-10 për qind çdo vit me kapacitete të njëjta prodhuese, ndërsa furnizimi ka patur rritje të madhe dhe sot reduktimet po harrohen”, theksohet në komunikatën për media të KEK-ut.
KEK gjatë katër vjetëve të fundit i ka zvogëluar këto humbje me mbi 11 për qind dhe është i zotuar që humbjet komerciale t’i dërgojë në zero thekson komunikata. Por, nevojitet edhe angazhimi i organeve të drejtësisë në këtë drejtim që të ketë sukses edhe më të madh.
KEK-u po ashtu thekson se më tepër se një muaj nuk ka reduktime fare për asnjë kategori në asnjë pjesë të vendit.
“Sa i përket subvencionimit të importit nga ana e Qeverisë së Kosovës, ai është subvencionim direkt i konsumatorëve dhe është zvogëluar me 50 për qind nga viti në vit. Gjatë 2012 nga buxheti janë ndarë 13 milionë euro për subvencionim të importit, ndërsa pjesa tjetër e importit prej 44 milionë eurosh po mbulohet nga mjetet vetanake të KEK-ut. Pra, konsumatorët nuk paguajnë dy herë siç pretendon letërshkruesi, sepse pjesa e subvencionimit të importit nuk llogaritet në tarifa. KEK i përkujton letërshkruesit se konsumatorët e Kosovës paguajnë tarifat më të ulëtat në rajon, pra jo vetëm që nuk paguajnë dyfish por paguajnë më së paku në krahasim me vendet e rajonit”.

EULEX, konfirmohet aktakuza për shmangie të tatimit

EULEX-i ka njoftuar se më 4 prill , një gjykatës i EULEX-it në Gjykatën Komunale të Pejës konfirmoi aktakuzën kundër Burim Sadikut dhe Bajram Sadikut. Të pandehurit akuzohen për kryerjen e veprës penale të shmangies së tatimit përmes dy kompanive në Pejë që udhëhiqen nga ata.
“Të pandehurit kanë hequr dorë nga e drejta për shqyrtimin e aktakuzës dhe të dëshmive përmes avokatëve të tyre para seancës dëgjimore për konfirmimin e aktakuzës. Gjykatësi e shpalli aktakuzën të konfirmuar dhe të gjitha dëshmitë e marra gjatë hetimeve si të pranueshme”, thuhet në komunikatën e EULEX-it për media.
EULEX-i ka bërë monitorimin, mentorimin dhe këshillimin e prokurorit vendor nga Prokuroria Speciale i cili është marrë me rastin. 

Guardiola: Messi më i mirë se Ronaldo

Trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola, i është kundërpërgjigjur rivalit të tij Aitor Karanka, duke i thënë se Lionel Messi është sulmuesi më i mirë në botë dhe jo Cristiano Ronaldo.
Karanka pas performancës së Ronaldos ndaj Atleticos ka deklaruar se portugezi është lojtar më i mirë se Messi dhe me këtë nuk pajtohet në mënyrë të tërthortë Guardiola që ka ironizuar homologun e tij.
“Unë nuk kam problem nëse Karanka mendon se Ronaldo është më i mirë se Messi. Unë kam mendimin tim, i cili dihet. Jemi me fat që shohim lojtarë të tillë në aksion”, është shprehur Guardiola. 

Wenger lëvdon Van Persien

Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, ka lëvduar sulmuesin Robin Van Persie, pasi ai shënoi gol ndaj ekipit të 17-të këtë sezon në Ligën Premier.
Bëhet fjalë për numrin e ekipeve ndaj të cilave ka shënuar holandezi, ndërsa Van Persie e bëri këtë nga penaltia në ndeshjen ndaj ekipit nga Molineux.
“Ai barazoi rekordin e Ian Wright që shënoi ndaj 17 nga 19 ekipe të ndryshme në Ligën Premier brenda një sezoni. Kjo është absolutisht fantastike në futbollin modern. Unë dua ta përgëzoj për këtë të arritur. Kur luani ndaj 19 ekipeve dhe sulmuesi juaj ka shënuar ndaj 17 prej tyre, atëherë kjo është diçka sensacionale”, ka thënë Wenger.

Trapattoni: E dua Del Pieron për Irlandën

Përzgjedhësi i Irlandës, Giovanni Trapattoni, i ka thënë rivalit të tij Cesare Prandellit se nëse ai nuk do ta ftojë Del Pieron në kombëtaren italiane për Euro 2012, atëherë nëse ‘Alex’ do të pranonte, ai do ta ftonte atë në kombëtaren irlandeze.
Del Piero ka shfaqur së fundmi formë epike për Juventusin, ndërsa Cesare Prandelli është nën presion të madh që ta ftojë ikonën e Zonjës së Vjetër. Sidoqoftë, vështirë se Prandelli mund t’i bindet këtij presioni dhe ta ftojë Del Pieron, por Trapattoni është shprehur i gatshëm për ta ftuar sulmuesin ikonik.
“Mirë, nëse Alessandro Del Piero dëshiron që të luajë për Irlandën, atëherë unë do ta ftoj në kampionat dhe këtë pa kurrfarë problemi”, ka deklaruar Trapattoni. 

