Rrugët që çojnë në Zubin Potok dhe sot janë bllokuar, pasi serbët që po qëndrojnë në barrikadë sërish nuk kanë lejuar kalimin e automjeteve të EULEX-it, që ishin nisur drejt pikë kalimit kufitar në Bërnjak.
Menjëherë pasi serbët kanë ndaluar tri automjetet e EULEX-it në rrugën magjistrale Mitrovicë - Ribaric, KFOR-i ka mbyllur punktin e kontrollit në Jagnenicë, gjë që ka bërë të ndërpritet komunikacioni në mes Zvecanit dhe Zubin Potok, transmeton Tanjugu.
Serbët bllokuan rrugën në kamionë në Zupce ku edhe më tej po qëndrojnë pjesëtarët e EULEX-it në tri automjete, duke kërkuar që deri në Bërnjak të shkojnë vetëm në përcjellje të KFOR-it.
KFOR-i pasi ka dalë nga baza e vet në Jagnenicë ka bllokuar rrugën magjistrale në Zupce duke mbyllur trafikun në rrugën Mitrovicë - Ribaric.
Ndërsa në pjesën veriore të Mitrovicës ka filluar takimi shefit të UNMIK-ut, Farid Zarif, me përfaqësuesit e serbëve nga veriu i Kosovës.
Në takimin, i cili ka filluar në orën 11.00 në ndërtesën e administratës së UNMIK-ut në veri të Mitrovicës do të diskutohet për situatën aktuale politike dhe të sigurisë në pjesën veriore të Kosovës.
Në takim po marrin pjesë kryetarët ilegalë të katër komunave të veriut të Kosovës dhe i ashtuquajturi kryeshef i rrethit të Mitrovicës, Radenko Nedelkovic.