Dokumentet e Kosovës i cilësojnë përpjekje për asimilim

Kryeshefi ilegal për qarkun e Mitrovicës, Radanko Nedelkovic dhe kryetarët e komunave paralele në veri të Kosovës, kanë thënë se presionin e ndërkombëtar për pajisjen e serbëve me dokumente të Kosovës do ta konsiderojnë përpjekje për asimilim të dhunshëm të serbëve dhe të komuniteteve të tjera jo shqiptare.
Nedelkovic dhe kryetarët ilegalë të katër komunave serbe në veri kanë biseduar sot në Mitrovicë me shefin e UNMIK-ut, Farid Zarif, të cilit i kanë thënë se "nëse pjesëtarët e EULEX-it dhe KFOR-it të vazhdojnë të bëjnë presion mbi serbët dhe komunitetet e tjera jo shqiptare për të marrë dokumentet e Kosovës, do ta konsiderojnë këtë si përpjekje e asimilimit të dhunshëm", transmetojnë mediat serbe.
"Qytetarët duan të mbajnë dhe të ruajnë identitetin e tyre dhe nuk duan të jenë kosovarë", tha shefi Nedelkovic, pas takimit të mbajtur me kërkesën e UNMIK-ut.
"Ne i kemi thënë shefit të UNMIK-ut se edhe mendojmë se të gjithë duhet të kenë lirinë e lëvizjes dhe kështu do të jetë atëherë kur EULEX-i dhe KFOR-i t’i kthehen mandatit të tyre fillestar", tha Nedelkovic.
"Edhe shefi i ekipit të Beogradit në bisedime me Prishtinën ka konfirmuar se qytetarët mund të lëvizin me dokumentet e lëshuara nga Ministria e Brendshme e Serbisë dhe se marrëveshja nuk nënkupton se ata duhet të bëjnë ri-regjistrim të automjeteve të tyre dhe të kenë dokumente të Kosovës", tha Nedelkovic.
Ndërsa shefi i UNMIK-ut nuk është deklaruar pas takimit, kurse Nedelkovic u ka thënë gazetarëve se Zarif është pajtuar që të gjitha misionet ndërkombëtare duhet të kenë liri të plotë të lëvizjes për të kryer mandatin e besuar.
Serbët në veri të Kosovës dhe KFOR-it ranë dakord për të deri të mërkurën EULEX-i mund të lëviz në veri të Kosovës i shoqëruar nga automjetet e KFOR-it, por me kusht që të mos ndihmojë vendosjen e institucioneve të Prishtinës në veri.

Cooper kërkon respektimin e marrëveshjes

Ndërmjetësi i Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë – Serbi, Robert Cooper, u ka bërë thirrje organizatorëve të takimeve të ardhshme rajonale që të respektojnë dispozitat e marrëveshjes për përfaqësimin rajonal të Kosovës, të cilën në Bruksel e arritën përfaqësuesit e Beogradit dhe Prishtinës.
"Do t'ju isha mirënjohës sikur t'i kushtoni vëmendje konkluzioneve dhe të siguroni që ato të respektohen çdo herë kur kryesoni ose jeni mikpritës i takimit të ndonjë forumi rajonal, që përfshihet në konkluzione", ka theksuar Cooper në një letër, bashkë me të cilën ua ka përcjellë edhe tekstin e marrëveshjes, transmeton Koha.net.
Delegacioni i Beogradit dhe Prishtinës më 24 shkurt kanë arritur në Bruksel marrëveshjen për përfaqësimin rajonal të Kosovës dhe për menaxhimin e integruar të vendkalimeve kufitare.

FOL kërkon shkarkimin e Bukoshit

Bujar Bukoshi duhet menjëherë të japë dorëheqje ose të shkarkohet nga kryeministri Hashim Thaçi, pasi që tashmë prokuroria e Shtetit ka konfirmuar nisjen e hetimeve për korrupsion ndaj tij, ka thënë Fidan Kalaja i Lëvizjes Fol.
Në një konferencë për media, ku FOL-i ka prezantuar për shkeljet dhe korrupsionin e bërë nga zyra e prokurimit publik, Kalaja ka thënë se i takon kryeministrit Thaçi që ta shkarkojë Bukoshin, pasi që ai i cili i ka shpallur luftë korrupsionit, duhet ta luftojë atë nga kabineti i tij.
Sipas Lëvizjes FOL, Bukoshi gjatë kohës sa ishte ministër i Shëndetësisë në bashkëveprime me zyrtarët e tjetër të ministrisë, të cilët tashmë janë arrestuar, kanë dhënë tenderë të ndryshëm duke përfituar shuma të majme nga operatorët ekonomikë.
Koordinatori i projekteve, Armend Pajaziti, prezantoi rezultatet e raportit Monitoruesi i Prokurimit Publik 2011. Ai tha se “ministritë kanë bërë shkelje të shumta ligjore në gjithsej 30 tenderë të ndryshëm.
Ministria e Drejtësisë ka bërë shkelje ligjore në katër tenderë, Ministria e Administratës Publike, Ministria e Infrastrukturës dhe Ministria e Kulturës - në katër tenderë, Ministria e Forcës së Sigurisë dhe ajo e Bujqësisë - në tre tenderë, si dhe Ministria e Shëndetësisë dhe ajo e Zhvillimit Ekonomik - në dy tenderë.
Ndërkaq, ministritë me shkelje ligjore vetëm në një tender janë Ministria e Financave, ajo e Punëve të Brendshme dhe Ministria e Diasporës”.
Në raportin e FOL thuhet se Prokurimi vazhdon të mbetet më i korruptuari, ku sipas gjetjeve të tyre, janë shkelur dispozita ligjore në 30 tenderë të dhënë nga ministritë e Kosovës.

Çeku mohon mundësinë e kalimit në PDK

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, aktualisht ministër i Forcës së Sigurisë, Agim Çeku ka mohuar se e ka ndërmend të braktisë partinë që drejton dhe t’i bashkohet Partisë Demokratike të Kosovës.
Ai i tha “Kohavisionit” se nuk e ka ndërmend të “ndërrojë parti”, duke rikujtuar se ai dhe partia e tij janë pjesë e koalicionit qeverisës.
Ndryshe, mediat kanë raportuar se radhëve të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) së shpejti pritet që do t’u bashkohen edhe kryetari i Partisë Socialdemokrate, Agim Çeku, ish-shefi i SHIK-ut, Kadri Veseli, profesorë universitarë dhe përfaqësues të mediave. 

Gyl: Turqia do të vazhdojë ta përkrah Kosovën

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga është takuar në Stamboll me presidentin e Republikës së Turqisë, Abdullah Gyl, ndërkaq ky i fundit ka theksuar se shteti turk do të vazhdojë ta përkrahë njohjen dhe konsolidimin ndërkombëtar të Republikës së Kosovës, në të gjitha forumet rajonale dhe ndërkombëtare.
Jahjaga në takimin me presidentin turk e vlerësoi ndihmën dhe përkrahjen që Turqia po i jep Kosovës në të gjitha proceset nëpër të cilat po kalon vendi. Ajo tha se të dyja vendet duhet të zgjerojnë bashkëpunimin e ndërsjellë në veçanti në fushën e tregtisë.
Presidentja theksoi se Republika e Kosovës ka ndërtuar marrëdhënie të mira me të gjithë fqinjët e saj dhe po luan një rol të rëndësishëm si faktor paqeje dhe stabiliteti në Ballkan.
“E ardhmja e të gjitha vendeve të Ballkanit është në Bashkimin Evropian dhe ato duhet ta ndihmojnë njëra tjetrën në proceset integruese”, tha Jahjaga, duke shtuar se Republika e Kosovës ka dëshmuar përkushtimin e saj në këtë rrugë të integrimeve edhe me dialogun me Republikën e Serbisë që po zhvillohet me ndërmjetësimin e BE-së.
Ndërkaq, presidenti i Turqisë, Abdullah Gyl theksoi përkushtimin e vendit të tij për të thelluar më tej bashkëpunimin politik e ekonomik ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Turqisë.
Ai vlerësoi përparimin e arritur në Kosovë në procesin e shtet ndërtimit dhe përsëriti zotimin e tij se shteti turk do të vazhdojë ta përkrahë njohjen dhe konsolidimin ndërkombëtar të Republikës së Kosovës, në të gjitha forumet rajonale dhe ndërkombëtare.
Presidenti Gyl dhe presidentja Jahjaga biseduan edhe rreth mundësisë së një vizite që presidenti turk do të zhvillojë në Kosovë dhe mënyrat e thellimit të bashkëpunimit të mëtejme ndërmjet dy vendeve. 

