VV mbështet shqiptarët e Luginës

Lëvizja Vetëvendosje e përkrah Deklaratën Politike të miratuar nga 66 këshilltarët shqiptarë nga të tria komunat e Luginës së Preshevës, përmes së cilës konfirmohet vullneti politik i shqiptarëve të kësaj lugine për t’u bashkuar me Kosovën.
“Qeveria e Serbisë në mënyrë sistematike po u shkakton padrejtësi shqiptarëve në aspektin politik, socio-ekonomik e kulturor. Shqiptarët atje janë popullsi autoktone dhe përtej tyre në Serbi shtrihen trevat e ish Sanxhakut të Nishit (Toplicës) prej nga u dëbuan mbi 700 fshatra shqiptare përgjatë gjenocidit të kryer ndaj tyre në fund të shekullit XIX”, theksohet në komunikatën e Vetëvendosjes.
Mospërfillja dhe neglizhenca nga qeveritë në Prishtinë dhe Tiranë, për gjendjen e rëndë të shqiptarëve të Preshevës, Bujanoc e Medvegjë, për VV-në është fyese dhe e papranueshme. 

Serbia do të detyrohet ta njohë Kosovën

Kosova mbetet test i rëndësishëm dhe Serbia do të detyrohet që në vitet e ardhshme ta njohë Kosovën, thotë eksperti holandez për Ballkanin Perëndimor, Johan van Merriënboer.
"Çështja e Kosovës do të jetë një barrë e madhe për Serbinë gjatë gjithë procesit të negociatave të pranimit në BE. Unë mendoj se në fund ky problem paraqet një pikë kthese dhe testin e fundit për Serbinë”, ka thënë ai për “Danas”.
Sipas tij, Serbia do të detyrohet që në vitet e ardhshme ta njoh Kosovën, "në një mënyrë apo një tjetër, para se të bëhet anëtare e BE-së".
Van Merriënboer beson BE do të gjej zgjidhje ligjore që do të kënaqë të gjitha palët. Ndërsa, kur është fjala për fillimin e negociatave të Serbisë me BE-në, eksperti holandez nuk është shumë optimist.
"Brukseli ka dërguar sinjale se kjo nuk do të ndodhë deri në fund të vitit 2012. Megjithatë, është më reale të pritet që negociatat midis Serbisë dhe BE të fillojë më së më së shpejti në janar të vitit 2013”. 

Mustafa: LDK është e vetmja parti me integritet

LDK-ja pavarësinë dhe sovranitetin e vendit në tërë territorin e saj e konsideron të përfunduar dhe që nuk mund të negociohet me të tjerët, ka thënë kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, në Kuvendin Punues të LDK-së.
“Shtrirja e sovranitetit në tërë territorin e Republikës së Kosovës, veçmas në disa komuna me shumicë serbe në veri të vendit, janë sfida për forcimin e pavarësisë dhe të shtetndërtimit. LDK-ja angazhohet për zgjidhjen me dialog të problemeve me fqinjët, pa e prekur sistemin kushtetues, rregullimin e brendshëm dhe kufijtë, duke ofruar të drejta të barabarta për të gjithë qytetarët”, ka thënë Mustafa.
Sipas tij, politika duhet të jetë në shërbim të qytetarëve e jo qytetarët në shërbim të politikës. Ndërsa, partia e cila do të udhëheqë Kosovën në Evropë, thotë Mustafa, duhet të ketë integritet.
“Vetëm LDK-ja ka dëshmuar se ka eksperiencë dhe integritet të bëjë Kosovën një vend të barabartë me vendet e tjera Evropiane. LDK-ja ka integritet të luftojë korrupsionin dhe të mundësojë që të funksionojë rendi dhe ligji në Kosovë. LDK-ja ka përvojë dhe integritet të sigurojë punë dhe ekonomi stabile; të sigurojë që qeverisja ekonomike do të realizohet në harmoni me modelin evropian të ekonomisë sociale të tregut, si koncept i partive të qendrës së djathtë”, ka thënë Mustafa. 

Stefanovic: Dialogu, pas zgjedhjeve në Serbi

Shefi i ekipit negociator serb, Borislav Stefanovic, deklaroi se dialogu në mes të Prishtinës dhe Beogradit do të vazhdojë pas zgjedhjeve parlamentare në Serbi.
“Dialog mes Prishtinës dhe Beogradit nuk do të ketë, derisa nuk përfundojnë zgjedhjet tona parlamentare”, ka thënë Stefanovic për RTS.
Ai ka thënë se marrëveshjet në lidhje me çështjet energjetike, telekomunikimin, lirinë e lëvizjes së KFOR-it dhe EULEX-it, do të jenë të rëndësishme për marrjen e datës për nisjen e negociatave mes Serbisë dhe Bashkimit Evropian.
Sipas tij, nuk janë “vendosur kufijtë me Kosovën“ dhe se Serbia “nuk e ka dhënë Kosovën“ në shkëmbim të statusit të kandidatit për anëtarësim në BE. 

