Një 95-vjeçare i ka tmerruar fqinjët e saj në një fshat në provincën kineze Guangxi, pasi ka dalë nga arkivoli gjashtë ditë pasi kishte “vdekur”.
Li Xiufeng është gjetur e palëvizshme dhe pa frymëmarrje në krevatin e saj nga një fqinj, dy javë pasi ishte alivanosur pas një lëndimi në kokë. Pasi dështoi që ta zgjonte, fqinji Chen Qingwang supozoi se ajo kishte vdekur në gjumë
“Ajo nuk u ngrit dhe shkova ta zgjoj. Edhe pse e shtyja fort dhe e thërrisja në emër, ajo nuk reagonte. Mendova se diçka nuk është në rregull, kontrollova frymëmarrjen, nuk merrte frymë, mirëpo trupi i saj akoma nuk ishte ftohur”, ka treguar ai.
Sipas traditës, gruaja ‘e vdekur’ u la në arkivol në mënyrë që familjarët dhe miqtë të bënin homazhe.
Mirëpo, një ditë para funeralit, fqinji i saj e gjeti arkivolin të zbrazët dhe trupi ishte zhdukur. Duke kërkuar trupin e zhdukur, bashkëfshatarët u tmerruan kur e panë zonjën Xiufeng duke gatuar në kuzhinën e saj.
“Kam fjetur shumë gjatë. Pasi u zgjova, ndjeva shumë uri dhe desha të përgatis diçka për të ngrënë”, u kishte thënë ajo në atë çast duke u treguar se mezi e kishte hapur arkivolin për të dalë jashtë.
Mjekët besojnë se zonja Xiufeng ka pësuar një ‘vdekje artificiale’, gjatë të cilës njeriu nuk merr frymë, por trupi mbetet i nxehtë.