Bisedimet për veriun të rrezikshme

Përfaqësuesit e partive politike në Kuvendin e Kosovës kanë thënë se nëse veriu hyn në bisedime, situata në vend mund të përshkallëzohet. Deputetët e pozitës dhe opozitës kanë thënë se Qeveria duhet të heq dorë nga koncesionet që po bën në bisedimet në Bruksel.
Reagimet e partive politike vijnë pas një deklarate të komandantit të KFOR-it Erhard Drews se për veriun nevojitet vetëm një zgjidhje politike.
Nuk janë vetëm deputetët e opozitës që po kundërshtojnë bisedimet në Bruksel, duke i bërë thirrje Qeverisë që të ndërpres koncesionet në bisedimet me Serbinë. Madje deputeti i partisë Demokratike, Nait Hasani, i ka thënë shefit të tij Hashim Thaçit se nëse mendon që me bisedime politike të zgjidhë çështjen e veriut, ai do të ndez edhe njëherë luftën në Kosovë.
“Deklaratat e KFOR-it dhe EULEX-it janë mjerane. Edhe deklaratat e Robert Cooper-it po tregojnë se ne nuk kemi pasur asnjëherë bisedime teknike me Serbinë. Kjo tregon që ne nuk kemi pasur një pavarësi të mirëfilltë. Ne kemi pasur një pavarësi jo të kontrolluar, por të shkatërruar. Ne kemi pasur vetëm kënaqjen e epsheve të disa njerëzve. Ata që mendojnë se me bisedime politike mund të zgjidhin çështjen e veriut gabojnë dhe ndezin edhe një luftë në Kosovë”, ka thënë Hasani, raporton Radio Kosova.
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Teuta Sahatqiu, ka thënë se Qeveria do të bisedojë tani edhe për veriun duke vazhduar të bëjë pazare në dëm të sovranitetit të Kosovës.
“Fatkeqësisht, pas fusnotës, Qeveria tani po hyn në bisedime për veriun, duke dhënë një pas një koncenisone dhe duke rrezikuar edhe sovranitetin e shtetit”, ka thënë Sahatqiu.
Ndërsa, Liburn Aliu, nga Lëvizja Vetëvendosje, ka thënë se bisedimet duhet të ndërpriten.
“Nuk mund të flitet për veriun parcialisht tash ngase kjo është pjesë e një zinxhiri të madh negociatash, të cilat kanë pru deri këtu. Ne vazhdojmë të kërkojmë atë që është opsioni i vetëm, ndërprerjen e negociatave dhe duhet të hidhen poshtë të gjitha marrëveshjet që janë bërë në negociata deri më tani”, ka thënë Aliu.
Përfaqësuesit e trupave paqeruajtëse në Kosovë dhe ata të misionit të Bashkimit Evropian për sundim të ligjit vazhdojnë të shohin çështjen e veriut si një problem që duhet të zgjidhet vetëm në rrugë politike.

Krasniqi: Kujdes, çka po bisedoni!

Çështja e bisedimeve është e përcaktuar edhe me rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, edhe në atë të që e ka nxjerrë Kuvendi i Kosovës, ndërsa tejkalimi i atyre kufijve bie mbi ata që janë futur në këtë çështje, për të cilën nuk kanë pasur përgjegjësi. Kështu ka vlerësuar sot kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, në një konferencë për media.
Krasniqi ka thënë se nuk është i informuar që bashkësia ndërkombëtare të ketë kërkuar futjen e veriut si pjesë politike të bisedimeve.
“Unë edhe njëherë po e deklaroj se nuk kam asnjë informacion dhe asnjë kërkesë nga asnjë faktor ndërkombëtar për të biseduar për atë çështje, por një gjë dua ta them, raportet e Kosovës me Serbinë janë raporte të nivelit nacional dhe unë mendoj se duhet të respektohet kjo formë e këtij niveli dhe këto bisedime duhet të vlerësohen si të tilla dhe duhet të jetë i kyçur i gjithë spektri politik i Kosovës”, ka thënë ai, raporton Kosovapress.
Krasniqi ka shtuar se çështja e bisedimeve në mes Kosovës dhe Serbisë është e përcaktuar edhe në rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara si dhe në rezolutën që e ka nxjerrë Kuvendi i Kosovës.
Sipas tij, ata që i kanë tejkaluar këta kufij, përgjegjësia bie mbi ata që i kanë hyrë kësaj çështjeje pa pasur përgjegjësi.
“Tash nuk duhet të japë vlerësime se çfarë janë këto bisedime. Ne e dimë që këto bisedime janë zhvilluar mbi bazën e një rezolute të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ka qenë kërkesa për të biseduar për çështje teknike dhe për çështje të lehtësimit të qytetarëve të Kosovës dhe nëse tejkalohen këto që janë precizuar edhe në Rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme edhe në rezolutën e Kuvendit, mendoj se përgjegjësia është e atyre që janë futur në një çështje që s’ka qenë përgjegjësi e tyre”, ka thënë ai.
Krasniqi ka shtuar se bashkësia ndërkombëtare duhet të bëjë më shumë presion mbi Serbin, në mënyrë që ajo të sillet konform marrëveshjeve të arritura, e mbi të gjitha, të sillet edhe konform rezolutës 1244, e cila i heq të gjitha përgjegjësitë e Serbisë mbi çdo pjesë të territorit të Kosovës.
Ai gjithashtu ka thënë se Kuvendi i Kosovës ende nuk e ka të qartë se çka është duke u biseduar në bisedimet me Serbinë dhe pret që Qeveria me një raport më të detajuar ta informojë Kuvendin.

Bogdanovic: Prishtina po provokon

Pretendimet që serbët e Kosovës që nga 1 qershori duhet patjetër të përdorin targat RKS ose KS dhe dokumentet e Kosovës paraqet një provokim të Prishtinës, ka thënë ministri serb për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Goran Bogdanovic, duke thënë se asgjë që ka të bëjë me këtë çështje ende nuk është precizuar.
Sipas Bogdanovicit targat dhe dokumentet do të jenë temë e negociatave ndërmjet shefit të ekipit negociator të Beogradit, Borko Stefanovic, dhe ndërmjetësit evropian, Robert Cooper, gjatë javës së ardshme.
”Mirëpo një numër i konsiderueshëm i serbëve, që jetojnë në jug të Ibrit, i përdor targat dhe dokumentet e Kosovës për shkak të sigurisë personale. Kjo nuk do të thotë se i njohin, por thjesht janë të detyruar për të mundur të lëvizin më lirisht. Të gjithëve u është e ditur sesa është më e vështirë situata e sigurisë në këtë zonë sesa në veri”, ka thënë Bogdanovic për gazetën ”Vecernje novosti”.
Bogdanovic thekson se serbët e veriut të Kosovës askush nuk mund t'i detyrojë të përdorin targat ose dokumentet e institucioneve të Kosovës, të cilat nuk ekzistojnë në zonën e veriut.
Po ashtu Bogdanovic ka kritikuar EULEX-in për shkak se në vendkalimet Jarinjë dhe Bërnjak ka shpërndarë afishe në të cilat shkruan se qytetarët e Kosovës nga 1 qershori patjetër duhet të kenë tabela KS ose RKS, letërnjoftime, patentë shoferë dhe leje qarkullimi të Kosovës.

Gjermania, 27 milionë euro për Kosovën

Qeveria gjermane është zotuar për ndarjen edhe të 27 milionë eurove të tjera për Kosovën në fushat e energjetikës, ujërave, ekonomisë dhe arsimit. Kjo u bë e ditur pas mbajtjes së konsultimeve për bashkëpunimin zhvillimor në mes të Kosovës dhe Gjermanisë.
“Gjatë konsultimeve ndërqeveritare gjermano-kosovare për bashkëpunim ekonomik zhvillimor, të cilat u mbajtën më 12 mars 2012 në Prishtinë, Qeveria gjermane është zotuar për një mbështetje të mëtutjeshme të vendit më të ri në Evropë për të përmirësuar kushtet e jetesës dhe për afrimin e tij me BE-në”, thuhet në një njoftim të ambasadës gjermane në Prishtinë.
Sipas njoftimit, të dy delegacionet u pajtuan për të forcuar edhe më tej bashkëpunimin në fushat e ekonomisë dhe nxitjes së punësimit, arsimit, si dhe energjisë e infrastrukturës së ujërave. Për këtë bashkëpunim, qeveria gjermane planifikon – me kusht të miratimit përfundimtar të institucioneve relevante qeveritare gjermane – të vë në dispozicion 27.7 milionë euro të tjera për vitin 2012.
Në sektorin e energjisë Gjermania planifikon të mbështes sërish Qeverinë e Kosovës në ndërtimin e kapaciteteve të rrjetit të transmetimit të energjisë, ashtu që popullsia të mund të përfitojë në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të kontribuojë njëkohësisht në integrimin e tregut kosovar në atë evropian.
Mjetet financiare, të cilat ishin zotuar që në vitin 2010 për ndërtimin e impianteve për trajtimin e ujërave do të rriten. “Nëpërmjet kësaj jepet një kontribut i qenësishëm në përmirësimin e qëndrueshëm të kushteve të jetesës së qytetarëve kosovarë”, thuhet në njoftimin e ambasadës.
Gjermania, pas SHBA-ve, është donatori i dytë më i madh bilateral për Kosovën. Që nga fillimi i bashkëpunimit, në vitin 1999, Qeveria gjermane është angazhuar me sukses me afërsisht 400 milionë euro për rindërtimin dhe zhvillimin e Kosovës. 

