Enver Hasani shkeli ligjin

Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani, brenda vetëm tre vjetësh është avancuar në të gjitha nivelet akademike në Universitetin e Prishtinës, gjatë mandatit sa ishte rektor i Universitetit, ani se marrja e të gjitha këtyre thirrjeve akademike kërkon 12 vjet kohë.

“Koha Ditore” posedon shkresat - letrat që dëshmojnë se Hasani brenda tre vjetësh ka kaluar nga niveli i profesorit asistent, në profesor të asocuar dhe pastaj edhe në profesor ordinar (i rregullt), ndonëse Statuti i UP-së përcakton qartë se profesorët duhet të ushtrojnë katër vjet përvojë pune vetëm në një nivel. Ai kur është emëruar rektor i UP-së, në vitin 2006, ka qenë profesor-asistent, kurse në vitin 2009 ka përfunduar si profesor i rregullt.
Kurse në njërin nga vendimet e marra për avancimin e tij, figuron vetë emri i Hasanit si rektor dhe nën të nënshkrimi i tij.
Hasani nuk ka pranuar të prononcohet në lidhje me asnjërën nga këto çështje.
Ndërkaq, njëri nga ish-kolegët e tij, Agim Paca, profesor në Fakultetin Juridik, ka konfirmuar të dhënat që posedon gazeta.