Pretendimet që serbët e Kosovës që nga 1 qershori duhet patjetër të përdorin targat RKS ose KS dhe dokumentet e Kosovës paraqet një provokim të Prishtinës, ka thënë ministri serb për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Goran Bogdanovic, duke thënë se asgjë që ka të bëjë me këtë çështje ende nuk është precizuar.
Sipas Bogdanovicit targat dhe dokumentet do të jenë temë e negociatave ndërmjet shefit të ekipit negociator të Beogradit, Borko Stefanovic, dhe ndërmjetësit evropian, Robert Cooper, gjatë javës së ardshme.
”Mirëpo një numër i konsiderueshëm i serbëve, që jetojnë në jug të Ibrit, i përdor targat dhe dokumentet e Kosovës për shkak të sigurisë personale. Kjo nuk do të thotë se i njohin, por thjesht janë të detyruar për të mundur të lëvizin më lirisht. Të gjithëve u është e ditur sesa është më e vështirë situata e sigurisë në këtë zonë sesa në veri”, ka thënë Bogdanovic për gazetën ”Vecernje novosti”.
Bogdanovic thekson se serbët e veriut të Kosovës askush nuk mund t'i detyrojë të përdorin targat ose dokumentet e institucioneve të Kosovës, të cilat nuk ekzistojnë në zonën e veriut.
Po ashtu Bogdanovic ka kritikuar EULEX-in për shkak se në vendkalimet Jarinjë dhe Bërnjak ka shpërndarë afishe në të cilat shkruan se qytetarët e Kosovës nga 1 qershori patjetër duhet të kenë tabela KS ose RKS, letërnjoftime, patentë shoferë dhe leje qarkullimi të Kosovës.