Konsumatori i (pa) mbrojtur

Muaji mars, i cili njihet si muaji i konsumatorit, Kosovën e gjen në një situatë mjaft shqetësuese, sa i përket rrezikut që vjen nga produktet e dyshimta si dhe mungesa e angazhimit institucional në këtë drejtim, thonë përfaqësues të organizatave joqeveritare që merren me mbrojtjen e konsumatorit.
Udhëheqësi i organizatës joqeveritare “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku thotë se ligji dhe programet për mbrojtjen e konsumatorit i ofron qytetarëve një mbrojtje të mirë, por kjo, sipas tij, nuk praktikohet.
Sipas Kaçanikut, moszbatimi i ligjit për mbrojtjen e konsumatorëve ka bërë që tregu kosovar të jetë i furnizuar me produkte me afat të skaduar dhe me cilësi të dyshimtë. “Institucionet e shtetit po na urojë muajin e konsumatorit më një sërë ngritje të çmimeve dhe më një ngritje enorme të çmimit të energjisë elektrike. Qeveria duhet të veprojë në uljen e çmimeve”, thekson ai.
Angazhimi për mbrojtjen e konsumatorit kosovar është kërkuar edhe nga mekanizmat ndërkombëtarë. Në raportet e tyre ata kishin theksuar nevojën për angazhim më të fuqishëm institucional në këtë drejtim.
Përveç ligjit për mbrojtjen e konsumatorit, në Kosovë ekziston edhe programi i hartuar nga Qeveria e Kosovës për mbrojtjen e konsumatorit 2010 – 2015. Përfaqësues të institucioneve të Kosovës thotë se janë duke punuar vazhdimisht për arritjen e standardeve evropiane për mbrojtjen e konsumatorit.
Kryesuesi i Këshillit për Mbrojtjen e Konsumatorit të Kosovës në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, Izer Arifi, thotë ende mungon vetëdijesimi i qytetarëve për të paraqitur ndonjë rast kur konsumatorit i shkelet e drejta. “Gjatë kësaj kohe, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë është në funksion të zbatimit të ligjit aktual dhe programit për mbrojtjen e konsumatorit. Gjatë këtij viti do ta ndryshojmë ligjin, ku janë përfshirë edhe direktivat evropiane të cilat nuk kanë qenë të përfshira”, theksoi ai.
Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka organizuar “Javën e konsumatorit”, që ka për qëllim vetëdijesimin e konsumatorëve rreth të drejtave të tyre.

Ekonomia botërore po rimëkëmbet

Ekonomia botërore gjatë muajve të fundit ka shfaqur ritme rritjeje të ngadalësuara. Në raportin e publikuar të hënën nga Banka e Shqipërisë (BSH), theksohet se "tensionet e theksuara në tregjet financiare të lidhura me krizën e borxhit të lartë publik të shumë vendeve të zhvilluara, kanë ndikuar në klimën e përgjithshme të besimit tek bizneset dhe konsumatorët, duke i dhënë një frenim të mëtejshëm ripërtëritjes ekonomike".
Ndërkohë që vendet e zhvilluara në Eurozonë kanë regjistruar norma modeste rritjeje, duke sinjalizuar mundësinë e kthimit në rënie ekonomike në periudhat e mëvonshme.
Vonesa e krijuar në gjetjen e një zgjidhjeje për krizën e borxhit të pranuar dhe të mbështetur nga të gjithë aktorët kryesorë politikë dhe ekonomikë, ka kushtëzuar ecurinë ekonomike dhe pritet të ndikojë edhe në vitin në vijim. Mbështetur në treguesit ekonomik, ekspertët vlerësojnë se rritja ekonomike ka qenë e dobët edhe në vendet e EQL. Normat e larta të rritjes, të vërejtura në periudhat e mëparshme në shumë nga këto vende, ia kanë lënë vendin vlerave të moderuara të përmirësuara.
Në Eurozonë, kriza e borxhit ka ndikuar negativisht performancën ekonomike në Evropë e më gjerë si dhe ka nxitur e ushqyer perceptimin e ndjenjës së pasigurisë në tregjet financiare. Uljet e fundit të normës bazë nga BQE janë interpretuar si përpjekje për nxitjen e aktivitetit ekonomik dhe nevojë për të ofruar kushte më të lira financimi për agjentët bankarë. Papunësia ka qenë në rritje që nga mesi i 2011, duke arritur në 10.3 për qind në muajt e fundit.
Inflacioni ka qëndruar në 3 për qind gjatë tremujorit të tretë, duke u lehtësuar disi në 2.8 për qind në muajin dhjetor. Ngadalësimi i rritjes ekonomike mendohet se do të ushtrojë presione të mëtejshme disinflacioniste.
Sipas raportit të Banka e Shqipërisë, ekonomia e Eurozonës e këtyre dy viteve të fundit e ka mbështetur rimëkëmbjen e saj kryesisht tek eksportet, stimuli fiskal, investimet dhe konsumi i brendshëm.
Përkeqësimi i krizës së borxhit ka ndikuar negativisht te këta zëra pasi, megjithëse qeverive u kërkohet të ndjekin politika rigoroze fiskale, klima e pasigurisë ka frenuar shpenzimet dhe dëshirën për investime dhe së fundi, efektet e ndërsjella të krizës së borxhit te ekonomia botërore kanë qenë negative, duke kontribuar kështu në uljen e kërkesës së jashtme.

AKP, sot vendimi për mospërmbushjen e kushteve

Bordi i Drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), pritet të marrë sot vendim rreth pesë ndërmarrjeve të privatizuara me spin-off special, të cilat nuk i kanë përmbushur kushtet e kontratës. Ka njoftuar zëdhënësi i AKP-së Ylli Kaloshi. Ai tha se Bordi është duke mbajtur një mbledhje për këtë çështje, dhe se mund të vendosë për marrjen e aksioneve dhe ri-privatizimin e tyre.
Blerësit e pesë ndërmarrjeve shoqërore, të privatizuara me metodën e spin-offit special, nuk i kishin përmbushur kushtet e kontratës sa i përket investimeve dhe numrit të të punësuarve, as pas disa afateve të dhëna nga bordi i drejtorëve të AKP-së. Prandaj ky organ kishte përcaktuar 15 marsin si afat përfundimtar për përmbushjen e zotimeve, në të kundërtën, kishte paralajmëruar marrjen e aksioneve.
Zëdhënësi i AKP-së, Ylli Kaloshi, tha për Radio Kosovën se bordi i drejtorëve është duke mbajtur një mbledhje sot, për të diskutuar për këtë çështje, por nuk dha më shumë detaje.
Më parë, bordi i AKP-së, kishte formuar një grup punues dhe kishte mbajtur takime me poseduesit e kontratave, në përpjekje për të gjetur një zgjidhje për të dalë nga kjo situatë.
Udhëheqësi i këtij grupi, njëherësh nënkryetar i Bordit, Naser Osmani, thotë se ky vendim është marrë më 16 dhjetor të vitit të kaluar, ndërsa zbatimi fillon më 15 mars. “Ne kemi zhvilluar shumë takime. Më 15 mars, vendimi fillon të ekzekutohet për ato kompani, të cilat grupi punues vlerëson që nuk kanë bërë asnjë lëvizje pozitive në këtë drejtim. Ne kemi hipotekën dhe e kemi të regjistruar si ‘Ndërmarrje e Re’; do të thotë kemi të drejtën e kthimit të aksioneve në gjendjen e mëhershme siç kanë qenë”.
Ndërmarrjet të cilat rrezikohen nga marrja e aksioneve janë, Hoteli Grand në Prishtinë, Industria e Duhanit Tobago në Gjilan, Ndërmarrja Agrokosova, dhe dy minierat, e Goleshit dhe Strezovcit. Osmani thekson se meqë tash nuk përdoret më metoda e spin-offit special, atëherë AKP-ja mund të vendosë për privatizimin e tyre përmes spin-offit të rregullt. “Nëse nuk ka pengesa apo ndalesa gjyqësore prej Odës se Veçantë, atëherë ne fillojmë me përgatitjen për shitje të rregullta, jo më me shitje spin-off special. Kjo, pasi që ligji i ri për AKP-në, nuk parasheh më shitje me spin-off special”.
Ndryshe, që nga viti 2005, Agjencia Kosovare e Mirëbesimit, kishte privatizuar 24 ndërmarrje shoqërore përmes metodës së spin-off-it special, që nënkupton kushte të veçanta për investime dhe numrin e të punësuarve. 

Mesiç: Afaristët serb të orientohen drejt Prishtinës

Anëtarët e Këshillit Drejtues të OEK-ut të udhëhequr nga Safet Gërxhaliu, u takuan me ish-presidentin e Kroacisë, Stjepan Mesiç, ku u bisedua për disa çështje të rëndësishme në sferën e bashkëpunimit ekonomik në mes të Kosovës dhe Kroacisë si dhe për nevojën e avancimit të këtij bashkëpunimi edhe më tepër në të ardhmen.
Kryetari Gërxhaliu falënderoi kryetarin Mesiç për kontributin e dhënë në përkrahje të Kosovës. Ai në emër të Këshillit Drejtues të OEK-ut i dhuroi një mirënjohje duke thënë se kjo është vetëm një simbolikë falënderuese ndaj presidentit Mesiç për tërë atë që ka bërë për proceset në Kosovë dhe po ashtu një mirënjohje që do të jetë simbolikë që dëshmon se Republika e Kosovës ka nevojë edhe në të ardhmen për një mik dhe mbështetës çfarë është Mesiç dhe se Kosova ka nevojë edhe për mbështetje ekonomike sidomos tani kur Republika e Kroacisë do të aderojë në familjen evropiane.
Zhvillimi ekonomik është parakusht i stabilitetit politik dhe social prandaj orientimet e OEK-ut në këtë drejtim duhet të kenë mbështetje edhe nga jashtë e në veçanti nga shtetit Kroat me të cilin nuk kemi çështje të hapura politike e mundësia për bashkëpunim ekonomik është në interes të të dyja palëve dhe gatishmëria për bashkëpunim ekziston.
Presidenti Mesiç tha se ka qenë dhe do të mbetet një mik i vërtetë i Kosovës dhe i proceseve pozitive në Kosovë. Ekonomia dhe zhvillimi ekonomik duhet të jenë prioritet dhe vetëm në këtë mënyrë mund të dëshmohet forca e shtetit të ri. “Komuniteti serb e në veçanti afaristët duhet të jenë të orientuar drejt Prishtinës dhe Kosovës, e jo në Beograd dhe Serbi” theksoi Presidenti Mesiç.
Ai tha se duhet që të avancohet bashkëpunimi ndërmjet dy shteteve dhe bashkërisht të gjejmë qasje në fonde të ndryshme evropiane të cilat do të bëhen në funksion të avancimit të bashkëpunimit ndërshtetërorë, krijimi e efekteve Win-Win dhe në veçanti këto mjete të jenë në funksion të ndërmarrësisë të të dyja shteteve dhe të krijimit të qëndrueshmërisë ekonomike dhe sociale në të dyja vendet dhe kjo formë mund të jetë forma më ideale e përshpejtimit të proceseve integruese përmes zhvillimit ekonomik. 