“Meritojmë titullin, Ronaldo më i mirë se Messi”

Zëvëndëstrajneri i Real Madridit, Aitor Karanka, ka deklaruar se Cristiano Ronaldo është futbollist shumë më i mirë se sa Lionel Messi dhe pos tjerash ka potencuar se Real Madridi e meriton titullin në La Liga këtë sezon.
“Këta lojtarë meritojnë të jenë kampionë për shkak të punës që kanë bërë dhe gjithë vështirësive që po kalojnë”.
“Cristiano Ronaldo është duke dëshmuar se ai është lojtari më i mirë në botë. Ne jemi të gjithë në dijeni se sa i rëndësishëm është ai për ekip. Lufta nuk është mes Ronaldos dhe Messit, por mes dy skuadrave të cilat po luftojnë për titull”, është shprehur Karanka, i cili po e zëvëndëson Mourinhon nëpër konferenca për shtyp.

Ferguson kritikon Mancinin

Menaxheri i Manchester United, Sir Alex Ferguson, ka kritikuar komentet e Roberto Mancinit për luftën për titull në ligën Premier.
Mancini ka pranuar se titulli është humbur, por Ferguson beson se komentet e italianit janë të një njeriu të pa pjekur.
“Mendoj se ai ndoshta ka zgjedhur kohën e gabuar për të thënë këtë – janë edhe pesë ndeshje për t’u luajtur. Liga Premier është fascinante. Përvoja jonë do të na ndihmojë në ndeshjen e të dielës, që të fokusohemi më shumë në të”, ka theksuar Ferguson para duelit derbi ndaj Cityt.

Moratti: Stramaccioni ka talent

Presidenti i Interit, Massimo Moratti, është i bindur se trajneri i ri i zikaltërve, Andrea Stramaccioni, ka talentin e duhur për t’u bërë i madh, teksa ka komplimentuar veten për vendimin e çmendur që ta emërojë atë kryetrajner të ekipit të parë.
“Mund të jetë çmenduri vendimi im, por ai ka talentin dhe prandaj unë ia dhashë mundësinë”.
“Ai ai duhet ta tregojë talentin e tij. Ne po punojmë të gjithë së bashku në mënyrë që të sigurohemi që ai të ketë sukses”, ka thënë Moratti pas fitores së fundmi ndaj Sienës.

Iniesta të luajë ndeshjen e 400-të me Barcën

Andres Iniesta është vetëm një ndeshje larg për të bërë paraqitjen e tij të 400-të për Barcelonën dhe mund ta arrijë këtë shifër jubilare në ndeshjen e të shtunës në udhëtim te Levante.
27-vjeçari ka bërë debutimin e tij me skuadrën e parë nën drejtimin e Louis van Gaal në tetor të vitit 2002 dhe që atëherë është shndërruar në një lojtar kyç për Blaugranët.
Iniesta ka luajtur në 266 ndeshje në La Liga, 77 në Ligën e Kampionëve, 40 ndeshje në Kupën e Mbretit, tre në UEFA Kupë, dy në Superkupat Evropiane, gjashtë ndeshje në Superkupat e Spanjës dhe pesë ndeshje në Kupën Botërore të Klubeve.
Ai së fundi ka depërtuar në top 10-shin e të gjitha kohërave të skuadrës me vetëm një paraqitje më pak se Jose Ramon Alexanco dhe tre më pak se Joan Segarra, që rreshtohen në pozitat tetë, respektivisht nëntë.
Iniesta është një prej katër lojtarëve të tashëm që bëjnë pjesë në top dhjetëshin e lojtarëve me më së shumti paraqitje për Barcelonën. Xavi është lojtari aktual që ka luajtur më së shumti, 621 herë, pastaj vijnë Carles Puyol me 552 paraqitje dhe Victor Valdes me 452.
Mesfushori i Barcelonës e ka gjetur rrjetën 40 herë për Barcelonën në 10 vitet e kaluara.