Kosova dhe Rusia mbajnë kontakte jozyrtare

Rusia në mënyrë kundërshton njohjen ndërkombëtare të Kosovës, gjë që e pengon anëtarësimin e Kosovës në OKB.
"Politika e Rusisë për Kosovën po ndikohet nga konsideratat më të gjera gjeostrategjike sesa nga realiteti në terren", tha për SETimes zëvendësministri i Jashtëm i Kosovës Petrit Selimi.
Ai shpjegoi se Rusia nuk është kundër pavarësisë së Kosovës, por kundër perceptimit të “shpalljes së njëanshme të pavarësisë”.
Sidoqoftë, ky qëndrim dikton veprimet e Rusisë. Duke penguar njohjen ndërkombëtare të Kosovës, politika e Rusisë synon ta shndërrojë Kosovën në një "konflikt të ngrirë", thonë analistët vendas.
"Qëllimi është ta mbajë NATO-n të bllokuar në Kosovë e Ballkan, që të mos angazhohet në Lindje e në Kaukaz", thotë analisti Milazim Krasniqi.
Një çështje tjetër është mos pranimi i Rusisë për të njohur pasaportat e Kosovës. Zyrtarët e Kosovës thonë se shpresojnë se Rusia do të ndjekë shembullin e më shumë se 50 vendeve që nuk e njohin Kosovën -- përfshirë Kinën – por, që pranojnë pasaportat e saj pa marrë ndonjë detyrim politik.
"Rusia nuk do ta bëjë këtë pa marrë diçka në shkëmbim nga Prishtina, si njohja e pasaportave të Abkhazisë", thotë analisti i Qendrës së Politikave Evropiane, Berat Krasniqi.
Qëndrimi i Rusisë ka krijuar vështirësi edhe në vend.
"Nëse Kosova do të ishte një anëtare e OKB-së, politikanët nuk do të përqendroheshin (pothuajse krejtësisht) në njohjen, por më shumë në problemet e brendshme", shton Krasniqi.
Megjithatë, ka kontakte jozyrtare mes Moskës e Prishtinës, nëpërmjet zyrës së ndërlidhjes së Rusisë në Kosovë, që kryesohet nga Andrey Shugurov.
"Mbajmë minimumin e komunikimit të nevojshëm, për shkëmbimin e rregullt të informacionit. Këto kontakte nuk janë quajtur zyrtare nga Rusia, gjë që pasqyron qëndrimin e saj ndaj institucioneve të pavarura të Kosovës", thotë Selimi.
Kosova është përpjekur në mënyrë që të organizojë takime mes zyrtarëve të lartë të të dy vendeve, por pa sukses.
"Kjo nuk është e lehtë pasi Rusia nuk pranon të takohet me ne publikisht... Shpresojmë se këtë vit do të ndërtohet një urë komunikimi", shtoi Selimi.
Një pengesë tjetër në krijimin e marrëdhënieve me Rusinë është imazhi negativ i Kosovës që pasqyrohet në mediat ruse.
"Kosova nuk ka as edhe një imazh pozitiv sepse mediat i portretizojnë serbët se jetojnë në geto dhe NATO-n se po ndihmon shqiptarët të përzënë serbët nga Kosova", thotë albanologu Dmitry Chukov.
Duke ditur mbështetjen tradicionale që Serbia merr nga Duma ruse, kisha ortodokse ruse e qarqet akademike, Chukov thotë se Rusia mund të ndryshojë qëndrimin e saj për Kosovën vetëm nëse këtë e bën së pari Serbia.

LDK merr parasysh vërejtjet e “krahut” të Sejdiut?

Lidhja Demokratike e Kosovës, pas debateve disamujore nëpër degë, sot do të mbajë Kuvendin punues, për të përmbyllur procesin e reformave të brendshme.
Lidhur me ndryshimet dhe statusin e ri të LDK-së, nuk është pajtuar një pjesë e LDK-së, kryesisht ata që anojnë tek lideri i partisë dhe ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu.
Anëtari i Kryesisë së LDK-së, njëherazi kryesues i Ekipit për Ndryshimet statutore, Agim Veliu, në një prononcim për “Tribuna Shqiptare” thotë se propozimet të cilat kanë qenë të arsyeshme janë marrë parasysh.
“Të gjitha ato që janë propozuar e që janë vlerësuar se janë të arsyeshme, janë futur në dokument dhe nesër pritet që të aprovohen ose të hidhen poshtë në Kuvend”, ka thënë ai. 

SHBA mbështet pavarësinë dhe integritetin territorial të Kosovës

Ndihmës-sekretari i Shtetit, Philip Gordon, ka thënë se SHBA është shumë e kënaqur që BE ia ka dhënë statusin e kandidatit Serbisë, por theksoi se kanë mbetur edhe shumë punë pa u kryer, sidomos në lidhje me dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës.
"Jemi të kënaqur me vendimin e BE-së për t’ia ofruar Serbisë statusin e kandidatit, gjë të cilën SHBA e ka mbështetur që një kohë... Është e qartë se kanë mbetur edhe shumë për t’u bërë, sidomos në dialogun mes Serbisë dhe Kosovës... Natyrisht, ende ka dallime të mëdha rreth veriut të Kosovës, dhe ne i inkurajojë palët që të bisedojnë rreth kësaj", ka thënë Gordon.
Në një intervistë për televizionin “Al Jazeera Balkans”, ai ka përsëritur se SHBA-të e mbështesin pavarësinë dhe integritetin territorial të Kosovës si dhe integrimin e shtetit të ri në BE.
"Por, ne besojmë se ka shumë mënyra që banorëve lokale, serbëve nga veriu i Kosovës, t’ju mundësohet zgjedhja e përfaqësuesve të tyre të cilët do të ishin përgjegjës për çështjet e tyre”, ka thënë Gordon. 

