Buffon: Anglia si Chelsea

Kapiteni i Italisë, Gianluigi Buffon, ka bërë listën e lojtarëve më të rrezikshëm të Anglisë, para supersfidës çerekfinale të Euro 2012.“Wayne Rooney ka karizëm dhe ai është lider, i cili e tërheq ekipin përpara. John Terry, Steven Gerrard dhe Ashley Cole janë po ashtu lojtarë që dinë të fitojnë”, ka thënë Gigi.

Portieri i Juventusit e ka lëvduar edhe homologun e tij te Tre Luanët, Joe Hart, duke thënë se së bashku me Manuel Neuer dhe Salvatore Sirigu, ai mund të bëhet një nga më të mirët në botë.

Për më shumë, Buffon e ka krahasuar stilin e lojës së Anglisë me atë të Chelseat që i solli triumfin në Ligën e Kampionëve.

“Chelsea ka luajtur jashtëzakonisht mirë në mbrojtje ndaj Barcelonës dhe Bayernit në Ligën e Kampionëve. Padyshim se edhe Barcelona edhe Bayerni janë ekipe më të forta se Chelsea, por ekipi londinez i mposhti. Në këtë aspekt mund të gjejmë ngjashmëri mes Chelseat dhe Anglisë”, ka shtuar Buffon. 

Laporta: Rosell dëshironte t’i shesë Puyolin, Xavin dhe Valdesin

Ish-presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, ka thënë se shefi aktual i Blaugranëve, Sandro Rosell, kishte planifikuar shitjen e yjeve, si Xavi, Carles Puyol dhe Victor Valdes.
Politikani katalunas nuk është i kënaqur me punën e presidentit aktual të Barcës dhe e ka kritikuar atë për mënyrën se si i udhëheq gjërat.
Për më shumë, Laporta ka deklaruar se është i gatshëm që të garojë për postin e presidentit.

Wenger: Paratë nuk janë motivim për mua

Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, e ka bërë të qartë se paratë nuk kanë qenë asnjëherë motiv gjatë karrierës së tij si trajner.
Francezi ka pasur një numër të madh ofertash me vite të tëra, ku ia janë premtuar paga të mëdha, por ai ka refuzuar luksin për besnikërinë.
“Mund të shkoja te klubet që më paguan dhjetë herë më shumë, por nuk kam shkuar. Kam 16 vite te Arsenali dhe qëndroj këtu, sepse është filozofia dhe vizioni im”.
“Paratë nuk janë motivimi im, ndërsa kjo vlen edhe për (Johan) Cryff te Ajaxi dhe (Wim) Jansen te Fayenoordi", ka thënë Wenger për De Telegraaf.

Cavani e Falcao në listën e dëshirave të Cityt

Manchester City ka bërë kërkesa për dy sulmuesit e përfolur, Radamel Falcao dhe Edinson Cavani.
Menaxheri Roberto Mancini i ka vënë në krye të listës dy sulmuesit latino-amerikanë, ndërkohë që kampioni i Anglisë pritet të largojë ndonjërin nga sulmuesit aktualë.
Shënjestra kryesore e Cityt për fazën e sulmit ishte sulmuesi i Arsenalit, Robin van Persie, mirëpo klubi është tërhequr paksa për shkak të shumës së lartë që kërkojnë Topçinjtë.
Ndërkohë, sulmuesi i Atletico Madridit, Falcao dhe ai i Napolit, Cavani, kushtojnë rreth 40 milionë funte së bashku. 

Borini qëndron te Roma

Në Itali janë kompletuar marrëveshjet rreth bashkëpronësisë së lojtarëve.
Transferi kryesor është Fabio Borini, i cili do të mbetet në Stadio Olimpico, pasi Roma ka siguruar pronësinë e plotë të 21-veçarit.
Ndërkohë, Fiorentina ka siguruar pronësinë e Andrea Lazzarit dhe Houssine Kharjas.

