Jahjaga: Kosova ka arritur përparim të madh

Presidentja Atifete Jahjaga ka deklaruar të premten se Kosova ka arritur një përparim të madh në fusha të ndryshme dhe është shndërruar në faktor stabiliteti dhe të fqinjësisë së mirë në rajon, dhe se synon zbatimin e reformave të thella, që do t’i mundësojnë vendit integrimin në Bashkimin Evropian.
Presidentja e Republikës i ka bërë këto komente në takim me zëvendëskryetarin e Parlamentit të Austrisë, Fritz Neugebauer. Ajo theksoi se Austria i ka dhënë mbështetje Kosovës dhe në veçanti në konsolidimin e shtetësisë së saj. Sipas saj, kontributi i Austrisë në Kosovë në fushën e sigurisë, ekonomisë dhe të diplomacisë është shumë i rëndësishëm për paqen dhe sigurinë e përgjithshme të rajonit.
Presidentja Jahjaga vlerësoi se përfundimi i fazës së mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës është e arritur e përbashkët e qytetarëve dhe institucioneve dhe bashkësisë ndërkombëtare.
Ajo theksoi se Republika e Kosovës është shtet sovran dhe i pavarur, me integritet territorial dhe subjektivitet të njohur ndërkombëtar dhe nënvizoi se zgjidhja për tri komunat në veri të vendit është zbatimi i plotë i Pakos së Ahtisaarit, që garanton dhe ofron një gamë të gjerë të të drejtave për komunitetin serb.
Presidentja po ashtu theksoi se me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe me ligjet në fuqi garantohet dhe sigurohet mbrojtja dhe ruajtja e monumenteve kulturore dhe fetare të të gjitha komuniteteve në Kosovë.
Nga ana e tij Neugebauer tha se Kosova ka shënuar përparime të dukshme dhe ajo është bërë shembull për rajonin. Ai vlerësoi se reformat e filluara në shumë fusha tregojnë përkushtimin e institucioneve të Kosovës për përmbushjen e obligimeve për integrim në familjen evropiane. 

Hamsik: Dua te jem Del Piero i Napolit

Marek Hamsik thotë se ai dëshiron të qëndrojë te Napoli dhe dëshiron të bëhet Alessandro Del Piero i klubit.
“Do të doja shumë të bëhem Del Piero i Napolit. Do të ishte një burim krenarie për mua sikur të jem një lojtar kyç i kësaj skuadre deri në vitin 2016, edhe pse më duket vetja plan në shikoj përpara”.
“Del Piero është fenomen. Ai ka bërë histori te Juventusi gjatë 19 viteve të kaluara me shumë fitore. Nuk më pëlqen ta teproj, por ne flasim për një lojtar vërtet të jashtëzakonshëm i cili ende është shumë i fuqishëm”, ka thënë Hamsik për Corriere dello Sport. 

Ronaldo: Jam më i mirë se Messi

Ylli i Real Madridit, Cristiano Ronaldo, ka thënë se ai është lodhur nga krahasimet me yllin e Barcelonës, Lionel Messi, pasi mendon se ata nuk mund të vendosen përballë njëri – tjetrit për shkak të dallimeve mes tyre.
“Ndonjëherë kjo më lodh. Edhe atë po ashtu pasi njerëzit na krahasojnë neve gjithë kohën. Ju nuk mund të krahasoni Ferrarin me një Porsche pasi është makinë tjetër. Ju nuk mund t’i krahasoni ato”.
“Është mrekulli. Si për të po ashtu edhe për mua pasi ne kemi thyer rekordet tona, andaj është mrekulli të mendoj se ne e nxisim njëri-tjetrin në garë, kjo është arsyeja se pse ky krahasim është aq i madh. Kjo është arsyeja se pse Real Madridi dhe Barcelona janë skuadra të mëdha në botë, pasi secila e nxit tjetrën”.
“Nuk është fjala se kush është më i mirë. Thjesht nuk më pëlqen të krahasohem me askënd. Disa thonë se unë jam më i mirë, të tjerët thonë ai, por në fund të fundit ata vendosin se kush është më i mirë për momentin, që mendoj se jam unë”, ka thënë Ronaldo për CNN World Sport.
Ronaldo ka shënuar 46 gola në La Liga këtë sezon duke fituar edhe titullin e kampionit të Spanjës, derisa Messi ka shënuar 50 për të fituar trofeun Pichichi.

Mata krenar që Chelsea luan në finale të LK-së

Juan Mata thotë se është krenar që Chelsea përfaqëson futbollin anglez në finalen e Ligës së Kampionëve.
“Po, ne jemi, ne jemi krenarë. Shumë ekipe të mira, si Tottenham, Arsenal, Man United kanë luajtur në garat evropiane, por tash ne do të luajmë në finale të Ligës së Kampionëve, duke përfaqësuar Anglinë po ashtu”.
“Ne kemi fituar Kupën FA. Është e vërtetë se në Ligën Premier nuk ka qenë një sezon i lehtë për ne”.
“Por tash ne kemi shansin të luajmë në Ligën e Kampionëve vitin e ardhshëm duke fituar trofeun, andaj do të jetë mrekulli për ne nëse e fitojmë”, ka thënë spanjolli.

Boja ambasador në Mbretërinë e Arabisë Saudite

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga ka dekretuar emërimin e Rexhep Boja ambasador rezident të Republikës së Kosovës në Mbretërinë e Arabisë Saudite.
Në njoftimin për media thuhet se dekretimi u bë duke u bazuar në nenin 84, pikat 10 dhe 25 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, në nenin 7, pikat 1, 2 dhe 6 të Ligjit nr.03/L-044 për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Shërbimin Diplomatik të Republikës së Kosovës, i ndryshuar me nenin 2 të Ligjit nr. 03/L-207 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Shërbimin Diplomatik të Republikës së Kosovës dhe me qëllim të forcimit të marrëdhënieve diplomatike me Mbretërinë e Arabisë Saudite.

S’ka kampe stërvitore në Kosovë

Deklaratave të presidentit sirian, Bashar al Assad për gjoja kampe stërvitore të rebelëve sirianë, iu është kundërpërgjigjur zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi. Ai ka thënë se në Kosovë nuk ka kampe të tilla, duke shtuar se dhuna është krijuar në Siri dhe duhet të zgjidhet në Siri.
“Është një deklaratë e pabazë. Siç ka thënë edhe ministri i Jashtëm, Kosova mbështet lëvizjet demokratike kudo në botë, por Kosova nuk është një oazë ku mund të stërviten njerëzit për çfarëdo qëllimi tjetër. Kosova i ka forcat e veta të rregullta, Forcën e Sigurisë dhe Policinë e Kosovës; Kosova e ka një prezencë ndërkombëtare, KFOR-in dhe EULEX-in, që janë përgjegjës për siguri dhe kanë informacione edhe për zhvillime të tilla. Kosova krijon paqe dhe stabilitet. Kosova nuk prodhon kriza. Unë besoj që edhe rasti konkret, dhuna, është prodhuar në Siri dhe duhet të zgjidhet në Siri”, ka thënë zëvendëskryeministri Kuçi.

Drejtësia po vonohet për rastin e Diana Kastratit

Rrjeti i grave të Kosovës, në njëvjetorin e vrasjes së Diana Kastratit shprehën shqetësimin e tyre se drejtësia po vonohet.
Sipas Rrjetit të grave, një vit pas drejtësia ende po vonohet dhe rasti i Diana Kastratit nuk po zbardhet, duke kërkuar kështu nga institucionet e Kosovës që të veprojnë urgjentisht në zbardhjen e këtij krimi.
“Sot, më 18 Maj 2012, është një vjetori i vrasjes së Diana Kastratit e cila u vra nga ish-bashkëshorti i saj pak metra larg shtëpisë, si pasojë e dhunës në familje. Kjo vrasje i ka shqetësuar jashtë mase qytetarët e Kosovës dhe neve si Rrjeti i Grave të Kosovës, andaj ne po vazhdojmë të kërkojmë trajtim ekspeditiv të këtij krimi”, thuhet në reagim.
Diana Kastrati, nga frika për jetën e saj dhe të fëmijës, e kërcënuar nga ish-bashkëshorti, kishte kërkuar urdhëresë për mbrojtje nga gjykata komunale e Prishtinës.
“Urdhëresa për mbrojtje emergjente është dashur të lëshohet nga gjykata komunale e Prishtinës brenda 24 orëve nga momenti i paraqitjes por një gjë e tillë nuk është bërë dhe si pasojë Diana është vrarë. Poashtu prindërit e Dianës kanë dorëzuar një mocion në Gjykatën Kushtetuese, mocion kundër sistemit të drejtësisë së Republikës së Kosovës për të kërkuar që të konstatohet shkelja e të drejtave individuale të Dianës”, thuhet në reagimin e Rrjetit të grave të Kosovës.