Ancelotti: Del Piero shumë i moshuar për ne

Trajneri i Paris St Germain, Carlo Ancelotti, ka përjashtuar mundësinë e transferimit të ikonës së Juventusit, Alessandro del Piero.
Del Piero, ish-kapiteni i Ancelottit te Juventusi, është lidhur me një transferim në Paris pas skadimit të kontratës së tij në fund të sezonit. Por Ancelotti thotë se nuk është i interesuar për mesfushorin italian.
“I njoh shumë mirë kualitetet e Del Pieros, por nuk do ta sjell atë te PSG. Paris Saint-Germain është një klub i cili duhet të investojë në të ardhmen”, ka thënë Ancelotti për La Stampa.

Rosicky vazhdon kontratën

Tomas Rosicky ka nënshkruan kontratë të re me Arsenalin.

Kontrata e mesfushorit çek skadonte në fund të këtij sezoni, por ai tash ia ka besuar edhe më tej të ardhmen e tij klubit londinez.
“Është nder i madh të nënshkruaj marrëveshje të re me Arsenalin, e dua klubin dhe jam krenar që e veshi fanellën e Arsenalit. Jam ndjerë si në shtëpi që kur kam arritur gjashtë vite më parë dhe nuk mund të jem më i lumtur që ia besoj të ardhmen time skuadrës”, ka thënë çeku për faqen zyrtare të klubit.
Rosicky ka qenë në një formë të shkëlqyeshme së fundi, duke ndihmuar Arsenalin të fitojë në tre derbit e fundit, ndaj Tottenhamit, Liverpoolit dhe Milanit.
Topçinjtë sonte presin në Emirates Stadium një rival tjetër të vështirë, Newcastle United. 

Mata: Mund ta befasojmë Napolin

Ylli i Chelseat, Juan Mata, mendon se ata janë të aftë të kualifikohen në çerekfinale të Ligës së Kampionëve.
Blutë pësuan disfatë me rezultat 3-1 në ndeshjen e parë në Sao Paolo, por të mërkurën do ta presin Napolin në Stamford Bridge, ku Mata shpreson të ketë mbështetjen e tifozëve.
“Në futboll asgjë nuk është e pamundshme. Në Stamford Bridge, kjo është Liga e Kampionëve, ne kishim rezultate të mira në grup, 3-0, 2-0 dhe 5-0”.
“Të gjithë tifozët, sigurisht do të brohorasin për ne. Është përfundimtare për ne dhe mendoj se mund t’ia dalim”, ka thënë Mata. 

Rooney i kënaqur me formën

Ylli i Manchester United, Wayne Rooney, është i ngazëllyer me formën e tij golashënuese këtë sezon.
Rooney kërkon të shënojë edhe tetë gola të tjerë për të barazuar rekordin e tij prej 34 golash në sezon, që e arriti gjatë sezonit 2009/2010.
“E di se sa gola më duhen për ta arritur atë, por nuk jam i fokusuar në këtë për momentin. Ne kemi edhe 10 ndeshje të mbetura dhe vetëm dua të ndihmoj ekipin t’i marrë pikët që kemi nevojë për të qenë të suksesshëm. Gjëja më e rëndësishme është të fitojmë trofe”, ka thënë Rooney.

De Laurentiis i ngazëllyer me kontratën e re të Hamsik

Presidenti i Napolit, Aurelio de Laurentiis, është i ngazëllyer me kontratën e re të Marek Hamsik.
24-vjeçari tash ia ka besuar të ardhmen e tij Napolit duke nënshkruar një kontratë të re afatgjate.
“Ai sapo ka nënshkruar rinovimin deri në vitin 2016, besoj se nuk do të ketë nevojë të pakontrolluara për t’u larguar”.
“Ai është një person i arsyeshëm, ai është pjesë e familjes tonë. Kur ai ishte 20-vjeçar, dukej sikur ishte 30, ai gjithmonë ka mbajtur një kokë të mirë mbi shpatulla”, ka thënë De Laurentiis për Sky Italia.

NBA: Kobe ua sjell fitoren Lakersave

Kobe Bryant ka bërë një kërcim fitues në minutën e fundit të ndeshjes së mbrëmshme në të cilën Los Angeles Lakers fituan ndaj Boston Celtics me rezultat 97-94.
Në çerekun e katërt të ndeshjes, që pati 11 ndryshime të avantazhit, Bryant bëri një shënim të saktë duke i dhënë avantazhin 95-94 skuadrës së tij, me 42 sekonda të mbetura, ndërsa më pas i mundësoi Andrew Bynum të shënoi pikët e fundit që vulosën fitoren e Lakersave.
Bryant përfundoi ndeshjen me 26 pikë dhe shtatë asistime për Los Angeles, që tash kanë 25 fitore dhe 16 disfata. Andrew Bynum ndihmoi me 20 pikë dhe 14 kërcime.
Rajon Rando ishte më i sakti me 24 pikë dhe 10 asistime për Celtics që mbeten me 21 fitore dhe shijuan disfatën e 19-të të sezonit.

Nita Latifi në “Top Fest”

Këngëtarja Nita Latifi, e cili njihet para publikut kryeqytetas për performancat e saj live në “Maroon Pub” në Prishtinë, është duke u përgatitur të jetë konkurrente në “Top Fest 9”.
Për Nitën kjo është hera e parë që merr pjesë në një festival dhe është shumë e lumtur që kënga e saj është pranuar në Top Fest.
Kënga që do të paraqitet Nita, titullohet “Merre ose leje” e kompozuar nga Florent Boshnjaku.
“Po më vjen mirë që më në fund e gjeta një kompozitor që më është përshtatur mirë dhe kënga ka dalë ashtu siç unë kam dashur”, ka thënë Nita për Telegrafi.
Nita ka pohuar se kësaj kënge do t’i realizohet edhe videoklipi, por që njëherë përnjëherë është e koncentruar në Top Fest. 

Rozana Radi shtatzënë?

Çifti Mc Kresha dhe Rozana Radi thuhet se do të bëhen prindër.
Ka pak kohë që çifti i ri shou-biz shqiptar ka nisur të bashkëjetojë në Prishtinë. Dhe në edicionin e sotëm, e përditshmja “Kosova Sot” raporton se këngëtarja është shtatzënë.
Sidoqoftë këto për momentin mbeten vetëm thashetheme dhe çifti ende nuk kanë konfirmuar asgjë.

“4G” në iPhone

Pronarët e iPhone-it të cilët kanë përditësuar pajisjet e veta në iOS 5.1 kanë vërejtur se në shiritin statusor po shfaqet shenja “4G”. Edhe pse shumë nga ta janë duke twittuar me ngazëllim se pajisjet tani po ju punojnë më shpejtë, ata që janë më të kujdesshëm e dinë se kjo nuk është e mundshme të arrihet me përditësim të softuerit.
Shënimi i ri paraqitet gjatë përdorimit në rrjetën e operatorit mobil amerikan AT&T, përkundër faktit që nuk bëhet fjalë për rrjetën e vërtetë 4G. Zhvillimi i këtillë i situatës vjen pas publikimit nga AT&T i cili kah fundi i vitit të kaluar lajmëroi se po bashkëpunon me Apple rreth mundësisë së shfaqjes së shenjës 4G në pajisje. Pasi që numri i G-ve në rrjetat mobile nuk bën pjesë në specifikat teknike, shpesh po përdoret për qëllime të marketingut, madje edhe për të shkaktuar konfuzion tek blerësit.
Për momentin e vetmja pajisje e Apple e cila punon në rrjetat 4G është iPadi i paraqitur ditë më parë. 

Majmuni inteligjent (Video)

Është e ditur prej kohësh që majmunët kanë aftësi të mrekullueshme motorike, mirëpo orangutangu në video i ka tejkaluar pjesëtarët e llojit të tij.
Orangutangu simpatik, i cili ka tërhequr numër mahnitës shikuesish në faqen e shpërndarjes së videove- YouTube, shihet duke i nxjerrë lodrat e tij nga një kovë e madhe, dhe më pas pa gabuar i përshtat kubet njëri me tjetrin.

