Njëri nga themeluesit e Listës LDK-Ibrahim Rugova, Astrit Haraqija, thotë se atë që e ka thënë para dy vitesh për LDK-në, ditë më parë e ka thënë edhe ambasadori amerikan Christopher Dell.
Haraqija, në një intervistë për “Tribuna Shqiptare”, thotë se Lista është “duke funksionuar për mashalla”, ndërsa heshtjen e deputetit të vetëm të kësaj partie në Kuvend, Ukë Rugova, e arsyeton se ai nuk ka nevojë të dalë e të flasë diçka vetëm “sa për të dalë në televizion”.
“Kontributin e tij po e jep në Komisionin parlamentar”, thotë ai.
Sa i përket fusnotës, Haraqija thekson se ka pasur mundësi të bëhet pazar më i mirë, megjithatë edhe kështu e mbështet fuqimisht vendimin për ta pranuar.
Ndryshimet në statutin e LDK-së i vlerëson pozitive, ndërsa theksoi se kjo parti meriton më shumë. Lista, sipas tij, ka raporte me krerët e të gjitha subjekteve politike, por nuk e kanë ndërmend t’i bashkohet ndonjë subjekti tjetër politik.