Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka lëshuar një varg akuzash në drejtim të Agjencionit Kundër Korrupsion, i cili, sipas tyre, edhe pse e ka për obligim të verifikoj pasurinë e zyrtarëve, një gjë të tillë nuk e ka bërë me verifikimin e pasurisë së zyrtarëve qeveritar dhe institucioneve gjyqësore. Mu për këtë, KDI e vënë në pikëpyetje edhe punën e kësaj agjencie.
Gjatë një konference për media, të premten, Merita Mustafa menaxhere në Institutin Demokratik të Kosovës, ka thënë se pas një vlerësimi të raportit të Agjencisë Kundër Korrupsionit, KDI shpreh shqetësim për rezultatet minore që ka dhënë kjo agjenci deri më tani, kundër korrupsionit, sidomos shqetësues mbetet numri i vogël i rasteve të cilat përfundojnë me provat dhe arrestimet e zyrtarëve apo personat e korruptuar, njofton KosovaPress.
Sipas saj, të gjitha të dhënat në këtë raport dëshmojnë se ndikimi i kësaj Agjencie Kundër Korrupsionit, tek organet e ndjekjes, është simbolik, me vetëm gjashtë arrestime që nga themelimi i saj.
Mustafa një shqetësim të madh e sheh mosverifikimin e pasurisë tek zyrtarët qeveritar dhe tek institucionet gjyqësore, të cilat, sipas saj, janë segmentet më të korruptuara.
“Një element tjetër i cili, po ashtu, e vënë në pikëpyetje punën e kësaj agjencie dhe pavarësinë e saj është anashkalimi dhe mosverifikimi i pasurisë së zyrtarëve të lartë brenda dy institucioneve kryesore të shtetit e që janë Qeveria dhe gjyqësori të cilat njëkohësisht dyshohet se janë segmentet më të korruptuara të shtetit tonë”, ka thënë Mustafa.
Në Presidencën e Kosovës kanë deklaruar gjithsejtë 7 zyrtar të lartë pasurinë dhe të gjithëve u është bërë verifikimi. Ndërsa në parlament, 124 persona kanë deklaruar pasurinë dhe të gjithëve u është bërë verifikimi, ndërsa tek qeveria, sipas Mustafës, ka një mosverifikim, ku nga 871 persona sa kanë qenë të obliguar të deklarojnë pasurinë vetëm 54 iu është verifikuar ajo.
Tek gjykatat, 257 zyrtar kanë qenë të obliguar të deklarojnë pasurinë, kurse vetëm 4 prej tyre u është verifikuar, ndërsa tek institucionet e pavarura nga 220 sa kanë qenë të obliguar, asnjërit nuk u është verifikuar.
Mustafa ka shtuar se edhe përkundër këtyre fakteve, Kuvendi i Kosovës edhe pse është organi më i lartë i shtetit tonë dhe i cili duhet të jetë zëri i qytetarëve vazhdon të tregoj një indiferencë të skajshme ndaj këtij raporti dhe ndaj këtyre të dhënave duke aprovuar këtë raport dhe duke e shqyrtuar atë në prani vetëm të një ministri.
Po ashtu, ajo ka thënë se kohëve të fundit Agjencia Kundër Korrupsion nuk është duke u treguar shumë bashkëpunues me shoqërinë civile.
Nga ana tjetër, Kujtim Bytyqi nga KDI duke folur për Strategjinë Kundër Korrupsionit ka thënë se edhe ajo ka mangësi sikurse ato të mëparshmet.
“Edhe pse Strategjia Kundër Korrupsionit konsiderohet si një dokument shumë i rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit ajo vazhdon edhe kësaj here të ketë mangësi sikurse te dy strategjitë e mëparshme, si pasoj e kësaj nuk është miratuar as në Kuvendin e Kosovës. Pra, edhe kjo e fundit vazhdon të ketë qasje gjithëpërfshirëse në mungesë të studimit dhe hulumtimit përmbajtësor sa i përket natyrës, shkaqeve dhe shkallës së korrupsionit”, ka theksuar Bytyqi.
KDI konsideron se ky dokument është vetëm retorik dhe si i tillë, nuk mund të luftoj dhe të ndikoj aspak në eliminimin e dukurive korruptive. Si kusht për të dal nga kjo situatë, KDI e sheh të nevojshme kompletimin e ligjeve me theks të veçantë aprovimin e ligjit të konfiskimit të pasurisë së paligjshme, krijimin e një strategjie që do të adresonte drejt shkaqet e korrupsionit, si dhe krijimin e një Gjykate speciale të korrupsionit dhe krimit të organizuar, gjykatë e cila ekziston në disa vende të rajonit.