Rusia në mënyrë kundërshton njohjen ndërkombëtare të Kosovës, gjë që e pengon anëtarësimin e Kosovës në OKB.
"Politika e Rusisë për Kosovën po ndikohet nga konsideratat më të gjera gjeostrategjike sesa nga realiteti në terren", tha për SETimes zëvendësministri i Jashtëm i Kosovës Petrit Selimi.
Ai shpjegoi se Rusia nuk është kundër pavarësisë së Kosovës, por kundër perceptimit të “shpalljes së njëanshme të pavarësisë”.
Sidoqoftë, ky qëndrim dikton veprimet e Rusisë. Duke penguar njohjen ndërkombëtare të Kosovës, politika e Rusisë synon ta shndërrojë Kosovën në një "konflikt të ngrirë", thonë analistët vendas.
"Qëllimi është ta mbajë NATO-n të bllokuar në Kosovë e Ballkan, që të mos angazhohet në Lindje e në Kaukaz", thotë analisti Milazim Krasniqi.
Një çështje tjetër është mos pranimi i Rusisë për të njohur pasaportat e Kosovës. Zyrtarët e Kosovës thonë se shpresojnë se Rusia do të ndjekë shembullin e më shumë se 50 vendeve që nuk e njohin Kosovën -- përfshirë Kinën – por, që pranojnë pasaportat e saj pa marrë ndonjë detyrim politik.
"Rusia nuk do ta bëjë këtë pa marrë diçka në shkëmbim nga Prishtina, si njohja e pasaportave të Abkhazisë", thotë analisti i Qendrës së Politikave Evropiane, Berat Krasniqi.
Qëndrimi i Rusisë ka krijuar vështirësi edhe në vend.
"Nëse Kosova do të ishte një anëtare e OKB-së, politikanët nuk do të përqendroheshin (pothuajse krejtësisht) në njohjen, por më shumë në problemet e brendshme", shton Krasniqi.
Megjithatë, ka kontakte jozyrtare mes Moskës e Prishtinës, nëpërmjet zyrës së ndërlidhjes së Rusisë në Kosovë, që kryesohet nga Andrey Shugurov.
"Mbajmë minimumin e komunikimit të nevojshëm, për shkëmbimin e rregullt të informacionit. Këto kontakte nuk janë quajtur zyrtare nga Rusia, gjë që pasqyron qëndrimin e saj ndaj institucioneve të pavarura të Kosovës", thotë Selimi.
Kosova është përpjekur në mënyrë që të organizojë takime mes zyrtarëve të lartë të të dy vendeve, por pa sukses.
"Kjo nuk është e lehtë pasi Rusia nuk pranon të takohet me ne publikisht... Shpresojmë se këtë vit do të ndërtohet një urë komunikimi", shtoi Selimi.
Një pengesë tjetër në krijimin e marrëdhënieve me Rusinë është imazhi negativ i Kosovës që pasqyrohet në mediat ruse.
"Kosova nuk ka as edhe një imazh pozitiv sepse mediat i portretizojnë serbët se jetojnë në geto dhe NATO-n se po ndihmon shqiptarët të përzënë serbët nga Kosova", thotë albanologu Dmitry Chukov.
Duke ditur mbështetjen tradicionale që Serbia merr nga Duma ruse, kisha ortodokse ruse e qarqet akademike, Chukov thotë se Rusia mund të ndryshojë qëndrimin e saj për Kosovën vetëm nëse këtë e bën së pari Serbia.