Del Piero ftohet te River Plate

Agjenti argjentinas, Nestor Sivori, i ka kërkuar Alessandro Del Pieros që të nënshkruajë për River Platen dhe të ndjekë shembullin e babait të tij, Omar Sivori dhe të bëhet ikonë edhe e Juventusit edhe klubit nga Buenos Aires.
Omar Sivori fitoi tre tituj të Primera Divisionit argjentinas me River Platen (1954–1957), para se të kalonte te Juve, ku gjatë tetë viteve sa qëndroi (1957–1965) po ashtu fitoi tre tituj të Serie A.
“Po të varej nga unë që të vendosja, Del Piero tashmë do ta vishte fanellën që i takonte babait tim, njësoj sikur i takoi Morenos, Labrunas, Di Stefanos dhe Enzo Francescolit”, ka thënë Nestor përTuttosport.

Unikkatili shtyn lansimin e këngës, fansat në pritje

Një prej reperëve më të mëdhenj shqiptar, Unikkatili, ka paralajmëruar lansimin e këngës së tij të re në bashkëpunim me Presionin për mesnatën e 5 qershorit, por deri më tani ajo që kanë bërë mijëra fansa të reperit kanë qenë pritjet pa gjumë.
lajmenews ka mësuar nga burimet e sigurta pranë Viktorit se kënga e tij e re vërtet ishte planifikuar të lansohej në ora 21:30, ashtu siç ishte paralajmëruar pas shtyerjes së parë, por një ndryshim në moment të fundit bëri që fansat ende të mbesin në pritje.
Unikkatilit nuk i ka pëlqyer një detaj i vogël në këngën e tij të re, kështu që sipas burimeve tona ai është duke punuar në përmirësimin e detajit në fjalë. Kënga besohet se do të lansohet sonte pas mesnatës, më së largu gjatë ditës së nesërme (6 qershor).
lajmenews është duke përcjellur nga afër atë që po ndodh me këngën në fjalë dhe për informatën më të re ashtu dhe si për lansimin e këngës në kohë reale, qëndroni me ne..

Destro pranë Juves

Juventusi është pranë transferimit të sulmuesit në pronësi të Genoas, Mattia Destro – raporton Goal.com.
21-vjeçari e kaloi sezonin 2011/2012 në formë huazimi te Siena, ndërsa realizoi 12 gola në Serie A.

Kampioni i Italisë thuhet të ketë arritur marrëveshje me agjentin e lojtarit, por duhet t’i qartësojë gjërat me Genoan, para se ta finalizojë marrëveshjen.

Koha që Maicon të largohet

Interi mund të mbetet pa Maiconin gjatë kësaj vere, pasi agjenti i tij ka thënë se braziliani ka nevojë për një sfidë të re.
Paris Saint-Germain vazhdon të kërkojë shërbimet e mbrojtësit të djathtë, ndërsa agjenti Roberto Calenda ka lënë të kuptohet se klienti i tij mund të ndërrojë ambient.

“Pas gjashtë vitesh, ndoshta ka ardhur koha për ndërrim ambienti”, ka thënë agjenti për Sky Sport Italia.

Sezon i vështirë për Evran

Mbrojtësi i dikurshëm i Manchester Unitedit, Arthur Albiston, ka deklaruar se Patrice Evra ka pasur një sezon të vështirë me Djajtë e Kuq.
Në edicionin 2011/2012, francezi përjetoi një rënie në formë dhe ishte i përfshirë në një ofendim racial nga sulmuesi i Liverpoolit, Luis Suarez, gjë që, sipas Albiston, mund të ketë ndikuar në performancat e tij.

“Ishte një sezon i vështirë për Evran. Ai ka qenë shumë i qëndrueshëm gjatë kohës sa ka luajtur këtu, mirëpo ishin edhe rrethanat me incidentin me Suarezin që zgjatën tre muaj”.

“Të gjithë presin që ai të luajë po aq mirë sa në tri ose katër sezonet e fundit, ndërsa ai filloi t’i kthehet formës së mirë në ndeshjet e fundit sezonale”, ka theksuar Albiston për faqen zyrtare të United.

