Shtetet e BE-së nënshkruajnë Paktin Fiskal

25 nga 27 vendet anëtare të BE-së nënshkruan një pakt fiskal për më shumë disiplinë buxhetore. Vetëm Britania e Madhe dhe Republika Çeke nuk janë pjesë e saj. Irlanda ka njoftuar se do të organizojë referendum.

Shtetet e BE-së dërguan një mesazh të qartë për takimin e nivelit të lartë të pranverës. Mesazhi thotë se rehabilitimi i buxheteve ka prioritet. 25 kryetarët e shteteve dhe të qeverive nënshkruan një paketë kursimesh me rregulla të forta.
Motoja e BE-së për frenimin e krizës së borxheve është "më shumë disiplinë buxhetore". Me këtë synim 25 nga 27 vendet e BE-së nënshkruan ditën e dytë të takimit të nivelit të lartë të BE-së një paketë kursimesh. Marrëveshjes, e cila parashikon ndër të tjera kufizimin e borxheve sipas modelit gjerman, nuk iu bashkuan Britania e Madhe dhe Çekia. Irlanda ka bërë të ditur se do të zhvillojë një referendum. "Unë mendoj se ky është një sinjal i fortë, se nga kriza ne kemi nxjerrë mësime”, tha në Bruksel kancelarja Angela Merkel.
Me këtë pakt vendet nënshkruese janë të detyruara që të mbajnë deficitin strukturor nën kufirin e 0.5 për qind të prodhimit bruto në vend, në vend të 1.0 për qind, siç e parashikojnë ligjet e BE-së.
Në rastin e shkeljeve të këtij rregulli të paktit fiskal do të hapen automatikisht proceset e dënimit. Vendet e prekura rrezikohen me gjoba të larta.