Antikorrupsioni padit Çohun

Agjencia Kundër Korrupsionit (AKK) ka deponuar në gjykatën komunale të Prishtinës padinë ndaj Lorik Bajramit, Artan Demhasajt përfaqësues të Organizatës jo Qeveritare ÇOHU dhe Besnik Boletini nga Qendra e Kosovës për Gazetari Hulumtuese, pasi që të njëjtit më 1 shkurt përmes një konference për media përhapën një mori të pa vërtetash dhe insinuatash me qëllim të dëmtimit të imazhit dhe autoritetit të këtij institucioni dhe drejtorit të saj.

Mënyra se si të pandehurit e kanë akuzuar Agjencinë dhe drejtorin e saj sipas natyrës së tyre dhe rrethanave nën të cilat janë publikuar kanë dëmtuar rëndë autoritetin e personit dhe reputacionin e institucionit të cilit i janë adresuar.
“Publikimi i këtyre të dhënave të rrejshme me karakter fyes është bërë me dashje pasi që të pandehurit kanë qenë të vetëdijshëm se atë që po e përhapin apo nxjerrin në opinion është e pavërtetë dhe se dëmton nderin dhe prestigjin e personit dhe institucionit të cilit i janë adresuar”, thotë kjo agjenci në komunikatën për media.
Për më tej të pandehurit kanë paralajmëruar paraprakisht se për të dhënat e tyre do të përgatisin dhe ushtrojnë kallëzim penal kundër udhëheqësit të AKK-së dhe të njëjtat do ti publikojnë në momentin më të pafavorshëm për AKK-në, kështu që akuzat me fyerje dhe shpifje u bënë vetëm një ditë pas konstituimit të Këshillit Kombëtar Kundër Korrupsionit nga Presidentja e vendit.
Agjencia Kundër Korrupsionit gjithmonë ka qenë dhe do të jetë bashkëpunuese në aktivitetet e shoqërisë civile dhe inkurajon gazetarin hulumtuese, por fuqishëm beson në legjislacionin në fuqi i cili parasheh se për funksionimin e organizatave joqeveritare, gazetarinë hulumtuese dhe format tjera të informimit, personat që punojnë për to janë të obliguar që gjatë ushtrimit të veprimtarisë se tyre t’iu përmbahen parimeve të profesionalizmit.
“Agjencia përmes kësaj padie nuk parashtron kërkesën pasurore juridike për kompensimin e dëmit jomaterial të pësuar si pasojë e veprimeve dhe përgjegjësisë penale të tëpandehurve, por qëllimi është nxjerrja në dritë e të vërtetës”, theksohet në komunikatën e Agjencisë Kundër Korrupsionit.