Marcelo ndërron mendje: Ronaldo është më i miri në botë!

Mbrojtësi brazilian, Marcelo, është tërhequr nga qëndrimi se Lionel Messi është futbollisti më mirë në botë.
Duke folur rreth ndeshjes ndaj Argjentinës, lojtari i Real Madridi deklaroi se Messi është në nivel më të lartë se Cristiano Ronaldo.

Megjithatë, ai është tërhequr nga këto komente duke thënë se është keqinterpretuar nga gazetarët dhe se ai i është referuar faktit se sulmuesi i Barcelonës është fitues i fundit i Topit të Artë.

“Ata e kanë keqinterpretuar atë që kam thënë. Messi është i fundit që e ka fituar çmimin (Topin e Artë), ndërsa për mua, Cristiano Ronaldo është padyshim më i miri. Shtypi nuk do ta shkatërrojë miqësinë tonë”, ka thënë Marcelo për AS.

Oezil: Nuk mund të krahasohem me Zidane

Mesut Oezil nuk mendon se e meriton që të krahasohet me legjendën franceze, Zinedine Zidane.
“Asnjëherë nuk e krahasoj veten me të. Jam krenar që jam në një klub të madh, si Real Madridi, mirëpo Zidane është në një nivel tjetër”.

“Ai ishte një lojtar me sukses botëror. Mua akoma më mungon diçka e tillë. Ende duhet ta dëshmoj veten”.

“Ai ishte një lojtar i kompletuar: luante me të dyja këmbët, kishte teknikë të mirë, luante mirë me kokë dhe kishte përfundim të mirë”, ka deklaruar mesfushori gjerman për AS.

Ronaldo: Dua të pensionohem te Reali

Superylli i Real Madridit, Cristiano Ronaldo, ka thënë se dëshiron që t’i japë fund karrierës si futbollist me fanellën e Los Blancos.
“Nëse do të varej nga unë, do të më pëlqente të qëndroja te Madridi deri në fund të karrierës sime”.

“Mirëpo, nuk varet nga unë”, ka thënë portugezi për Marca.

Ai po ashtu është shprehur mjaft i kënaqur që Jose Mourinho e ka vazhduar kontratën me klubin, duke thënë se “një klub si Madridi doemos duhet të ketë një trajner si Mourinho”.

Si dukej Kim kur ishte e vogël

Bukuroshja amerikane, Kim Kardashian, është mjaft aktive në rrjetin social Twitter, ndërsa së fundmi ka publikuar një fotografi nga fëmijëria e saj.
Ylli televiziv që aktualisht është personi më i kërkuar nga fotografët, si fëmijë është dukur mjaft e ëmbël, ndërsa në foto ka të veshur një xhemper të thjeshtë.

Fotografia e bërë kur ajo ishte shtatëvjeçare zbukuron murin e një dyqani rrobash të gjyshes së saj në San Diego.

Kim po qëndron në San Diego me familjen, ku po xhiron vazhdimet e shout real, ndërsa e ka shfrytëzuar rastin që të qëndrojë me gjyshen dhe me nënën e saj.

Ramos shkurton flokët

Futbollisti spanjoll, Sergio Ramos, do të shfaqet në Kampionatin Evropian me një stil të ri flokësh.
Mbrojtësi i Real Madridit në profilin e tij në Twitter ka publikuar disa fotografi me imazhin e tij të ri.

Marca shkruan se Ramos tash do të ngjajë me qendërmbrojtësin e Spanjës, Gerard Pique.

Atletico mund ta shesë Falcaon

Atletico Madrid raportohet se është në presion të shtuar për ta shitur Radamel Falcaon gjatë kësaj vere.
El Confidencial shkruan se Porto ka dalë publikisht duke zbuluar se Atletico i ka borxh 28 milionë euro nga shitja e Falcao dhe Ruben Micael.

Drejtuesit e Atleticos tashmë kanë thënë se ata mund të detyrohen të shesin për shkak të borxhit ndaj Portos.