Dick Marty nuk ka ardhur në Kosovë

Megjithëse njoftimet e mediave në Kosovë raportonin se senatori zviceran, Dick Marty ka ardhur në Kosovë dhe do të dëshmojë në rastin ''''Medicus''', merret vesh se ai nuk mbërri.
Në seancën e sotme gjyqësore për këtë rast, në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, u bë e ditur se i është bërë kërkesë Këshillit të Evropës që t’i heq Dick Martyt imunitetin në mënyrë që të vijë të dëshmojë në këtë rast. Kryetari i Trupit gjykues, Sedek, tha se pritet që Marty të dëshmojë në seancën e 17 qershorit, njofton Koha.
Senatorit zviceran, që vitin e kaluar bëri bujë me një raport që akuzonte udhëheqës të UÇK-së se kanë transplantuar ilegalisht organe të robërve të luftës së vitit 1998-1999, i është bërë ftesë që të vijë si dëshmitar për datën 18 qershor.
Dick Marty kishte zemëruar tej mase ish udhëheqës të luftës së Kosovës pasi raporti i tij përpos bujës ndërkombëtare, ka nxitur miratimin edhe të një rezolute të Këshillit të Evropës që tani ka nisur hetime zyrtare për akuzat e tij.
Prokurori amerikan, John Clint Williamson, është caktuar në krye të një task force të veçantë për të kryer hetimet në kuadër të mandatit të EULEX it.

Sutanovac: Në veri të Kosovës ka armiq të KFOR-it

Duke folur për marrëdhëniet me forcat ndërkombëtare në Kosovë, ministri serb i Mbrojtjes, Dragan Sutanovac ka thënë se ato janë "konkrete e të mira”. Sipas tij problem është zvogëlimi i përhershëm i numrit të pjesëtarëve të KFOR-it, që nga viti 1999. Ai thotë se insistimi serb është që kjo të mos ndodhë.
"Fatkeqësisht, ne kemi serbë në veri të Kosovës, eksponentë radikalë politikë, të cilat i kanë interesat e tyre për të sulmuar KFOR-in, për t’u treguar atyre se nuk janë të mirëpritur, që të shkojnë, e që ishin gjatë gjithë kohës negativë ndaj KFOR-it”, ka thënë ai për “Palma Plus”. “Po të mos e kishim sot KFOR-in, situata do të ishte më e rëndë”.

Dobrosini në rrethim të hekurt

Forca të mëdha të xhandarmërisë dhe ushtrisë serbe kanë bllokuar të premten paradite çdo hyrje dalje të fshatit Dobrosin të komunës së Bujanocit.
Siç deklaruan për “Zëri” banorët e këtij lokalitete etnik shqiptarë, në çdo lagje dhe rrugë sekondare janë të stacionuar xhipa të blinduar të xhandarmërisë, ndërsa rruga që të shpije drejt Bujanocit është e bllokuar edhe nga Ushtria e Serbisë.
Në fshat, ndërkaq është dhënë një informacion se barakën e policisë multietnike, e cila, sipas MPB-se serbe, është sulmuar nga shqiptarët, do ta vizitojë ministri serb i rendit, Ivica Dacic.
Megjithatë në Dobrosin është ngjallë dyshimi, se forcat serbe të xhandarmërisë po shfrytëzojnë këtë “vizitë” për të mbajtur të bllokuar këtë fshat.
Ndryshe në anën tjetër të kufirit, sipas burimeve të “Zërit” kanë dalë edhe paqeruajtësit ndërkombëtarë të KFOR-it.
Këta të fundit mund të jenë kërkuar nga ministri Dacic që ta sigurojë kufirin nga pjesa e Kosovës, për faktin se Dobrosini është shumë afër kufirit me Kosovën ndërsa mbanë edhe epitetin e vendlindjes së UÇPMB-së.
Ndërkaq, ministri serb i Mbrojtjes, Dragan Sutanovac, ka thënë se në kohën kur shumë të rinj janë pa punë, mund të ndodhin incidente, të individëve, të paorganizuara, të cilat mund të sjellin deri tek e shtëna.
“E ky është tentim serioz, nuk është shaka”, ka thënë Sutanovac për sulmin në Dobrosin, për televizionin “Palma Plus”.
“Ajo çfarë ka ndodhur në Dobrosin është terrorizëm. Në aspektin strategjik, gjërat mund të zgjidhen më së miri me punësimin e atyre njerëzve, duke u dhënë shansin që të mos jetojnë sot për nesër, ndërsa shansi është i përbashkët – hyrja në Evropë”, tha ai.
Sutanovac theksoi se shpesh deklaratat e papërgjegjshme rreth "kujt çka t’i bëjmë, me të cilat ne në Serbi e lëvdojmë vetveten, mund të çojnë tek ajo që dikush të ndihet i kërcënuar”.
Ndryshe, agjencia Preshevajone, referuar një letre që i ka arritur në redaksi shkruan se “Lëvizja e Lirisë”, ka marrë përgjegjësinë e sulmit mbi stacionin policor në Dobrosin.

Banorët e Luginës, me 20 euro - 7 ditë në Kosovë

Banorët shqiptarë të Luginës së Preshevës, por edhe të gjithë banorët e Serbisë që duan të hyjnë me veturë në Kosovë, nga një qershori do të paguajnë vetëm 20 euro për shtatë ditë qëndrimi në Kosovë. Çmimi aktual është 60 euro për 15 ditë, raporton Dukagjini.com.
Ky lajm është bërë i ditur sot pas takimit që kishte Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, me Drejtorin e Bordit të Byrosë Kosovare të Sigurimeve, Rrahim Pacolli.
Ky i fundit theksoj se ky ka qenë maksimumi që kanë mundur të bëjnë kompanitë e sigurimeve.
Nga ana tjetër, zëvendëskryeministri Hajredin Kuqi deklaroi se ky lirim i çmimeve është “një vepër kombëtare e bërë nga Byroja e Sigurimeve të Kosovës”.
Qytetarët e Kosovës do të vazhdojnë të paguajnë çmime të njëjta kur kalojnë për në Serbi, pasi që ulja e taksave është hap i njëanshëm i Kosovës.

Irani kërkon vrasjen e reperit Najafi (Video)

Reperi Iranian, Shahin Najafi, i cili ka kohë që jeton dhe punon në Gjermani, është tërhequr nga jeta publike. Ai fshihet në një vend sekret, pasi në vendlindjen e tij është shpallur shpërblimi prej 100 mijë dollarëve - për eliminimin e tij - pasi në një nga këngët gjoja ka fyer imamin shiit, Ali Naghi
Najafi kohë më parë ka lansuar singlin e ri “Naghi”, përmes të cilit kritikon pushtetin iranian për shkelje të të drejtave të njeriut, për represion dhe për zgjedhjet kontroverse presidenciale të vitit 2009. Singli e mban emrin sipas Naghit, mësuesit fetar të shekullit të IX, për të cilin shiitët besojnë se është një nga 12 imamët që janë trashëgimtar të profetit Muhamed. Reperi e fton imamin të kthehet dhe ta shpëtojë Iranin nga çuditë që po i ndodhin sot.
Përmendje e emrit të imamit ka shkaktuar zemërim në Iran. Kënga është shpallur si blasfemi, fillimisht në faqet konservatore të internetit dhe në blogje. Pastaj, dy mësues fetarë të Iranit e shpallën fatvan kundër tij.
Faqja fetare iraniane shia-online ka njoftuar shpërblimin prej 100 miljë dollarëve për vrasjen e tij, duke e bërë nga ky këngëtar një “Salman Rushdie të hip-hopit”.
"Nuk mund të besoj se kjo po ndodh. Unë jam 31 vjeç dhe gjithë jetën e kam para", tha Najaf për media, gjatë një bisede ku nuk e ka cekur vendin se ku gjendet e ku mbrohet nga policia gjermane.
Reperi thotë se me vargjet e tij nuk e ka lënduar askënd, prandaj nuk e ka ndërmend të kërkojë falje. 