Sektori privat, me probleme

Sektori privat në Kosovë vazhdon të përballet me probleme të ndryshme, të cilat po ndikojnë në zhvillimin e veprimtarive. Përfaqësues të komunitetit të biznesit, ekspertë të ekonomisë dhe afaristë kosovarë, thonë se problemet e këtij sektori paraqiten që nga hapja e një biznesi të ri.
Tahir Maloku, pronar i kompanisë ndërtimore “Fitorja”, tregon se problemet kryesore në zhvillimin e aktivitetit të tij, paraqiten te furnizimi jostabil me energji elektrike dhe prania e ekonomisë joformale në tregun kosovar.
“Problemi numër një, si qytetar dhe si çdo firmë e Kosovës, është mungesa e rrymës. Këto janë telashet më të mëdha. E dyta, ka probleme me njerëzit që punojnë ‘në të zezën’ dhe nuk kanë asnjë obligim, asnjë përgjegjësi, kurse paraqiten konkurrentë në treg’’, thotë Maloku.
Por, eksperti i ekonomisë, Ibrahim Rexhepi, thotë se në bazë të raporteve të Bankës Botërore, problemet e sektorit privat shfaqen që nga nisja e biznesit. Ai përmend problemet ligjore, burokracinë dhe investimet e shumta që kërkohen për hapjen e biznesit.
“...e dyta është aspekti i ligjeve të sektorit fiskal. Ta zëmë secili biznes fillimisht ngarkohet me të gjitha obligimet fiskale, duke filluar që nga TVSH-ja për pajisjet e importuara për investimet që bën dhe kjo është ngarkesë e madhe. E treta, nuk ka asnjë lehtësi për fillimin e biznesit, qoftë për shfrytëzimin e infrastrukturës, tokave apo ndonjë pushim tatimor në vitet e para të fillimit të biznesit, siç shkon në disa vende të rajonit”, pohon Rexhepi.
Përfaqësues të komunitetit të biznesit, ndërkaq, theksojnë se ekzekutivi ka krijuar disa politika të reja për sektorin privat, por që këto politika deri më tani nuk kanë treguar efekte drejtpërdrejt në tregun kosovar.
Ezgan Muzbeg, nga Oda Tregtare Turke në Kosovë, konsideron se sektori privat në vend është në rritje, por kjo rritje nuk është e mjaftueshme për një ekonomi të qëndrueshme. Sipas tij, sektorit privat i nevojiten politika ekonomike që stimulojnë prodhimtarinë.
“Kur flasim për stimulimet, mund të theksojmë edhe problemet, me të cilat ballafaqohet sektori privat. Problemet bazike mund të ndahen në dy pjesë: Pjesa e parë është e lidhur me mungesën e politikave ekonomike të Qeverisë së Kosovës, si për shembull mungesa nga lirimi i përkohshëm për të ardhurat dhe mënyrat tjera të përkrahjes”.
“Problemi tjetër i sektorit privat është legjislacioni i grumbulluar dhe ngecja e mekanizmave për zbatimin e saj. Mund të theksohet edhe ngadalësia në procedurat juridike dhe gjyqësore”, thekson Muzbeg.
E, përfaqësues të Qeverisë, vazhdimisht kanë potencuar përpjekjet për mbështetjen e sektorit privat në vend.

Zhvlerësim tjetër për Greqinë

Greqia ka marrë një tjetër zhvlerësim të agjencisë Moody`s. Agjencia ndërkombëtare, që vlerëson aftësinë e shteteve për të kthyer borxhet, ka zhvlerësuar Greqinë në nivelin më të ulët, C.
Agjencia ka thënë se rreziku i moskthimit të borxheve mbetet tepër i lartë. Moody`s vlerëson me notën C, ata borxhlinj që i konsideron se janë futur në falimentim.
Kjo agjenci jep 21 vlerësime, nga më e mira “Aaa” deri te më e keqja, “C”.

Vërtetimet Tatimore tani merren në zyrën më të afërt të ATK-së

Me qëllim të lehtësimit të procedurave dhe ofrimit të shërbimeve më profesionale, transparente dhe më efektive për tatimpaguesit dhe për të gjithë të punësuarit, Administrata Tatimore e Kosovës, njofton se Vërtetimet Tatimore, të cilat lëshohen për të paraqitur gjendjen tatimore të tyre, mund të merren në zyrën më të afërt regjionale të ATK-së.
Vërtetimi Tatimor, si: Vërtetimi për Vizë, Nënshtetësi, Lehoni, etj. mund të merret në Zyrën Regjionale më të afërt të Administratës Tatimore të Kosovës, pavarësisht se cilit regjion i përket tatimpaguesi apo i punësuari, ndërsa Vërtetimi për Tender dhe Vërtetimi për Çregjistrim të biznesit, vazhdon të merret vetëm në Zyrën Regjionale të cilës i përket tatimpaguesi.
Gjithashtu, si rrjedhojë e procesit të përmirësimit të shërbimeve për tatimpagues, nga Shkurti i vitit 2012 ATK ka zgjatur afatin e vlefshmërisë së Vërtetimeve Tatimore me ç’rast tatimpaguesit mund shfrytëzojnë të njëjtin vërtetim më shumë se një herë.
“Afatet e vlefshmërisë, janë zgjatur si në vijim: 1. Vërtetimi për Tender – i vlefshëm 90 ditë nga data e lëshimit; 2. Vërtetimi për Vizë – i vlefshëm 6 muaj nga data e lëshimit; 3. Vërtetimi për Çregjistrim të biznesit – i vlefshëm 10 ditë nga data e lëshimit; 4. Vërtetimi për Prishje të nënshtetësisë – i vlefshëm 90 ditë nga data e lëshimit, 5. Vërtetimi për “Të tjera” – i vlefshëm 90 ditë nga data e lëshimit”, ka njoftuar ATK-ja. 