Falcao është një prej caqeve kryesore të pronarit të Chelseat, Roman Abramovich, dhe shitja e tij do të rehatonte problemet financiare të Atleticos.

Chelsea gati 37 milionë për Hulk

Chelsea është i gatshëm të bëjë biznes me Porton për Hulk, duke ofruar 37 milionë për sulmuesin.
Klauzola blerëse e Hulk është 100 milionë euro dhe Porto është e vendosur të nxjerrë maksimumin për brazilianin.

The Times shkruan se oferta më e re e Chelseat është 37 milionë euro kesh. Blutë po ashtu janë të gatshëm t’i paguajnë lojtarit 9 milionë euro në vit për ta kompletuar transferimin e tij në Londër.

PSG, 30 milionë për Modric

Paris Saint Germain është duke e përcjellë situatën e Luca Modric te Tottenhami.
Spursat dëshirojnë ta mbajnë Modric në White Hart Lane dhe i kanë ofruar atij kontratë të re, pas interesimit të shfaqur nga Manchester United dhe Chelsea.

Megjithatë, Le Parisien shkruan se garës tash i është bashkuar edhe PSG. Të mbështetur nga investitorët arab, klubi francez është duke përgatitur ofertë në vlerën e 30 milionë eurove për të testuar rezistencën e Tottenhamit.

Orinda së shpejti nuse?

Orinda Huta, është fotografuar duke kërkuar fustane të bardhë të nusërisë.
Nuk dihet ende nëse këngëtarja Orina Huta është duke planifikuar të martohet me të dashurin e saj Turin, por ajo është fotografuar duke shikuar fustane të nusërisë.

Më herët ishte thënë se Orinda dhe i dashuri i saj i kishin dhënë fund lidhjes së tyre, por kjo ishte vetëm një thashetheme.

Kënga zyrtare e “Euro 2012” është “My House” (video)

Këngëtarja gjermane Oceana këndon këngën zyrtare të UEFA Euro 2012 me titull “Endless Summer”.
Kjo këngë do të përfshihet në soundtrack të UEFA Euro 2012, por edhe në albumin e ri të këngëtares, me titull “My House”, që pritet të qarkullojë nga mesi i qershorit.

Në videon e mëposhtme mund të shijoni “Endless Summer”, këngë e cila do të shoqërojë të gjitha ndeshjet e futbollit të Kampionatit Europian të Futbollit.

Vazhdon publikimi i pasurisë së zyrtarëve

Agjencia kundër Korrupsionit (AKK) ka publikuar sot në faqen e saj zyrtare të Internetit regjistrat e deklarimit të pasurisë të 900 zyrtarëve të lartë publik, nga 3656 sa janë të përfshirë në listën e atyre të cilët i parasheh Ligji për Deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë, dhe deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e dhuratave për të gjithë personat zyrtarë
Kategoria e atyre që u është publikuar pasuria i takon kryesisht zyrtarëve të cilët deklarimin e bëjnë për herë të parë, por ka edhe zyrtarë që kanë pasur për obligim ti deklarojnë vetëm ndryshimet e pasurisë së tyre

“AKK është duke punuar maksimalisht që të gjithë regjistrat nga formularët e deklaruar do të bëhen publike sa më shpejt të jetë e mundur dhe do të publikohen në mënyrë të vazhdueshme deri sa të përfundon i gjithë procesi i publikimit të pasurisë për të gjithë zyrtarët e lartë publik”, thuhet në kumtesën e lëshuar nga AKK.

Në njoftim thuhet së gjatë bartjes së të dhënave që deklarohen në formularin e deklarimit të pasurisë nga ana e zyrtarëve të lartë publik tek regjistrat e deklarimeve, mund të ndodhin lëshime teknike apo formulime të gabuara . Andaj AKK kërkon nga subjektet deklaruese qe ta njoftojnë me kohë këtë agjenci në mënyrë që të bëhen përmirësimet në afat sa me të shpejt për ti shmangur kështu paqartësitë qe mund të krijohen.