Milani dhe Interi të interesuar për Granqvist

Mbrojtësi i Genoas, Andreas Granqvist, ka bërë të ditur se Milani dhe Interi janë të interesuar për shërbimet e tij.
“E di se jam në listën e tyre të dëshirave. Do të shohim se çfarë do të ndodhë. Por kjo tregon se kam pasur një sezon të mirë me Genoan”.
“Në javën e ardhshme do të takohem me agjentin Martin Dahlin për të biseduar dhe për të shikuar opsionet e mia. Megjithatë, unë jam i lumtur te Genoa”, ka deklaruar suedezi. 

Edhe Juve për Ogbonnan

Juventusi i është bashkuar garës për nënshkrimin e mbrojtësit të Torinos, Angelo Ogbonna – raporton Goal.com.
24-vjeçari ka joshur interesimin e klubeve të mëdha, mes tyre edhe Milani, ndërsa është pjesë e përfaqësueses së Italisë në Euro 2012.
Rossonerët thuhet të jenë në krye të listës për të siguruar shërbimet e tij, megjithatë edhe Bianconerët pritet të jenë konkurrentë të fortë në këtë garë. 

Allen mohon të ketë një muzë

Filmbërësi i famshëm, Woody Allen, ka refuzuar të pranojë se frymëzohet nga aktoret që i përfshin në filmat e tij.
Bashkëpunimi i shpeshtë me aktoret, si Diane Keaton, Mia Farrow, Penelope Cruz dhe Scarlett Johansson, ka nxitur spekulime se ai sheh inspirim tek ato.
“Kur parakaloj nëpër tepihun e kuq, është vërtet frustruese sa herë që më pyesin nëse Scarlett Johansson apo Penelope Cruz është muza ime e re. Nëse xhiroj ndonjë film me dikë, njerëzit menjëherë mendojnë se kam muzë dhe se dua një muzë”, ka deklaruar Allen.

Rodman akuzohet për sulm fizik ndaj ish-gruas

Ylli i dikurshëm i NBA, Dennis Rodman, është akuzuar për sulm fizik ndaj ish-gruas së tij Michelle Rodman.
Incidenti thuhet të ketë ndodhur në fund të muajit maj, ndërsa Michelle është paraqitur në një gjykatë duke kërkuar që t’i ndalohet afrimi Rodmanit.
Sipas TMZ, Dennis kishte hyrë në shtëpinë e ish-gruas në orët e hershme të mëngjesit dhe e ka sulmuar pasi ajo nuk e ka lejuar që të takohej me djalin e tij.
Më pas ai është larguar dhe ka kërkuar që të dilte për drekë me djalin, ndërsa Michelle ka pranuar me kusht që edhe ajo të ishte e pranishme. Dhe, pasi ka pirë disa gota, Rodman ka filluar ta ofendojë atë dhe të dashurin e saj në sy të djalit. 

AGPK t’i drejtohet Avokatit të Popullit, pastaj në Kushtetuese

Asociacioni i Gazetarëve Profesionistë të Kosovës në konsultim me mediat vendase ka vendosur që t’i drejtohet Avokatit të Popullit me kërkesën që vendimin e Kuvendit të Kosovës për mos heqjen nga Kodi Penal të neneve 37 dhe 38 t’i dërgojë në Gjykatën Kushtetuese.
Siç transmeton Radio Evropa e Lirë, AGPK ka paralajmëruar edhe vazhdimin e protestave të gazetarëve deri në ndryshimin e këtyre dy neneve, të cilat nga mediat vendase konsiderohen se cenojnë lirinë e shprehjes dhe rrezikojnë punën e tyre.
Të premten, Kuvendi i Kosovës nuk miratoi kërkesën e presidentes Atifete Jahjaga për heqjen nga Kodi Penal të neneve 37 dhe 38 që kanë të bëjnë me sanksionimin e shpifjes dhe zbulimin e burimit të informacionit, në rastet kur bëhet fjalë për procedime kriminale.
Një vendim i tillë çoi deri te dorëheqja e zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi, si dhe nxiti reagime nga presidentja Atifete Jahjaga, kryeministri Hashim Thaçi dhe përfaqësuesi i posaçëm i BE-së në Kosovë, Samuel Zbogar, të cilët e konsideruan vendimin e Kuvendit si kthim parapa që cenon lirinë e shtypit dhe medias së lirë.