Brand: Ende e dua Katy Perrn

Aktori britanik Russell Brand thotë se ai ende është i dashuruar në Katy Perry.
“Ende e dua atë si një qenie njerëzore. Por, ndonjëherë kur jeni në lidhje mendoj se kjo nuk funksionon, apo jo? Por kjo nuk do të thotë se jam penduar për diçka. Isha shumë i lumtur që u martova me të”.
“Ndonjëherë gjërat janë ndryshe dhe më pas ju vazhdoni kështu dhe tentoni të mbeteni në kontakt me atë çfarë është mirë për ju dhe për njëri-tjetrin... në çdo situatë”, ka thënë Brand.

Rita Ora darkon me Kim Kardashian

Këngëtarja Rita Ora është fotografuar duke darkuar me Kim Kardashian dhe vëllain e saj Rob Kardashian, me të cilin spekulohet se është një lidhje dashurie.
Gjatë mbrëmjes Rita dhe Kim janë dukur shumë të afërta me njëra-tjetrën, duke biseduar e qeshur për një kohë të gjatë.
Lidhja mes Rob dhe Ritës ende nuk është konfirmuar e as mohuar asnjëherë nga asnjëri prej tyre.

Capello në negociata me Chelsean?

Ish-përzgjedhësi i Anglisë, Fabio Capello, ka zhvilluar negociata me pronarin e Chelseat, Roman Abramovich.
Gazzetta dello Sport shkruan se Chelsea është në kërkim të një menaxheri më me përvojë për ta marrë nën drejtim dhe për ta rindërtuar skuadrën, pas eksperimentit të dështuar që bëri Andre Villas-Boas.
Sipas sportives italiane, Capello tashmë ka biseduar me Abramovich për të marrë nën drejtim ekipin sezonin e ardhshëm.
Strategu italian nuk e ka mbajtur sekret faktin se dëshiron t’i rikthehet punës në nivel klubi dhe është i gatshëm të rikthehet në Londër, pasi i ka pëlqyer koha e tij në kryeqytetin anglez kur drejtonte përfaqësuesen e Anglisë në futboll. 

Higuain drejt Juventusit

Juventusi raportohet se është takuar me familjen e Gonzalo Higuain, derisa Bianconerët janë në rrugë për të nënshkruar me sulmuesin e Real Madridit.
Sky Sport Italia shkruan se drejtori sportiv i Juventusit, Fabio Paratici, ka fluturuar në Madrid të mërkurën për të diskutuar mundësinë e nënshkrimit me Higuain, i cili besohet se nuk është i kënaqur në Santiago Bernabeu.
E ardhmja e argjentinasit me kampionët e La Ligës ka qenë cak i spekulimeve së fundi, dhe klubi nga Torino është përmendur si një prej destinacioneve të mundshme të tij.
Paratici besohet se ka folur me agjentin e Higuain, ndërsa është takuar edhe me babanë dhe vëllain e lojtarit.
Paris Saint-Germain mësohet se po ashtu është në kërkim të lojtarit, i cili ka një klauzolë blerëse në vlerën e 150 milionë eurove në kontratën e tij. 

NBA: Pacers në avantazh ndaj Heat

Indiana Pacers ka bërë befasinë duke shënuar fitore 94-75 ndaj Miami Heat për të kaluar në avantazh 2-1 në serinë e ndeshjeve gjysmëfinale të Konferencës Lindore.
Indiana nuk pritej të ishte rival i vështirë për Miamin në seri, por këta të fundit befasisht u mposhtën për të dytën herë nga kjo skuadër.
Djaloshi i madh, Roy Hibbert, luajti rolin më vendimtar duke shënuar 19 pikë dhe duke kontribuar me 18 kërcime për Pacers, me Heat që edhe kësaj here ishin pa të lënduarin Chris Bosh.
Mario Chalmers shënoi 25 pikë, derisa MVP i sezonit në NBA, LeBron James, shënoi 22 për Miamin. Ndeshja e katërt mes dy skuadrave zhvillohet të dielën në Indianapolis.
Në Perëndim, San Antonio Spurs ka vazhduar dominimin duke mposhtu Los Angeles Clippers me rezultat 105-88 për të kaluar në avantazh 2-0. Spursat, të cilët tash kanë 16 fitore radhazi, u udhëhoqën nga Tony Parker, që shënoi 22 pikë në ditëlindjen e tij të 30-të.
Ndeshja e tretë mes tyre zhvillohet nesër në Los Angeles. 

Suarez dëshiron të luajë në Spanjë

Sulmuesi i Liverpoolit, Luis Suarez, thotë se ëndërr e tij është një ditë të luajë në Spanjë edhe pse është i lumtur te klubi anglez.
25-vjeçari kaloi një sezon të vështirë te Redsat, pasi u përfshi në një mori incidentesh kontroverse derisa Liverpooli përfundoi i teti këtë sezon në ligë – më së keqi që nga viti 1954.
Uruguaiani është lidhur me një mori klubesh evropiane së fundi dhe tash ka deklaruar edhe vet se do t‘i pëlqente të luajë në La Liga.
“Shpresoj ta bëj këtë në të ardhmen pasi besoj se krahas ligave të Anglisë dhe Italisë, ajo është më e mira në botë. Çdo lojtar ëndërron të luajë në këto liga”.
“Nëse ju shikoni të gjithë thashethemet që lexoni në gazeta, do të çmendeshit. Koka ime është shumë e relaksuar, kam kontratë me Liverpoolin dhe jam i lumtur”, ka thënë Suarez për Marca. 

Pique: Nuk kam pasur probleme me Guardiolën

Mbrojtësi i Barcelonës, Gerard Pique, ka hedhur poshtë spekulimet se ai ka pasur një raport të ngrirë me trajnerin në largim, Pep Guardiola.
Mediat spanjolle muajt e fundit kanë shkruar se dyshja kanë pasur përplasje mes tyre dhe se Guardiola nuk e ka dashur 25-vjeçarin në ekip për sezonin e ardhshëm. Por Pique ka mohuar raportet e tilla dhe thotë se ai është i vendosur të qëndrojë në klub për shumë vite.
“Kurrë nuk kam pasur ndonjë problem me Guardiolën dhe ne gjithmonë i kemi thënë gjërat sy më sy kur kemi pasur diçka të themi”.
“Te një klub i madh si ky, e dini se jeni vetëm kalimtarë, por unë dua të qëndroj këtu për shumë vite, pavarësisht faktit se disave u pëlqen të flasin për transferime kur vjen vera”, ka thënë Pique për TV3.

Ribery: Disfata do t’i shkatërronte Blutë

Ylli i Bayern Munich, Franck Ribery, thotë se disfata për të dytën herë në një finale të Ligës së Kampionëve do ta shkatërronte Chelsean.
Ribery e di se pronari i Chelseat, Roman Abramovich, ka pritur një kohë të gjatë për të mbajtur në duar trofeun e më të mirit të Evropës dhe një dështim i dytë do të ishe goditje e rëndë për të.
“Abramovich ka dashur ta fitojë Ligën e Kampionëve për një kohë të gjatë. Nëse ata humbin të s shtunën, atëherë do të jetë tepër vështirë. Kjo do t’i shkatërronte ata në kokë dhe vërtet do të ulte moralin”, ka deklaruar Ribery. 