EULEX-i do të arrestojë barrikaduesit në veri

Misioni i Bashkimit Evropian për sundim të ligjit, EULEX, i cilëson të papranueshme kushtëzimet që strukturat paralele serbe ia kanë bërë këtij misioni në lidhje me ndalimin e lëvizjes së lirë në veri të Mitrovicës. EULEX ka paralajmëruar strukturat kriminale se do të arrestojë të gjithë ata që do të cenojnë lirinë e lëvizjes.
“Bllokimi i rrugëve, sulmi ndaj zyrtarëve të Bashkimit Evropian dhe ushtarëve të KFOR-it, si dhe nxitja e drejtpërdrejtë apo e tërthortë për dhunë, janë vepra të paligjshme dhe si të tilla, mund të shpijnë deri tek arrestimi apo ndjekja penale e personave të përfshirë”, ka thënë zëdhënësi i EULEX-it, Blerim Krasniqi.

“EULEX-i dëshiron ta bëjë të qartë se sundimi i ligjit duhet të mbizotërojë dhe se kërcënimet dhe dhuna janë vepra të kriminelëve. E kriminelët do të hetohen dhe aty ku ka prova të mjaftueshme, do të sillen para drejtësisë”, ka thënë Krasniqi, për Radio Evropa e Lirë.

Me këtë rast, misioni i EULEX-it i ka rikujtuar të gjithë se “duhet të ketë liri të lëvizjes të pakushtëzuar në gjithë territorin e Kosovës e veçanërisht në veri”.

Reagimi i EULEX-it ka pasuar një vendim të të ashtuquajturit Shtabi i Emergjencës në veri të Mitrovicës, i udhëhequr nga strukturat paralele serbe sipas të cilit, EULEX-it i ndalohet të lëvizë lirshëm në veri të Mitrovicës.

Ky organ kishte vendosur që ta kthejë si të detyrueshme kujdestarinë në barrikada për të gjithë qytetarët, për shkak të siç thuhet, kërcënimit të sigurisë dhe pronës.


Të premten, dy ushtarë të KFOR-it dhe të paktën tre serbë lokalë janë plagosur gjatë aksionit të Forcës Paqeruajtëse për heqjen e barrikadave në Rudarë afër Zveçanit.

Lidhur me situatën aktuale në veri, për REL është prononcuar edhe zëdhënësi i KFOR-it, Dan Harvi.

“Aktualisht, situata është e qetë. KFOR-i inkurajon të gjithë njerëzit e përgjegjshëm që të mos bëjnë deklarata nxitëse dhe që me mendjet e tyre të veprojnë në mënyrë paqësore”, ka thënë zëdhënësi Dan Harvi.

Allegri nuk do të lejojë shitjen e yjeve

Trajneri i Milanit, Massimiliano Allegri, thotë se emrat e mëdhenj të skuadrës nuk do të shiten gjatë kësaj vere.
Zlatan Ibrahimovic, Alexandre Pato dhe Thiago Silva, që të gjithë janë lidhur me largim nga San Siro ditëve të fundit.
“Kam dëgjuar dhe lexuar shumë gjëra, por ky klub nuk dëshiron të shesë askënd. Jam i sigurt se në gusht klubi do të ma dorëzojë ekipin e plotë – një që është edhe më konkurrues se që ky tash”.
“Do të shohim çfarë do të ndodhë dhe diçka e papritur mund të ndodhë në aspekt të lojtarëve të cilët vijnë...”, ka thënë Allegri

Xavi: Reali nuk ka respekt për Barcën

Tensionet në kampin e Spanjës duket se janë ngritur disa ditë para fillimit të Euro 2012, pasi ylli i Barcelonës, Xavi, thotë se Real Madridi nuk është treguar sportiv në disfatat gjatë viteve të kaluara.
Mesfushori i Barcës thotë se skuadra e tij gjithmonë ka shfaqur respekt për rivalët, por mendon se e njëjta gjë nuk ka ndodhur me kampionët e rinj të Ligës.
“Ne i kemi uruar kur ata fituan, ky është sporti në fund të fundit. Ne kemi treguar shumë respekt ndaj tyre, megjithatë kam vërejtur se nuk ka qenë e njëjta në anën e kundërt”, ka thënë Xavi për Canal+. 

