Disa meshkuj të veshur si gladiatorë e që fotografohen me turistët para Koloseumit në Romë, janë përleshur me policët që kanë tentuar t’i largojnë nga ai lokacion, sipas një vendimi të autoriteteve italiane.
Ministria e Kulturës në Itali përmes një komunikate për media ka njoftuar se këta persona po punojnë pa leje dhe dëmtojnë imazhin e këtij monumenti historik, duke qenë se i mërzisin turistët dhe kërkojnë shumë para për shërbimet e tyre.
Përleshja ka filluar kur policët e kryeqytetit italian kishin tentuar të largonin dy ‘gladiatorë’ që kishin zënë vend në katin e parë të Koloseumit.
Menjëherë pas, rreth 25 meshkuj të veshur me rrobat tradicionale iu janë kundërvënë policëve, ndërsa njëri nga gladiatorët ka pësuar lëndime të lehta.
Disa nga ta thonë se qe 17 vite merren me këtë profesion dhe me përfitimet i mbajnë familjet. Ata kanë kërkuar që profesioni i tyre të legalizohet.
Vizitorët e Koloseumit e kanë ndjekur ngjarjen, ndërkaq i kanë mbështetur kërkesat e gladiatorëve.