Lippi: Balotelli duhet të zgjohet

Marcello Lippi thotë se Mario Balotelli duhet të zgjohet nëse dëshiron të ndërtojë në maksimum karrierën e tij.
Ish-përzgjedhësi i Italisë beson se 21-vjeçari ka kualitete të luajë për ekipet më të mira në botë, por mendon se Balotelli nuk e jep maksimumin për të arritur sukses, pavarësisht kujdesit të madh nga menaxheri i Manchester Cityt, Roberto Mancini.
“Shpresoj se ai do të zgjohet së shpejti. Ai do të bëhej më i mirë nëse do ta lejonte talentin e tij të flasë vetë në fushë. Ai do të mund të luante për cilido klub në botë”.
“Mendoj se Mancini është kujdesur për të si baba dhe është disi për të ardhur keq që ai nuk ka kuptuar se sa gjëra të mrekullueshme mund të arrijë”, ka thënë Lippi.
Balotelli së fundi pushtoi lajmet pasi u përjashtua me karton të kuq në disfatën 1-0 ndaj Arsenalit për shkak të disa ndërhyrjeve të pakujdesshme dhe është suspenduar për tre ndeshje.

Nistelrooy: Keane më i miri me të cilin kam luajtur

Sulmuesi i Malagas, Ruud van Nistelrooy, e ka veçuar ish-bashkëlojtarin e Manchester United, legjendën Roy Keane, si lojtarin më të mirë me të cilin ka luajtur në karrierën e tij.
“Është vështirë të zgjedh njërin, por për mua ishte Roy Keane. Mbase kishte lojtarë më të mirë se sa ai teknikisht, por ishte mënyra se si ai e udhëhoqi skuadrën dhe mënyra se si ishte si person”.
“Në fushë ai ishte i tmerrshëm dhe të gjithë ato atribute të kombinuara e kanë bërë atë, për mua, lojtarin më të veçantë me të cilin kam luajtur”, ka thënë Van Nistelrooy për Inside United. 

Rihanna ndërpret intervistën pas pyetjes për dashuri

Rihanna ka ndërprerë një intervistë pasi gazetari e pyeti atë se sa frustruese ishte për të që ishte e lidhur me disa prej yjeve të Hollywoodit, disa prej të cilëve as nuk i njeh mirë.
24 vjeçarja e filmit “Battleship”, e cila së fundmi ishte lidhur me një romancë me Ashton kutcher dhe ish-të dashurin Chris Brown, ka refuzuar që të flasë kur është pyetur se sa frustruese ishte për të që ishte pjesë e spekulimeve me disa njerëz që ajo edhe nuk i njeh mirë.
“Shumë frustruese. Shumë frustruese pasi vetëm më pyesni për këtë. Nuk e di ku është poenta e gjithë kësaj. Njerëzit interesohen për shumë gjëra të panevojshme”, ka thënë Rihanna para se të ngritej nga emisioni australian “Sunrise”.

Shemsi rikthehet në një shou holandez

Këngëtarja shqiptare Shemsi Kamaj –Mushkolaj kthehet serish në një shou ne Holandë.
Pasi gara ka të bëjë me prezantimin e talenteve/këngëtareve në dyshe, Shemsi kësaj radhe është duke garuar së bashku me motrën e saj Violetën. Ato kaluan sfidën në javën e parë pas prezantimit me këngën e Rihannas, ‘’We found the Love’’.
Publiku drejtpërdrejt bëri votimin me dy lloje të ngjyrave e kaltra për femra dhe verdha për meshkuj.
Shemsi dhe Violeta kishin konkurrent dy meshkuj të cilët i eliminuan, pasi publiku dominoi me vota të kaltra.

Microsoft investon 3.5 miliardë në RIM?

Kohëve të fundit është pak të thuhet se prodhuesi kanadez i telefonave të mençur mobil, BlackBerry, RIM, është në krizë të rezultateve pozitive të biznesit.
Kjo, pasi që pjesëmarrja e tregut të RIM ka rënë nga 44 për qind sa ishte në 2007, në 17 për qind në 2011. Në anën tjetër, edhe vlera e aksioneve të RIM ka rënë për 75 për qind, në përgjithësi.
Mirëpo, me sa duket edhe për këtë situatë do të bëhet nëj zgjidhje. Tashmë po thuhet se Microsoft është duke investuar rreth 3.5 miliardë dollarë në kompaninë Research In Motion.
Për momentin nuk është bërë e ditur se çka do të përfshijë ky investim, mirëpo thashethemet janë se RIM do të blihet nga një operator i madh mobil në Britani. Mbetet të shihet nëse kjo do të ndodhë, dhe nëse bëhet, atëherë tregu i BlackBerry mund të ngjitet lart përsëri.