Agjenti: Thiago Silva mbetet te Milani

Agjenti i Thiago Silva thotë se klienti i tij do të vazhdojë ta veshë fanellën kuqezi, pavarësisht interesimit nga shumë skuadra evropiane.
“Thiago Silva është lojtar i Milanit dhe ka pak gjëra për t’u thënë, përveç që ai do të vazhdojë të qëndrojë te Milani. Interesimi për Thiagon është i qartë, por edhe mua më pëlqen Cristiano Ronaldo si lojtar...”, ka thënë Paulo Tonietto për TMW.
“Thiago dëshiron të mbetet me Rossonerët. Ai është një djalosh me vlera të mëdha, edhe në nivelin human edhe futbollistik. Ai po ashtu është shumë i lumtur te Milani, andaj pse do të dëshironte të largohej?”.
“Nuk ka negociata për Thiago Silva, po ashtu sepse do të ishin shumë të vështira për t’u mbyllur. Nuk mund ta qetësoj frikën e tifozëve të Milanit pasi unë jam vetëm agjenti i tij, kjo është detyra e Milanit. Por unë mund të flas për lojtarin dhe ai dëshiron të mbetet”, ka shtuar agjenti.

Zyrtare: United nënshkruan me Kagawa

Manchester United ka konfirmuar se ka nënshkruar me sulmuesin e Borussia Dortmund, Shinji Kagawa.
“Manchester United është i ngazëllyer të zbulojë se ka arritur marrëveshje me Borussia Dortmund dhe Shinji Kagawa për transferimin e tij në klub”.
“Marrëveshja është vetëm subjekt i testeve mjekësore të lojtarit dhe sigurimit të lejes së punës britanike. Këto procedura pritet të kompletohen deri në fund të qershorit”.
Japonezi 23-vjeçar raportohet se i ka kushtuar klubit anglez 14 milionë funte. 

Ramires dëshiron ta mbrojë titullin e LK-së

Mesfushori i Chelseat, Ramirez, ka thënë se ambicia e tij është të fitojë edhe më shumë trofe sezonin e ardhshëm pasi ngriti trofeun e Ligës së Kampionëve muajin e kaluar.
Braziliani shënoi golin vendimtar në gjysmëfinale kundër Barcelonës, por ishte i suspenduar për finalen kundër Bayern Munichut.
“Tash duhet të vazhdoj të luaj mirë, pritjet do të jenë shumë më të larta nga tash. Me dëshirën e Zotit, dua ta fitoj Ligën e Kampionëve sërish dhe të fitoj ndonjë çmim të rëndësishëm. Do të punoj fuqishëm për ta arritur këtë”, ka deklaruar Ramirez. 

NBA: Thunder afër titullit të Perëndimit

Oklahoma City Thunder është vetëm një fitore larg për të fituar titullin e kampionit të Konferencës Perëndimore.
Thunder befasuan San Antonio Spurs duke e mposhtur në fushë të vet me rezultat 108-103 në ndeshjen e pestë finale.
Kevin Durant kryesoi me shënime te Thunder me 27 pikë, Russell Westbrook kontribuoi me 23 pikë të tjera, derisa Thunder morën avantazhin 3-2 në serinë e finaleve.
Manu Ginobili ishte më i sakti te skuadra vendase duke shënuar 34. Ndeshja e gjashtë mes dy finalistëve të Perëndimit do të zhvillohet të mërkurën në Oklahoma City. 

Leonardo nis negociatat me Ibran?

Paris Saint Germain është duke bërë hapa konkret në transferimin e sulmuesit të Milanit, Zlatan Ibrahimovic.
Suedezi ka joshur interesimin e Manchester Cityt dhe Real Madridit që nga fundi i sezonit, por kandidati më serioz për të marrë shërbimet e tij duket të jetë klubi nga kryeqyteti francez.
Mediat franceze kanë raportuar se Leonardo tashmë ka biseduar me agjentin e Ibras, Mino Raiola për një transferim të klientit të tij te PSG, por ende nuk ka ndonjë përgjigje konkrete.