Vieira: Arsenali do t'i humbasë yjet

Drejtori sportiv i Manchester Cityt, Patrick Vieira, është i bindur se ata do të arrin t’ia marrin Robin van Persien ish-klubit të tij, Arsenalit.
Dhe legjenda e Topçinjve ka paralajmëruar ish-menaxherin e tij Arsene Wenger se edhe Theo Walcott dhe Jack Wilshere po ashtu do të largohen nëse Arsenali dështon ta mbajë në skuadër holandezin.
“Është një gjë të cilën ata duhet ta kishin mbyllur shumë kohë më parë. Është vështirë ta kuptosh. Është vërtet vështirë të gjesh lojtarë të kualitetit të Van Persiet me një vit të mbetur kudo në botë”.
“Është shumë rrezik, pasi ata humbën Samir Nasri dhe Cesc Fabregas vitin e kaluar. Nëse e humbin Van Persien, do të jetë një dramë e vërtetë”.
“Me Samir dhe Cesc, mund të thoni, ‘OK, ata dy shkuan por Jack Wilshere dhe Van Persie ende janë në klub’. Por nëse Robin largohet, kjo do të thotë se vitin tjetër mund të jetë Theo Walcott, tjetrin Wilshere”, ka thënë francezi.

Liverpooli t’i bëjë ofertë Guardiolës

Liverpooli raportohet se planifikon të kontaktojë trajnerin e Barcelonës, Pep Guardiola, për t’ia dhënë nën drejtim skuadrën.
The Sun shkruan se Guardiola është i pari në listën e Redsave ku po ashtu përfshihen edhe menaxheri i Wigan Athletic, Roberto Martinez, dhe ai i Swansea City, Brendan Rodgers.
Pronarët e klubit, Fenway Sports Group, e dinë se shanset për ta joshur Guardiolën janë të dobëta. Por ata mendojnë se do të ishte gabim së paku të mos e provojë shansin.
Guardiola do të largohet nga karrigia drejtuese e Barcës pas finales së Kupës së Mbretit dhe ka thënë se do të pushojë një vit për kaluar më shumë kohë me familjen e tij. 

Ballack: Bayerni favorit për ta fituar Ligën e Kampionëve

Ish-mesfushori i Chelseat dhe Bayern Munichut, Michael Ballack, e vlerëson skuadrën gjermane si favorite për ta fituar finalen e Ligës së Kampionëve.
Ballack kaloi katër vite me të dyja klubet dhe ishte pjesë e skuadrës së Bluve që u mposht në penalti nga Manchester United në finalen e vetme të mëhershme në këtë garë, atë të vitit 2008.
“Sigurisht Chelsea mund ta shqetësojë gjithkënd – ata e bënë këtë kundër Barcelonës. Gjithçka duket sikur Bayerni është favorit. Ata luajnë në shtëpi që është një avantazh i madh në një finale”.
“Ata eliminuan Real Madridin në gjysmëfinale dhe, edhe pse kishin dy ndeshje të vështira, e merituan. Ata kanë një skuadër të mirë dhe ishin në finale dy vite më parë, kur pësuan kundër Interit, andaj janë shumë të uritur”.
“Por Chelsea e di fuqinë dhe kualitetin e vet. Ata kanë kaluar një sezon të vështirë, por në disa javët e kaluara, kanë treguar se çfarë mund të bëjnë. Ata luajnë saktësisht ashtu si duhet për të fituar dhe ata ende kanë kualitete të pabesueshme”, ka thënë Ballack për Chelsea TV.

Zyrtare: Interi kompleton blerjen e Guarin

Interi ka kompletuar transferimin e mesfushorit të Portos, Fredy Guarin, ka bërë të ditur klubi portugez në faqen zyrtare.
Kolumbiani i bashkohet Interit në baza permanente pasi arriti që të impresionojë në disa ndeshje të luajtura në formë huazimi, përkundër faktit se ishte i lënduar.
“Marrëveshja me Interin është kompletuar për një shumë prej 11 milionë eurosh”, shkruan në komunikatën e klubit portugez. 
<

Emery: E kemi shitur Jordi Alban

Ish-bosi i Valencias, Unai Emery, ka pohuar se klubi tashmë e ka shitur anësorin e majtë, Jordi Alba.
Reprezentuesi spanjoll është lidhur me një kalim te Barcelona, pr ende nuk ka pasur ndonjë konfirmim për lajmin. Tani, Emery ka bërë të ditur largimin e Albas, por jo ekipin e tij të ri.
“Valencia është ekip që blen lojtarët të cilët nuk janë të mbaruar dhe më pas kur ata të jenë të mbaruar, i shet, ashtu sikurse që ka ndodhur me Jordi Alban”, ka theksuar Emery.
Pos Barcelonës, që e sheh Alban si zëvëndësues të Eric Abidal, për të janë interesuar edhe Manchester United dhe Milani. 

Schulz: Ekonomia greke jashtë Eurozonës do të rrënohet

Presidenti i Parlamentit Evropian, Martin Schulz ka deklaruar se ekonomia greke do të rrënohet për vetëm pak ditë, në rast se ky vend do të dalë nga Eurozona.
Deklarata e Schulz është bërë para vizitës së tij në Athinë. “Dalja eventuale e Greqisë nga Eurozona do të jetë një fillim i një zhvillim jashtëzakonisht negativ”, theksoi Schulz.
Ai ka theksuar se akoma nuk janë provuar të gjitha mundësitë për stabilizimin e peizazhit politik dhe kthimin e ekonomisë greke në rrugën e duhur.
Schulz ka shprehur kritika ndaj të gjithë atyre që po angazhohen për rrënimin e eurozonës. Kryetari i Parlamentit Evropian tha se do të bind liderin e partisë së dytë të majtë radikale Siriza për të pranuar planin e kursimit për shpëtimin e ekonomisë greke.

10 arsyet pse duhet të merrni pjesë

Pjesëmarrja në këtë konference nuk është dilemë
 Shumë kompani janë në dilemë se a duhet të financojmë menaxhmentin dhe stafin për të marrë pjesë në konferencën Marketing 3.0 – Marketingu i bazuar në vlerë, ku do të prezentoj Dr. Philip Kotler.
Më poshtë do t’i përmendim 10 arsyet pse duhet të merrni pjesë:
1. Do të keni rastin të ndëgjoni njeriun me influencën më të madhe në fushën e marketingut në 40 vitet e fundit
2. Kuptoni trendet mbi zhvillimet e fundit në marketingun e biznesit modern
3. Mësoni praktika të reja të marketingut të aplikueshme në kompaninë tuaj në Kosovë apo rajon
4. Kuptoni si të aplikoni modelin Marketing 3.0 – Marketingu i bazuar në vlerë
5. Gjeni inspirim dhe motivim për ide te reja për zhvillimin e biznesit tuaj
6. Do te keni mundësi që të njoftoheni me profesionistë të shumtë nga lëmia e marketingut, shitjes, relacioneve me publikun, etj.
7. Krijoni raporte të reja me më shumë se 500 njerëz të cilët ndajnë interesa të përbashkëta me ju
8. Gjeni klientë të ri potential apo edhe furnitor të ri më efektiv
9. Përfaqësoni kompaninë tuaj duke marrë pjesë në ngjarjen madhështore të marketingut
10. Certifikoheni nga i ashtuquajturi babai i marketingut Dr. Philip Kotler.
Për më shumë informata mbi konferencën, drejtohuni nëwww.kotler2012.com.
Ky është një rast unik e rastet unike nuk bën të humben.

Gretën ‘e dobëson’ politika

Pak ditë më parë, këngëtarja Greta Koçi ka mohuar lajmin për dorëheqjen nga posti e nënkryetares së Forumit Rinor të Partisë Demokratike të Shqipërisë.
Por, në fakt, vajza jo vetëm nuk është larguar nga ky post, por duket se po e ndien veten shumë mirë, madje është bërë më elegante, duke u marrë me këtë punë.
Në një fotografi të postuar së fundi, këngëtarja është tëholluar më tepër dhe ka filluar të duket më në formë.