“Tendencë dhe dëshirë për kontroll të plotë të mediave”

Miratimi për herë të dytë nga ana e Kuvendit të Kosovës të Projekt-Kodit me nenet 37, 38 dhe 39, është një dëshmi e qartë e tendencës dhe dëshirës për kontroll të plotë të mediave të pavarura - thuhet në një komunikatë të lëshuar nga Lëvizja “Vetëvendosje”.
“Duhet përkujtuar që është pikërisht Qeveria e Kosovës dhe pikërisht Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, që e sollën Projekt-Kodin Penal me këto nene në Kuvend në dhjetor të vitit të kaluar. Asokohe, duke e pasur shumicën në Kuvend, ata e miratuan këtë Projekt-Kod dhe, në fund, edhe pse e ktheu presidentja Jahjaga në rishqyrtim, ata e rivulosën Projekt-Kodin me të njëjtat nene, duke iu falënderuar grupit të deputetëve të PDK-së me në krye shefin e saj, Adem Grabovci”, thuhet në komunikatën e “Vetëvendosje”, ku theksohet se ndryshimet në Projekt-Kodin Penal, ”pra heqja e neneve të dëmshme, nuk kaloi vetëm për dy vota”.
Sipas kësaj lëvizjeje, neni 37 mundëson që media të shndërrohet në fajtor për gjithçka dhe të ndëshkohen gazetarët redaktorët, botuesit, shtypshkronjat e deri te shpërndarësit e gazetave. “Asnjë Kod Penal i vendeve perëndimore nuk përmban një nen të tillë apo të ngjashëm. Ky nen është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, neni 40 dhe 43 si dhe me nenin 10 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut”, sqaron “Vetëvendosje”.
Lëvizja “Vetëvendosje” ka njoftuar se së shpejti do të procedojë në Kuvend “Projektligjin për mbrojtjen e burimeve të gazetarisë”, i cili, siç thuhet, do të ofrojë një mbrojtje shumë të gjerë të burimeve dhe lirisë së shprehjes.

Rezultatet e testit të Maturës më 30 qershor

Për rreth 31 mijë maturantët e Kosovës është organizuar dita e dytë e Provimit të Maturës Shtetërore 2012. Gjatë kësaj dite, maturantët patën mundësinë të përgjigjeshin në 80 pyetje sa përmbante testi nga lëndët e përafërta me drejtimin, pasi që në ditën e parë të provimit, të mbajtur më 9 qershor, ata iu nënshtruan testit me 120 pyetje nga lëndët e përgjithshme.
Nehat Mustafa, kryetar i Komisionit Qendror Shtetëror të Maturës (KQShM), njëherësh zëvendësministër i Arsimit, vizituan maturantët, të cilët iu nënshtruan provimit të maturës në shkollën fillore “Xhemajl Mustafa” në Prishtinë, e më pas edhe ata në gjimnazin “Sami Frashëri”.
“Jemi në këtë shkollë për të vizituar nxënësit që po testojnë njohuritë e tyre. Siç po shihet, çdo gjë ishte në rregull. Ministria e Arsimit, në bashkëpunim me Drejtoritë Komunale të Arsimit, dhe me shkollat ku po organizohet testi, kanë bërë të gjitha përgatitjet e duhura që ky test të shkojë si duhet”, tha Mustafa.
Ai tha se informatat nga terreni flasin se testi ka filluar pothuaj në të gjitha qendrat në kohën e duhur.
Ndërsa, drejtori i DKA-së në Komunën e Prishtinës, Halim Halimi tha se testi ka filluar me kohë në tërë komunën. “Sipas reagimeve të nxënësve, pyetjet janë të bazuara në planprogrameve të zhvilluara gjatë viteve”, tha ai.
Publikimi i rezultateve të provimit do të bëhet më 30 qershor. Afati i ankesave të nxënësve do të jetë nga 2-4 korrik, ndërkaq publikimi i rezultateve të ankesave do të bëhet më 5 korrik.
Njësitë akademike të cilat këtë vit do të bëjnë pranimin e studentëve pa provim pranues janë: Fakulteti i Bujqësisë dhe Veterinarisë, Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike dhe Fakulteti i Shkencave Matematiko- Natyrore, Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike, Fakulteti i Gjeoshkencës dhe Teknologjisë, si dhe Fakultetet e Shkencave të Aplikuara në Ferizaj dhe Pejë. 

