Muaji mars, i cili njihet si muaji i konsumatorit, Kosovën e gjen në një situatë mjaft shqetësuese, sa i përket rrezikut që vjen nga produktet e dyshimta si dhe mungesa e angazhimit institucional në këtë drejtim, thonë përfaqësues të organizatave joqeveritare që merren me mbrojtjen e konsumatorit.
Udhëheqësi i organizatës joqeveritare “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku thotë se ligji dhe programet për mbrojtjen e konsumatorit i ofron qytetarëve një mbrojtje të mirë, por kjo, sipas tij, nuk praktikohet.
Sipas Kaçanikut, moszbatimi i ligjit për mbrojtjen e konsumatorëve ka bërë që tregu kosovar të jetë i furnizuar me produkte me afat të skaduar dhe me cilësi të dyshimtë. “Institucionet e shtetit po na urojë muajin e konsumatorit më një sërë ngritje të çmimeve dhe më një ngritje enorme të çmimit të energjisë elektrike. Qeveria duhet të veprojë në uljen e çmimeve”, thekson ai.
Angazhimi për mbrojtjen e konsumatorit kosovar është kërkuar edhe nga mekanizmat ndërkombëtarë. Në raportet e tyre ata kishin theksuar nevojën për angazhim më të fuqishëm institucional në këtë drejtim.
Përveç ligjit për mbrojtjen e konsumatorit, në Kosovë ekziston edhe programi i hartuar nga Qeveria e Kosovës për mbrojtjen e konsumatorit 2010 – 2015. Përfaqësues të institucioneve të Kosovës thotë se janë duke punuar vazhdimisht për arritjen e standardeve evropiane për mbrojtjen e konsumatorit.
Kryesuesi i Këshillit për Mbrojtjen e Konsumatorit të Kosovës në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, Izer Arifi, thotë ende mungon vetëdijesimi i qytetarëve për të paraqitur ndonjë rast kur konsumatorit i shkelet e drejta. “Gjatë kësaj kohe, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë është në funksion të zbatimit të ligjit aktual dhe programit për mbrojtjen e konsumatorit. Gjatë këtij viti do ta ndryshojmë ligjin, ku janë përfshirë edhe direktivat evropiane të cilat nuk kanë qenë të përfshira”, theksoi ai.
Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka organizuar “Javën e konsumatorit”, që ka për qëllim vetëdijesimin e konsumatorëve rreth të drejtave të tyre.