Shtetet e BE-së nënshkruajnë Paktin Fiskal

25 nga 27 vendet anëtare të BE-së nënshkruan një pakt fiskal për më shumë disiplinë buxhetore. Vetëm Britania e Madhe dhe Republika Çeke nuk janë pjesë e saj. Irlanda ka njoftuar se do të organizojë referendum.
Shtetet e BE-së dërguan një mesazh të qartë për takimin e nivelit të lartë të pranverës. Mesazhi thotë se rehabilitimi i buxheteve ka prioritet. 25 kryetarët e shteteve dhe të qeverive nënshkruan një paketë kursimesh me rregulla të forta.
Motoja e BE-së për frenimin e krizës së borxheve është "më shumë disiplinë buxhetore". Me këtë synim 25 nga 27 vendet e BE-së nënshkruan ditën e dytë të takimit të nivelit të lartë të BE-së një paketë kursimesh. Marrëveshjes, e cila parashikon ndër të tjera kufizimin e borxheve sipas modelit gjerman, nuk iu bashkuan Britania e Madhe dhe Çekia. Irlanda ka bërë të ditur se do të zhvillojë një referendum. "Unë mendoj se ky është një sinjal i fortë, se nga kriza ne kemi nxjerrë mësime”, tha në Bruksel kancelarja Angela Merkel.
Me këtë pakt vendet nënshkruese janë të detyruara që të mbajnë deficitin strukturor nën kufirin e 0.5 për qind të prodhimit bruto në vend, në vend të 1.0 për qind, siç e parashikojnë ligjet e BE-së.
Në rastin e shkeljeve të këtij rregulli të paktit fiskal do të hapen automatikisht proceset e dënimit. Vendet e prekura rrezikohen me gjoba të larta.

Ancelotti: Ende e kërkoj Paton

Bosi i PSG, Carlo Ancelotti, ka zbuluar se ai është ende shumë i interesuar për të transferuar asin e Milanit, Alexandre Pato.
PSG ka tentuar edhe më parë që të transferojë Paton, por nuk ka pasur sukses në këto tentativa pasi kishte ndërhyrje të drejtpërdrejtë nga Silvio Berlusconi. Sidoqoftë, Ancelotti refuzon të dorëzohet.
“A do të vijë Pato në fund të sezonit? Le të themi se në afatin e kaluar kalimtar kemi tentuar ta transferojmë, por them se do të kërkojnë edhe sulmues tjerë gjatë verës. Ne nuk mund të themi se na pëlqeu Pato në janar, por nuk do të na pëlqejë në qershor, sidoqoftë këtë herë tentimet do të jenë më të fuqishme”, potencoi ‘Carlito’.

Pedro: Nuk dorëzohemi

Lojtarët e Barcelonës nuk preferojnë të dorëzohen në luftën për titull në La Liga dhe këtë e shpreh hapur edhe Pedro, i cili thotë se janë edhe shumë ndeshje për t’u luajtur.
“E vërteta është se ne jemi 10 pikë prapa. Ne duhet të tentojmë të mos humbasim më ndeshje dhe të presim që Reali të lëshojë pikë”.
“Nëse ata rrisin diferencën në krye të tabelës, kampionati do të jetë shumë i komplikuar. Ne nuk do të dorëzohemi deri në fund”, tha Pedro. 

Thiago Silva nuk është në shitje

Zëvëndëspresidenti i Milanit, Adriano Galliani, ka këmbëngulur se Rossonerët nuk dëshirojnë ta humbasin mbrojtësin Thiago Silva.
Mbrojtësi brazilian është lidhur me një kalim te Barcelona dhe spekulimet janë rritur kohëve të fundit, por për ato si zakonisht përkujdeset zotri. Galliani.
“Thiago Silva ka kontratë deri në vitin 2016, kështu që nuk mendoj se ai mund të kalojë te Barcelona”, theksoi Galliani. 

Rossell: Titulli nuk është humbur ende

Presidenti i Barcelonës, Sandro Rosell, ka treguar moral të lartë para sfidës ndaj Sporting Gijonit në Camp Nou, ku do të mungojë Lionel Messi, duke thënë se lufta për titull ende nuk ka mbaruar.
Real Madridi ka dhjetë pikë më shumë se sa Barcelona që është në vendin e dytë dhe për shumë tashmë dihet kampioni. Sidoqoftë, Rosell ende nuk e di se kush do të jetë kampion.
“Fjala e pamundur duhet të ekzistojë, por jo për këtë rast. E pamundur në La Liga është vetëm kur matematikisht nuk kemi gjasa. Në ndërkohë, asgjë nuk është e pamundur”, u shpreh Rosell. 

Klubet italiane ta harrojnë Bale

Agjenti Peppino Tirri, u ka bërë thirrje gjigantëve italianë që ta harrojnë idenë e transferimit të anësorit Gareth Bale, për arsye se ata nuk kanë para për uellsianin.
“Është e pamundur që Bale të transferohet në Itali. Shumë klube e kërkojnë në Itali, por asnjë nuk ka të holla për të”.
“Nëse një ekip si Barcelona detyrohet të dorëzohet për një lojtar, atëherë kjo do të thotë se ai qëndron aty ku është. Klauzola e tij prej 50 milionë funtesh flet më shumë për këtë. Real Madridi nuk ka nevojë për të, përderisa ai mund të jetë në interes të Chelseat dhe Manchester Cityt. Sidoqoftë, nuk mendoj se Tottenhami do t’ua shesë atyre”, u shpreh Tirri. 

