Anëtarët e Këshillit Drejtues të OEK-ut të udhëhequr nga Safet Gërxhaliu, u takuan me ish-presidentin e Kroacisë, Stjepan Mesiç, ku u bisedua për disa çështje të rëndësishme në sferën e bashkëpunimit ekonomik në mes të Kosovës dhe Kroacisë si dhe për nevojën e avancimit të këtij bashkëpunimi edhe më tepër në të ardhmen.
Kryetari Gërxhaliu falënderoi kryetarin Mesiç për kontributin e dhënë në përkrahje të Kosovës. Ai në emër të Këshillit Drejtues të OEK-ut i dhuroi një mirënjohje duke thënë se kjo është vetëm një simbolikë falënderuese ndaj presidentit Mesiç për tërë atë që ka bërë për proceset në Kosovë dhe po ashtu një mirënjohje që do të jetë simbolikë që dëshmon se Republika e Kosovës ka nevojë edhe në të ardhmen për një mik dhe mbështetës çfarë është Mesiç dhe se Kosova ka nevojë edhe për mbështetje ekonomike sidomos tani kur Republika e Kroacisë do të aderojë në familjen evropiane.
Zhvillimi ekonomik është parakusht i stabilitetit politik dhe social prandaj orientimet e OEK-ut në këtë drejtim duhet të kenë mbështetje edhe nga jashtë e në veçanti nga shtetit Kroat me të cilin nuk kemi çështje të hapura politike e mundësia për bashkëpunim ekonomik është në interes të të dyja palëve dhe gatishmëria për bashkëpunim ekziston.
Presidenti Mesiç tha se ka qenë dhe do të mbetet një mik i vërtetë i Kosovës dhe i proceseve pozitive në Kosovë. Ekonomia dhe zhvillimi ekonomik duhet të jenë prioritet dhe vetëm në këtë mënyrë mund të dëshmohet forca e shtetit të ri. “Komuniteti serb e në veçanti afaristët duhet të jenë të orientuar drejt Prishtinës dhe Kosovës, e jo në Beograd dhe Serbi” theksoi Presidenti Mesiç.
Ai tha se duhet që të avancohet bashkëpunimi ndërmjet dy shteteve dhe bashkërisht të gjejmë qasje në fonde të ndryshme evropiane të cilat do të bëhen në funksion të avancimit të bashkëpunimit ndërshtetërorë, krijimi e efekteve Win-Win dhe në veçanti këto mjete të jenë në funksion të ndërmarrësisë të të dyja shteteve dhe të krijimit të qëndrueshmërisë ekonomike dhe sociale në të dyja vendet dhe kjo formë mund të jetë forma më ideale e përshpejtimit të proceseve integruese përmes zhvillimit ekonomik.