Larg BE-së

Paralajmërimi për nisjen e hartimit të një studimi të fizibiliteti për Kosovën, ndonëse vlerësohet të jetë hap përpara për vendin, nuk mund ta përshpejtoj agjendën e tij integruese në Bashkimin Evropian, thonë njohësit vendorë e ndërkombëtarë të integrimeve evropiane.
Studimi i fizibilitetit thuhet se mund të zgjasë tetë deri në 12 muaj, për të rezultuar me një Raport të fizibilitetit nga Komisioni Evropian, raporton “Radio Evropa e Lirë”.
Periudha deri në nënshkrimin e Marrëveshjes për Stabilizim-Asociim mund të marrë vite të tëra, ndërsa në rastin e Kosovës vet ratifikimi i kësaj marrëveshjeje do të mund të bllokohej nga Spanja, Qiproja, Rumania, Sllovakia dhe Greqia - që ende nuk e kanë njohur Kosovën.
Këshilltari special i Fondacionit Grek për Politika të Jashtme dhe Evropiane, ambasadori Alexandros Mallias, thotë se hapi i ardhshëm i Prishtinës zyrtare duhet të jetë inicimi i dialogëve politikë me shtetet evropiane që nuk e kanë njohur atë.
Eksperti Avni Mazreku thekson se nënshkrimi i Marrëveshjes për Stabilizim-Asociim, kurdo që të ndodhë kjo, do të jetë vetëm fillimi i një procesi të gjatë të anëtarësimit të Kosovës në BE.
Një proces të gjatë dhe, siç thuhet të mundimshëm që duhet kaluar Kosova deri në “vendosjen e binarëve të sigurt” drejt Bashkimit Evropian, e parasheh dhe ambasadori grek Mallias. Ai rikujton se Greqia në vitin 1961 pat nënshkruar Marrëveshjen për Stabilzim-Asociim me BE-në për t’u anëtarësuar në këtë mekanizëm në vitin 1981.
I pyetur se cilat do të jenë sfidat me të cilat autoritetet kosovare duhet të përballen në këtë proces, Mallias përmend problemin e veriut të Kosovës.
Për zgjidhjen e problemeve ekzistuese ndërmjet palës kosovare dhe asaj serbe, në mars të vitit të kaluar kishte nisur dialogu “teknik” i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Mirëpo, analistët konsiderojnë se ky dialog është vetëm faza fillestare e një dialogu tërësisht politik, që në qendër të shqyrtimit do ta ketë çështjen e veriut të Kosovës.

Tërnavës, Çmimi ndërkombëtar i Dubait

Myftiu i Kosovës Naim Tërnava, me ftesë të autoriteteve zyrtare të Emirateve të Bashkuara Arabe, po qëndron në vizitë në këtë vend, ku nga autoritetet e vendit u dekorua me çmimin ndërkombëtar për Kuranin Fsnik.
Myftiu Tërnava fillimisht është pritur nga ministri për çështjet fetare, Hamed al Shejbani, njofton BIK përmes një komunikate.
"Emiratet e Bashkuara Arabe, është vendi i parë arab që njohu Kosovën shtet të pavarur dhe sovran dhe për këtë i gjithë populli ka konsideratë të veçantë për shtetin tuaj", citohet të ketë thënë Tërnava.
Në takim dy bashkëbiseduesit u dakorduan që edhe më tej të thelojnë bashkëpunimi në mes Bashkësisë Islame të Kosovës dhe Ministrisë së Çështjeve Fetare të EBA.
Tërnava pati një takim edhe me ministrin e Financave të Emirateve të Bashkuara Arabe, Hamdan bin Rashid al Maktoum, i cili njëherësh është zëvendësguvernator i Dubait. Në takim me Myftiun Tërnava, ministri ka shprehur gatishmërinë e Emirateve Arabe që edhe me tutje të vazhdojnë të ndihmojnë Kosovën në fusha të ndryshme, si në arsim shëndetësi e kulturë.
Gjatë qëndrimit në Dubai, Tërnava u takua me këshilltarin e guvernatorit të Dubait, Muhamed Rashid el Maktoum, i cili njëherësh është edhe kryetar i Çmimit ndërkombëtar për Kuranin Fisnik që ndan Dubai, i cili me këtë rast dekoroi Myftiun Tërnava me çmimin ndërkombëtar për Kuranin Fisnik.

Stefanovic: Kufiri do të ketë karakter administrativ

Çështja e statusit të Kosovës është e përcaktuar qartë në Kushtetutën e Serbisë. Askush nuk do të kërkoj ndryshimin e pozicionit tonë nacional dhe shtetëror, ka thënë shefi i ekipit serb për bisedime me Prishtinën, Borislav Stefanovic.
Sipas tij, data e fillimit të bisedimeve për anëtarësimin e Serbisë në BE ndërlidhet “me gjëra tjera që patjetër kanë të bëjnë me çështjen e Kosovës". Por, ai nuk ka dashur të specifikoj se për çka është fjala.
Ai tha se marrëveshja mes Beogradit dhe Prishtinës nuk e paragjykon statusin e Kosovës. Sipas tij, “linja mes Kosovës dhe Serbisë do të jetë e karakterit administrativ, pa simbole shtetërore, porse kontrolli duhet të ekzistoj”.
"Kosova është territor i veçantë doganor sipas vendimit të UNMIK-ut, i cili u konfirmua nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së. Prandaj, nuk mundet të mos ketë kontroll doganor. Por, ajo do të jetë e tillë që nuk paragjykon statusin dhe shtetësinë”, ka thënë ai, transmeton "Beta".
Stefanovic tha se është e rëndësishme të hapen pikëkalimet kufitare në veri të Kosovës, dhe se “Serbia do të punoj në këtë drejtim”.

UNMIK-u dorëzon objektin në Mitrovicë

Zyrtarët e UNMIK-ut në Mitrovicë të premten (nesër)do t’ia dorëzojnë Komunës së Mitrovicës objektin e ish-Jugobankës, të cilin e kanë shfrytëzuar nga përfundimi i luftës.
Në një ceremoni që do të organizohet me këtë rast çelësat e objektit do t’i dorëzohen kryetarit të komunës, Avni Kastrati.