Një gomar, dhuratë për Obamën

Silvio Carrasquilla shpreson që presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, gjatë vizitës në Kolumbi këtë fundjavë, të ndalojë edhe në fshatin e tij Turbako dhe të vizitojë “Shtëpinë e Bardhë” atje.
Carrasquilla, një afro-kolumbian, është fans i madh i Obamës. Ish-majori i Turbakos madje ka lyer shtëpinë e tij me të bardhë dhe e ka dekoruar nga brenda me portretet e familjes Obama.
Ai thotë se nëse presidenti amerikan do të ndalojë, ai do t’i bëjë dhuratë një gomar të vogël me emrin Demo.
Carrasquilla mendon se, meqë gomari është simbol i Partisë Demokratike në SHBA, një i tillë do të ishte dhuratë e përshtatshme.
Sipas tij, gomari ka pranuar të gjitha vaksinat dhe është i vogël, andaj edhe “do të jetë e lehtë për t’i gjetur një vend në bordin e Air Force One”.

‘Gladiatorët’ kërkojnë legalizimin e profesionit

Disa meshkuj të veshur si gladiatorë e që fotografohen me turistët para Koloseumit në Romë, janë përleshur me policët që kanë tentuar t’i largojnë nga ai lokacion, sipas një vendimi të autoriteteve italiane.
Ministria e Kulturës në Itali përmes një komunikate për media ka njoftuar se këta persona po punojnë pa leje dhe dëmtojnë imazhin e këtij monumenti historik, duke qenë se i mërzisin turistët dhe kërkojnë shumë para për shërbimet e tyre.
Përleshja ka filluar kur policët e kryeqytetit italian kishin tentuar të largonin dy ‘gladiatorë’ që kishin zënë vend në katin e parë të Koloseumit.
Menjëherë pas, rreth 25 meshkuj të veshur me rrobat tradicionale iu janë kundërvënë policëve, ndërsa njëri nga gladiatorët ka pësuar lëndime të lehta.
Disa nga ta thonë se qe 17 vite merren me këtë profesion dhe me përfitimet i mbajnë familjet. Ata kanë kërkuar që profesioni i tyre të legalizohet.
Vizitorët e Koloseumit e kanë ndjekur ngjarjen, ndërkaq i kanë mbështetur kërkesat e gladiatorëve. 

“Ju lutem ndihmë, ajo dëshiron ta bëjë sërish!”

Një gjerman 43-vjeçar në pamundësi që të bëjë dashuri me një grua 47-vjeçare me oreks të madh seksual, është dashur që të ikë në ballkon dhe ta thërrasë policinë për t’i ndihmuar që t’i shpëtojë asaj.
Dashnorja e pashuar e kishte takuar ‘viktimën’ e saj në një lokal në Munih dhe pastaj e ka dërguar në shtëpi. Pasi kanë bërë dashuri disa herë, mashkulli ka dashur të largohet nga “foleja e dashurisë”, por ajo nuk e ka lejuar të shkojë para se të bëjnë seks edhe disa herë – thuhet në raportin e policisë.
Në një moment, ‘viktima’ ka mundur të dalë në ballkon dhe ta thërrasë policinë, që ka ardhur dhe e ka arrestuar gruan, mirëpo pas një kohe të shkurtër e ka lënë të lirë.
Megjithatë, ajo do të japë llogari për akuzën për “mbajtje anti-ligjore” dhe “sulm seksual”.

Kuçi: Veriu, jashtë agjendës së bisedimeve

Gjatë konferencës me gazetarë, pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka demantuar shkrimet në media se njësia speciale e policisë së Kosovës, ROSU, është kontrolluar në Mitrovicë nga KFOR-i.
Kuçi i ka bërë thirrje KFOR-it që ta kryej detyrën e vet në ndjekje të kriminelëve. Ndërsa, se a do të ndërmerret ndonjë operacion nga qeveria e Kosovë sikur ai i vitit të kaluar, Kuçi këtë nuk e ka pohuar e as mohuar!
Kuçi tha se Qeveria e Kosovës është e gatshme të bisedojë me qytetarët e pjesës veriore, por sipas tij “asnjëherë me Serbinë pasi nuk është pjesë e saj”. Sipas tok bisedimet për veriun nuk kanë qenë e as nuk janë në agjendën e Prishtinës zyrtare. 