Nikolic premton vazhdimin e dialogut me Kosovën

Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, ia ka bërë të ditur presidentit serb Tomisllav Nikolicit se Washingtoni është i interesuar që Serbia të kontribuojë në paqen dhe stabilitetin e Ballkanit.
Ajo ka kërkuar që Serbia të vazhdojë të mbajë marrëdhënie të mira me fqinjët dhe të çështjet të zgjidhet me dialog, raportojnë mediat serbe.
Sipas këtyre mediave, Nikolic ka thënë se Serbia është e gatshme të vazhdojë dialogun me Prishtinën në kuadër të stabilizimit të situatës në rajon.
Gjithashtu Nikolic ka kërkuar nga Clinton, që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të investojnë në Serbi.
Kurse në Beograd, shefi i ekipit të Serbisë në bisedimet me Kosovën, Borislav Stefanovic, ka deklaruar se qeveria e re duhet ta vazhdojë dialogun me Prishtinën.
Stefanovic ka deklaruar se Qeveria e re e Serbisë është e obliguar t’i zbatojë të gjitha marrëveshjet e arritura në bisedimet e deritashme.
“Problem serioz është çështja e pazgjidhur e autotargave, liria e lëvizjes dhe përfaqësimi rajonal i Kosovës, gjegjësisht pyetja se a do të gjendet fusnota në tabelë apo jo”, ka thënë Stefanovic.
Ai ka vlerësuar se ekipi i ri i qeverisë për bisedime me Prishtinën do të ketë detyrë të vështirë, por beson se do të arrijë rezultat të mirë. 

Messi tifoz i Spanjës

Superylli argjentinas, Lionel Messi, ka deklaruar se do t’i pëlqente që Spanja të shpallej kampion në Euro 2012.Furia e Kuqe të shtunën mbrëma do të përballet me Francën në çerekfinale, ndërsa nëse kualifikohet në gjysmëfinale, atje e pret Portugalia e Cristiano Ronaldos.

“Më duhet të pranoj se nuk e kam ndjekur Kampionatin Evropian, nuk kam ndonjë favorit të pastër”.

“Por do të më pëlqente që Spanja të fitonte për shkak të bashkëlojtarëve të mi që kam atje”, u ka thënë Messi gazetarëve.

Lahm: Të mos i përsëritim gabimet

Kapiteni i Gjermanisë, Philipp Lahm, mendon se kombëtarja e tij mund të luajë shumë më mirë sesa që luajti ndaj Greqisë.‘Die Mannschaft’ siguruan gjysmëfinalen e Euro 2012 pas triumfit prej 4-2 ndaj helenëve, por mbrojtësi i Bayern Munichut kërkon përmirësime për kundërshtarin e ardhshëm, Anglinë ose Italinë.

“Ia vështirësuam vetes punët pa nevojë. Patëm shumë shanse kundër një skuadre që bënte lojë defensive që nga fillimi. Nuk shënuam dhe kjo i vështirësoi gjërat”.

“Dhe kur më në fund e shënuam golin, nuk patëm kujdes dhe pranuam (gol). Bëmë shumë gabime dhe duhet t’i rregullojmë këto”, ka thënë Lahm për ZDF.

Capello: Nëse jo Italia, Gjermania e eliminon Anglinë

Ish-trajneri i Anglisë, strategu italiain Fabio Capello, beson se nuk ka lidhje kush fiton në çerekfinale të dielën, pasi Gjermania do të eliminojë cilindo ekip.“Unë kam ndjenja të përziera për ndeshjen e të dielës”.
 