Fajësojnë Thaçin për fusnotën

Shefja Siguri për Politikë të Jashtme e BE-së, baronesha Catherin Ashton, sot në Bruksel e ka lavdëruar kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, për vendimin e tij që të pranojë përfaqësimin e Kosovës në forumet rajonale me fosnotë, kurse ky i fundit ka qenë në shënjestër të kritikave të deputetëve të Kuvendit të Kosovës pikërisht për pranimin e fusnotës
Në seancën e Kuvendit të mbajtur sot deputetët nuk kanë mundur t’i ikin debatit rreth përfaqësimit të Kosovës në nismat rajonale me fusnotë, ku nuk kanë munguar akuzuat ndaj kryeministrit Thaçi, se po e dëmton shtetësinë e Kosovës.
I pari që ka filluar debatin ishte deputeti nga radhët e PDK-së, Arsim Bajrami, i cili duke folur në emër të Grupit Parlamentar të PDK-së, ka thënë se ky debat është i rëndësishëm që të vendoset në sfond institucional.
“Shqetësimi ka qenë real, sepse po ballafaqohemi me problemin se jo gjithherë politika ndërkombëtare koincidon me atë të vendit. Pavarësia e Kosovës është proces i koordinuar dhe nuk mund ta mohojë askush. Çështja e emrit të Kosovës, emri është Republika e Kosovës. Fatkeqësisht, BE-ja vazhdon të udhëheqë politika të padrejta karshi Kosovës”, ka thënë Bajrami.
Për më tepër, Bajrami ka shtuar se Kosova ka qenë midis dy zgjidhjeve, status quos, që do të thotë përjashtimin e një rezolute të vdekur, por që Këshilli i Sigurimit ende e mban funksionale dhe çështja e dytë ka qenë pjesëmarrja e Kosovës në forumet rajonale duke folur vet, raporton “Kosovapress”.
Deputetja Alma Lama, në emër të Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, ka thënë se kompromiset e fundit janë bërë në kurriz të pavarësisë dhe janë alarmante.
Lama ka thënë se kryeministri e ngjalli rezolutën 1244, dhe qeveria nënshkroi marrëveshje, që sipas saj janë në kundërshtim me vetveten dhe marrëveshje që e krijojnë përjashtimin e pavarësisë.
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Ardian Gjini, ka thënë se një nga pikat e marrëveshjes është se Kosova duhet të përmbahet nga përdorimi i flamurit në takimet rajonale. Ai i ka propozuar Kuvendit që të nxjerr një ligj ku obligohen zyrtarët kosovarë që të vishen me simbole të shtetit.
“Unë i kisha propozu Kuvendit që të nxjerr një ligj që gjithë ata që e përfaqësojnë Kosovën diplomatikisht të veshën me simbole shtetërore. Edita shembull mundet me qit flamurin në syza, dikush në çorape”.
Gjini ka vazhduar edhe me tej me kritika, duke thënë se qeveria aktuale është shpenzuar politikisht.
“Kjo qeveria ia ka qitë faqen e zezë Kosovës. Kjo qeveri ka bërë që Serbia të duket me mirë se Kosova”, tha ai.
Ndërkaq, deputeti nga radhët e LDK-së, Sabri Hamiti, ka qenë mjaft kritik në këtë çështje, duke thënë se emri e thotë esencën, nofka e thotë mungesën, që sipas tij në këto raste nofka nuk e bën esencën.
“Kryeministri botërisht e ka marrë këtë autorësi. Kjo polli edhe një diskurs publik institucional e qytetar se kush është me Amerikën e Evropën. Kjo është parullë e vjetër, martesë për letra s’ka në politikë, por ka marrëdhënie në kuptimin e vërtet, marrje dhe dhënie. Ky diskurs nuk mund të kthehet në diskurs të likuidimit”, tha Hamiti.
Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, ashtu siç kanë bërë edhe në seancat e kaluara, edhe këtë herë kanë parashtruar pyetjet për kryeministrin e vendit, Hashim Thaçi rreth takimeve të tij me presidentin serb, Boris Tadiq. Por, as këtë herë nuk kanë mundur të marrin përgjigje, pasi kryeministri gjendet për vizitë zyrtare në Bruksel.

Eurozonë, papunësia 10.7 %

Shifrat zyrtare të Bashkimit Evropian tregojnë se shkalla e papunësisë në Eurozonë është rritur në nivelin rekord të të gjitha kohërave, që është 10.7 për qind.
Të dhënat e agjencisë Eurostat tregojnë se 16.9 milionë veta kanë qenë nën statusin e të papunit gjatë muajit janar në zonën prej 17 anëtarësh.
Kjo është një rritje për 1.4 milionë njerëz në krahasim me janarin e vitit 2011.
Rritja e papunësisë vjen në kohën kur Eurozona vazhdon të luftojë për tejkalimin e krizës së borxheve.

Fusnota hap pozitiv për ekonominë

Zëvendëskryeministrja e ministrja e Tregtisë dhe Industrisë (MTI), Mimoza Kusari-Lila, tha në Prizren se marrëveshjet e arritura për përfaqësim rajonal të Kosovës, është një hap pozitiv për zhvillimin ekonomik.
Kusari-Lila i bëri këto komente gjatë prezantimit të Javës së Biznesit Kombëtarë, të cilat janë duke u organizuar nga Aleanca Kosova e Bizneseve (AKB), per nderë të 100 vjetorit të pavarësisht së Shqipërisë. 

Antikorrupsioni padit Çohun

Agjencia Kundër Korrupsionit (AKK) ka deponuar në gjykatën komunale të Prishtinës padinë ndaj Lorik Bajramit, Artan Demhasajt përfaqësues të Organizatës jo Qeveritare ÇOHU dhe Besnik Boletini nga Qendra e Kosovës për Gazetari Hulumtuese, pasi që të njëjtit më 1 shkurt përmes një konference për media përhapën një mori të pa vërtetash dhe insinuatash me qëllim të dëmtimit të imazhit dhe autoritetit të këtij institucioni dhe drejtorit të saj.
Mënyra se si të pandehurit e kanë akuzuar Agjencinë dhe drejtorin e saj sipas natyrës së tyre dhe rrethanave nën të cilat janë publikuar kanë dëmtuar rëndë autoritetin e personit dhe reputacionin e institucionit të cilit i janë adresuar.
“Publikimi i këtyre të dhënave të rrejshme me karakter fyes është bërë me dashje pasi që të pandehurit kanë qenë të vetëdijshëm se atë që po e përhapin apo nxjerrin në opinion është e pavërtetë dhe se dëmton nderin dhe prestigjin e personit dhe institucionit të cilit i janë adresuar”, thotë kjo agjenci në komunikatën për media.
Për më tej të pandehurit kanë paralajmëruar paraprakisht se për të dhënat e tyre do të përgatisin dhe ushtrojnë kallëzim penal kundër udhëheqësit të AKK-së dhe të njëjtat do ti publikojnë në momentin më të pafavorshëm për AKK-në, kështu që akuzat me fyerje dhe shpifje u bënë vetëm një ditë pas konstituimit të Këshillit Kombëtar Kundër Korrupsionit nga Presidentja e vendit.
Agjencia Kundër Korrupsionit gjithmonë ka qenë dhe do të jetë bashkëpunuese në aktivitetet e shoqërisë civile dhe inkurajon gazetarin hulumtuese, por fuqishëm beson në legjislacionin në fuqi i cili parasheh se për funksionimin e organizatave joqeveritare, gazetarinë hulumtuese dhe format tjera të informimit, personat që punojnë për to janë të obliguar që gjatë ushtrimit të veprimtarisë se tyre t’iu përmbahen parimeve të profesionalizmit.
“Agjencia përmes kësaj padie nuk parashtron kërkesën pasurore juridike për kompensimin e dëmit jomaterial të pësuar si pasojë e veprimeve dhe përgjegjësisë penale të tëpandehurve, por qëllimi është nxjerrja në dritë e të vërtetës”, theksohet në komunikatën e Agjencisë Kundër Korrupsionit. 

Koncesionimi i kontestuar

Procesi i dhënies për shfrytëzim të pronës se paluajtshme shoqërore në komunën e Lipjanit, ka përfunduar me shumë parregullsi, keqpërdorime dhe për interesa të caktuara të ekzekutivit komunal, thonë përfaqësues të opozitës në këtë komunë, përderisa zyrtarët komunalë vlerësojnë se gjithçka është në rregull dhe në përputhje me bazën ligjore.
Koncesionimi nënkupton shfrytëzimin e tokës në bazë të një projekti, të cilin e harton një kompani, kurse komuna e përzgjedh kandidatin më të mirë, duke respektuar disa kritere të caktuara.
Komuna e Lipjanit në vitin 2006 ka dhënë me koncesion 20 hektarë tokë, për 99 vjet shfrytëzim, raporton Rel.
Nga ky proces kanë përfituar 10 kompani të ndryshme, por as gjysma prej tyre nuk i kanë përmbushur obligimet e marra në kontratë. 

VV, kërkon shkarkimin e kryetarit të Gjilanit

Drejtuesit e Lëvizjes Vetëvendosje në Gjilan, kanë njoftuar të enjten për dërgimin e një materiali që argumenton shkelje të mëdha ligjore në adresë të shefave të grupeve asambleiste dhe kryesuesit të Kuvendit Komunal dhe kërkesën për nxitjen e procedurës së shkarkimit të kryetarit të komunës së Gjilanit, Qemajl Mustafës.
Ismajl Kurteshi shpaloi sipas tij “abuzimet e kryetarit” me Ligjin mbi Partneritetin Publiko Privat, shkeljen e Ligjit mbi Parandalimin e Konfliktit të Interesit, shkresat e Agjensionit Kundër Korrupsionit dhe mospërfilljen e tyre nga kryetari, mbipunësimin në administratë publike, mungesën e transparencës, e shumë e shumë shkelje të tjera procedurale”, tha kryetari i qendrës, Ismajl Kurteshi.
Ndërsa Avni Rudaku theksoi se kjo gjë rregullohet me Ligjin mbi Vetëqeverisjen lokale, por asambleistët gjilanas duhet ta përkrahin këtë iniciativë të Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje! dhe të tregojnë vullnet për shkarkimin e një kryetari që bie ndesh me ligjin dhe keqqeveris me komunën.
Qendra e kësaj lëvizjes në Gjilan vazhdimisht ka bërë shkresa zyrtare në organet përkatëse të komunës së Gjilanit dhe ka denoncuar edhe me shkrim shumë shkelje që janë bërë nga kryetari i komunës së Gjilanit, Qemajl Mustafa. 

