VV, kërkon shkarkimin e kryetarit të Gjilanit

Drejtuesit e Lëvizjes Vetëvendosje në Gjilan, kanë njoftuar të enjten për dërgimin e një materiali që argumenton shkelje të mëdha ligjore në adresë të shefave të grupeve asambleiste dhe kryesuesit të Kuvendit Komunal dhe kërkesën për nxitjen e procedurës së shkarkimit të kryetarit të komunës së Gjilanit, Qemajl Mustafës.

Ismajl Kurteshi shpaloi sipas tij “abuzimet e kryetarit” me Ligjin mbi Partneritetin Publiko Privat, shkeljen e Ligjit mbi Parandalimin e Konfliktit të Interesit, shkresat e Agjensionit Kundër Korrupsionit dhe mospërfilljen e tyre nga kryetari, mbipunësimin në administratë publike, mungesën e transparencës, e shumë e shumë shkelje të tjera procedurale”, tha kryetari i qendrës, Ismajl Kurteshi.
Ndërsa Avni Rudaku theksoi se kjo gjë rregullohet me Ligjin mbi Vetëqeverisjen lokale, por asambleistët gjilanas duhet ta përkrahin këtë iniciativë të Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje! dhe të tregojnë vullnet për shkarkimin e një kryetari që bie ndesh me ligjin dhe keqqeveris me komunën.
Qendra e kësaj lëvizjes në Gjilan vazhdimisht ka bërë shkresa zyrtare në organet përkatëse të komunës së Gjilanit dhe ka denoncuar edhe me shkrim shumë shkelje që janë bërë nga kryetari i komunës së Gjilanit, Qemajl Mustafa.