Eliza Dushku në filmin 'The Scribbler'

Aktoret e “Buffy”, Michelle Trachtenberg dhe Eliza Dushku janë ribashkuar për të bërë filmin “The Scribbler”.
Në këtë film do të luajnë edhe aktorët Katie Cassidy, Garret Dillahunt dhe Sasha Grey.
Michelle Trachtenberg ("Gossip Girl") dhe Eliza Dushku ("Dollhouse") do të shihen përsëri së bashku qëkur ishin paraqitur në filmin e Joss Whedonit, "Buffy the Vampire Slayer".
Ato tani do të luajnë filmin e ri me emrin "The Scribbler".
Filmi i prodhuar nga “New Artists Alliance” do të fillojë prodhimin gjatë kësaj jave në LA.
Në "Scribbler" luajnë edhe aktorja Katie Cassidy ("Taken"), e cila do të luajë rolin e Sukit, një gruaje të re e cila përpiqet të bëjë shkatërrime të shumëfishta të njerëzve duke bërë një makinë eksperimentale të njohur si "The Siamese Burn”.
The Scribbler është njëri nga katër filmat që janë bashkë-prodhuar në mes të “New Artist Alliance, një kompani e specializuar për filma me buxhet të ulët dhe “ Caliber Media”.
Dy këto kompani edhe më parë kanë prodhuar filma së bashku.

Vdes mbretëresha e diskos, Donna Summer

Ka ndërruar jetë në moshën 63 vjeçare mbretëresha e diskotekave, Donna Summer, ka konfirmuar një familjar i saj për Associated Press.
Familja e Donnas ka lëshuar një komunikatë gjatë ditës duke thënë se ata në qetësi po tentojnë të tejkalojnë dhimbjen nga vdekja e saj.
Besohet se Donna Summer vdiq nga kanceri gjatë ditës së enjte në Napoli.
E njohur si mbretëresha e diskotekave, Summer lindi në Boston në vitin 1948. Ajo është pesë herë fituese e çmimeve Grammy dhe u bë e famshme në vitet e 70-ta me hitet si “Last Dance”, “Hot Stuff” dhe “Bad Girls”. 

Joshja: çështje “nuhatjeje”

Jan Havlecek, i Charles University të Pragës, ka zbuluar se meshkujt tërhiqen më së shumti nga aroma e lëkurës së femrës kur ajo është në fazën pjellore të ciklit mujor, ndërsa mendojnë se aroma e saj është më pak tërheqëse pikërisht gjatë ditëve të ciklit.
Një nga instinktet më të natyrshme për çdo specie të natyrës, është ajo e ruajtjes së vetes dhe të riprodhimit. Qeniet njerëzore, në këtë kuptim, nuk bëjnë përjashtim: këtë e vërteton një studim, sipas të cilit mashkulli është në gjendje të “nuhasë” ditët në të cilat femra është më pjellore, si pasojë e aromës së lëkurës së femrës.
Sipas asaj që shkruhet në revistën Ethology, kjo aftësi dallimi dhe ndryshimi dhe niveli i ndryshëm i tërheqjes karshi aromave të femrës, janë vetëm një pjesë e mekanizmit të rafinuar përgjatë evolucionit, me qëllim që t’i japë mashkullit sinjale për të kuptuar se kur është e gatshme partnerja e vet për riprodhim dhe kur jo.
Sinjalet e trupit varen nga një përzierje feromonesh dhe, edhe specia njerëzore, edhe pse e pajisur me aftësi të tjera ndërveprimi, nuk bën përjashtim në riprodhim dhe në çlirimin e këtyre substancave, të cilat shpërhapen kryesisht nëpërmjet djersitjes.

Kongresi i obstetrikës dhe gjinekologjisë

Kongresi i I -rë kosovar i Obstetrikës dhe Gjinekologjisë është eveniment profesionalo - shkencor dy ditor mbi shëndetin e gruas dhe fëmijës, që mbahet më 18-19 maj 2012 në Pejë. Kongresi organizohet në partneritet të Shoqatës së Obstetërve dhe Gjinekologëve të Kosovës (SHOGJK) dhe Shoqatës Shqiptare të Obstetrike Gjinekologjisë (SHSHOGJ ), nën patronatin e Kryetarit të Kuvendit Komunal në Pejë, Ali Berisha, dhe ndihmuar nga Ministria e Shëndetësisë, UNFPA, UNICEF, OBSH, AIHA, kompanitë farmaceutike dhe për pajime mjekësore. Sponsor i artë i këtij aktiviteti është kompania farmaceutike ALTUPHARMA.
Fusha e Perinatologjisë, Shëndeti reproduktiv, Neonatologjia, standardet dhe strukturat e kujdesit shëndetësor në lidhje me kancerin në Gjinekologji do të jenë tema te kongresit. Mjekët specialist, specializantët, mamitë dhe infermierët nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi do të marrin pjesë dhe do të fitojnë pikë sipas kritereve të Bordit për Zhvillim të Vazhdueshëm Profesional, i cili ka akredituar.
Si edhe viteve të mëparshme konferenca synon të prezantojë, shqyrtojë dhe vlerësojë gjithë aktivitetet e kryera dhe efektet e tyre në përpjekjet për përmirësim të mëtejmë të shëndetit të nënës dhe fëmijës, në përputhje me synimin e parë të Ministrisë së Shëndetësisë „Fillimi i shëndetshëm i jetës” dhe si kontribut i drejtpërdrejtë në përmbushjen e Objektivave Zhvillimore të Mileniumit të Ri nga institucionet dhe shoqëria kosovare.“Do të jetë edhe ky evinement në vazhdën e aktiviteteve të ndërmarra për sensibilizimin e opinionit të gjerë dhe institucioneve vendimmarrëse dhe nxitjen e tyre për të ndërmarr veprime të nevojshme dhe domosdoshme për të përmirësuar jetën e çdo nëne dhe çdo fëmije”.
Në konferencë do të prezantohet gjendja perinatale në Kosovë për vitet 2000-2011 (numri i lindjeve, shkalla e vdekshmërisë perinatale – të lindurit e vdekur dhe vdekjet e foshnjeve brenda 6 ditëve të para të jetës), vdekshmërin maternale nga të gjitha maternitetet e Kosovës. Kongresi do të jetë mundësi për shkëmbimin e përvojave, marrjen e njohurive dhe informatave të fundit nga fusha e shëndetit riprodhues, përfshi këtu të gjitha temat dhe dhe problematikën e kujdesit antenatal, ndihma dhe kujdesi gjatë lindjes, kujdesi në periudhën e hershme neonatale, probleme nga gjinekologjia me onkologji, dhe shume tema tjera.
Në përmbyllje të punimeve në ditën e parë të kongresit, me 18 maj në ora 18 pritet që të organizohet konferencë për shtyp nga ana e organizatorëve duke përcjellë tek publiku kosovar konkluzionet dhe rekomandimet e profesionistëve për situatën perinatale në Kosovë. 

Çipat e Elpida për Apple

Apple po vazhdon të zvogëloj vartësinë nga Samsung duke bashkëpunuar me kompaninë japoneze Elpida.
Siç shkruan Reuters, vlera e aksioneve të Samsung ka rënë 6 për qind (humbje prej 10 miliard dollarë) për shkak të informatave se Apple nga Elpida ka porositur sasi të mëdha të memories DRAM për pajisjet e veta mobile. Aksionet e SK Hynix njëkohësisht kanë rënë për 9 për qind.
Analistët e Merryll Lynch theksojnë se ky veprim nuk është asgjë e re – Elpida edhe deri tani 40 deri 60 për qind të prodhimtarisë së DRAM çipave mobil ia shiste Apple-it. Samsung madje 10 për qind të të hyrave totale operative i fiton nga shitja e DRAM çipave mobil, e kompania ka edhe mbi 50 për qind të posedimit në tregun global. Pasojnë SK Hynix me 22 dhe Elpida me 16 për qind të posedimit, që në të ardhmen mund të ndryshoj me investimet që do të bëj MIcron dhe me riorganizimin e kompanisë. 

Fetuset “fatsjellëse”!

