Paralajmërimi për nisjen e hartimit të një studimi të fizibiliteti për Kosovën, ndonëse vlerësohet të jetë hap përpara për vendin, nuk mund ta përshpejtoj agjendën e tij integruese në Bashkimin Evropian, thonë njohësit vendorë e ndërkombëtarë të integrimeve evropiane.
Studimi i fizibilitetit thuhet se mund të zgjasë tetë deri në 12 muaj, për të rezultuar me një Raport të fizibilitetit nga Komisioni Evropian, raporton “Radio Evropa e Lirë”.
Periudha deri në nënshkrimin e Marrëveshjes për Stabilizim-Asociim mund të marrë vite të tëra, ndërsa në rastin e Kosovës vet ratifikimi i kësaj marrëveshjeje do të mund të bllokohej nga Spanja, Qiproja, Rumania, Sllovakia dhe Greqia - që ende nuk e kanë njohur Kosovën.
Këshilltari special i Fondacionit Grek për Politika të Jashtme dhe Evropiane, ambasadori Alexandros Mallias, thotë se hapi i ardhshëm i Prishtinës zyrtare duhet të jetë inicimi i dialogëve politikë me shtetet evropiane që nuk e kanë njohur atë.
Eksperti Avni Mazreku thekson se nënshkrimi i Marrëveshjes për Stabilizim-Asociim, kurdo që të ndodhë kjo, do të jetë vetëm fillimi i një procesi të gjatë të anëtarësimit të Kosovës në BE.
Një proces të gjatë dhe, siç thuhet të mundimshëm që duhet kaluar Kosova deri në “vendosjen e binarëve të sigurt” drejt Bashkimit Evropian, e parasheh dhe ambasadori grek Mallias. Ai rikujton se Greqia në vitin 1961 pat nënshkruar Marrëveshjen për Stabilzim-Asociim me BE-në për t’u anëtarësuar në këtë mekanizëm në vitin 1981.
I pyetur se cilat do të jenë sfidat me të cilat autoritetet kosovare duhet të përballen në këtë proces, Mallias përmend problemin e veriut të Kosovës.
Për zgjidhjen e problemeve ekzistuese ndërmjet palës kosovare dhe asaj serbe, në mars të vitit të kaluar kishte nisur dialogu “teknik” i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Mirëpo, analistët konsiderojnë se ky dialog është vetëm faza fillestare e një dialogu tërësisht politik, që në qendër të shqyrtimit do ta ketë çështjen e veriut të Kosovës.