I pëlqen të rrëshqasë (Video)

Hiti i ri në YouTube është videoja në të cilën shihet një oposum duke u kënaqur me sporte ekstreme.
I njohur me emrin Ratatouille, oposumi është xhiruar teksa vozit ‘snoubordin’ në një vendskijim në Emmitsburg të SHBA-ve.
Vetëm për disa ditë, oposumi që mban të veshur një xhemper ka grumbulluar rreth gjysmë milioni shikime në YouTube. 

Vazhdon loja e serbëve me EULEX-in

Rrugët që çojnë në Zubin Potok dhe sot janë bllokuar, pasi serbët që po qëndrojnë në barrikadë sërish nuk kanë lejuar kalimin e automjeteve të EULEX-it, që ishin nisur drejt pikë kalimit kufitar në Bërnjak.
Menjëherë pasi serbët kanë ndaluar tri automjetet e EULEX-it në rrugën magjistrale Mitrovicë - Ribaric, KFOR-i ka mbyllur punktin e kontrollit në Jagnenicë, gjë që ka bërë të ndërpritet komunikacioni në mes Zvecanit dhe Zubin Potok, transmeton Tanjugu.
Serbët bllokuan rrugën në kamionë në Zupce ku edhe më tej po qëndrojnë pjesëtarët e EULEX-it në tri automjete, duke kërkuar që deri në Bërnjak të shkojnë vetëm në përcjellje të KFOR-it.
KFOR-i pasi ka dalë nga baza e vet në Jagnenicë ka bllokuar rrugën magjistrale në Zupce duke mbyllur trafikun në rrugën Mitrovicë - Ribaric.
Ndërsa në pjesën veriore të Mitrovicës ka filluar takimi shefit të UNMIK-ut, Farid Zarif, me përfaqësuesit e serbëve nga veriu i Kosovës.
Në takimin, i cili ka filluar në orën 11.00 në ndërtesën e administratës së UNMIK-ut në veri të Mitrovicës do të diskutohet për situatën aktuale politike dhe të sigurisë në pjesën veriore të Kosovës.
Në takim po marrin pjesë kryetarët ilegalë të katër komunave të veriut të Kosovës dhe i ashtuquajturi kryeshef i rrethit të Mitrovicës, Radenko Nedelkovic. 

Mesic: Nuk ka ndërrim të kufijve në Ballkan

Ish-presidenti i Republikës së Kroacisë, Stjepan Mesic, i ka quajtur iluzionistë ata që mendojnë se do të ketë ndërrim të kufijve në Ballkan. Ai ka deklaruar se Serbia nuk është e detyruar ta njohë Kosovën, por e rëndësishme është qarkullimi i lirshëm i njerëzve dhe mallrave.
Mesic këto komente i bëri sot pas një takimi që ka zhvilluar me zëvendëskryeministrin Hajredin Kuçi, ndërsa ky i fundit nuk ka dhënë ndonjë deklaratë për media pas takimit.
Ish-presidenti kroat, i cili është i njohur për deklarimet e tij në përkrahje të pavarësisë së Kosovës, gjatë një vizite që po zhvillon në Kosovë, ka komentuar edhe zhvillimet e fundit që kanë ndodhur me arritjen e marrëveshjes së Kosovës për përfaqësim rajonal. Ai këtë e ka quajtur një hap përpara, në mënyrë që të ketë qarkullim të lirshëm të njerëzve dhe mallrave.
“Unë mendoj se ky është hapi i parë, e hapat tjerë do të vazhdojnë pas tij. Serbia nuk është e detyruar që ta njoh Kosovën, por Serbia duhet ta bëjë të mundur që rajoni të funksionojë, pra qytetarët të mos kenë pengesa në kufij dhe po ashtu mallrat mos të pengohen. Në këtë mënyrë rajoni të funksionon në të gjitha aspektet”, ka theksuar Mesic.
Ndërsa në lidhje me atë që mund të ketë ndryshime të kufijve në Ballkan, Mesic këta politikanë i ka quajtur iluzionistë.
Mesic i pyetur për veriun e Kosovës, ai këtë e ka ndërlidhur me rastin e okupimit të një pjese të Kroacisë nga serbët. “Ne kemi reaguar në mënyra të ndryshme. Së pari kemi tentuar të reagojmë kur një çerek i Kroacisë ka qenë i okupuar, që e tëra të zgjidhet përmes dialogut, por pasi që kjo nuk rezultoi me sukses, kemi ndërmarr aksione ushtarake, por ka mbetur një pjesë e okupuar, të cilin problem e kemi zgjidhur përmes dialogut”, tha Mesic, transmeton Kosovapress.
Ai ka shtuar se këto bisedime kanë qenë shumë të sukseshme, pasi problemi është zgjidhur pa gjakderdhje, duke shtuar se edhe këtu do të jetë njëjtë.
Ish-presidenti kroat ka zhvilluar një takim edhe me kryeparlamentarin, Jakup Krasniqi.

Përplasen për shaminë

Për vajzat e mbuluara, nën moshën 15-vjeçare, pragu i shkollave publike në Kosovë është i pakapërcyeshëm. Në këtë pikë përplasjet mes Ministrisë së Arsimit, Shkencës e Teknologjisë dhe Bashkësisë Islame të Kosovës janë të vazhdueshme. Sabri Bajgora, kryeimam i Bashkësisë Islame të Kosovës, shpreh keqardhjen për vazhdimin e këtyre shqetësimeve, sepse ka një numër vajzash që preferojnë të shkojnë në shkollë me mbulesë.
"Ne jemi thellësisht të bindur se një shoqëri demokratike siç mëton të jetë Kosova, do ta tejkalojë këtë situatë me urtësi dhe maturi duke iu garantuar të gjithë nxënësve të Kosovës që të mësojnë pa prejudikuar për veshjen e tyre të jashtme, e cila në shumë raste po konsiderohet si një çështje e ndaluar”, thotë Bajgora.
Ndërsa Ragip Gjoshi, këshilltar politik në Ministrinë për Arsim, Shkencë dhe Teknologji kujton se deri në moshën 18 vjeçare nxënësit nuk janë në gjendje të vendosin për veten. Sipas tij stili i veshjes në këtë rast konsiderohet i imponuar qoftë nga prindërit apo teologët.
"Por, ne kemi menduar edhe për këtë kategori nxënësish, të cilët pas moshës 15-vjeçare, në bazë të Ligjit mbi Arsimin Parauniversitar kanë mundësi që të ndjekin arsimin joformal. Kjo është sanksionuar edhe në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, me Ligjin mbi Arsimi Parauniversitar si dhe në Udhëzimin Administrativ 7/2009, i cili rregullon kodin e veshjes dhe të dukjes së nxënësve”, tha Gjoshi për Deutsche Welle.
Nga ana e tij kryeimami Bajgora në vend të sanksionimit të vajzave të mbuluara sugjeron masa për ruajtjen e kodit, kur kemi zhveshje të tepruar të vajzave nëpër shkolla.
Në nenin 8-të të Kushtetutës së Kosovës thuhet se Republika e Kosovës është shtet laik dhe neutral në çështje të besimeve fetare. Në paragrafin 4 të nenit 38 të Kushtetutës thuhet po ashtu se, “Liria e manifestimit të fesë, e besimit dhe e ndërgjegjes mund të kufizohet me ligj, nëse një gjë e tillë është e domosdoshme për mbrojtjen e sigurisë dhe rendit publik, të shëndetit, ose të të drejtave të personave të tjerë”.
Për të kërkuar të drejtën e tyre disa vajza iu drejtuan Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.
Rasti më i fundit ishte ai i Arjeta Halimit, nxënëse nga komuna e Vitisë, beteja dyvjeçare e së cilës përfundoi pa sukses. Gjykata Kushtetuese e Kosovës hodhi poshtë kërkesën e saj për të vazhduar mësimin me shami koke në një shkollë publike.
Sekretaria e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës me anë të një shkrese shpjegon se pas rastit të lartpërmendur “Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës nuk ka pranuar ndonjë ankesë të re rreth së drejtës për shkollim të vajzave të mitura që mbajnë shami”.
Përjashtimet nga shkollat publike të vajzave me shami u përcollën me protesta të nxënësve, të cilët u solidarizuan me moshataret e tyre. Po ashtu organizatave të ndryshme jo fitimprurëse në protestë iu bashkangjitën edhe qytetarë të shumtë. Për Bashkësinë Islame, kjo është shkelje drastike e të drejtave të njeriut. 

Agim Çeku në PDK?

Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) së shpejti pritet që t’i bashkohen edhe kryetari i Partisë Socialdemokrate, Agim Çeku, ish-shefi i SHIK-ut, Kadri Veseli, profesorë universitarë dhe përfaqësues të mediave. Kështu ka bërë të ditur një burim i gazetës “Tribuna Shqiptare”, brenda strukturave udhëheqëse të PDK-së.
“Deri në qershor do mbahen zgjedhjet në nivel të degëve, kurse deri në fund të shtatorit, eventualisht fillim të tetorit do të përfundojë Kuvendi zgjedhor në PDK. Në radhët e PDK-së do të ketë aderime të reja si Kadri Veseli, Agim Çeku, si dhe disa emra të tjerë të këtij kalibri. Por, do të ketë edhe profesorë universitarë si dhe përfaqësues të mediave. Kështu që PDK-ja do forcohet edhe më shumë me prurje të reja”, thotë ky burim.
Pritet që gjatë Kuvendit zgjedhor do të zhvillohet një garë e fortë brenda partisë. “Do jetë një garë e gjerë brenda partisë, kuptohet nga prurjet që kanë qenë më herët, por edhe nga prurjet e mëdha që do vijnë, e që janë emra ta njohur që do t’i bashkohen partisë më të madhe në pushtet”, ka shtuar tutje ky burim i gazetës. 