Gjashtë fetuse njeriu, të pjekura dhe të praruara ar, janë konfiskuar tek një shtetas britanik, me origjinë në Bangkoku, deklaron për AFP policia e Tajlandës.
Chow Hok Kuen, 28 vjeç, u arrestua në lagjen kineze të Bangkokut, ndërsa fetuset janë gjetur në valixhe e tij. Ato ishin të destinuara për kontrabandë në territorin e Tajvanit. Burri i arrestuar i shpjegoi policisë se i ka blerë para disa ditësh në Tajlandë, për pesëmijë euro, ndërsa ka synuar t’i shes në Tajvan për një çmim gjashtë herë më të lartë. Origjinën e fetuseve policia ende nuk e ka vërtetuar.
"Ai tha se kishte planifikuar t’i shiste ato tek klientët të cilët besojnë se fetuset do t’i bëjnë të lumtur dhe të pasur", tha koloneli Wiwat Kamchamnan nga policia e Bangkokut.
Nëse gjykata e shpall atë fajtor, ai mund të dënohet me një vit burg dhe dymijë bahte për posedim të fetuseve njerëzore.
Në ritualet tajlandeze të magjisë së zezë, që ndodhin edhe në bashkësitë kineze, besohet se fetusi sjellë lumturi tek pronari, prandaj shpesh i ruajnë ato në faltore, në shtëpi dhe në dyqane

Tregon më shumë sa që duhet (Video)

Një prezantuese televizive e lajmeve ka mbetur me fytyrë të skuqur pasi kamera e ka kapur me fund të ngritur mbi kofshe.
Reporterja e Bloomberg, Sara Eisen, ka treguar pak më shumë sesa duhej – në fakt për një çast ua ka zbuluar të brendshmet shikuesve.
Megjithatë, ajo me shpejtësi mbulon pjesët intime të saj, ndërsa për këtë ‘incident’ i ka quajtur fajtorë “vështirësitë teknike”.
 

Shpendi "spiun"

Një shpend shtegtar ka shkaktuar alarm në Turqi, pasi disa fshatarë gabimisht e kanë konsideruar si spiun izraelit.
Shpendi është gjetur i ngordhur në një fushë, ndërsa dyshimi ishte ngjallur kur rreth këmbës së tij kishin gjetur një unazë me mbishkrimin 'Israel'.
Fshatarët e kanë thirrur policinë pasi kanë vlerësuar se sqepi i tij ishte shumë i madh dhe ka mundur të mbajë një mikroçip të vendosur nga inteligjenca izraelite e spiunimit.
BBC njofton se në këtë rast është përfshirë edhe Njësia kundër-terrorizmit. Mirëpo, pas ekzaminimeve nga ekspertët, shpendi është deklaruar ‘i sigurt’.
Ministria turke e Bujqësisë u ka shpjeguar banorëve se unaza e vendosur në këmbë ishte gjë normale për të ndjekur lëvizjen e shpendëve shtegtarë.
Një zyrtar pranë kësaj ministrie ka theksuar se i është dashur një kohë për t’i bindur fshatarët se shpendi nuk paraqet rrezik për sigurinë kombëtare.

Veterani ‘Rambo’ kinez

Një pensionist kokëfortë po e pengon zhvillimin e një projekti me vlerë prej 350 milionë funtesh, duke refuzuar që të largohet nga banesa e tij njëdhomëshe.
70-vjeçari Zou Mingcan nga Kunming i provincës kineze Yunnan, u ka shpallur luftë kompanive ndërtuese duke e mbushur banesën e tij në katin e gjashtë me armë të bëra nga vet ai dhe ka vënë mina të fshehura.
I veshur me një uniformë ushtarake, Zou qëndron roje në kulm me një numër të madh koktejesh molotovi, tulla dhe gurë, me të cilët i godet ata që përpiqen të afrohen.
Për t’iu hakmarrë, ndërtuesit ia kanë shkatërruar veturën dhe e kanë lënë jashtë ndërtesës.
“Unë kam qenë ndërtimtar dhe i di të gjitha mashtrimet. Ata nuk do të më largojnë nga këtu pa e paguar kompensimin e duhur. Unë e di sa vlen banesa ime për ata, prandaj është më mirë që të paguajnë”, ka thënë pensionisti. 

Lufta kundër korrupsionit, parullë politike

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka lëshuar një varg akuzash në drejtim të Agjencionit Kundër Korrupsion, i cili, sipas tyre, edhe pse e ka për obligim të verifikoj pasurinë e zyrtarëve, një gjë të tillë nuk e ka bërë me verifikimin e pasurisë së zyrtarëve qeveritar dhe institucioneve gjyqësore. Mu për këtë, KDI e vënë në pikëpyetje edhe punën e kësaj agjencie.
Gjatë një konference për media, të premten, Merita Mustafa menaxhere në Institutin Demokratik të Kosovës, ka thënë se pas një vlerësimi të raportit të Agjencisë Kundër Korrupsionit, KDI shpreh shqetësim për rezultatet minore që ka dhënë kjo agjenci deri më tani, kundër korrupsionit, sidomos shqetësues mbetet numri i vogël i rasteve të cilat përfundojnë me provat dhe arrestimet e zyrtarëve apo personat e korruptuar, njofton KosovaPress.
Sipas saj, të gjitha të dhënat në këtë raport dëshmojnë se ndikimi i kësaj Agjencie Kundër Korrupsionit, tek organet e ndjekjes, është simbolik, me vetëm gjashtë arrestime që nga themelimi i saj.
Mustafa një shqetësim të madh e sheh mosverifikimin e pasurisë tek zyrtarët qeveritar dhe tek institucionet gjyqësore, të cilat, sipas saj, janë segmentet më të korruptuara.
“Një element tjetër i cili, po ashtu, e vënë në pikëpyetje punën e kësaj agjencie dhe pavarësinë e saj është anashkalimi dhe mosverifikimi i pasurisë së zyrtarëve të lartë brenda dy institucioneve kryesore të shtetit e që janë Qeveria dhe gjyqësori të cilat njëkohësisht dyshohet se janë segmentet më të korruptuara të shtetit tonë”, ka thënë Mustafa.
Në Presidencën e Kosovës kanë deklaruar gjithsejtë 7 zyrtar të lartë pasurinë dhe të gjithëve u është bërë verifikimi. Ndërsa në parlament, 124 persona kanë deklaruar pasurinë dhe të gjithëve u është bërë verifikimi, ndërsa tek qeveria, sipas Mustafës, ka një mosverifikim, ku nga 871 persona sa kanë qenë të obliguar të deklarojnë pasurinë vetëm 54 iu është verifikuar ajo.
Tek gjykatat, 257 zyrtar kanë qenë të obliguar të deklarojnë pasurinë, kurse vetëm 4 prej tyre u është verifikuar, ndërsa tek institucionet e pavarura nga 220 sa kanë qenë të obliguar, asnjërit nuk u është verifikuar.
Mustafa ka shtuar se edhe përkundër këtyre fakteve, Kuvendi i Kosovës edhe pse është organi më i lartë i shtetit tonë dhe i cili duhet të jetë zëri i qytetarëve vazhdon të tregoj një indiferencë të skajshme ndaj këtij raporti dhe ndaj këtyre të dhënave duke aprovuar këtë raport dhe duke e shqyrtuar atë në prani vetëm të një ministri.
Po ashtu, ajo ka thënë se kohëve të fundit Agjencia Kundër Korrupsion nuk është duke u treguar shumë bashkëpunues me shoqërinë civile.
Nga ana tjetër, Kujtim Bytyqi nga KDI duke folur për Strategjinë Kundër Korrupsionit ka thënë se edhe ajo ka mangësi sikurse ato të mëparshmet.
“Edhe pse Strategjia Kundër Korrupsionit konsiderohet si një dokument shumë i rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit ajo vazhdon edhe kësaj here të ketë mangësi sikurse te dy strategjitë e mëparshme, si pasoj e kësaj nuk është miratuar as në Kuvendin e Kosovës. Pra, edhe kjo e fundit vazhdon të ketë qasje gjithëpërfshirëse në mungesë të studimit dhe hulumtimit përmbajtësor sa i përket natyrës, shkaqeve dhe shkallës së korrupsionit”, ka theksuar Bytyqi.
KDI konsideron se ky dokument është vetëm retorik dhe si i tillë, nuk mund të luftoj dhe të ndikoj aspak në eliminimin e dukurive korruptive. Si kusht për të dal nga kjo situatë, KDI e sheh të nevojshme kompletimin e ligjeve me theks të veçantë aprovimin e ligjit të konfiskimit të pasurisë së paligjshme, krijimin e një strategjie që do të adresonte drejt shkaqet e korrupsionit, si dhe krijimin e një Gjykate speciale të korrupsionit dhe krimit të organizuar, gjykatë e cila ekziston në disa vende të rajonit. 