U hap panairi i patundshmërive RealEx – Prishtina 2012

Me qëllim të promovimit të industrisë së patundshmërive në Kosovë, njëkohësisht edhe integrimin e kësaj industrie me industrinë rajonale të Ballkanit Perëndimor, është hapur sot Panairi i parë i patundshmërive “RealEx – Prishtina 2012”. Në këtë panair po marrin pjesë rreth 30 kompani nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e më gjerë.
Ministri i Zhvillimit Ekonomik (MZHE) Besim Beqaj, tha se Qeveria po punon në eliminimin e të gjitha barrierave të cilat janë konsideruar si pengesë për hyrjen e biznesit privat. Sipas tij, shteti duhet të largohet sa më shumë nga ekonomia. “Qeveria e Kosovës, është jashtëzakonisht e angazhuar që të bëjë eliminimin e të gjitha barrierave të mundshme, për të hyrë në treg. Barrierat të cilat fillimisht do të eliminohet brenda vendit, por të cilat do të trajtohen edhe në harmoni me të gjitha vendet e rajonit dhe vendeve fqinje”, theksoi Beqaj.
Ndërsa Arben Jusufi, drejtor gjeneral i Leoron Group , e cila është edhe organizatore e këtij Panairi, tha se qëllimi i këtij panairi është promovimi i industrisë së patundshmërive edhe në Kosovë. “Janë investitorët të cilët janë të interesuar për të investuar në projekte të ndryshme, bashkërisht me partnerët kosovarë. Por, nga ana tjetër, kemi edhe një numër ndërtuesish nga Shqipëria, nga Maqedonia dhe rajoni, të cilët janë duke i promovuar projektet e tyre në shtetet e tyre për konsumatorët kosovarë”, tha Jusufi.
Mirëpo kompanitë pjesëmarrëse në panair kishin edhe ankesat e tyre, për shkak të vështirësive që ata po hasin për marrjen e lejeve të ndërtimit.
Panairi Ndërkombëtar i Patundshmërive “RealEx – Prishtina 2012”, i cili po mbahet për herë të parë në Prishtinë, do të jetë i hapur deri me 3 mars dhe se ky panair do të përmbyll këtë eveniment i cili është mbajtur në trekëndëshin Shqipëri, Maqedoni dhe Kosovë.

Çani merr lëvdatat e trajnerit

Gianni De Biasi është shprehur i kënaqur me paraqitjen e Edgar Çanit në disfatën e djeshme 2-1 nga Gjeorgjia.
Në debutimin e tij me fanellën kuqezi Çani ishte autori i golit të vetëm për Shqipërinë, gol i cili erdhi që në minutën e tretë të ndeshjes, megjithëse kuqezinjtë pësuan dy gola në pjesë të dytë për të lëshuar fitoren nga duart.
“Edgar Çani bëri një ndeshje shumë të mirë, edhe pse në debutim. Ai e nisi me një gol shumë të bukur përfaqësimin me Shqipërinë, madje shënoi shumë shpejt, duke na ndihmuar të rriteshim psikologjikisht”.
“Edhe debutuesit e tjerë, për aq minuta sa patën në dispozicion, u munduan ta justifikojnë veten. Rëndësi ka fakti që tashmë e njoh edhe më shumë skuadrën, kam pikasur problemet, me të cilat do të merremi hap pas hapi, që t’i minimizojmë sa më shumë të jetë e mundur”, ka thënë strategu italian.

Sneijder: Anglia nuk më impresionoi

Mesfushori holandez Wesley Sneijder ka qenë kritik ndaj paraqitjes së Anglisë në miqësoren e mbrëmshme në Wembley.
Pas pjesës së parë pa gola, të zgjedhurit e trajnerit Bert van Marwijk heshtën publikun vendas me dy gola të shpejtë nga Arjen Robben dhe Klaas-Jan Huntelaar. Anglia dukej se do ta marrë veten pas golave të Gary Cahill dhe Ashley Young, por Robben shënoi një gol të dytë për t’i dhënë fitoren plotësisht të merituar Holandës.
“Nuk isha i impresionuar me Anglinë. Nëse e lejoni topin të lëvizë aq shpejt dhe vraponi, ju krijoni shumë hapësira. Në pjesën e parë ne krijuam pak për shkak të tempos së ulët. Por në pjesën e dytë ishim më të mirë. Pastaj, ju e patë se Anglia kishte probleme”.
“Ishte një mbrëmje e bukur. Sigurisht Anglia kundër Holandës është një sfidë e bukur. Kjo bëhet edhe më e bukur nëse ju fitoni”, ka thënë mesfush

Shqipëria miqësore me Spanjën

Pas kërkesave të shumta të Federatës Shqiptare të Futbollit, më në fund duket se Federata Spanjolle ka pranuar që kombëtarja kuqezi të zhvillojë një takim miqësor me “Furinë e Kuqe”.
Takimi do të zhvillohet më 30 maj. Presidenti i Federatës Spanjolle që ka dhënë OK-ejin, ka kërkuar që ndeshja të luhet jo në Shqipëri, por në Zvicër dhe federata jonë e ka pranuar kushtin.
Kjo do të jetë sfida e katërt midis dy përfaqësueseve tona, ku Spanja ka fituar në të tria, madje në një rast me rezultatin e thellë 9-0, një herë tjetër 5-1 dhe në një rast në “Qemal Stafa” me rezultat 2-1.
Sidoqoftë, fakti që do të luajmë me kampionët në fuqi të botës është një eveniment për kombëtaren tonë, që në Zvicër do të ketë mbështetjen e mijëra tifozëve shqiptarë.

Parker: Ta ruajmë pozitivitetin

Scott Parker ka lavdëruar “kurajën dhe zemrën” e treguar nga Anglia në ndeshjen e mbrëmshme miqësore ndaj Holandës.
Anglezët e panë veten në disavantazh prej dy golash, por u rikthyen për të barazuar me anë të Gary Cahill dhe Ashley Young, ndërsa fitorja u volum nga një gol i shkëlqyeshëm i Arjen Robben.
“Mendoj se ne treguam një kurajë të madhe dhe zemër për t’u rikthyer në ndeshje. Të jesh dy gola në disavnatazh, ne do të mund të ishim thyer. Holanda ka lojtarë të klasit.
“Ne e dimë se duhet të punojmë në disa gjëra dhe të përmirësohemi teknikisht, por ne të gjithë duhet të qëndrojmë pozitiv dhe të kuptojmë se sonte është një shpresë e madhe për ne. Të rikthehemi nga 2-0 ishte vërtet një gjë e madhe”, ka thënë Parker. 

Çunmulaj provon veten në film

Fundjavën e kaluar dhe konkretisht të shtunën e 25 shkurtit në Los Angeles është shfaqur premiera e filmit “Virgin Eyes”, ku regjia është bërë nga Roxine Helberg. Por në një nga rolet kryesore të këtij filmi shfaqet edhe modelja e famshme shqiptare Emina Cunmulaj.
Ajo në këtë film quhet Melissa, dhe është veshur në rolin e këtij personazhi, që do ta provojë bukuroshen shqiptare edhe në një sfidë tjetër, atë të aktores. Ndërsa filmi tregon për një vajzë 15 vjecare Andrea, ku luan Gigi Hadid dhe marrëdhënia me babain e saj, i cili është në varësi të drogës.
Të shohim se si do të pritet modelja shqiptare shumë e pëlqyer në pasarelat botërore në kinematografi, ndoshta për ta parë nesër në të tjera role edhe më të spikatura.