Enver Hasani shkeli ligjin

Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani, brenda vetëm tre vjetësh është avancuar në të gjitha nivelet akademike në Universitetin e Prishtinës, gjatë mandatit sa ishte rektor i Universitetit, ani se marrja e të gjitha këtyre thirrjeve akademike kërkon 12 vjet kohë.
“Koha Ditore” posedon shkresat - letrat që dëshmojnë se Hasani brenda tre vjetësh ka kaluar nga niveli i profesorit asistent, në profesor të asocuar dhe pastaj edhe në profesor ordinar (i rregullt), ndonëse Statuti i UP-së përcakton qartë se profesorët duhet të ushtrojnë katër vjet përvojë pune vetëm në një nivel. Ai kur është emëruar rektor i UP-së, në vitin 2006, ka qenë profesor-asistent, kurse në vitin 2009 ka përfunduar si profesor i rregullt.
Kurse në njërin nga vendimet e marra për avancimin e tij, figuron vetë emri i Hasanit si rektor dhe nën të nënshkrimi i tij.
Hasani nuk ka pranuar të prononcohet në lidhje me asnjërën nga këto çështje.
Ndërkaq, njëri nga ish-kolegët e tij, Agim Paca, profesor në Fakultetin Juridik, ka konfirmuar të dhënat që posedon gazeta. 

Gërvalla akuzon

Hysen Gërvalla, ndryshe nga një javë më parë, tash as nuk e mohon e as nuk e pohon që Riza Salihu mund të ketë gisht në vrasjen e vëllezërve të tij, Jusufit e Bardhoshit.
Në një letër dërguar gazetës “Express”, ai i cilëson si spiunë të UDB-së Riza Salihun dhe Ibrahim Kelmendin. Që të dy, sipas tij, kanë qenë pjesë e komitetit ku është marrë vendimi për vrasjen e tre patriotëve shqiptarë.
I fuqishëm ka qenë reagimi i Hysen Gërvallës, vëllait të patriotëve Jusuf e Bardhosh Gërvalla, në lidhje me shkrimet e fundit sa u përket autorëve të mundshëm të vrasjes së familjarëve të tij, më shumë se tridhjetë vjet më parë.
Riza Salihun dhe Ibrahim Kelmendin ai i quan “hilexhinj të cilët kanë qenë pjesë e një komiteti, nga i cili është marrë vendim për të vrarë Jusuf Gërvallën”, njofton “Express”.
Ibrahim Kelmendi disa ditë më parë në një deklarim televiziv ka thënë se Riza Salihu ka gisht në vrasjen e patriotëve Gërvalla dhe Kadri Zekës në vitin 1982 në Gjermani.
Por Hysen Gërvalla, vëllai i patriotëve Gërvalla, në një sqarim për gazetën Express ka thënë se nuk është i interesuar të njollosë askënd, ndërkohë që Riza Salihun e Ibrahim Kelmendin i quan persona të cilët kanë qenë pjesë e të njëjtit komitet ku është marrë vendim për vrasjen e vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zekës. 

EULEX-i heton Policinë

Hulumtimet e bëra nga organizata të ndryshme vendore e ndërkombëtare rreth pranisë së armëve të zjarrit në Kosovë, rregullisht ka nxjerrë si rezultat shifrën 400 mijë armë. Ajo që është më e rëndë është vlerësimi i këtyre organizatave që thotë se nga 400 mijë armë të zjarrit, 310 mijë deri në 330 mijë prej tyre janë pa leje në Kosovë, apo armë që kanë hyrë ilegalisht dhe mbahen si të tilla nga kosovarët.
Ky numër, nëse mbështetesh në një nga shqetësimet më të mëdha deri më tash të EULEX-it, jo vetëm që nuk do bjerë, por ai do rritet. Ka disa javë që zyrtarët e misionit më të madh dhe më të kushtueshëm të BE-së në Kosovë janë tejmase të shqetësuar pasi ata nuk e dinë saktë pse Policia e Kosovës nuk ka përdorur asnjëherë njësitin e qenve të trajnuar për nuhatjen e armatimit dhe eksplozivit.
“Pas diskutimeve të shumta, mund të themi që ekipi i qenve nuhatës për armatim dhe eksploziv në kuadër të njësisë K9 të Policisë së Kosovës, nuk po përdoret fare me qëllim që të evitojnë kapjen e grupeve që kontrabandojnë armë ilegalisht në territorin e Kosovës. Ne kemi pyetur disa herë Policinë e Kosovës pse nuk përdoret ai ekip fare për kontrollime në kufi jtë e vendit, mirëpo nuk kemi marrë asnjëherë një arsye të fortë për këtë”, i ka thënë gazetës në kushte anonimiteti një pjesëtar ndërkombëtar i misionit për sundim të ligjit që ka dhe staf që nuk janë nga vendet e BE-së.
Derisa diskutimet vazhdojnë brenda EULEX-it, Policia e Kosovës mundohet të nxjerrë në shesh një histori krejt tjetër. Ata thonë se ky ekip përdoret, edhe pse nuk dinë të tregojnë datën kur është dërguar në ndonjërin prej kufijve, ekipi i qenve nuhatës për zbulimin e armatimit dhe eksplozivit.
Sipas njoftimeve zyrtare të Policisë së Kosovës, momentalisht në kuadër të Departamentit të Njësiteve të Specializuara ekziston edhe njësiti i qenve apo K9. Pjesë e ekipit për nuhatjen e armatimit dhe eksplozivit janë në tërësi 10 qen, ndërsa deri vonë të certifikuar kanë qenë vetëm 9 prej tyre.
Zyra për informim e Policisë së Kosovës thotë se dyshimet për të cilat i ka pyetur gazeta “Zëri” nuk janë të sakta pasi ky ekip përdoret rregullisht. “Ekipi i qenve të specializuar për nuhatjen e armatimit dhe eksplozivit janë përdorur dhe përdoren rregullisht sa herë ka elemente të dyshimit apo indikacione të dyshimta për gjetje të armëve dhe eksplozivit”, i ka thënë ditë më parë zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani.
Mirëpo, ai dhe asnjë zyrtar tjetër policor me të cilët “Zëri” me ditë të tëra ka kontaktuar, nuk kanë mundur ta thonë kur saktë ka qenë hera e fundit që ky ekip është përdorur. “Nuk kam informacione të sakta (kur janë përdorur për herë të fundit), por tani për tani e di që janë përdorur në disa raste”, ka thënë shkurt Baki Kelani.
Dy zyrtarë të tjerë të Policisë së Kosovës të kontaktuar nga “Zëri” duke folur në kushte anonimiteti kanë thënë se e gjitha ajo që e dinë ata është se ekipi i qenve nuhatës për armatim janë përdorur në kontrollimin e restoranteve apo objekteve të tjera kur persona të rëndësisë së lartë kanë pasur për të drekuar apo ata të jashtëm e kanë vizituar Kosovën.
Një nga ta, ka thënë se në fakt ka informata për përdorimin e tyre nëpër kufij mesatarisht nga 7-10 herë në muaj, varësisht se si aprovohet plani operativ, ndërsa në Aeroportin e Prishtinës janë pjesë e stafit dy qen, një për nuhatjen e drogës dhe një tjetër për armatim dhe eksploziv.
Mirëpo, ky zyrtar ka reaguar çuditshëm kur është pyetur për datën e fundit kur është dërguar ekipi në fjalë herën e fundit në një pikë kufitare me shtetet tjera. “Ah, po doni me ditë kur janë përdorur herën e fundit. Jo, kur është kontrolluar një restorant kur iu ka tek me dalë me hëngër bukë Atifete Jahjaga, por një kontroll në një pikë kufitare...? Prit se tash marr vesh e ju thirri me ju tregu”…ka thënë ky zyrtar, megjithëse ai nuk telefonuar më asnjëherë për të treguar për informatën e marrë. 

Azia po lëviz

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Edmond Haxhinasto thotë se disa shtete aziatike po lëvizin drejt njohjes së pavarësisë së Kosovës.
Kryediplomati shqiptar, Edmond Haxhinasto, në një intervistë për “Express”, ka deklaruar se Sulltanati i Bruneit dhe Tajlanda kanë bërë hapat e parë drejt njohjes së Kosovës dhe pritet që shpejt të ketë edhe veprime të tjera.
Ai ka treguar se posa është kthyer nga Azia Juglindore dhe atje ka parë lëvizje të shteteve që pritet ta njohin Kosovën.
“Mund të them se Sulltanati i Bruneit u shpreh shumë qartë, duke thënë se nuk ka asnjë pengesë që të njohin Kosovën dhe sigurisht ky është një angazhim serioz nga ana e këtij shteti dhe jam i bindur se në ditët e ardhshme do të kemi zhvillime pozitive”, ka paralajmëruar Haxhinasto.
Veç kësaj, ai ka bërë të ditur se tashmë tajlandezët kanë bërë hapin e parë drejt njohjes së Prishtinës, ngaqë kanë pranuar pasaportat e Republikë së Kosovës.
“Po kështu edhe në Tajlandë u shprehën shumë qartë se Tajlanda do të ndërmarrë hapa gradualë drejt njohjes së Kosovës dhe një hap i tillë i rëndësishëm ishte për shembull njohja e pasaportave dhe lejimi i qytetarëve të Kosovës të udhëtojnë si shtetas të Republikës së Kosovës”, ka shtuar ai.
Duke folur për marrëveshjet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Haxhinasto ka thënë se marrëveshja për përfaqësimin e Kosovës në nismat rajonale, e ka forcuar pozicionin e shtetit të ri në raport me BE-në. 