Të rinjtë në Mitrovicë protestojnë kundër EULEX-it

Studentë dhe nxënës anëtarë të Këshillit të Veprimit Rinor Lokal (KVRL) të Mitrovicës në bashkëpunim me Lëvizjen “Koha”, kanë protestuar të premten për gjysmë ore para selisë së EULEX-it në Mitrovicë, në shenjë pakënaqësie me punën e këtij misioni.
Ata duke mbajtur në duar pankarta me mbishkrimet, “EULEX do your job or go home”, “Turp po i përkëdhelni kriminelët në veri” dhe “Are you kiding with us”, kanë shprehur revoltën e të rinjve mitrovicas ndaj EULEX-it dhe sjelljeve të këtij misioni në raport me kriminelët serbë në veri.
Musa Damati, kryetar i KVRL-së në Mitrovicë, ka thënë se EULEX-i me sjellje të njëanshme është duke provokuar haptazi durimin dhe maturinë e qytetarëve të Mitrovicës, njofton KosovaPress.
“Me anë të organizimit të kësaj proteste të rinjtë e qytetit të Mitrovicës shprehin indinjatën e tyre me sjelljet qyqare të misionit të EULEX-it në raport me kriminelët serbë në veriun e Mitrovicës dhe derisa në veriun e Mitrovicës na i arrestojnë dhe vrasin policët tanë, i rrahin dhe vrasin bashkëqytetarët tanë, misioni i EULEX-it njësitet e veta i aktivizon vetëm atëherë kur është e nevojshme arrestimi dhe burgosja e ish ushtarëve të UÇK-së. Me këtë sjellje të njëanshme, misioni i EULEX-it po provokon haptazi durimin dhe maturinë e qytetarëve të Mitrovicës. Në qoftë se EULEX-i vazhdon me u sjellë në këtë formë të njëanshme, atëherë të rinjtë e qytetit të Mitrovicës do të organizohen në mënyrë masovike dhe do të radikalizojnë format e ushtrimit të presionit publik mbi këtë mision”, ka thënë Damati.
Sipas tij, numri simbolik i të rinjve sot në protestë ka qenë për shkak të gjendjes specifike dhe rrethanave të krijuara së fundi në Mitrovicë, dhe numri më i madh i protestuesve do të mund të destabilizonte situatën edhe ashtu të tensionuar në këtë qytet.
Ai ka theksuar se Mitrovica dhe qytetarët e saj nuk kanë nevojë për spektatorë, por një mision dhe organ i cili ndikon në parandalimin dhe jo tolerimin e akteve kriminale e terroriste në veri.
Ndërkaq, Ferdi Kadriu, kryetar i Lëvizjes “Koha” në Mitrovicë, ka përsëritur arsyen pse kjo protestë është organizuar me numër simbolik të të rinjve, duke ripërsëritur edhe ky se kjo nuk nënkupton që në të ardhmen në aktivitetet tjera numri i protestuesve do të jetë i kufizuar. Ai ka shprehur indinjatën e tij për qëndrimet e EULEX-it ndaj veriut të Mitrovicës.
“Për EULEX-in si duket është shumë e vështirë të arrestojnë kriminelë dhe bandat e tyre terroriste që operojnë në veri, të cilat janë duke kryer spastrim etnik”, ka thënë mes tjerash Kadriu. 

Thaçi: S’ka zgjedhje serbe në Kosovë!

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, me t’u kthyer nga vizita në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka folur në mbledhjen e Qeverisë edhe rreth zhvillimeve dhe incidenteve të fundit në veri të Mitrovicës.
Vrasjen e Selver Haradinajt ai e ka quajtur akt kriminal dhe terrorist. Ndërkohë, ka kërkuar nga drejtësia që ta thotë fjalën e saj dhe përgjegjësitë t’i sjellë para gjyqit. Kryeministri njoftoi se familjes Haradinaj u janë ndarë 9 e 500 euro ndihmë.
Sa i përket mbajtjes së zgjedhjeve serbe në Kosovë, Thaçi ka thënë se Serbia asnjëherë nuk do të mund të mbaj zgjedhje në vendin tonë. Megjithatë, ai ka kërkuar që qytetarëve serb që kanë dy nënshtetësi t’u mundësohet votimi nga ana e OSBE-së. 

Mustafa: Të bojkotohen zgjedhjet serbe

Kryetari i Komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa, u ka bërë thirrje të gjithë votuesve shqiptarë të bojkotojnë zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të Serbisë.
“Unë përsëri, tani edhe zyrtarisht, u bëj thirrje të gjithë shqiptarëve që më 6 maj të bojkotojnë zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale serbe, sepse qeveria qendrore në Beograd me vite nuk po tregon se është e interesuar për ndryshimin e pozicionit të shqiptarëve në Luginën e Preshevës”, ka thënë Mustafa në një tubim të Partisë Demokratike Shqiptare në Shtëpinë e Kulturës në Preshevë, transmeton Zëri.
Ai po ashtu ka thënë se shqiptarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, çështjen e fatit të tyre duhet ta zgjidhin në Prishtinë dhe Tiranë, sepse një mënyrë e tillë, sipas tij, është rruga më e shkurtër drejt Bashkimit Evropian.
Më herët është raportuar se katër nga gjashtë parti shqiptare në Luginë do të marrin pjesë në zgjedhjet parlamentare serbe me listën “Koalicioni i Shqiptarëve të Luginës së Preshevës”. 