Elia Fara me pamje seksi në klipin e ri

Këngëtarja Eli Fara në këngën e saj më të re “Vetëm sonte” shfaqet shumë seksi.
Këngëtarja vjen me një energji shumë pozitive dhe si gjithmonë me një zë të mrekullueshëm.
Por, përveç këngës së realizuar mjaft bukur, Eli Fara ka shfaqur pamjen e saj sikur të ishte 20 vjeç, edhe pse ajo do të mbush 45 vjet këtë vit.
Më poshtë mund ta dëgjoni dhe shikonin këngën e Eli Farës, “Vetëm sonte”.

Anxhela Martini më seksi se kurrë (foto)

Modelja shqiptare Anxhela Martini, fituese e Miss Universe Albania 2010, ka publikuar një set të ri fotografish ku shfaqet me bikini.
Anxhela Martini është duke u përgatitur për një kalendar shumë ‘hot’. Ajo këto ditë i ka realizuar disa foto me bikini në natyrë, nën aparatin e fotografit të njohur Fadil Berisha.
Fotografitë janë realizuar në Tiranë dhe kësaj radhe duket se bukuroshja shqiptare “e ka tepruar” me fotot provokuese dhe shumë seksi.

Bleona në festën e “Elton John AIDS Foundation”

Bleona Qereti ka marrë pjesë në festën e organizuar prej fondacionit humanitar të këngëtarit Elton John për mbledhjen e ndihmave për të sëmurët me AIDS.
Ngjarja e “Elton John AIDS Foundation” u mbajt me rastin e ceremonisë së çmimeve Oskar në West Hollywood të Kalifornisë.
Kjo është një ndër festat humanitare më të njohura në botë, e cila zhvillohet dhe në Kanë të Francës gjatë festivalit të filmit atje. 

Apple ka vlerën e tregut mbi 500 miliard dollarë

Vlera e tregut të kompanisë më të madhe amerikane Apple dje menjëherë pas hapjes së tregut të aksioneve në SHBA u rrit në mbi 500 miliard dollarë.
Gjatë minutave të para pas hapjes së bursës në New York aksionet e Apple u rritën për 1.7 për qind, në 544.39 dollarë. Kapitalizimi i tregut nga kompania kështu u rrit në gati 508 miliard dollarë.
Këto vlerë deri tani e kanë arritur vetëm edhe disa kompani të tjera, e asnjëra nga ato në të nuk ka ndenjur gjatë, shkruan sot agjencia AP.
Apple edhe deri tani ishte kompania me vlerën më të madhe në botë, e dallimi në mes saj dhe kompanisë së naftës Exxon Mobile që ndodhet në vendin e dytë gjatë muajve të fundit është rritur duke iu falënderuar shpresës se Apple mund të ndodhë të filloj të paguaj dividendin.
Kapitalizimi i tregut i Exxon Mobile tani është 411 miliard dollarë. Kompania pati arritur shkurtimisht të tejkaloj vlerën prej 500 miliardëve dy herë kah fundi i vitit 2007.
Në mesin e kompanive tjera të cilat kanë arritur të tejkalojnë kufirin prej 500 miliard dollarë është Microsoft dhe atë kah fundi i vitit 1999 dhe pastaj në fillim të vitit 2000. Kjo kompani madje pati arritur që për një dit të tejkaloj edhe vlerën prej 600 miliard dollarë, e kapitalizimi aktual i tregut nga Microsoft është 267 miliard dollarë.
Në më shumë se 500 miliard dollarë kah fillimi i vitit 2000 u ngrit edhe vlera e kompanive Cisco, Intel dhe General Electric. Tani vlera e kompanive Cisco dhe Intel është më shumë se 100 miliard dollarë, e GE është në kuotën prej 200 miliard dollarë.
Në krahasim me profitin, vlera e tregut të Apple prapëseprapë nuk është dhe aq e lartë – 15 herë më e lartë.
Në rastin e Google vlera e tregut të kësaj kompanie është 21 herë më e lartë se profiti. Prapëseprapë, vetëm disa kompani arrijnë të rrisin profitin në mënyrën në të cilën e ka bërë këtë Apple, profiti i së cilës kompani gjatë çerekut të fundit të vitit të kaluar është rritur për 118 për qind në nivel vjetor.
Çmimi i aksioneve të Apple sot ka tejkaluar kufirin prej 500 dollarë (377.24 euro).

Fillojnë dërgesat e kamerave Lytro

Kompania Lytro filloi me dërgesat e kamerave Light Field që ishin paraqitur gjatë tetorit të vitit të kaluar, e që përveç dizajnit jo të zakonshëm kanë edhe funksionalitet paska të ndryshëm.
Kamera fotografitë nuk i fokuson gjatë incizimit, por shfrytëzuesi më vonë në kompjuter bën përzgjedhjen e fokusit, varësisht nga dëshirat individuale. Në këtë mënyrë në kompjuter mund të zhvillohen versione të ndryshme të fotografisë së marrë, e funksionaliteti i zgjidhjes të interesuarit mund ta provojnë edhe vet në galerinë në faqet zyrtare. Më vonë gjatë vitit pritet të paraqitet edhe mbindërtimi i softuerit me përkrahje për shfaqjen 3D të fotografive dhe mundësitë e tjera.
Çmimet në para-porosi janë 400 dollarë për versionin me 8 dhe 500 dollarë për kamerën me 16 GB të memories së integruar.

Macja garon për në Senat

Votuesit në SHBA kanë mundësi të zgjedhin një kandidat të veçantë për një ulëse në Senat- pasi macja Hank ka hyrë në garën zgjedhore.
Ish-macja e rrugëve, nëntëvjeçare, e cila ka prani të fuqishme në Facebook dhe Twitter, si dhe ka faqen e vet zyrtare, kërkon votën në Virginia.
“Kur të zgjidhem në Senat, do të punoj shumë që të sigurohem që të ketë qumësht në secilën enë te i gjithë kombi”, shkruan në faqen zyrtare të Hank.
Krahas maces, në garën zgjedhore janë dy ish-guvernatorë të Virginias, republikani George Allen dhe demokrati Tim Kaine.
Hank e di në se çelësi i një Amerike më të mirë dhe një të ardhme më të ndritshme është krijimi i vendeve të punës, të cilat do të përmirësojnë rrugët, qytetin, shtetin dhe kombin- thuhet në spotin promovues të maces kandidat, ndërsa transmeton Washington Post.
Kampanja të tilla zgjedhore nuk janë të pazakonta në SHBA, madje kanë rezultuar të suksesshme. Një qen me emrin Bosco Ramos ka shërbyer si kryebashkiak i Sunolit të Kalifornisë gjatë viteve të tetëdhjeta. 

Kthehet të tërheq para në bankën që tentoi ta grabiste

Një vjedhës banke është arrestuar në SHBA, pasi është kthyer në skenën e tij të krimit për të tërhequr para për taksi.
Newser raporton se një 39-vjeçar tentoi të vjedhë një bankë në Chamblee të Georgias. Ai ia dha arkëtarit një letër ku shkruante: “Mi jep paratë ose ne do të fillojmë të gjuajmë”.
Mirëpo, duke u ndier i sigurt pas xhamit të papërshkueshëm nga plumbat, arkëtari vetëm u tërhoq prapa, ndërsa hajni iku pa para.
Ai u hodh në një taksi për të shkuar në drejtim të vendparkimit të automjetit të tij, mirëpo nuk kishte asnjë para për ta paguar personin pas timonit që ishte një femër.
E frikësuar se do t’i ikte pa paguar shoferja e taksisë, ia bllokoi dyert dhe e thirri një polic. Ky i fundit e bindi 39-vjeçarin se duhej të gjente para për ta paguar taksin, përndryshe do të kishte probleme.
Polici e shoqëroi deri në bankën që hajni tentoi ta grabiste për të tërhequr para (kësaj radhe legalisht), mirëpo punëtorët e bankës e njohën, dhe ai përfundoi i arrestuar me akuzën “për tentim të grabitjes me armë”.