“Harrohet” Astrit Haraqija

Po e “mshefin” Astrit Haraqijën dhe postin e tij aktual si zëvendësministër i Financave. Tash shtatë muaj ai ka këtë post që e mori duke iu falënderuar “Listës dr. Ibrahim Rugova”, pjesë e së cilës është ende. Por, në ueb-faqen e Ministrisë së Financave nuk figuron askund, megjithëse kolegu i tij, zëvendësministri tjetër Ramadan Avdiu e ka biografinë e tij aty. Për këtë nuk është në dijeni as zëdhënësi i kësaj ministrie, Menderes Ibra, i cili thotë se nuk i di arsyet e mospublikimit.
Numri i zëvendësministrave në Qeverinë e Kosovës asnjëherë nuk u tregua nga kryeministri i vendit, Hashim Thaçi edhe pse emërimi i tyre i takon atij drejtpërsëdrejti, por Haraqija është edhe zyrtarisht pjesë e listës me emrat e zëvendësministrave, numri i së cilëve ende nuk dihet saktë.
Megjithëse nuk e shohim në deklarata për media apo në debate, ai zhvillon punën normalisht, shkon në zyrë madje edhe bën udhëtime jashtë vendit.
Këtë e konfirmojnë edhe zyrtarët e Ministrisë së Financave, por të pyetur se përse nuk e publikojnë emrin e Astrit Haraqisë në ueb-faqe zyrtare, ata befasohen nga ky lajm. “Për besë nuk e di unë. Unë sapo të kthehem në zyre do t’i kontaktoj departamentin që mirëmbajnë ueb-faqen. Për besë nuk ka asnjë arsye aty, me siguri unë po të them, se për besë nuk po e di këtë”, ka thënë Menderes Ibra zëdhënës i Ministrisë së Financave.
Por në orët e pasdites, ai ka deklaruar se askush nuk ka ditur t’ia sqaronte përse nuk figuron emri i Haraqisë në ueb-faqe të ministrisë. “Mua nuk më janë të njohura arsyet përse nuk është në listë, unë çka munda të bisedoj me Departamentin e informatikës, më thanë se janë në fazën e fundit në përpilimit të fazës së re, e di që secili prej punëtorëve të lartë në momentin që duan të dalin në ueb-faqe e përgatisin CV-në e tyre”, ka thënë Ibra për Kosovapress .
Ndryshe, Haraqija para se të emërohej në ekzekutiv kishte qenë mjaft kritik ndaj shefit të Qeverisë, Hashim Thaçi, duke i kërkuar atij llogari për paratë e fondit “Vendlindja thërret”.

BE shkurton për 20 % fondet për Ballkanin Perëndimor

Banka Europiane e Investimeve do të shkurtojë financimet e reja në vendet e Ballkanit Perëndimor, me arsyen se fondet e deritansishme nuk janë përdorur.
Zëvendëspresidenti i Bankës, Dario Skanapieko, tha në Beograd, se kreditë e reja në Ballkanin Perëndimor mund të ulen me 20 për qind, për t’i dhënë kohë vendeve të përdorin financimet e mëparshme.
Banka Europiane e Investimeve ka nënshkruar 4.2 miliardë euro kredi për projektet në vendet e rajonit, për periudhën 2007-2011.
Por për shkak të vonesave administrative vetëm 2.43 miliardë prej tyre u disbursuan, duke lënë rreth 1.8 miliardë euro fonde të nënshkruara, por të papërdorura.

KEK-u i pakënaqur me shtrenjtimin e rrymës për 7.6 %

Zyra e Rregullatorit të Energjisë në propozimin preliminar ka thënë se tarifat e energjisë elektrike duhet të shtrenjtohen për 7.6 për qind. Ky shtrenjtim sipas ZRRE-së do të bënte të mundur operimin normal të KEK-ut dhe KOSTT-it. Rregullatori për herë të parë pas tre vjetëve ka lejuar një shtrenjtim të tarifave të energjisë elektrike.
Mirëpo, ky propozim është preliminar. Palët e interesit kanë të drejtë që deri sot, t’i dorëzojnë komentet e tyre për ndryshim të këtij propozimi.
Tanimë është konfirmuar se KEK-u nuk do të pajtohet më këtë propozim dhe do të vazhdojë të këmbëngulë se tarifat duhet të shtrenjtohen për 23 për qind, apo të ketë një shtrenjtim më të vogël, por të rritet subvencionimi nga ana e Qeverisë.
E OJQ-të këmbëngulin se KEK-u rritjen e të hyrave duhet ta kërkojë nga rritja e efikasitetit e jo nga qytetarët.
Drejtori menaxhues i KEK-ut Arben Gjukaj, ka thënë se nuk janë të kënaqur me vlerësimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për tarifat e energjisë elektrike që do të aplikohen nga 1 prilli i këtij viti. Sipas tij rritja prej 7.6 për qind nuk i mbulon të gjitha investimet kapitale dhe operimin e KEK-u si një ndërmarrje e tregut.
Ai ka thënë se KEK-u ka propozuar tri variante të ngritjes së tarifave të energjisë elektrike. E para ka qenë një ngritje prej 23 për qind. Po ashtu KEK-u ka propozuar që tarifat të rriten vetëm për 12 për qind apo edhe 9 për qind, mirëpo me kusht që Qeveria e Kosovës jep një subvencion shtesë prej 7 milionë euro vetëm për konsumatorët e amvisërisë. 

De Rossi: Roma synon top katërshin

Mesfushori i Romës, Daniele de Rossi, thotë se skuadra e tij shpreson në përfundim në njërën nga katër pozitat e para të tabelës.
Giallorossët kanë marrë një shtytje pas fitores 1-0 të së shtunës ndaj Palermos në Stadio Barbera dhe De Rossi shprehet optimist për një sezon të suksesshëm.
“Ka shumë ndeshje për t’u zhvilluar dhe ne mund t’ia dalim dhe të përpiqemi t’i fitojmë të gjitha. Pas kësaj, do të shohim ku do të përfundojmë”.
“Sipas mendimit tim, ne luajtëm një ndeshje të parë të shkëlqyeshme dhe filluam shumë mirë. Ne dështuam pas pauzës, por kjo pritej. Sidoqoftë, mbetet një paraqitje e mirë”.
“Tash ne duhet të fitojmë sa më shumë ndeshje që mundemi dhe të shohim ku do të përfundojmë. Është vështirë, sigurisht, por ne mund të përpiqemi dhe asgjë nuk është e pamundshme”, ka thënë De Rossi.

Xavi i ngazëllyer me formën personale

Xavi Hernandez është i kënaqur me formën e tij që po kalon këtë sezon te Barcelona.
Mesfushori është vetëm dy gola larg rekordit të tij të shënimeve brenda një sezoni, pasi ka shënuar 12 gola në 36 ndeshje dhe është i kënaqur me formën që po kalon.
“Jam i kënaqur me sezonin tim deri tash – jo vetëm për shkak të golave, por po ashtu edhe për shkak të përfshirjes në shumë ndeshje dhe kam pasur vetëm disa lëndime të lehta. Jam në formë të mirë dhe i ndihmoj skuadrës”, ka thënë Xavi.

Moratti: Patjetër ta mposhtim Marseillen

Presidenti i Interit, Massimo Moratti, thotë se Nerazzurrët duhet patjetër të kualifikohen në çerekfinale të Ligës së Kampionëve.
Interi të martën do të presë Olimpique Marseillen në San Siro me një disavantazh 1-0 nga ndeshja e parë, por Moratti mendon se lojtarët do të jenë në gjendje ta përmbysin rezultatin.
“Gjëja më e rëndësishme është që në fund të ditës ne të fitojmë, kjo do të thotë patjetër dhe me çfarëdo lloj stili të lojës. Pres lojtarët vërtet ta ndjejnë këtë lojë, por në aspekt pozitiv dhe jo tepër emocional”, ka thënë Moratti. 

Macelo: Nuk duhet të relaksohemi

Mbrojtësi i krahit i Real Madridit, Marcelo, thotë se ata nuk duhet të relaksohen pas fitores ndaj Real Betis, fitore e cila ruan diferencën prej 10 pikësh të madrilenëve ndaj rivalit Barcelonës.
“Ne e dinim se do të jetë e vështirë, por duhej të përqendroheshim pasi ata mund gjithmonë të shënonin. Ne duhej të ishim të gatshëm. Betis është një skuadrës e mirë në stadiumin e tyre”.
“Ne kemi 10 pikë avantazh, por liga nuk ka përfunduar ende dhe ne duhet të vazhdojmë të luftojmë deri në fund”, ka deklaruar braziliani. 