Pasurinë nuk e kanë deklaruar 261 zyrtarë

Agjencia kundër korrupsionit ka filluar dërgimin në gjykatë të gjithë zyrtarëve që nuk e kanë deklaruar pasurinë këtë vit.
Kreu i Agjencisë, Hasan Preteni i ka thënë Radio Kosovës se tashmë kanë bërë gati 50 për qind të materialeve, të cilat do t’u dërgohen organeve gjyqësore. Këtë vit janë 261 zyrtarë që nuk e kanë deklaruar pasurinë.
Akoma pa përmbyllur as gjysmën e rasteve të vjetra të personave që nuk kanë deklaruar pasurinë, në Gjykatën Komunale për Kundërvajtje dërgohen lëndë të reja.
Pasi kanë kaluar afatet ligjore për dorëzimin e formularëve të pasurisë, organi antikorrupsion ka nisur në gjykatë paditë për gjithë ata që nuk i janë përgjigjur obligimit për deklarim pasurie.
Preteni, ka thënë se askush nuk do të përjashtohet nga ballafaqimi me drejtësinë. “Ne jemi në procedurë të dërgimit të të gjitha rasteve. Tashmë shumica e lëndëve janë bërë gati”, ka thënë Preteni.
Kreu i Gjykatës Komunale për Kundërvajtje, Mustafë Selimi, nuk ka folur për vendimet e kësaj gjykate, e cila shpesh për personat në të njëjtat pozita ka dhënë vendime në shpërputhje të mëdha. Por, ai ka folur për efektin e tyre.
“Deri më tani nuk kemi shifra të plota të të gjitha rasteve . Sa për vendimet gjyqtarët kanë qenë të pavarur në dënimet e tyre. Por, mendoj se kanë pasur efekt sepse zyrtarët që janë dënuar nuk i kanë përsëritur më veprimet”, ka thënë Selimi.
Reale apo të buta, dënimet me të holla që ka dhënë gjykata nuk janë ankimuar asnjëherë nga Agjencia Kundër Korrupsionit. Kjo është konfirmuar nga kryetarja e Gjykatës së Lartë për Kundërvajtje, Biliana Rexhiq.
Aktualisht, sipas numrit të rasteve që nuk kanë deklaruar pasurinë në Gjykatë janë mbi 300 lëndë të pakryera. Ndërkohë, 75 janë kryer deri më tani.
Deri më tani mosdeklarimi i pasurisë, me ligj, konsiderohej si kundërvajtje për të cilat ekzistonte dënimi prej 1000 deri në 2500 euro. Tani, me ndryshimet në Kodin Penal mos deklarimi i pasurisë është vepër penale për të cilin zyrtari mund të dënohet prej 1 deri në 3 vite burgim.

Dick Marty në Kosovë

Senatori zviceran, që vitin e kaluar bëri bujë me një raport që akuzonte udhëheqës të UÇK-së se kanë transplantuar ilegalisht organe të robërve të luftës së vitit 1998-1999, ka arritur në Kosovë. Kështu të paktën i kanë thënë “Zërit” burime vendore në orët e mbrëmjes të së enjtes.
Sipas këtyre burimeve, Marty megjithatë ka ardhur në cilësinë e dëshmitarit për një rast tjetër, atë “Medikus”, ku dyshohet se janë kryer transplantime pas luftës në Kosovë.
Në fakt, ftesa për Martyn që të vijë si dëshmitar ishte bërë për datën 18 qershor, sidoqoftë, ardhja e tij e mundshme, saktësisht një muaj më herët, mund të jetë bërë për shkaqe sigurie.
Dick Marty kishte zemëruar tejmase ish-udhëheqës të luftës së Kosovës pasi raporti i tij përpos bujës ndërkombëtare, ka nxitur miratimin edhe të një rezolute të Këshillit të Evropës që tani ka nisur hetime zyrtare për akuzat e tij.
Prokurori amerikan, John Clint Williamson, është caktuar në krye të një task force të veçantë për të kryer hetimet në kuadër të mandatit të EULEX-it.
Ardhja e mundshme e senatorit zvicran në Prishtinë përkon me kohën kur parlamenti shqiptar ka miratuar një ligj që i krijon hapësirë ligjore EULEX-it për të kryer hetime edhe në territorin shqiptar, ku Marty pretendon se janë kryer transplantimet ilegale të organeve.
Ndërkaq, sot, më 18 maj, ndonëse nuk ishte pjesë e agjendës që të dëshmonte Marty, është planifikuar që të mbahet seancë për rastin Medicus.
Burime ndërkombëtare në Bruksel janë shprehur të habitur me pyetjen e “Zërit”, ndërsa zëdhënësja për drejtësi në EULEX, Bardha Azari, përmes telefonit ka thënë se ky mision nuk ka kurrfarë informate për arritjen e Martyt.
“Ne i kemi dërguar ftesën z. Marty përmes kanaleve diplomatike të EULEX-it që të vijë si dëshmitar më 18 qershor në Kosovë, mirëpo deri tash nuk kemi kurrfarë përgjigje prej tij”, ka thënë Azari. 

Serbët paralajmërojnë protestë

E ashtuquajtura Komuna e Mitrovicës, në veri të këtij qyteti, ka paralajmëruar për sot në mesditë protestë të reja të serbëve, si reagim ndaj arrestimit të djeshëm nga policia e Kosovës, të një serbi.
Serbi .Miljkovicin (1975) është arrestuar dje si i dyshuar për pjesëmarrje në demolim të shtëpizës së policisë, e cila ishte vendosur në lagjen “Tre rrokaqiejt”, pas sulmit terrorist mbi familjen Haradinaj, nga e cili e pësoi me jetë kryefamiljari i saj, Selver Haradinaj.
Të arrestuari i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë. 

Edhe Agani akomodohet në UP

Ministri i Shëndetësisë në Qeverinë e Kosovës, Ferid Agani, më shumë se dy vjet para se t’i skadojë mandati i rregullt si ministër në Qeveri, i është rikthyer si profesor Fakultetit të Mjekësisë.
Ai, të njëjtën ditë kur Senati i Universitetit të Prishtinës i kishte dhënë deputetit të PDK-së, Bekim Haxhiut - Kamishit, titullin e asistentit, ishte caktuar nga i njëjti organ si profesor për lëndën psikiatri në Fakultetin e Mjekësisë, shkruan Koha Ditore.
Megjithëse në fillim kishte mbetur nën hijen e Kamishit, më vonë zërat nga Fakulteti i Mjekësisë kanë shfaqur pakënaqësitë e tyre duke theksuar se edhe emërimi i Aganit profesor në këtë fakultet është bërë në shpërputhje me nevojat, pasi që, siç janë shprehur ata, ka mjaft kuadër.
Më i zëshmi dhe krejt pa dorëza me këtë pakënaqësi është shprehur shefi i Katedrës së Neuropsikitarisë në Fakultetin e Mjekësisë, Sylen Vranica. Sipas këtij të fundit, nuk ka pasur asnjë nevojë për asnjë kuadër shtesë, ngase, siç ka pohuar ai, edhe ata profesorë që janë kanë shumë pak orë dhe se mezi i kanë ndarë ato.
“Aktualisht në këtë lëndë janë të punësuar 3 profesorë, të cilët i kanë vetëm 8 orë në javë, derisa, sipas rregullave, një profesor do të duhej që i vetëm t’i kishte 6 orë mësimi në javë”, ka thënë Vranica, duke konstatuar se sjellja e tij si profesor në këtë katedër vetëm sa e ka vështirësuar punën, ndërsa i krijon humbje buxhetit të Kosovës.
“Krejt pa nevojë po bëhen harxhime të parasë publike”, ka pohuar Vranica, teksa për vendosjen mësimdhënës të Aganit në këtë fakultet e ka fajësuar rektorin e Universitetit të Prishtinës, Mujë Rugova.
Ai ka pohuar se kur i ishte ofruar nga Rektorati që të nënshkruante dokumentin për pranimin e Aganit si profesor aty, nuk e kishte nënshkruar.