Fëmijët bien nga automjeti në lëvizje (Video)

Dy fëmijë kanë shpëtuar për mrekulli pas rënies nga automjeti me të cilin po udhëtonin duke mbetur të pa lënduar.
Një xhirim shokues nga Turqia është postuar në internet, ku shihet hapja e bagazhit të automjetit gjatë lëvizjes, ndërsa njëherë njëri e më pas tjetri fëmijë bien në rrugë.
Njerëzit menjëherë reagojnë për të shikuar gjendjen e fëmijëve, ndërsa edhe automjeti me të cilin udhëtonin kthehet për t’i marrë.
Të gjithë ndjehen të lumtur kur kuptojnë se ata nuk janë lënduar aspak.

Zhvishet për të rregulluar shpërthimin e ujit Zhvishet për të rregulluar shpërthimin e ujit

Një hidraulik kinez ka dalë vetëm me veshje të brendshme në mot të ftohtë, pasi një automjet goditi një hidrant uji.
Ye Lei, 41 vjeç, ka treguar se ishte mënyra e vetme për ta rregulluar hidrantin e shpërthyer pa mos i lagur teshat.
“Kisha edhe rroba të papërshkueshme nga uji, por e kuptova që kishte aq shumë ujë, saqë nuk do të më ndihmonin për të më mbajtur të pa lagur”.
“U munduam ta vendosnim kamionin tonë mbi currilin e ujit, por vetëm sa e bënte ujin që të spërkaste anash”, ka shpjeguar Lei.
Kështu, në fund ai vendosi ta rregullonte i zhveshur hidrantin e shpërthyer. Pasi e kreu punën, u fshi dhe i veshi rrobat që ia kishin mbajtur të ngrohta kolegët e tij.
“Zgjati vetëm dhjetë minuta, mirëpo me ujin që ishte katër gradë Celsius, ishte shumë ftohtë kah fundi”, ka thënë Lei. 

Gruaja ‘e vdekur’ del nga arkivoli

Një 95-vjeçare i ka tmerruar fqinjët e saj në një fshat në provincën kineze Guangxi, pasi ka dalë nga arkivoli gjashtë ditë pasi kishte “vdekur”.
Li Xiufeng është gjetur e palëvizshme dhe pa frymëmarrje në krevatin e saj nga një fqinj, dy javë pasi ishte alivanosur pas një lëndimi në kokë. Pasi dështoi që ta zgjonte, fqinji Chen Qingwang supozoi se ajo kishte vdekur në gjumë
“Ajo nuk u ngrit dhe shkova ta zgjoj. Edhe pse e shtyja fort dhe e thërrisja në emër, ajo nuk reagonte. Mendova se diçka nuk është në rregull, kontrollova frymëmarrjen, nuk merrte frymë, mirëpo trupi i saj akoma nuk ishte ftohur”, ka treguar ai.
Sipas traditës, gruaja ‘e vdekur’ u la në arkivol në mënyrë që familjarët dhe miqtë të bënin homazhe.
Mirëpo, një ditë para funeralit, fqinji i saj e gjeti arkivolin të zbrazët dhe trupi ishte zhdukur. Duke kërkuar trupin e zhdukur, bashkëfshatarët u tmerruan kur e panë zonjën Xiufeng duke gatuar në kuzhinën e saj.
“Kam fjetur shumë gjatë. Pasi u zgjova, ndjeva shumë uri dhe desha të përgatis diçka për të ngrënë”, u kishte thënë ajo në atë çast duke u treguar se mezi e kishte hapur arkivolin për të dalë jashtë.
Mjekët besojnë se zonja Xiufeng ka pësuar një ‘vdekje artificiale’, gjatë të cilës njeriu nuk merr frymë, por trupi mbetet i nxehtë. 

Thyen rekordin me aeroplan prej letre (Video) Thyen rekordin me aeroplan prej letre (Video)

Një qendërmbrojtës i futbollit amerikan e ka thyer rekordin botëror të hedhjes së aeroplanit prej letre.
27-vjeçari Joe Ayoob e hodhi aeroplanin e letrës në largësi prej afër 69 metrash, duke thyer kështu rekordin e mëparshëm për një distance prej rreth gjashtë metrash.
Në video shihet ‘aeroplani’ duke u ngjitur fillimisht lartë, ndërsa më pas bën një lëshim para se të kalojë vijën e rekordit të mëparshëm.

Jetoi 41 vjet si mashkull

Britanikja Caroline Kinsey nga Lancashire ka lindur si hermafrodit, ndërsa këtë nuk e ka ditur deri kur i ka mbushur 19 vjet.
Duke ndjekur këshillën e mjekut, prindërit vendosën që fëmijën e lindur si hermafrodit ta rritnin si djalë dhe ia vunë emrin Carl John Baker.
Mirëpo, gjatë rritjes ‘ajo’ filloi të ndjehej ndryshe nga të tjerët, megjithatë nuk e kuptonte se ku qëndron problemi. Ajo kishte menduar se të gjithë e kanë trupin si të saj dhe nuk arrinte ta kuptojë se pse e ngacmonin fëmijët në shkollë.
Meshkujt e ngacmonin për zërin e saj femëror, ndërsa femrat nuk e pranonin në shoqëri sepse dukej si mashkull.
“Gjithmonë e kam ditur se jam ndryshe, por asnjëherë nuk e kam kuptuar arsyen. Më vonë kam kuptuar se mjekët i kanë këshilluar prindërit e mi që të ma heqin të drejtën për të qenë femër për të plotësuar anën time tjetër dhe të më rritnin si mashkull”, citon Daily Mail fjalët e Caroline.
Megjithatë, edhe pasi e kuptoi të vërtetën, ajo vazhdoi të jetonte si mashkull. Punonte kamerier, ndërsa pas vetes ka edhe një martesë të dështuar me një grua.
Vetëm në moshën 41-vjeçare vendosi të jetë plotësisht femër dhe iu nënshtrua ndërhyrjes kirurgjike.

Ashton: Kosova do të flas në emër të vet

Shefja për politikë të jashtme e Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, ka shprehur mirënjohje ndaj kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në Bruksel.
Duke kujtuar atë që e ka cilësuar marrëveshje historike ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, sa i përket bashkëpunimit rajonal të të dyja palëve, Ashton ka vlerësuar kontributin e kryeministrit kosovar, për, siç ka thënë, vizionin dhe lidershipin e tij.
“Kjo marrëveshje do të thotë se Kosova do të marrë pjesë dhe do të flasë vetë për veten e saj në më shumë se 35 forume të ndryshme rajonale. Kosova po ashtu do të jetë në gjendje të nënshkruajë vetë marrëveshje. UNMIK-u tashmë ka deklaruar se do t’i lërë këto të drejta për Kosovën”, ka thënë Ashton para gazetarëve në Bruksel, raporton “Radio Evropa e Lirë”.
Kryediplomatja evropiane ka folur edhe për zbatimin e marrëveshjes për menaxhimin e integruar të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Ne gjithmonë kemi thënë se qëllimi i dialogut është t’i sjellim palët më afër Bashkimit Evropian”, ka theksuar ajo, duke shfaqur shpresën për hapa të tjerë të Kosovës drejt BE-së.
“Në marrëdhëniet tona, ne kemi nisur dialogun për vizat, kemi arritur marrëveshje tregtare, pjesëmarrjen e Kosovës në programet e BE-së... E di se të gjitha këto kërkojnë punë të madhe nga të dyja palët dhe vazhdim të bashkëpunimit. Ne s’kemi mbaruar ende”, ka thënë baronesha Ashton.