Boateng darkon me Sneijder

Mesfushori i Interit, Wesley Sneijder, duket ta ketë ftuar në një darkë me bashkëshorten e tij, mesfushorin e rivalit të përbetuar, Milanit, Kevin-Prince Boateng.
Kështu të paktën flasin imazhet e publikuara nga Yolanthe Cabau, bashkëshortja e Sneijder, e cila shihet në foto së bashku me Melisa Sattan, e cila është e fejuara e Kevin Prince Boateng.
“Një darkë e këndshme në shtëpinë tonë”, ka shkruar bashkëshortja e Sneijder në Twitter, ku e bashkangjiti dhe foton. 

Guardiola mohon kalimin te Chivas

Trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola, ka hedhur poshtë spekulimet që e lidhin atë me një kalim te klubi meksikan Chivas Guadalajara.
Guardiola iu përgjigj spekulimeve për të ardhmen e tij, të cilat e lidhnin me një kalim te klubi meksikan Chivas, së bashku me këshilltarin Johan Cruyff, kurse rastin për këtë Pep e shfrytëzoi në konferencën për shtyp para sfidës ndaj Gijonit të shtunën mbrëma.
“Unë kam qenë në Meksikë më parë, por unë nuk planifikoj që të kthehem në të ardhmen e afërt”, theksoi Guardiola.

Heynckes pranon presionin mbi ekipin

Trajneri i Bayernit të Munichut, Jupp Heynckes ka ripërsëritur qëndrimin e tij se presioni mediatik mbi klubin bavarez është shumë i madh dhe se kjo është e natyrshme për të.
“Secili lojtar që luan për Bayernin e Munichut e di se Bayerni është klub i veçantë. Sa herë humbasim, menjëherë ka presion nga mediat, pa marrë parasysh a është miqësore apo nëse kemi humbur minimalisht një ndeshje minimalisht në Ligën e Kampionëve”.
“Sa herë ndodh kjo, njerëzit kërcejnë me një raport apo tjetrin për të kritikuar Bayernin. Është diçka me të cilën lojtarët duhet të mësohen këtu dhe mendoj se ata mund t’ia dalin mbanë mirë”, u shpreh Heynckes.

Liverpooli nuk bën më shpenzime

Shefi i Liverpoolit, Damien Comolli, ka ftohur spekulimet se The Reds do të bëjnë shpenzime të mëdha gjatë verës.
“Është ende herët. Ne ndoshta do të bëjmë përforcime gjatë verës, por jo transferime siç kemi bërë më parë. Ne transferuam nëntë lojtarë që prej ardhjes së Kennyt në krye dhe ka nevojë për disa përforcime, jo të mëdha”.
“Ne kemi bërë punë të mirë dhe është pyetje e kohës kur do të shihen rezultatet. Kenny ka thënë disa herë se ne kemi skuadër mjaft kompeptitive dhe të gjitha pozitat janë të mbuluara mirë nga dy apo tri lojtarë, lojtarë cilësorë dhe ne kemi shumë lojtarë të rinj të cilët po kanë sukses”, u shpreh Comolli. 

Don Arbas dhe Dhurata publikojnë këngën e re

Këngëtarja, Dhurata Dora ka lansuar projektin më të fundit në bashkëpunim me reperin dhe producentin Don Arbas, i cili titullohet “Get Down”.
Kënga e punuar nga Don Arbas dhe me tekst të Locos dhe vet Dhuratës.
Dhurata është një bukuroshe e cila njihet për zërin e saj fantastik, por që po kërkon shpërthimin në skenën e muzikës kosovare. 

Balotelli në ofsajd, del nga striptiz klubi

Futbollisti problematik, Mario Balotelli, pas deklaratave pozitive nga trajneri i tij Roberto Mancini, rrezikon që të ketë edhe më shumë telashe me këtë të fundit dhe me të dashurën e tij, pasi është fotografuar duke dalë nga një striptiz klub në ora 2:45 me disa shokë të tij.
Asi i Manchester Cityt ishte në lokalin “X in the City” në Liverpool, i njohur si ndër striptiz klubet më të mëdha në Britani. Por, Balotelli rrezikon telashe të reja, pasi klubi sigurisht se nuk do të tolerojë që 48 orë para ndeshjes ndaj Boltonit të argëtohet nëpër striptiz klube të qyteteve tjera.
Dhe sigurisht se as e dashura e tij Raffaella Fico, nuk do ta presë mirë këtë lajm, pasi vetëm një javë më parë Balotelli zbuloi fanellën “Rafaella, I love you” pasi shënoi gol.