Serbia mban xhipin dhe armët e policëve të arrestuar

Ministrit serb i Punëve të Brendshme, Ivica Dacic duket se i kanë pëlqyer shumë xhipi dhe armët e dy policëve kufitarë të Kosovës, që u arrestuan nga xhandarmëria serbe më 31 mars në fshatin Dumnicë të Podujevës, afër kufirit me Serbinë.
Dacic ende është duke i mbajtur veturën e Policisë të tipit “Land Rover”, dy pushkët automatike, dy revolet, e pajisjet tjera, të cilat po i bartnin dy policët kufitarë, Shukri Binaku dhe Sami Beqiri, ditën e arrestimit.
Ministri serb ka liruar dy policët kufitarë në fillim të javës që shkoi, më 3 prill, por nuk ka dhënë ndonjë shenjë se këtë do ta bëjë edhe me xhipin dhe gjërat tjera që po bartnin policët, shkruan “Koha Ditore”.
Pas lirimit ata kishin me vete vetëm uniformën e tyre. Një burim brenda Policisë së Kosovës ka thënë për gazetën se të dy policët kufitarë të Kosovës po patrullonin me xhipin “Land Rover” (donacion nga Komisioni Evropian), para se të arrestoheshin. 

Shkurtohen procedurat për regjistrim të bizneseve

Zyrtarë të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) dhe ata të Agjencionit për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë (ARBK), kanë nënshkruar të premten një memorandum bashkëpunimi, i cili ka për qëllim krijimin e lehtësirave sa më të mëdha për bërje biznes në Kosovë. Ky memorandum precizon procedurat dhe punët që duhet të kryhen nga të dyja agjencionet në këtë fazë të lehtësirave për bërje biznes në Kosovë.
Krerët e të dyja agjencioneve i kanë vlerësuar lartë reformat që po bëhen në këtë drejtim, pasi që, po bëhet shkurtimi i procedurave për regjistrim, marrje të lejes, pajisja me certifikata të nevojshme.
Drejtori i Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), Behxhet Haliti, nënshkrimin e memorandumin të sotëm e ka cilësuar si shumë të mirë dhe të nevojshëm, i cili do të shkurtojë kohën, do të ketë kosto më të ulët e shumë lehtësira të tjera. “Me këtë hap, prej javës së ardhshme Administrata Tatimore, Agjencioni për Regjistrimin e Bizneseve dhe Doganat do t’i trajtojnë më shpejtë, më lehtë, edhe me një shkurtim të kohës, edhe kosto më të ulët të gjithë pronarët e bizneseve që regjistrojnë dhe planifikojnë të zhvillojnë aktivitet biznesi, përmes procesit të sinkronizimit dhe harmonizimit të procedurave, lehtësimit në një aplikacion të vetëm”, ka thënë ai.
Haliti ka shtuar se procedurat e deritashme për regjistrim të një biznesi kanë qenë shumë të stërzgjatura dhe të mundimshme.
Ndërsa Gazmend Mejzini, kryeshef Ekzekutiv i Agjencionit për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë (ARBK), nënshkrimin e këtij memorandumi e ka cilësuar si rrumbullakim i reformave. “Është e një rëndësie të veçantë se kjo u mundëson bizneseve që, përpos regjistrimit të biznesit, mund ta marrin edhe certifikatën, numrin fiskal dhe certifikatën e TVSh-së në një vend me një procedurë të vetme”, tha Mejzini.
Ndryshe, Qeveria e Kosovës është kritikuar shumë edhe nga raportet ndërkombëtare për shkak të klimës jo të mirë të të bërit biznes, gjë e cila edhe ka bërë që shumë investitorë të mos investojnë në Kosovë, por të ndalen në vendet e rajonit. Duke i marrë për bazë këto kritika, Qeveria e Kosovës ka marrë masa për ndryshimin e procedurave për të bërë biznes, duke bërë reforma të thella, të cilat rezultojnë me shkurtimin e shumë procedurave burokratike. 