“Të shpallen të pavlefshëm ditarët e ‘X’-it”

Mahmut Halimi, avokat mbrojtës i Nexhmi Krasniqit, ka vazhduar edhe të enjten me paraqitjen e argumenteve, të cilat sipas tij e vërtetojnë të kundërtën e atyre që janë shënuar në ditarët e Agim Zogajt, i njohur si dëshmitari “X”.
Ai ka kërkuar nga trupi gjykues që deklaratat e dhëna nga “X”-i, të njohura në dosje si “B1” deri në “B9”, të shpallen si të papranueshme. Halimi thotë se ato janë marrë në cilësinë e të pandehurit dhe, si të tilla, në bazë të juridiksionit duhet të shpallen si të papranueshme dhe të veçohen nga shkresat e lëndës, raporton “Kosovapress”.
Avokati i është ankuar trupit gjykues se pikërisht deklaratat “B1” deri në “B9”, të dhëna nga Agim Zogaj në zyrën e Prokurorit Special të EULEX-it, në cilësinë e dëshmitarit, janë përdorur nga prokurori dhe janë futur përsëri në lëndë edhe pse ai nuk ka pasur të drejtë pasi që Prokurori Special i ka mbyllur ato në një zarf special. Ndërsa, sipas ligjeve në fuqi, “ato nuk mund të përdoren nga asnjëra palë në proces”.
Halimi, duke marrë parasysh se në deklarimet e “X”-i janë të përfshira edhe pjesë nga ditarët e tij, ka kërkuar nga trupi gjykues që deklaratat e marra në cilësinë e të pandehurit, së bashku me ditarët, të hidhen poshtë dhe të veçohen nga shkresat e lëndës.
Ai sot ka folur edhe për nevojën e një ekspertize të grafologjisë së ditarëve të dëshmitarit “X”. Sipas tij, po të bëhej kjo ekspertizë nga prokurori në fazën e hetimeve kur mbrojtja e ka kërkuar, atëherë “nuk do të ishim në këtë proces dhe as që do të kishte nevojë për një aktakuzë të tillë”.
“Kam pasur rastin t’i shoh origjinalet e ditarëve të Agim Zogajt, në të cilat shihej se nuk ishin të shkruara nga një dorë dhe shiheshin qartë intervenimet e freskëta në to, sidomos në vendosjen e emrave të të pandehurve”, ka thënë Halimi para trupit gjykues. 

Serbia drejt njohjes së Kosovës

Fusnota ia hap rrugën Serbisë për t'u bashkuar me BE dhe ta pranojë realitetin politik, shkruan për “Edmonton Journal” politologu Srdja Pavlovic, ligjërues i historisë së Ballkanit në Universitetin Alberta të Kanadasë.
Që nga shpallja e pavarësisë nga Serbia, katër vjet më parë, Kosova ka qenë një fuçi proverbiale baroti për Ballkanin. Rajoni verior i saj ka qenë një teatër i dhunës së vazhdueshme etnike. Njerëzit e manipuluar nga liderët politikë të Serbisë dhe të Kosovës, të grupeve parapolitike dhe të krimit të organizuar, kanë organizuar konfrontime të armatosura, kanë djegur pikat kufitare, kanë mbajtur referendume jo të detyrueshëm, ndërsa kanë qëlluar edhe te forcat ndërkombëtare që monitorojnë zonën.
Retorika politike për Kosovën është karakterizuar nga kërcënimet dhe kundër-kërcënimet e modës së vjetër dhe të pompozitetit të Luftës së Ftohtë, mes Rusisë dhe BE-së, dhe premtimeve boshe të politikanëve serbë ndaj një popullsie serbe gjithnjë e më të dëshpëruar ekonomikisht dhe të radikalizuar në rajon. Për pjesën më të madhe të elitave politike në Beograd dhe të popullatës serbe në përgjithësi, ideja për Kosovën ka qenë një ëndërr e përsosur nacionaliste: një vend që dallon nga banorët e saj aktualë, ku koha është ndalur dhe kurrë asgjë nuk ndryshon.
Qeveria e Serbisë me kokëfortësi refuzon ta njoh pavarësinë e Kosovës. Gjatë gjithë kohës ishte e qartë se shpresat e saj për marrjen e statusit kandidat për anëtarësim në BE ishin të lidhura direkt me pranimin e realitetit politik të Kosovës së pavarur.
Por, koha nuk është e ndalur: duket se gjërat po ndryshojnë vërtet në konfliktin që ishte në qendër të sulmeve ajrore të NATO-s ndaj caqeve serbe më 1999. Duke gjykuar nga lajmet më të fundit nga Brukseli, ne mund ta dëshmojmë hapin e parë të ndryshimit gradual të politikës së vjetër serbe ndaj ndarjes së territorit.
Disa ditë më parë, nën syrin vigjilent të diplomatëve të BE-së në Bruksel, përfaqësuesit e qeverive të Serbisë dhe të Kosovës nënshkruan një dokument në lidhje me mënyrën me të cilën ky shtet i ri do të përfaqësohet në takimet rajonale. Ky dokument është duke hapur rrugën për integrimin e plotë të Kosovës së pavarur në bashkësinë ndërkombëtare. Të dyja palët, megjithatë, kishte bërë koncesione të dukshme.
Neni i dytë marrëveshjes thotë se vetëm fjala Kosovë do të përdoret tani e tutje, për të identifikuar delegacionin në takimet rajonale. Ai më tej pohon se Kosova do të marrë pjesë në të gjitha takimet rajonale si një entitet i pavarur dhe do të veprojë në emër të vet. Por, asgjë nuk është kurrë e thjeshtë në Ballkan. Ky dokument nuk është rast i veçantë dhe thënia proverbiale se djalli është në detaje është tërësisht i vërtet në këtë rast. Pika qendrore është fusnota e vetme e bashkangjitur në fjalën Kosovë.
Fusnota thotë se përdorimi i emrit nuk paragjykon qëndrimin për pavarësinë e Kosovës, bazuar në Rezolutën 1244 të OKB-së të qershorit 1999. Kjo rezolutë e OKB-së flet për një vetëqeverisje substanciale për Kosovën, duke marrë në konsideratë parimet e sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së atëhershme të Jugosllavisë, që përbëhej nga Serbia dhe Mali i Zi. Me fjalë të tjera, nuk e ka përmendur pavarësinë e Kosovës dhe sovranitetin, një çështje që qeveria serbe e ka theksuar për disa vite të tëra.
Edhe pse se rezoluta nuk e përmend Serbinë, sepse i referohet një subjekti tjetër që përfshinte Malin e Zi, liderët politikë në Beograd vazhdojnë ta përdorin si provë për ta mohuar pavarësinë e Kosovës. Kjo ishte arsyeja për fusnotën: Serbia mund të pohojë se bëri një përpjekje drejt arritjes së një zgjidhje politike të krizës së Kosovës, duke mos ia njohur pavarësinë e saj.
Presidenti serb Boris Tadic ka thënë se është i lumtur me marrëveshjen e arritur, dhe se ajo konfirmon politikën e tij e dyfishtë për ta anëtarësuar Serbinë në BE duke ruajtur Kosovën si pjesë të territorit, si rrugë të vetme për të ecur para.
Kundërshtimi i marrëveshjes, megjithatë, është mjaft i fortë dhe vjen nga shumë drejtime. Serbët nga veriu i Kosovës kanë deklaruar se marrëveshja është antikushtetuese, ndërsa nënkryetari i Partisë Radikale Serbe, Dragan Todorovic, ka thënë se kjo shënon hapin përfundimtar në procesin e "e grabitjes së Kosovës nga Serbia, nën udhëheqjen e SHBA-së dhe BE-së”. Ai e akuzoi presidentin serb Tadic për tradhti të lartë.
Për qeverinë në Prishtinë, gjëja më e rëndësishme është që shteti i ri do të shfaqet në skenën rajonale nën emrin e vet. Tërheqja e fjalë "Republikë" nga titulli ishte një nga kompromiset e saj. Meqë bëri lëshime, tani është duke u përpjekur për zbutur kritikat e ashpra të marrëveshjes që vijnë nga politikanët e linjës së ashpër të Lëvizjes Vetëvendosje. Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, e ka karakterizuar këtë marrëveshje si opsionin më të mirë në dispozicion.
Gjykuar nga reagimi pozitiv nga Brukseli, ka shumë gjasa që Serbia tani do të marrë statusin e kandidatit për anëtarësim në BE. Mbetet të shihet se në çfarë mase kjo do të ndihmojë partinë në pushtet, në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, dhe qetësimin e reagimit negativ të brendshëm të marrëveshje të Kosovës. Stimuj të ngjashëm për Kosovën kanë qenë gjithashtu të diskutuara në Bruksel.
Përderisa askush nuk është i kënaqur plotësisht me përmbajtjen e dokumentit, të dy qeveritë thonë se kanë konfirmuar qëndrimet e tyre të mëparshme dhe se kanë ofruar një bazë solide për bisedime të mëtejshme. Ata janë duke u përpjekur për të përmbushur pritjet e administratës së krerëve të BE-së, ndërsa në të njëjtën kohë të kënaqin zgjedhësit e tyre.
Duke i lënë retorikat politike mënjanë, është e qartë se Serbia është duke iu afruar njohjes së pashmangshme të pavarësisë së Kosovës, dhe se dialogu teknik midis Beogradit dhe Prishtinës është mjet i përdorur nga të dyja palët për të arritur në pikën që pranon realitetin politik në rajon.
Një fusnota të vetme mundet, mbi të gjitha, të dëshmohet si instrument i stabilizimit të situatës të paqëndrueshme. 