“Unë kam punuar me Anglinë katër vite dhe nuk është e lehtë ta harroj. Sidoqoftë, Spanja dhe Gjermania do të jenë dy finalistët e Euro 2012”, është shprehur Capello.

Hart ka frikë nga Balotelli

Portieri i Anglisë, Joe Hart, është shprehur i brengosur me impaktin që mund të ketë në duelin e ardhshëm bashkëlojtari i tij te Manchester City, Mario Balotelli, nga i cili ka frikë.“Ai mund të jetë rrezik i madh, ai është lojtar i madh. Por, përpos që e njoh unë, edhe Joleon Lescott e njeh atë, që do të ketë punë direkt me Balotellin”.
 
“Është ndeshje krejt ndryshe nga sa jemi mësuar, unë kurrë nuk kam dashur të luaj ndaj këtij njeriu. Por, do të jetë shumë interesant të shohim se çfarë do të sjellë ai në tavolinë”, ka thënë Hart.
 
Anglia takohet me Italinë në duelin çerekfinal që do të përcaktojë kundërshtarin e fituesit të çerekfinales tjetër Greqi – Gjermani që zhvillohet sonte.

Seedorf ende i pavendosur për të ardhmen

Legjenda holandeze, Clarence Seedorf, nuk ka vendosur akoma nëse do t’i bashkohet Botafogos, edhe pse lajmet e fundit thonë se vetëm konfirmimi zyrtar e ndan nga ky klub.
“Ajo që mund të them është se kurrë më parë gjatë karrierës sime nuk kam marrë kaq shumë oferta”.
“Më duhet kohë të mendoj dhe të marr një vendim, njësoj siç bëra para se të largohesha nga Interi dhe t’i bashkohesha Milanit në vitin 2002”.
“Por, do ta merrni vesh të ardhmen time shumë shpejt. Në ditët në vijim, të gjithë do ta dinë. Megjithatë, kam nevojë për një përvojë të re; është koha për ndryshime”, ka thënë Seedorf. 

‘Messi e Neymar më të mirët në botë’

Mesfushori ofensiv i Atletico Mineiro, Ronaldinho, është shprehur krenar që ka ndikuar në zhvillimin e Lionel Messi dhe Neymar, dhe ka thënë se ata janë dy lojtarët më të mirë në botë.
“E shoh Neymarin që i ka të gjitha, ai është tashmë një nga më të mirët në botë për mua. Po e inkurajoj shumë që në të ardhmen të bëhet më i miri në botë”.
“Mirëpo, kuptohet, nga ana tjetër kam mikun tim Messin, i cili po i shkatërron të gjithë. Për mua, këta dy për momentin janë më të talentuarit në botë”, ka thënë për Globoesporte ish lojtari i Barcelonës dhe Milanit.

Asistenti i Capellos kritikon Rooneyn

Italo Galbiati ka kritikuar rëndë Wayne Rooney për komentet e tij të fundit, ku ka vënë në dyshim kualitetet e strategut italian, Fabio Capello.
Galbiati është asistent i besueshëm i Capellos dhe beson se komentet e Rooneyt janë pa vend. Ai mbrojti punën e bërë të tyre me Anglinë gjatë viteve të fundit.
“Ai është mos mirënjohës. Capello e ka bërë veten të kuptueshëm dhe të respektuar. Futbolli ka vetëm një gjuhë: topin. Ai nuk mund të na mësojë asgjë. Anglia tani është ekip solid, i mirë dhe i fortë në kundërsulme”, ka theksuar Galbiati.

