Probleme e furnizimit me ujë të pijshëm për disa zona të kryeqytetit po vazhdojnë edhe më tej, pasi që po punohet në ndërrimin e infrastrukturës së rrjetit të ujësjellësit në disa lagje të kryeqytetit.
Kompania e Ujësjellësit Rajonal (KUR), “Prishtina” bënë të ditur se në disa lagje të kryeqytetit si: “Ulpiana” në tërësi, lagja e Muhaxhirëve, një pjesë e lagjes “Dardania”, një pjesë e lagjes “Kodra e Diellit”, një pjesë e lagjes së “Spitalit”, që nga dje ka pasur ndërprerje të furnizimit me ujë nga ora 10:00 e që është paraparë deri në orën 17:00. Kjo , sipas tyre, është bërë për shkak të disa problemeve të natyrës teknike përgjatë punimeve dhe se ndërprerja e ujit ka zgjatur deri në orën 21:30.
“Arsyeja e ndërprerjes së furnizimit me ujë të pijshëm, ditën e djeshme, kanë qenë punimet e fazës së pare të investimeve, konkretisht ndërrimi i gypi në Velani deri në Lagjen e Muhaxhirëve në Prishtinë, gjegjësisht faza e dytë e kyçjes së gypit të ri polietilen me diametër D=450 mm, pra do bëhet zëvendësimi i gypit të vjetër D=400 mm azbest,(faza e dytë), ku faza e parë ishte më 3 Prill 2012)”, thuhet në një komunikatë të kësaj kompanie.
Sipas saj, sot, më shumë se 20 ekipe të ujësjellësit, janë në teren duke u marrë me problemet që janë shfaqë në rrjetin e ujit, për shkak të vendosjes së gypit të ri.
KUR “Prishtina” sugjeron qytetarët që të mos kenë frikë nga uji që duket si i turbulltë, në lagjet ku është intervenuar, pasi analizat e bëra në laboratorin fiziko-kimik dhe bakteriologjik të kësaj kompanie si dhe Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik te Kosovës, çdoherë rezultojnë pozitivisht për pije.