Ilegalët paralajmërojnë probleme në veri

Udhëheqës të strukturave ilegale në veri të Kosovës kanë paralajmëruar se në këtë pjesë të vendit mund të ketë probleme serioze.
I ashtuquajturi kryeshef i Qarkut të Mitrovicës, Radenko Nedelkoviq, tha se duhet të respektohet vullneti i popullit, i dalë nga referendumi i 14 dhe 15 shkurtit.
“Popullata e serbe në veri nuk dëshiron kurrfarë institucionesh të Kosovës në këtë pjesë të vendit”, tha ai për "Kosovapress".
Sipas tij, për popullatën serbe në veri dhe përfaqësuesit e tyre, është i papranueshëm fakti që në pikëkalimet mes Kosovës dhe Serbisë të ketë dogana. 

Haraqija: Delli e tha të vërtetën për LDK-në!

Njëri nga themeluesit e Listës LDK-Ibrahim Rugova, Astrit Haraqija, thotë se atë që e ka thënë para dy vitesh për LDK-në, ditë më parë e ka thënë edhe ambasadori amerikan Christopher Dell.
Haraqija, në një intervistë për “Tribuna Shqiptare”, thotë se Lista është “duke funksionuar për mashalla”, ndërsa heshtjen e deputetit të vetëm të kësaj partie në Kuvend, Ukë Rugova, e arsyeton se ai nuk ka nevojë të dalë e të flasë diçka vetëm “sa për të dalë në televizion”.
“Kontributin e tij po e jep në Komisionin parlamentar”, thotë ai.
Sa i përket fusnotës, Haraqija thekson se ka pasur mundësi të bëhet pazar më i mirë, megjithatë edhe kështu e mbështet fuqimisht vendimin për ta pranuar.
Ndryshimet në statutin e LDK-së i vlerëson pozitive, ndërsa theksoi se kjo parti meriton më shumë. Lista, sipas tij, ka raporte me krerët e të gjitha subjekteve politike, por nuk e kanë ndërmend t’i bashkohet ndonjë subjekti tjetër politik. 

BE vendos për Serbinë, Thaçi në Bruksel

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ndodhet në Bruksel, ku pritet të takojë shefen për Politikë të Jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, si dhe komisionarin për zgjerim, Stefan Fule.
Sipas burimeve të BE-së, kjo vizitë ka për qëllim që zyrtarët evropianë personalisht të urojnë dhe falënderojnë kryeministrin Thaçi për, siç thuhet, kontributin e tij në arritjen marrëveshjes për bashkëpunimin rajonal, në mes të Prishtinës dhe Beogradit, raporton REL.
Ndërkohë, sot në Bruksel nis samiti dyditësh i shefave të shteteve dhe të qeverive të Bashkimit Evropian, ku në mesin e temave pritet të jetë edhe procesi i zgjerimit të BE-së.
Udhëheqësit e bllokut po ashtu pritet të konfirmojnë edhe formalisht dhënien e statusit të kandidatit Serbisë, për anëtarësim në BE.
Të gjitha vendet e BE-së, përfshirë edhe Rumaninë, u kanë rekomanduar të martën udhëheqësve evropianë të miratojnë kandidaturën evropiane të shtetit serb.
Delegacioni rumun ka kundërshtuar vendimin e tillë për Serbinë, duke kërkuar përmirësimin e pozitës së pakicës vllahe në këtë vend.
Megjithatë, zyrtarët e BE-së pohojnë se tashmë ka pajtim në mesin e të gjitha shteteve anëtare se Serbia e ka merituar statusin e kandidatit dhe se i ka përmbushur kërkesat në lidhje me normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën dhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura në dialog.

Kosova i “dëmtoi” raportet Ganë-Serbi

Serbia e ka dëbuar ambasadorin e Ganës, Samuel Valis-Akyianu, pas konfliktit diplomatik që ndodhi për shkak të pranimit të Kosovës si shtet. Ganat do ta mbyll misionin diplomatik në Beograd, shkruan “ghanaweb”.
Ministri i Punëve të Jashtme të Ganës, Alhaji Muhammad Mumuni, tha sot në Parlament se “marrëdhëniet miqësore mes dy vendeve kanë pësuar dëme serioze, pasi Gana ka njohur pavarësinë e Kosovës”.
Siç shkruan "ghanaweb”, autoritetet e zemëruara serbe janë përpjekur që përmes ambasadorit Valis-Akyianu të bëjnë presione në Akrën zyrtare që ta tërheqin vendimin për ta njohur Kosovën.
Mumuni tha se për këtë shkak Gana ka paralajmëruar mbylljen e misionit në Serbi.
"Marrëdhëniet shumëvjeçare miqësore mes Ganës dhe Serbisë, që datojnë nga koha e ish-Jugosllavisë, tash mund të bazohen më shumë në tolerancën politike, e jo në interesat reciprokisht të dobishme ekonomike", tha Mumuni.
"Pas vendimit të Qeverisë së Ganës për ta njohur Kosovën, autoritetet serbe kanë kërkuar që ambasadori jonë në Beograd të kthehet në shtëpi dhe të konsultohet me qeverinë e tij për të anuluar vendimin. Për më tepër, qeveria serbe ka kërkuar mbylljen e Konsullatës së saj të Nderit në Akra. Reagimi i qeverisë së Serbisë për njohjen e Kosovës nga ana e Ganës nuk na lë zgjidhje tjetër pos të urdhërojmë mbylljen e plotë të misionit tonë në Beograd ", tha ministri.

Low: Franca e meritoi fitoren

Përzgjedhësi i Gjermanisë, Joachim Low, ka pranuar se Franca ishte më e mirë gjatë disfatës 2-1 në miqësoren e mbrëmshme.
“Kur ju humbni një ndeshje jeni të zemëruar, por unë jam edhe më i zemëruar me mënyrën se si ne pësuam”.
“Franca luajti më mirë në pjesën e dytë dhe ne nuk ishim në nivelin e tyre. Andaj, është e drejtë që Franca fitoi”, ka thënë Low për Kicker. 

Blanc i ngazëllyer me fitoren ndaj Gjermanisë

Trajneri i Francës, Laurent Blanc, ka shprehur ngazëllimin e tij pas fitores 2-1 ndaj Gjermanisë në miqësoren e mbrëmshme.
Blutë dolën fitues ndaj të përzgjedhurve të Joachim Low falë dy golave, një nga Olivier Giroud dhe një tjetër nga Florent Malouda, që kanë shtuar ambiciet e francezëve para Euro 2012 që zhvillohet këtë verë.
“Është një kënaqësi që kemi fituar. Të fitosh këtu është shumë vështirë, por ne përpiqemi të përmirësohemi pas çdo ndeshje. Ne jemi duke pritur edhe më shumë nga kjo skuadër. E dija se ne mund ta përmirësonim lojën tonë”, ka thënë Blanc. 