Çmimet edhe në mars u shtrenjtuan

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) gjegjësisht Departamenti i Statistikave Ekonomike dhe Llogarive Kombëtare ka publikuar të premten, Indeksin e Çmimeve të Konsumit për muajin mars 2012. Në këtë publikim janë paraqitur të dhënat e Indeksit të tërësishëm të çmimeve të konsumit në Kosovë i cili është më i lartë për 0,1% në muajin mars 2012 krahasuar me muajin shkurt 2012. Marsi i vitit 2011 krahasuar me muajin shkurt 2011 ishte me çmime më të larta për 1,1%. Shkalla e inflacionit e matur në muajin mars 2012 me muajin mars 2011 ishte 0,6%.
Çmimet e konsumit në Kosovë u ngritën për 0,1% në muajin mars 2012 krahasuar me muajin shkurt 2012. Ngritje e çmimeve vërehet te qumështi, djathi dhe vezët për (2,7%) me një ndikim prej 0,2 për qind në IÇK-it. Buka dhe drithërat (0,8%), përdorimi i pajisjeve për transportin personal-(nafta dhe benzina) për (1,5%) që secila nëngrup ndikoj me 0,1 për qind në IÇK-it.
Ndërsa rënie të çmimeve, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, kryesisht vërehet te nëngrupi: Rryma, gazi dhe lëndë djegëse të tjera për (-4,5%)-[(rënie e çmimit të drurit për ngrohje për (-17,3%)] me një ndikim prej -0,2 për qind në IÇK-it si dhe te disa nëngrupe të konsumit me një ndikim te përbashkët prej -0,1 për qind në IÇK-it.
Ndërkaq krahasimet për muajin mars të vitit 2012 dhe mars 2011 0,6% për Indeksin e Çmimeve të konsumit në Kosovë u ngritën për 0.6% në muajin mars 2012 krahasuar me muajin mars 2011.
Ngritje e çmimeve kryesisht vërehet edhe te përdorimi i pajisjeve për transportin personal. Rënie e çmimeve kryesisht vërehet tekuka dhe drithërat për (-10,9%) me një ndikim prej -0,9 për qind në IÇK-it. Nëngrupi i perimeve (-10,7%) me një ndikim prej -0,5 për qind në IÇK-it. Vajrat dhe yndyrat (-6,6%), sheqeri dhe ëmbëlsirat (-4,1%), pajisjet, shërbimet telefonike dhe të telefaksit (-4,2 %) që secila nëngrup ndikoj me -0,1 për qind në IÇK-it.

Walcott: Kam ndryshuar

Anësori i Arsenalit, Theo Walcott, thotë ai është plot vetëbesim pasi ka tejkaluar problemet me lëndimet të cilat kishin dëmtuar karrierën e tij.
“Tash jam 23-vjeçar dhe ende po piqem. Nuk kam frikë nga lëndimet. Disa vite më parë kam pasur lëndime në shpatull, probleme me gjurin dhe probleme me shpinën dhe isha unë duke mësuar anën e kundër të lojës”.
“Tash shkoj në lojë dhe kënaqem, duke mos u frikësuar nga asgjë. Menaxheri gjithmonë më thotë të mos kem frikë të bëj ndërhyrje. Jam një Theo Walcott krejtësisht ndryshe”.
“Ne po luajmë një futboll të shkëlqyeshëm dhe është mirë të jesh pjesë e kësaj dhe jo e tavolinës së mjekimit”, ka thënë Walcott. 

Barca bën gati 30 milionë për Bale

Barcelona planifikon të testojë rezistencën e Tottenhamit për Gareth Bale.
El Mundo Deportivo shkruan se Bale është shndërruar në cakun kryesor të Barcelonës për afatin kalimtar të verës, me Eric Abidal që është duke u rikuperuar nga transplantimi i mëlçisë.

Barca vlerëson se transferimi i Bale nga White Hart Lane mund t’i kushtojë klubit 30 milionë funte.
Së fundi edhe Bale tha se është ëndërr për secilin lojtar të luajë për njërin nga dy klubet më të mëdha në botë, Barcelonën ose Real Madridin.

Selena të fokusohet në aktrim

Selena Gomez do ta lërë në pritje karrierën e saj si këngëtare për t’u përqëdnruar në aktrim.
Idhulli i tinejxherëve është e paepur të bëjë emër në Hollywood.
“Disi po çaloj në muzikë ca. Kam qenë vërtet e fokusuar më shumë në aktrim. Për mua është kënaqësi të marrësh rreziqe dhe të bësh gjëra që janë krejtësisht të ndryshme”.
“Të jem i sinqertë, ndoshta disa prej juve mund të mos jenë komfort me këtë... Unë ende jam i njëjti person. Gjërat të cilat më sfidojnë, vërtet më ngazëllejnë”.
“Unë po bëj një film tjetër të quajtur ‘The Getaway’ me Ethan Hawke. Është vërtet, vërtet ngazëlluese. Ne po punojmë në të dhe pastaj shpresoj në një film tjetër, por kjo ene nuk është konfirmuar”.
“Pastaj do të filloj të punoj në albumin tim të katërt, që do të jetë albumi më i mirë që do ta bëj ndonjëherë”, ka thënë Gomez. 

Almeda në lidhje me futbollistin turk Sergen Yalcin ?