Zyrtare: United transferon Kagawan

Gjiganti anglez, Manchester United, ka bërë të ditur se ka kompletuar transferimin e mesfushorit ofensiv japonez, Shinji Kagawa.
Më herët gjatë muajit United kishte arritur marrëveshjen me Dortmundin, ndërsa pas testeve mjekësore, lojtari ka nënshkruar kontratë katërvjeçare.
“Shinji është lojtar i jashtëzakonshëm me aftësi të mëdha, vizion dhe sy të mirë për gol. Jam i ngazëllyer që ka zgjedhur të vijë te United. Besoj se ai do të bëjë impakt në ekip shpejt, pasi i përshtatet lojës tonë. Ne mezi presim të punojmë me të”, ka theksuar pas nënshkrimit Sir Alex Ferguson. 

Pedro dëshiron Alban dhe Martinez në ekip

Pedro e ka sugjeruar Barcelonën që të ndërmarrë hapa konkret për transferimin e Jordi Albas dhe Javi Martinezit në Camp Nou.
“Le të shpresojmë se Barca e transferon Alban. Ai është lojtar i mrekullueshëm. Ai është i kompletuar, ai mund të luaj edhe si anësor, por edhe si mbrojtës i krahut, është i shpejtë dhe godet fuqishëm me të majtën”.
“Ai do t’i përshtatej shpejt Barcelonës, kështu që shpresojmë se ai, por edhe Martinez do të transferohen”, tha Pedro.

Messi: Barcelona m’i realizoi ëndrrat

Lionel Messi ka falënderuar Barcelonën që arriti t’i ndihmojë atij në realizimin e ëndrrave si futbollist profesionist.
“Që kur isha tri-katër vjeç unë ëndërroja që të bëhem futbollist. Unë ecja me një top futbolli dhe gjithë ajo që doja të bëj ishte të luaj. Kam dashur të jem vetëm futbollist, asgjë tjetër, unë nuk mendoja për asgjë tjetër. Nëse nuk do të kisha mundur të jem futbollist, nuk e di se çka do të kisha qenë sot”.
“Unë nuk e di se çfarë kishte parë Barcelona te unë, por unë gjithmonë do të jem falënderues për atë që kanë bërë për mua. Në atë kohë, kisha një trajtim të shtrenjtë mjekësor dhe ata mbuluan të gjitha shpenzimet dhe ma ofruan mundësinë për të luajtur”, është shprehur Messi. 

Përmirësojeni seksin me joga

Problemet në seks më së shpeshti janë pasojë e stresit, pamundësisë për relaksim, por edhe arritjes së kënaqësisë në momentet intime.
Ndërsa sapo trupi të relaksohet, gjaku fillon të rrjedhë lirshëm nëpër arterie dhe qarkullon deri në gjenitale. Organet seksuale në këtë mënyrë pranojnë më shumë gjak që për meshkujt do të thotë ereksion më i mirë dhe më i gjatë, ndërsa për femrat ndjeshmëri e shtuar e klitorisit.
Joga përveç që njeriut i jep fleksibilitet dhe muskuj bukur të ndërtuar- si edhe përparësi të ndryshme fizike dhe psikike- në radhë të parë shërben për çlirimin nga stresi. Duke e praktikuar jogën, në trup shtohet sensualiteti, vetëbesimi dhe energjia. Ata të cilët e praktikojnë jogën janë më të hapur dhe më intimë me partnerët dhe kanë orgazma më të mira, pjesërisht edhe për shkak të pozitës.
Disa nga pozitat më të preferuara për qarkullimin e gjakut janë ‘Upavistha Konasana’ dhe ‘Baddha Konasana’.
Rekomandohet edhe kombinimi i 12 pozitave të ndryshme që quhet ‘Surya Namaskar’, përmes të cilave mund t’i tendosni nervat në pjesën e pelvikut, gjë që është shumë e rëndësishme për seksualitet. Po ashtu, stimulohen hormonet seksuale, zvogëlohet kortizoli (hormoni i stresit) dhe vjen deri te baraspesha seksuale.
Prandaj provojeni jogën, sepse sjell vetëm dobi.