DJ i Eminem, sonte në Duplex

DJ zyrtar i Eminemit dhe pjestari i Shady Records, Alchemist, do të performojë sonte mbrëma në Duplex Club Prishtina, ku pritet të argëtojë qindra fansa të hip-hopit.
Njeriu i cili është i njohur për miqësinë dhe bashkëpunimin e ngushtë me Eminem dhe njeriu i cili krijoi hitet më të mëdha të një prej reperëve më të mëdhenj në botë, Alchemist, pritet që të aterojë gjatë ditës në Prishtinë, ku do të prononcohet për mediat.
Alchemist do të performojë hitet më të njohura të Eminem dhe të ‘labelit’ Shady Records, duke premtuar kështu atmosferë të zjarrtë dhe natë tipike për Prishtinën, që tashmë edhe nga reperët botëror njihet si qytet i hip-hopit.
Performanca e Alchemist pritet të nisë pas orës 22:00 dhe do të zgjasë rreth 60 minuta, varësisht nga atmosfera, pranaj as se si mos e lëshoni këtë rast.
Performanca e Alchemist në diskotekën më të madhe në Kosovë është vetëm një ‘warm-up’ për një vit të jashtëzakonshëm, pasi në fillim të prillit në sallën “1 Tetori” do të mbajë koncertin DMX dhe janë edhe disa befasi tjera të cilat do t’i zbulojmë në ditët në vazhdim. 

Genta: Ish i dashuri im ngjan në Metin

Banorja e Big Brother Albania 6, Genta, ka zbuluar gjatë një bashkëbisedimi me konkurrentin kontravers Liamin, se konkurrenti nga Kosova, Meti Alshiqi, ngjan shumë në ish të dashurin e saj.
Genta ka zbuluar se nuk mund ta harrojë ish të dashurin dhe e ka problem këtë, pasi Meti ngjan shumë në të, që është dhe arsyeja se pse Genta ka qarë kur kishte mundësinë për ta larguar Metin nga shtëpia.
Më pas në këtë bashkëbisedim, Genta pyet Liamin se pse nuk lidhet me ndonjë nga banoret e shtëpisë. Ky i fundit i përgjigjet duke i thënë se ka të dashur jashtë shtëpisë me të cilën synon dhe ta kalojë jetën. 

Stresi ‘shuan’ pasionin

Reagimet nga stresi janë të dëmshme për një lidhje serioze apo martesë. Është një nga faktorët kyç në shkatërrimin e harmonisë në një lidhje intime.
Por, çfarë duhet të bëni kur stresi ose depresioni fillojnë ta dëmtojnë jetën tuaj intime:

- Tregoni partnerit se e respektoni dhe mendoni për të. Një kompliment ose një dhuratë e vogël nganjëherë është mënyra më e mirë për t’i treguar dikujt se interesoheni për të.
- Bisedoni çdo ditë, para gjumit ose derisa hani ushqim, nuk është me rëndësi koha, por me rëndësi është ta pyetni partnerin se çfarë planifikon të bëjë gjatë ditës, ose si e ka kaluar ditën.
- Provoni nganjëherë të përmbaheni dhe të shmangni përsëritjen e gjërave që ju shqetësojnë.
- Bëni plane të përbashkëta, sepse në këtë mënyrë do t’i ofroni partnerit dhe vetvetes mundësinë që të merrni pjesë bashkë në një ndodhi dhe në këtë mënyrë do ta forconi lidhjen.
- Ndani përgjegjësitë, qoftë nëse flitet për anën financiare, fëmijët, punët shtëpiake etj., në mënyrë që të ndiheni të barabartë.
- Ndani kohë për veten tuaj.
- Ndryshojeni mënyrën e çuarjes së dashurisë. Provoni me një paralojë të re ose me një masazh të thjeshtë.

Ngrënien e tepërt mund ta nxisë edhe ushqimi dietal

Ëmbëltuesit artificialë janë më të këqij se sheqeri, ndërsa në vend të ushqimit kalorik më së miri është të shmangen mustarda, aperitivët, lëngjet dhe ushqimi dietal, ndërsa xhenxhefili dhe majdanozi hapin apetitin tuaj.
Aperitivi si gota e bardhë e verës, vermuti dhe likeri hap apetitin dhe përgatit stomakun për tretje. Por nëse e pini rregullisht, për shkak të zgjimit të ndjenjës së urisë shpesh mund të hani edhe më shumë se sa ju duhet, theksojnë nutricionistët. Ata theksojnë që shprehitë e caktuara jetësore mundeni goxha shumë të nxisin dëshirën e pangopur, të rreme për ushqim.
‘Sigurisht më e rëndësishme është të mos prisni për proteina deri në darkë, por duhet t'i hani që në mëngjes’, thekson dr. Hyman, autori i katër bestsellerëve dhe ekspert për mjekësinë holistike. Urinë ‘e rreme’ të pangopur e nxisin edhe mëlmesat si kripa dhe sheqeri dhe mëlmesat si mustarda, shafrani dhe majdanozi. 

Një miliard celularë në Kinë

Kina po shënon rritje gjithnjë e më të madhe të numrin të pajisjeve mobile, me cilin rast po përcjell edhe trendët globale. Sipas vlerësimeve të Ministrisë kineze të industrisë dhe teknologjisë informative, në vendin me mbi 1.3 miliard banorë tani janë më shumë se një miliard abonent mobil.
Një miliard shfrytëzues të celularëve në Kinë janë në përputhje me analizat e Gartner dhe Census Buerau, të cilët thonë se gati 80% e popullatës botërore ka celularë. Të dhënat llogariten sipas numrit të abonentëve, kështu që shifrat reale vetëm sa mund të jenë më të mëdha – në SHBA ka kohë që operatorët mobil kanë të shënuara më shumë abonime se që është numri i banorëve të vendit, derisa të dhënat janë interesante edhe për pjesën tjetër të botës.
Për shembull, në Emiratet e Bashkuara Arabe në mesatare çdo njeri ka 2 celularë (respektivisht marrëdhënia e celularëve kundrejt banorëve është 2:1), derisa në Afrikën Subsahariane më shumë njerëz kanë celularë se sa që kanë qasje në rrjetin elektrik në shtëpitë e tyre. Një e dhënë edhe më interesante vjen nga statistikat e KB-së – në planin global më shumë banor të Tokës kanë celularë se sa që kanë qasje në WC. 