NBA: Knicks mposhtin Cavaliers-at

New York Knicks ka arritur të rikthehet nga disavantazhi në pjesën e parë të takimit, për të dalë fitues me rezultat 120-103 në ndeshjen ndaj Cleveland Cavaliers.
Knicks-at ishin në disavantazh prej 17 pikësh në çerekun e dytë, por u këndellën në çerekun e tretë dhe të katërt për të përmbysur rezultatin.
Carmelo Anthony shënoi pikë më të larta për Knicks, 22, ndërsa Jeremy Lin përfundoi ndeshjen me 19 pikë dhe 13 asistime. Për skuadrën fituese pikë dyshifrore shënuan gjashtë nga dhjetë lojtarët që u përfshinë në ndeshje.
Antawn Jamison ishte më i miri te Cavaliers me 23 pikë, me 19-vjeçarin Kyrie Irving që shënoi 22 pikë dhe shtatë asistime. 

PSG të ofrojë 80 milionë për Xavin?

Paris Saint-Germain raportohet se është duke menduar të bëjë një ofertë në vlerën e 80 milionë eurove për mesfushorin e Barcelonës, Xavi Hernandez.
Spanjolli është një ikonë te skuadra Blaugrane dhe ka kontratë me klubin spanjoll deri në vitin 2014, me opsion për ta vazhduar atë edhe për dy vite të tjera.
Megjithatë, sipas AS, pronarët arab të PSG dëshirojnë ta përmbushin klauzolën blerëse të lojtarit që është 80 milionë euro, për ta sjellë atë në Parc des Princes.
Gazeta shkruan se klubi i Ligue 1 shpreson të shfrytëzojë avantazhin e paqartësive në klub rreth të ardhmes të trajnerit Pep Guardiola, dhe tashmë e ka përcjellë interesimin për 32-vjeçarin te drejtuesit e klubit spanjoll.

Messi i kënaqur me tregolëshin ndaj Zvicrës

Lionel Messi është i kënaqur që më fund ka gjetur rrugën e golave me fanellën e Argjentinës në fitoren 3-1 ndaj Zvicrës.
Fituesi i trefishtë i Topit të Artë ishte kritikuar për dështimin për të bartur lojën e Barcelonës edhe në ndeshjet e tij me Argjentinën, por ai ishte i shkëlqyeshëm mbrëmë në miqësoren ndaj Zvicrës ku shënoi hat-trickun e parë për vendin e tij.
“Jam shumë i kënaqur pasi ne fituam dhe pasi ato tre gola ishin të veçantë për mua. Ka pasur shumë ndeshje ku nuk kam arritur të shënoj asnjë gol, por e dija se ato do të vijnë”, ka thënë Messi.
Messi po ashtu ka thotë se ai ka raporte të mira si në fushë ashtu edhe jashtë saj me bashkëlojtarin e tij argjentinas, Sergio Aguero.
“Ne po ia dalim shkëlqyeshëm, si në fushë ashtu edhe jashtë saj. Por më e rëndësishme është që ekipi po bëhet një grup shumë i mirë. Ne duhet ta ruajmë grupin të bashkuar për të arritur gjëra të rëndësishme”, ka shtuar argjentinasi.

Buffon: Kurrë nuk jemi seriozë në miqësore

Portieri i Juventusit, Gigi Buffon, thotë se Italia kurrë nuk luan mirë në miqësore dhe se nuk ka nevojë për shqetësim pas disfatës ndaj SHBA-ve.
“Nuk ka nevojë të shqetësohemi, edhe pse është ca turbulluese të humbasësh dy miqësore të njëpasnjëshme, megjithëse me tre ose katër muaj distancë”.
“Nëse shikojmë prapa në disfatat, ata ishin të gjitha miqësore dhe në fund në fundit ne luajmë futbollin më të mirë kur ka diçka për të fituar. Po ashtu ndihmon kur ne luajmë në udhëtim në një atmosferë të nxehtë, si Polonia. Kjo e bën tensionin të rritet dhe ne jemi të gatshëm. Shpresoj kjo të jetë e vetmja arsye”, ka thënë Buffon.

PSG të transferojë Benzeman?

Drejtori sportiv i Paris Saint Germain, Leonardo, ka pranuar se klubi është i interesuar të nënshkruajë me sulmuesin e Real Madridit, Karim Benzema.
Francezi e ka shndërruar veten në sulmuesin kryesor të Real Madridit këtë sezon nën drejtimin e trajnerit Jose Mourinho, dhe Leonardo e di se do të jetë vështirë të arrijë një marrëveshje me të.
“Ai do të ishte një përforcim i mirë, edhe pse është vështirë ta blesh atë sot. Nënshkrimi me Benzema do të ishte mrekulli”, ka thënë Leonardo. 

Raul të largohet nga Schalke?

Legjenda e Real Madridit, Raul, është i gatshëm të largohet nga Schalke në fund të sezonit.
Raul do të jetë pa kontratë në qershor dhe dëshiron të vazhdojë të luajë edhe sezonin e ardhshëm.
Stacioni i ardhshëm për sulmuesin spanjoll mendohet të jetë Lindja e Mesme, ku ai do të mund të fitojë një shumë prej 10 milionë euro për një sezon.
Mundësinë e largimit e ka konfirmuar edhe trajneri i klubit gjerman, Huub Stevens. “Nëse klubet vijnë me një ofertë të mirë financiare, atëherë ne kemi pak shanse”, ka thënë Stevens. 

Ancelotti porosit Chelsean: Durim me Villas-Boas

Trajneri i PSG, Carlo Ancelotti, shpreson që Andre Villas-Boas, të ketë kohë për t’u adaptuar te Chelsea.
“Mendoj se problemi te Chelsea është se ata janë përpjekur të ndryshojnë diçka, të krijojnë një ekip më të ri, t’u japin më shumë mundësi lojtarëve të rinj të luajnë, të përpiqen t’u japin më pak ndeshje lojtarëve më të rëndësishëm - Frank Lampard, Ashley Cole, John Terry”.
“Por, mendoj se ky ndryshim ka nevojë për kohë, pasi është vështirë t’i zëvendësosh lojtarët si Lampard, si Ashley Cole, si John Terry, pasi ata janë sërish lojtarët të Chelseat”.
“Villas-Boas është një trajner i mirë, pasi ai ka bërë një punë të mirë te Porto. Është filozofia e klubit. Ata janë përpjekur të ndryshojnë diçka. Ky ndryshim ka nevojë për kohë”, ka thënë Ancelotti.

Het-trik i Soldados në triumfin e Spanjës

Kampioni i Evropës dhe botës, Spanja, ishte shumë e fortë përballë Venezuelës në një ndeshje miqësore që u zhvillua në Estadio La Rosaleda të Malagas, të cilën e fitoi me rezultat 5-0.
Andres Iniesta u regjistrua i pari në listën e golashënuesve (37’), ndërsa David Silva vendosi rezultatin e pjesës së parë (40’).
Në gjysmën e dytë doli në skenë Roberto Soldado, i cili regjistroi dy gola të shpejtë (50’ dhe 53’), ndërsa më vonë dështoi të realizonte nga penaltia (66’).
Megjithatë, ai arriti ta kompletojë het-trikun e tij në minutën e 84, kur edhe vendosi rezultatin përfundimtar. 

Vitali Klitschko kandidat për kryetar të Kievit

Boksieri ukrainas, Vitali Klitschko, do të kandidojë sërish për kryetar të bashkisë së Kievit ne zgjedhjet lokale të këtij viti.
Edhe në vitin 2006, Vitali tentoi të bëhej kryetar i kryeqytetit ukrainas, mirëpo humbi nga Leonid Chernovetskyi, prefekti aktual i Kievit.
“Do të marr pjesë në garën për kryebashkiakun e Kievit. E kam dhënë programin dhe pres të fitoj”, ka deklaruar Klitschko.
Ai zotohet për integrim më të madh të Ukrainës në Evropë dhe anëtarësim në NATO.
Ndryshe, këtë muaj Vitali mbrojti titullin në kategorinë e rëndë WBC, pasi pas 12 raundesh fitoi me pikë kundër britanikut Dereck Chisora.