Me ushqim mbrohuni nga dielli

Padyshim që tashmë dini gjithçka në lidhje me kremrat me faktor përgjegjës mbrojtës dhe sa të dëmshme janë rrezet e diellit për lëkurën tuaj. Por a e keni ditur se ushqimi i caktuar mund të na ndihmojë nga efekti i dëmshëm i UV...
Domatet
Gjatë verës domatet mund të konsumohen me ushqime të ndryshme, ndërsa ka të tillë që i hanë si mollën. Antokisduesi likopen që është i pranishëm në domate zvogëlon ndjeshmërinë e lëkurës ndaj diellit dhe djegies.
Shalqiri 
Kur të shkoni herën tjetër në treg të blini pemë, mos harrona të blini shalqi. Edhe gjatë qëndrimit në plazh mund ta hani shalqirin e famshëm, i cili është mbrojtës natyror i lëkurës suaj nga dielli
Manaferrat, boronicat 
Shpeshherë mezi e presim verën që të kënaqemi me manaferra dhe boronica, që mund të hahen si të vetme, si sallata pemësh ose si pjesë e tortave të ndryshme. Janë shumë të pasura me antioksidues që kanë efekt mbrojtës nga rrezet UV.
Spinaqi
Gjyshet dhe nënat gjithmonë ju kanë folur se spinaqi është i shëndetshëm, dhe kanë pasur të drejtë. Vitamina në spinaq ndihmojnë në luftën kundër efektit negativ të rrezeve të diellit, ndërsa ngadalësojnë edhe procesin e plakjes së lëkurës,
Në listën e ushqimeve shumë të dobishme për mbrojtje nga veprimi i dëmshëm i rrezeve ultravjollce të diellit bëjnë pjesë edhe patatja, karota, peshku, çaji i gjelbër dhe i zi, çokollata etj. 

iOS dhe Mac App Store në 32 vende të reja

Në ngjarjen e WWDC’së e cila është mbajtur më herët gjat këtij muaji, Apple ka njoftuar se sistemi i saj operativ, iOS, por edhe dyqani virtual i aplikacioneve për kompjuterët e saj, Mac App Store do të lansohet në 32 shtete të reja, disa prej të cilave tashmë kanë fituar qasje.
Në listën e 32 shteteve të reja përfshihen vendet si Fixhi, Ukraina, Nepali, dhe shumë vende të tjera, ndërsa zhvilluesit së shpejti do t’i shohin aplikacionet e tyre në 32 shtete më shumë.
Njësoj sikurse iOS, edhe Mac App Store ka qenë shërbim shumë popullor në mesin e përdoruesve lojal të kompjuterëve Mac, ndërsa më herët gjatë muajit Apple njoftoi se në dyqanin e saj të aplikacioneve janë shkarkuar më shumë se 30 miliardë shkarkime nga mbarë bota.

Vdes duke shikuar futboll

Një tifoz i fiksuar pas futbollit nga Kina ka ndërruar jetë, pasi 11-të net rresht ka përcjellë ndeshjet e Kampionatit Evropian të futbollit.
Për shkak të dallimeve kohore mes Evropës dhe Kinës, me kohë të atjeshme shumica e ndeshjeve fillojnë pas orës 2:45 të mëngjesit. Vdekja e tij ka ndodhur në sfidën Itali-Irlandë, të cilën Azzurrët e fituan me rezultat 2-0.
26-vjeçarin e ka gjetur të vdekur nëna e tij përpara televizorit. Sipas Sansijang Metropolis, i ndjeri ishte anëtar i ekipit të futbollit në fakultetin e tij, ndërsa nuk ishte ankuar asnjëherë për probleme shëndetësore.
“Ne pushonim kohë pas kohe, ndërsa ai dëshironte t’i ndiqte të gjitha ndeshjet”, ka thënë një mik i tij.
Sipas mjekëve, mungesa e gjumit ia ka dobësuar fuqinë organizmit, gjë që ka sjellë deri te vdekja. 