Mourinho: Benzema dhe Higuain qëndrojnë

Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, thotë se ai dëshiron t’i mbajë dyshen sulmuese, Karim Benzema dhe Gonzalo Higuain.
Të dy lojtarët janë lidhur me një largim nga klubi gjatë verës, por Mourinho i ka hedhur poshtë këto spekulime.
“Higuain dhe Benzema janë dy prej sulmuesve më të mirë në botë dhe shpresoj ata të dy të jenë të kënaqur në fund të sezonit dhe të dëshirojnë të vazhdojnë pasi nuk dua asnjë tjetër përveç atyre dyve”, ka thënë Mourinho. 

Juventusi hesht

Juventusi është detyruar t’ua ndalojë lojtarëve dhe stafit komunikimin me media në shenjë proteste kundër vendimeve në barazimin pa gola të së dielës, kundër Genoas.
Biankonerët kishin një gol të anuluar, kur Simone Pepe ishte supozuar se ishte në pozicion jashtë loje, pasi kishte dërguar topin në rrjetën e portierit kundërshtar, Sebastien Frey.
“Fotografitë flasin vetë”, ka qenë komenti i vetëm i klubit përmes profilit në Twitter.
Barazimi ndaj Genoas ishte i katërti radhazi për Juventusin dhe gjashti në tetë ndeshjet e fundit, dhe e le skuadrën katër pikë prapa liderit, Milanit. 

Suarez i hapur për PSG-në

Sulmuesi i Liverpoolit, Luis Suarez, i ka thënë televizionit francez Canal + se është i hapur për një transferim te lideri i Ligue 1, Paris St Germain.
Uruguaiani është lidhur së fundi me një largim nga Anfield dhe një prej destinacioneve të mundshme të tij është përmendur Parisi, me klubin e kryeqytetit francez që është shndërruar në një stacion joshës për yjet e futbollit pas blerjes nga pronarë arab.
“Po, do të shkoja në Paris, më pëlqejnë shumë ekipe të mëdha. Ka shumë klube të mëdha me një reputacion të madh të cilët dëshirojnë të ndërtojnë skuadra të kreut dhe Paris është një prej atyre ekipeve që po përforcohet”.
“Do të më pëlqente nëse ne (unë dhe Diego Lugano, kapiteni i kombëtares së Uruguait), do të mund të luajmë së bashku”, ka thënë Suarez. 

Ballack kërkon sfidë të re

Veterani i Bayer Leverkusen, Michael Ballack, ka thënë se ai synon ta vazhdojë karrierën jashtë Gjermanisë në fund të sezonit.
35-vjeçari është lidhur vazhdimisht me një largim nga klubi i Bundesligës pas përfundimit të kontratës së tij në fund të sezonit, dhe ish-mesfushori i Chelseat ka konfirmuar synimin për largim.
“Asgjë nuk është vendosur ende. Megjithatë, dua një sfidë të re, e cila me gjasa do të jetë jashtë vendit”, citohet të ketë thënë Ballack për Sky Sport Germany. 

Ermali dhe Franceska bëjnë seks në Big Brother?

Janë shfaqur disa pamje të dyshimta rreth Franceska Jaces dhe Ermal Merdanit. Sipas një video që është publikuar, çifti duket se kanë kryer marrëdhënie seksuale.
Pamjet nuk tregojnë qartë, por janë shumë dyshuese, sidomos nga fundi i videos.
Gjatë spektaklit të ditës së shtunë Ermali i Big Brother 5 u shpreh se ai ka respekt për Franceskën dhe se mes tyre nuk ka një lidhje dashurie.
Deklarata e tyre u pa me jo pak dyshim nga spektatorët pasi në shumë momente ata ishin shfaqur në intimitet duke u puthur dhe përqafuar mes tyre.

Guardiola: Penaltia nuk ishte vendimtare

Trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola, ka deklaruar se penaltia e dyshimtë nuk ishte vendimtare në triumfin e skuadrës së tij kundër Racing Santanderit.
Një ndërhyrje të Domingo Cismas ndaj Cesc Fabregas, arbitri e ndëshkoi penalti, mirëpo lojtarët e Racingut u ankuan se nuk kishte qenë ndërhyrje e gabuar.
Ndërkaq, Guardiola ka reaguar për ta minimizuar rëndësinë e golit të dytë të Lionel Messit në fitoren e Barcelonës.
“Nuk mendoj se penaltia ishte vendimtare. Ne e kontrolluam gjithë ndeshjen”, u ka thënë Pep gazetarëve. 

Kidman do të rikthehet në Boadway

Aktorja e Hollywoodit, Nicole Kidman, do të rikthehet sërish në teatrin e famshëm Broadway, raportojnë mediat britanike.
44-vjeçarja raportohet se është në biseda për të marrë rolin kryesor në shfaqjen e Terence Rattigan, “After the Dance”, që flet për një mashkull i cili e le gruan e tij për një femër më të re.
Daily Mail raporton se shfaqja pritet të jepet në verë ose vjeshtë të vitit 2013. Nëse bisedat kompletohen, kjo do të jetë hera e parë që ylli australian paraqitet në teatrin e New Yorkut që nga “The Blue Room” e regjisorit Sam Mendes në vitin 1998.

Edhe Seldi në “Dancing with the satrs”

Është kompletuar tashmë lista e personazheve të njohura të ekranit, që do të garojnë këtë vit në “Dancing with the stars”.
Dy emrat e fundit të kësaj gare janë këngëtari Seldi Qalliu dhe këngëtari e modeli Xhani Shqerra.
Më 29 mars, për herë të parë do të kemi rastin të shohim konkurrentët e rinj të spektaklit “Dancing with the stars Albania’’, shkruajnë mediat shqiptare.
Për sa u përket meshkujve konkurrentë, këtë vit do të shohim në përballje televizive Bujar Kapexhiun, Vedat Ademin, Artan Imamin, Dren Abazin etj.

Ushqimi për buzëqeshje më të bukur

Ushqimi i errët dhe pijet mund t’i nxijnë dhëmbët tuaj. Në anën tjetër, ka ushqime që dhëmbët tuaj mund t’i bëjnë më të bukur dhe të ruajnë bardhësinë e tyre.
Pemët dhe perimet e freskëta. Përtypja e mollës, karotës apo lulelakrës do të ndihmojë te pastrimi i dhëmbëve. Po ashtu do të ndihmojnë qarkullimin e pështymës, çka neutralizon acidet dhe kështu mbrohen dhëmbët.
Djathi dhe jogurti. Ushqimet e pasura me kalcium do të ndihmojnë për ruajtjen e
buzëqeshjes së bukur. Reduktojnë rrezikun nga gjakderdhja e mishrave të dhëmbëve, ndihmojnë tek largimi i grimcave të ushqimit dhe në fund zvogëlojnë nivelin e baktereve të këqija në zgavrën e gojës.

Dredhëza dhe portokalli. Këto pemë lustrojnë dhëmbët në kuptimin e plotë të fjalës. Pas shujtës pastroni dhëmbët me lëvore të portokallit ose me dredhëza, pastaj shpërlani me ujë. Pas disa muajve do të vëreni se si dhëmbët tuaj janë më të bardhë.
Qumështi në kafe. Kafja shkakton njolla në dhëmbë. Megjithatë, shtimi i sasisë së vogël të qumështit në kafe mund të ndihmojë te parandalimi i njollave të ardhshme. 

Kimikati DBP nga llaku për thonj ka veprim kancerogjen

Kimikati Dibutil ftalat (DBP), i cili është pjesë përbërëse e llaqeve për thonj dhe parandalon rrjepjen, në fakt është kancerogjen, ka treguar studimi i Grupit amerikan për mbrojtje të mjedisit.
Gjiganti i kozmetikës, Estee Lauder, ka larguar DBP nga produktet e veta, ndërsa OPI, Essie dhe Sally Hansen e përdorin ende, shkruan portali OurVanity. Në SHBA, Asociacioni për ushqim dhe ilaçe miraton produktet, por nuk ka ligj i cili kërkon verifikimin nëse ato produkte janë me të vërtetë të sigurta. Unioni Evropian në vitin 2004 ka ndalur përdorimin e DBP-së për çka OPI ka ndryshuar llaqet për tregun evropian, por jo edhe për atë amerikan.
Zëdhënësit e kompanisë kozmetike OPI pohojnë që niveli i DBP-së është i ulët dhe nuk paraqet rrezik shëndetësor. Përveç kësaj; dëm më të madh shkakton thithja e avujve nga llaku, dhe jo vetë llaku në thonj. “Produktet, para se të vijnë në treg testohen vetëm në reagimet momentale, por nuk mendohet për pasojat afatgjate, si kanceri apo helmimi”, thekson Lauren Sucher nga Grupi për mbrojtje të mjedisit.
Hulumtimet.e mëhershme të Qendrës amerikane për kontrolle të sëmundjeve kanë treguar që niveli i DBP-së është jashtëzakonisht i lartë tek të gjithë femrat e testuara në moshën prej 20 deri 40-vjeçare. Kampanja botërore për kozmetikë më të sigurt kërkon nga shtëpitë e mëdha të kozmetikës si Avon, L’Oreal, Revion dhe Procter&Gamble të largojnë DBP-në e dëmshme nga produktet e veta.