Suksesi i bukuroshes shqiptare Almeda Abazi duket se nuk ka të ndalur. Fillimisht në “Dancing with the Stars”, ku Almeda shfaqi talentin e saj në kërcim dhe u rendit në vendin e tretë. Më pas erdhi një tjetër eksperiencë e rëndësishme e saj në reality show-n “Survivor”.
Almeda këto dite ka qenë dhe në vëmendje të shtypit rozë turk, për një lidhje të mundshme dashurie me futbollistin turk Sergen Yalcin, i cili gjithashtu është pjesë e “Survivor”.
Është aluduar për një histori mes të dyve, për shkak se i kanë parë shpesh të rrinë pranë njëri tjetrit gjatë jetesës në ishujt domenikane, megjithatë futbollisti Yalcin ka deklaruar për shtypin se mundësia që ai dhe Almeda të jenë në një lidhje është zero.
"Midis meje dhe Almedes nuk ka asnjë ndjenjë", ka thënë futbollisti Ylacin.
Ndërkohë Almeda, nga ana e saj, nuk ka pranuar të prononcohet fare.

Shqiptari pranon fajësinë për terrorizëm

Agron Hasbajrami, një qytetar shqiptar 27 vjeçar me banim në Bruklin të New York-ut, pranoi fajësinë në një gjykatë të New York-ut për tentativë mbështetjeje të grupeve terroriste.
Hasbajrami përballet me deri në 15 vjet burgim. Si kusht për deklarimin e fajësisë, Hasbajrami ka rënë dakord që të deportohet nga Shtetet e Bashkuara.
Njoftimi u bë i ditur nga prokuroria e New York-ut. Sipas dokumenteve të gjykatës Hasbajrami ishte përpjekur të shkonte në rajonet fisnore të Pakistanit për t’u bërë pjesë e një grupi radikal xhihadist.
Po ashtu ai kishte dërguar mbi 1 mijë dollarë në transaksione të ndryshme jashtë Amerikës për të mbështetur aktivitetet terroriste në Pakistan dhe Afganistan.
Hasbajrami kishte shkëmbyer mesazhe elektronike me një individ në Pakistan që i kishte thënë se ishte anëtar i një grupi të armatosur që kishte vrarë ushtarë amerikanë.
Për të ruajtur fshehtësinë e komunikimit, Hasbajrami dhe individi tjetër në Pakistan përdornin adresa të ndryshme emaili. Në një mesazh ai shprehej se ishte e vështirë t’u kërkonte para myslimanëve të tjerë sepse ata distancoheshin kur ai u thoshte se i donte për xhihad.
Më 5 shtator 2011, Hasbajrami bleu një biletë pa kthim për në Turqi dhe nga komunikimet e tij me email rezultonte se ai do të shkonte në zonat fisnore kufitare të Pakistanit.
Të nesërmen ai u arrestua në aeroportin John F. Kennedy në New York. Pas arrestimit në banesën e tij u gjet mes të tjerash një shënim ku thuhej “mos prit për pushtimin, është koha për martirizim”. 

ROSU nën vëzhgim të KFOR-it

KFOR-i gjatë gjithën natës, ka ruajtur dhe ka survejuar bazën e forcave speciale të policisë së Kosovës, ROSU në Mitrovicë.
Burime ndërkombëtar i kanë thënë gazetës “Koha Ditore” me kushte anonimiteti se KFOR-i ka pasuar një informacion se Njësia speciale e policisë së Kosovës e njohur si ROSU do të intervenoj në veriun e Mitrovicës natën ndërmjet të enjtes dhe të premtes.
Për këtë sipas burimit, KFOR-i ka dislokuar disa trup të saj diku në afërsi të Mitrovicës me qëllim që të parandalojë lëvizjen e ROSU për në veri të Mitrovicës dhe Kosovës.
Burimi më tej ka shtuar se KFOR-i ka paralajmëruar edhe zyrtarë të lartë të Policisë dhe Qeverisë së Kosovës se nuk do të lejojë që forcat speciale të kalojnë matanë Ibrit.
KFOR-i ka ndërmarrë këtë hap pasi nga NATO është marrë informacion se një njësi i forcave ROSU nga rajoni i pjesë është vendosur në Mitrovicë.
Në lidhje me këto zëdhënësi i policisë për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti ka theksuar nuk ka pasuar ndonjë plan për lëvizje të policisë por ai nuk ka dashur të komentojë se a është e vërtet se KFOR-i po ruan dhe survejon ROSU –n në kampin e tyre në lagjen ‘Bair’.
Në anën tjetër zyrtarë të njësisë speciale në kampin e ROSU në ‘Belvedere’ kanë theksuar për ‘Koha Ditore’ se një njësi e ROSU nga rajoni i Pejës, pas sulmit terrorist në veri të Mitrovicës na ka ardhur në ndihmë me të vetmin qëllim që të mbajmë situatën e tensionuar nën kontroll.