Të shtunën pjesa e dytë e provimit të Maturës

Të shtunën, rreth 35 mijë maturantë do t’i nënshtrohen pjesës së dytë të provimit të maturës. Derisa në pjesën e parë të provimit më 9 qershor, i janë nënshtruar testit në lëndët e përgjithshme: gjuhë shqipe, gjuhë angleze dhe matematikë, në pjesën e dytë do të përgjigjen në pyetjet nga lëndët që janë të përafërta me drejtimet që i kanë ndjekur gjatë shkollimit të mesëm dhe që përbëjnë dyzet për qind të pyetjeve.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, testi i maturës fillon në ora 10:00, ndërsa do të përmbajë 80 pyetje.
Në këtë proces do të jenë të angazhuar 900 komisione, 2 mijë e 600 administrues të cilët drejtpërdrejtë do të merren me administrimin, dhe së paku 300 monitorues nga UP-ja.

Qeveria paguan “Swiss Diamondin” për mikun e Pacollit

Behgjet Pacolli ftoi gjatë marsit një guvernator nigerian për vizitë në Kosovë, angazhoi protokollin shtetëror për ta pritur, e akomodoi në hotelin më luksoz në Kosovë dhe e përcolli me një garanci se Kosova do të investojë në shtetin e tij.
Megjithëkëtë, paraja e buxhetit të shtetit dedikuar akomodimit të mysafirit afrikan u derdh në biznesin e Pacollit, shkruan “Koha Ditore”.
Zyra e kryeministrit ka deklaruar një shumë prej rreth 12.500 eurosh të jetë shpenzuar për vizitën zyrtare në Kosovë të guvernatorit të shtetit IMO të Republikës Federale të Nigerisë, Owelle Anayo Rochas Okorocha.
Kjo zyrë nuk ka treguar shumë detale rreth organizimit të vizitës dhe as për mënyrën se si është përzgjedhur hoteli për ta akomoduar guvernatorin.
Pacolli prej kohësh ka proklamuar se Nigeria, shtet me ndikim në Afrikë, e ka njohur Kosovën. Por ai është demantuar në këtë pohim, madje së fundi edhe nga administrata e Shteteve të Bashkuara.
Gazeta kishte raportuar disa herë se Pacolli nuk po e deklaronte të vërtetën për njohjen. Edhe vetë guvernatori Okorocha ishte përmbajtur në deklarim gjatë vizitës në Kosovë, kur ishte pyetur nga gazetarët për çështjen e njohjes.

Bisedime për format

Brukseli ende nuk ka marrë ndonjë vendim rreth formatit të dialogut. Zyrtarë të BE-së kanë deklaruar se për këtë do të vendoset pas bisedimeve me palët.
Një nga arsyet që procesi nuk do të mund të zhvillohet deri në vjeshtë janë vonesat për formimin e Qeverisë së re në Beograd dhe pushimet verore.
Bashkimi Evropian ende nuk ka vendosur se në çfarë formati do të vazhdojnë bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë. Sipas zyrtarëve në Bruksel, për këtë pritet të vendoset pasi të diskutohet me të dyja palët.
Sipas burimeve të gazetës “Express”, BE është duke pritur edhe formimin e Qeverisë në Beograd për të proceduar më tutje.
“Para se të mund të vazhdojmë, duhet të formohet Qeveria në Beograd. Kur të bëhet kjo, do të diskutojmë me të dyja palët se cila do të jetë mënyra më e mirë për të vazhduar dialogun”, ka thënë një zyrtar i BE-së i afërt me dialogun.
Një ditë më parë, lehtësuesi i bisedimeve Robert Cooper vizitoi Kosovën dhe takoi Kryeministrin Hashim Thaçin, por jo edhe kryenegociatoren Edita Tahiri.
Zyrtarët e BE-së thonë se është në dorën e Thaçit të vendosë se kush do të marrë pjesë nga pala kosovare në takime me zyrtarët evropianë.
“Takimi ishte me Thaçin edhe natyrisht varet nga ai që të vendosë se kush merr pjesë në takime nga pala kosovare. Nuk di ma shumë diçka se kjo, por kam parë raportet mediale ku z. Kuçi thotë se zonja Tahiri mbetet në këtë pozitë”, ka thënë zyrtari evropian.