Kosova me regjim të vizave për Rusinë e Kinën

Republika e Kosovës nga 1 janari i vitit të ardhshëm do të vendosë regjim të vizave për 86 shtete të botës, ndërsa në këtë regjim të vizave do të hyjnë edhe Kina e Rusia.
Gazeta “Epoka e Re”, ka siguruar listën e shteteve për të cilat do të vlejë regjimi i vizave, ndërsa Ministria e Punëve të Jashtme i ka klasifikuar në dy grupe. Në grupin e parë janë përfshirë gjithsejtë 72 shtete, kurse në të dytin 14 shtete.
Në listën e shteteve për të cilat do të aplikohet regjimi i vizave ka të atilla, të cilat e kanë njohur Kosovën, por ka edhe prej atyre që nuk e kanë njohur dhe vazhdojnë ta kundërshtojnë pavarësinë e Kosovës, siç janë Rusia dhe Kina.
Nga 86 shtet sa janë gjithsej në listën e regjimit të vizave, asnjëra prej tyre nuk është anëtare e BE-së.
Përzgjedhja e shteteve, për të cilat do të aplikohet regjimi i vizave është bërë në bazë të kriterit se sa paraqesin kërcënim për sigurinë e shtetit të Kosovës, për paqen dhe stabilitetin ndërkombëtar, si dhe për vendet e listës së zezë të Shengenit.
Ja disa shtete, të cilave i është vendosur regjimi i vizave, Afganistani, Algjeria, Angola, Armenia, Bangladeshi, Benini, Burundi, Gana, Guinea-Bisau, India, Indonezia, Iraku, Irani, Jemeni, Liberia, Libia, Nigeria, Nigeri, Republika e Afrikës Qendrore, Rusia, Siera Leone, Siria, Somalia, Togo, Vietnami, Turkmenistani, Zambia, Zimbabve, Bregu i Fildishtë, Butani, Egjipti, Ekuadori, Madagaskari, Republika Domenikane, Senegali, Surinami, Xhamajka, etj. 

Zbogar: Kryeni punët

Përfaqësuesi i BE-së në Prishtinë, Samuel Zbogar, nuk u pajtua me kritikat që Kryeministri Thaçi ia adresoi Brukselit. Diplomati slloven porositi autoritetet kosovare që t’i kryejnë detyrat e shtëpisë rreth proceseve integruese. Ai tha se BE mbetet e përkushtuar ndaj Kosovës.
Kritikat e fundit të Kryeministrit Thaçi, drejtuar Bashkimit Evropian, duket së kanë hasur në vesh të shurdhër për shumicën e shteteve anëtare të BE-së, por jo edhe për njeriun që përfaqëson Unionin në Kosovë.
Pas deklaratave të fundit të kreut të Qeverisë se Bashkimi Evropian po vonon proceset integruese të Kosovës, Udhëheqësi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Samuel Zbogar i ka dalë në mbrojtje BE-së, duke siguruar kosovarët se përkushtimi për të ardhmen evropianë të vendit mbetet i palëkundur dhe se kjo po ndodh edhe në praktikë.
“Kosova ka perspektivë evropianë dhe ajo po ndodh praktikisht”, ka thënë përfaqësuesi i BE-së në një prononcim për media, raporton “Express”.
Sipas Zbogar, ndryshe nga sa mund të perceptohet në Kosovë, BE nuk ka ndryshuar qëndrim sa i përket perspektivës evropiane, por se ky është një proces, ku një pjesë të madhe të punës e kanë vetë institucionet dhe shoqëria kosovare.
Të enjten Zbogar, derisa po merrte pjesë në hapjen e një fabrike të mjaltit në Deçan, tentoi të japë përgjigje për të gjitha shqetësimet e fundit të kosovarëve, duke përfshirë atë se BE me qëllim është duke vonuar procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën.
Diplomati slloven tha se të gjitha premtimet që i janë dhënë Kosovës do të mbahen. Sipas tij, në pranverë Kosovës pritet t’i jepet udhërrëfyesi për vizat, megjithëse mbesin edhe disa diskutime të fundit mes shteteve anëtare gjatë muajit maj.
“Komisionerët evropianë gjatë vizitave në janar dhe mars e kanë thënë se Kosova do të marrë udhërrëfyesin për vizat gjatë pranverës dhe kjo shpresoj dhe pres të ndodhë. Megjithatë, diskutimet po vazhdojnë dhe mbeten disa diskutime të fundit gjatë këtij muaji”, ka thënë ai.
Zbogar e ka vlerësuar angazhimin dhe kurajën e institucioneve kosovare për të lëvizur përpara në agjendën evropiane, por ka thënë se ende mbetet shumë punë për t’u bërë.
Sipas tij, sa më shumë që Kosova futet në proceset e integrimit, aq më vështirë bëhet dhe aq më shumë kërkohet nga Kosova. Por, ka thënë ai, kjo është për të mirën e të gjithë qytetarëve të Kosovës.
Por, sipas përfaqësuesit evropian, Kosova nuk ka nevojë që të pres udhërrëfyesin dhe mund t’i kryej detyrat që i takojnë qysh tani.
Ai vlerëson se udhërrëfyesi nuk është fundi, por vetëm fillimi i procesit dhe se pas kësaj do të jetë në dorë të Qeverisë dhe vetë Kosovës si shoqëri që t’i bëjë gjërat që i takojnë, si për gjithë vendet tjera që kanë kaluar nëpër këtë proces.
Ditë më parë, kritika ndaj BE-së kishte drejtuar edhe Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Ulrike Lunacek, e cila kishte akuzuar disa shtete anëtare të Bashkimit Evropian se po bllokojnë procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën.
Lunacek kishte deklaruar se Franca, Belgjika, Holanda dhe Suedia janë shtete të cilat nuk po tregojnë vullnet për të lëvizur përpara me udhërrëfyesin për vizat. Por, Shefi i BE-së në Prishtinë nuk është pajtuar me këto deklarata.
Zbogar ka thënë se Lunacek flet si parlamentare e Parlamentit Evropian, dhe kjo nuk reflekton qëndrimin e BE-së ndaj Kosovës. 

Thaçi u frikësohet zgjedhjeve në PDK

Drejtuesit dhe anëtarët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) kanë lënë pas dore procesin e zgjedhjeve të brendshme, fillimi i të cilit ishte paralajmëruar rreth dy muaj më parë, gjatë një mbledhjeje të Këshillit Drejtues të kësaj partie.
Për zgjedhjet e brendshme, të cilat fillojnë nga nëndega dhe “kurorëzohen” me kuvendin zgjedhor, anëtarësia e partisë më të madhe në vend nuk janë duke gjetur “kohë të lirë”.
Anëtari i kryesisë së kësaj partie, Shemsi Veseli, i ka thënë “Zërit” se qëllimi është që zgjedhjet të mbahen brenda vitit, prandaj, sipas tij, PDK-ja nuk është duke u ngutur që ta përfundojë këtë proces.
“Gjithsesi që zgjedhjet në Partinë Demokratike do të kryhen brenda këtij viti. Çështja e kohës është relative, për arsye se jemi të preokupuar dhe të angazhuar rreth shumë aktiviteteve tjera”, thotë ai, duke shtuar se dhjetori i këtij viti do ta gjejë PDK-në me organe të reja.
Sipas tij, kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës së shpejti do të mblidhet dhe do të vendosë përfundimisht për datën se kur duhet të fillojë procesi i zgjedhjeve në nëndegë, në degë dhe në kryesinë qendrore.
Ndërsa zëdhënësi i kësaj partie, Blerand Stavileci, thotë se Këshilli Drejtues ka vendosur që kryesia e partisë të mblidhet nga fundi i muajit maj, prandaj, sipas tij, PDK nuk është vonë me këtë proces.
Nga ana tjetër, burime të “Zërit”, brenda PDK-së thonë se në partinë e kryeministrit Thaçi nuk ka vullnet për proces të mirëfilltë zgjedhor, prandaj ky proces nuk po nis edhe dy muaj pas paralajmërimit.