A do ta lejonit t’ia bëjë foshnjës suaj këtë... (Video)

Miliona njerëz anembanë botës janë shokuar kur në internet është shfaqur një video e Lena Fokina, e cila u bën “joga” të pazakontë foshnjave.
Rusja 51-vjeçare është xhiruar duke i hedhur dhe rrotulluar foshnjat mbi kokën e saj dhe prapa shpine, në një mënyrë që shumë faqe interneti e kanë bllokuar shfaqen e këtij xhirimi, meqë shumëkush mund ta konsiderojë si abuzim me fëmijët.
Lëvizjet janë aq shokuese, saqë ata që e kanë shikuar fillimisht kanë menduar se ishin kukulla dhe mendojnë se asnjë person normal nuk do të pranonte diçka të tillë.
Megjithatë, prindër të shumtë nga Evropa po e ndjekin Lenan dhe e paguajnë atë që t’ua bëjë lëvizjet e njëjta fëmijëve të tyre me moshë vetëm disamuajshe.
Ndërsa Lena pohon se ushtrimet janë tërësisht të sigurta dhe shumë të dobishme për fëmijët. 

Hoteli i parë për homoseksualët

Në New York është hapur hoteli i parë për homoseksualë, ndërsa mban emrin “Out NYC”. Hoteli gjendet në Manhattan dhe ka më shumë se 100 dhoma, në të cilat nata kushton së paku 200 dollarë.
Bëhet fjalë për një dizajn bashkëkohor të hotelit dhe të tilla janë pajisjet dhe gjësendet, ndërsa në çmim përfshihet edhe interneti.
“Hoteli është planifikuar dhe ndërtuar ndërsa në mendje kemi pasur popullatën homoseksuale”, ka thënë pronari Ian Reisner, duke shtuar se dizajni, muzika, kultura, si dhe të gjitha gjërat tjera janë përshtatur ekskluzivisht për homoseksualët.
Megjithatë, në hotel nuk do të ketë diskriminim për njerëzit heteroseksualë- edhe ata janë të mirëseardhur.
Ndryshe, sipas disa hulumtimeve, New Yorku është destinacioni më i preferuar i homoseksualëve.

Loja e satelitëve

Astrit Haraqia e Melihate Tërmokolli sa kanë qenë në LDK vazhdimisht janë përplasur me deklarata me njërin prej udhëheqësve të partisë. Deklaratat dhe akuzat po vazhdojnë edhe tash mes Haraqisë, i cili është zëvendësministër i Qeverisë Thaçi II, dhe Kryeziut, i cili është anëtar i Kryesisë së LDK-së.
Në debatin e fundit se kush është antiamerikan e antieuropian, Kryeziu ka thënë se ata që po e kritikojë LDK-në janë pa vizion, njerëz që kërkojnë ushqim nga të vdekurit e famshëm dhe se janë satelitë të bukur që po fshihen pas fuqive të mëdha.
Ndaj kësaj deklarate ka reaguar ish-kolegu i Kryeziut nga Lista “Dr. Ibrahim Rugova”.
Astrit Haraqia ka thënë se “Eqa e ka kuptuar vonë filozofinë e Rugovës”.
“Do ta mbrojë filozofinë Rugoviane deri në fund dhe jam rugovist i përbetuar. Nuk më mban filozofia e Eqrem Kryeziut, por ka me m`mbajt filozofia e Ibrahim Rugovës”, ka thënë Haraqia në një bisedë për “Express”.
Ai e ka përdorë fjalën satelit kur e ka përshkruar Eqrem Kryeziun në LDK, ndërsa e ka këshilluar Liderin e LDK-së, Isa Mustafa, që të ketë kujdes nga njerëzit e tillë.
Astrit Haraqia bashkë me Dardan Gashin dhe Bujar Bukoshin, përmes listës “Dr. Ibrahim Rugova” dhe koalicionit me PDK-në, mbajnë poste të larta në Qeverinë e Kosovës. Megjithëkëtë, Zëvendësministri i Ekonomisë e mohon se janë bërë satelitë të Hashim Thaçit, të cilin e kanë shef në Qeveri.
“Absolutisht nuk kisha thanë se ne jemi satelitë të Hashim Thaçit... Prej asaj kohe që jemi në koalicion me Hashim Thaçin, me kërkesë të Listës Rugova u emërua autostrada Ibrahim Rugova. Me kërkesë të Listës Rugova është futur në buxhet memoriali i Presidentit Rugova që do të ndërtohet sivjet. Me kërkesë të Listës Rugova do të ndërtohet kompleksi në Koshare...”, ka thënë ai.
Duke komentuar konventën e LDK-së, e cila mbahet sot, Haraqia ka thënë se nuk pret të ndodh asgjë dhe përsëri merret me Eqën.
“As në këtë mbledhje të LDK-së nuk pritet të ndodh asgjë. Llogarit në servilat sikur Eqremi, që ka boll aty. Fatkeqësia e LDK-së është se disa udhëheqës nëpër komuna disa herë i humbin zgjedhjet dhe prapë janë në kryesi të partisë”, ka thënë ai. 

Fusnotën e “shkrinë” vetëm veriu

Prezantimi i Kosovës në nismat rajonale pa fusnotë mund të ndodhë vetëm atëherë kur të fillojnë bisedimet politike me Serbinë dhe kur të arrihet një kompromis për veriun.
Kështu thonë burimet diplomatike për “Zëri”, sipas të cilave heqja e fusnote - e cila i referohet edhe Rezolutës 1244 - do të jetë shumë e vështirë. Madje, ky burim diplomatik ironizon me kryenegociatoren Edita Tahiri.
“Kjo fusnotë nuk dot të shkrihet si një fjollë bore, me kalimin e dimrit, ashtu siç ka thënë thnë Tahiri”, thotë thënë burimi.
“Jetëgjatësia e fusnotës, e cila i referohet edhe Rezolutës 1244, do të jetë deri atëherë kur Serbia e Kosova të arrijnë një kompromis për veriun. Bashkimi Evropian dalëngadalë po e fut Prishtinën në rrugën drejtë bisedimeve politike me Serbinë për çështjen e veriut, e fusnota do të përdoret për këtë qëllim”, thonë këto burime ndërkombëtare.
Sipas këtij burimi, propozimi i radhës do të jetë statusi special për veriun.
“Si ‘shpërblim’ për dhënien e këtij statusi do të jetë heqja e fusnotës nga emri i Kosovës. Pra, me këtë propozim mund të pajtohet edhe vetë Beogradi”.

Aeroporti i Tiranës e “kthen” Prishtinën në Kosovë

Aeroporti ndërkombëtar në Rinas, që është marrë me koncesion nga një kompani e huaj, ka hequr referencën e Serbisë nga të dhënat që publikon për Prishtinën.
Pas publikimit të lajmit nga NOA, aeroporti e ka korrigjuar gabimin. Tashmë është vendosur sigla e Republikës së Kosovës (RK), në vend të asaj Republika e Serbisë (RS).
Skandali ka ngjallur reagime tek qytetarë, për faktin se Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës, “Nënë Tereza”, e njihte Prishtinën si pjesë të Serbisë.
Në foto të orareve të fluturimeve, mund të shihet referenca e Serbisë dhe korrigjimi i pastajmë.
”Më e pakta që mund të bëjnë autoritetet e këtij aeroporti, është që të zhdukin menjëherë një emërtesë të tillë që ka prekur ndjenjat e mbarë shqiptarëve”, shkruante NOA mbrëmë.
Tabela e fluturimeve, ku Aeroporti i Prishtinës figuronte si pjesë e Serbisë

MUP-I serb në veri

Qeveria e Serbisë ka një prezencë domethënëse policore në veriun e Kosovës, të udhëhequr nga një strukturë komanduese e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë.
Një shënim i tillë rezulton nga dokumentet që përshkruajnë strukturën komanduese dhe japin emrat e saktë të udhëheqësve të rrjetit të MUP-it serb në veri, që ka pasur rast t’i shohë “Koha Ditore” nga burime të besueshme ndërkombëtare.
Gazeta madje ka kontaktuar numrin që është dhënë në dokumente si telefoni i Drejtorisë së Policisë së Serbisë në Mitrovicë, dhe nga biseda konkludohet se aty vërtet funksionon MUP-i serb.
Zyrtarët që përgjigjen në telefon nuk hezitojnë të pranojnë se janë policia.
Burime të tjera të konsultuara nga gazeta, që kanë njohuri për zhvillimet në veri, kanë konfirmuar një pjesë të madhe të emrave që përmendën në dokumentin në fjalë. Ndërsa, kanë shtuar se ekzistimi dhe veprimtaria e efektivitit të MUP-it serb në veri të Kosovës “janë gjë e njohur” për autoritetet e Kosovës dhe për misionet ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë. 

Mancini: Balotelli, sulmuesi më i mirë italian

Bosi i Manchester Cityt, Roberto Mancini, shpreson se Mario Balotelli do ta shfrytëzojë për të mirën e tij mos përfshirjen së fundmi në kombëtaren italiane.
“Ne shpresojmë se pas ndeshjes me Tottenhamin ai mund të luajë secilën ndeshje deri në fund pa problem. Mendoj se çdo vit ai po përmirësohet sepse është i ri dhe me Marion, gjithçka mund të ndodhë në çdo moment”.
“Shpresoj se pas kësaj jave kur nuk u ftua në kombëtare, ai mund të përmirësohet edhe më shumë. Ai duhet të kuptojë se kur luani duhet të përqëndroheni në ndeshje, në bashkëlojtarët, në topin dhe në lëvizjet, e jo në gjërat tjera. Ai duhet të përmirësojë këtë”, tha Mancini. 

Zanetti: Veteranët duhet ta shpëtojnë ekipin

Kapiteni legjendar i Interit, Javier Zanetti, u ka bërë thirrje veteranëve të ekipit që ta udhëheqin ekipin drejt rrugës për të dalë nga kriza.
“Ne kemi humbur besimin në vetvete dhe krejt është në duar të veteranëve që të reagojnë pas gjithë kësaj që ndodhi”.
“Mund të shoh shumë lojtarë të rinj të cilët duan të luajnë, por preferoj në situata më pak të komplikuara. Është kombinim i gjërave dhe ne nuk jemi në momentin e duhur për këtë. Ne kemi qenë fatkeq në shumë takime”, ka thënë Zanetti.