Maradona: Koha e duhur për ta shitur Lavezzin

Legjenda e Napolit, Diego Maradona, mendon se është koha e duhur për ta shitur Ezequiel Lavezzin.
Argjentinasi raportohet se është afër kalimit te PSG, dhe Maradona mendon se ky do të ishte një hap i qëlluar.
“Lavezzi drejt Paris Saint-Germain? Është mirë për presidentin De Laurentiis ta shesë atë nëse pranon shumë para, pastaj t’i përdorë ato për ta përforcuar ekipin”.
“El Pocho tashmë ka dhënë gjithçka që mundet për Napolin. Ndryshimi i ambientit, shkuarja në Paris, do të thotë rikthim motivimi për të”, ka thënë Maradona.

Rodgers nuk do ta shesë Suarezin

Menaxheri i ri i Liverpoolit, Brendan Rodgers, nuk do të mendojë për shitjen e Luis Suarez.
Uruguaiani është lidhur me kalim te Juventusi këtë verë, pas problemeve që pati sezonin e kaluar dhe ndryshimeve që ndodhën në stafin drejtues.
“Mendohet se Juventusi do të ofrojë 16 milionë funte ose të mundohet të ofrojë para plus lojtarë si Eljero Elia ose Milos Krasic”.
“Por Rodgers ka biseduar me Luis për të rritur vetëbesimin dhe për ta shpjeguar projektin e ri dhe rolin e tij në skuadër. Luis është i qetë për gjithçka”, ka thënë burimi për The Sun.

Mentori i ftuar special në koncertin e Rita Orës

Këngëtari Mentor Haziri, mbrëmë në Emirates Stadium në Londër,k ka qenë i ftuar special në koncertin e këngëtares Rita Ora, ku ishin përmbi 70 mijë adhurues të këngëtares.
Sipas burimeve të Telegrafit, Rita ka pritur mjaft mirë Mentorin duke e njoftuar me gjithë familjen e saj, dhe të pranishmit në dhomën e VIP-ve.
Këngëtarja me prejardhje kosovare e ka përgëzuar Mentorin për suksesin e tij që ai arriti në MTV.
Nuk dihet nëse në të ardhmen e afërm do të ketë ndonjë bashkëpunim mes Mentorit dhe Ritës, pasi që Rita vlerëson mjaft shumë vokalin e këngëtarit.
Së bashku me Mentorin i ftuar në koncertin e Ritës, ka qenë edhe këngëtari Xuxi.
Mentor Haziri këtë verë pritet të sjell projekte të reja muzikore. 

Burn vijnë me “njerëzit që takojnë çdo ditë”

Rok grupi nga Shqipëria, “Burn”, ka publikuar këngën më të re të titulluar “Njerëzit që takoj çdo ditë”.
“Burn” me këtë këngë kanë qenë konkurrent në Top Fest 9 ku u shpërblyen me çmimin “Best Grup”.
Më poshtë mund ta dëgjoni këngën “Njerëzit që takoj çdo ditë” të shoqëruar me videoklip. 

Genta: Kam oferta nga Partia Socialiste

Genta Gjalpi, ish-banorja e shtëpisë Big Brother tani do të jetojë në Tiranë, gjë që ishte qëllimi kryesor për të cilin ajo mori pjesë në këtë reality show.
Tashmë që loja e “Big Brother 5” ka mbaruar, dhe Genta është përballur me jetën reale.
“Jeta ime ka filluar të ndryshojë. Që në momentin që del nga ajo lojë, gjithçka ndryshon. Unë kam menduar të shpërngulem përgjithnjë në Tiranë, pasi kam marrë oferta të ndryshme për punë, që mendoj se do më ndryshojnë jetën”, ka thënë ajo për ‘’Panorama’’.
“Këto ditë kam marrë disa oferta për të hyrë në politikë, më konkretisht nga Partia Socialiste, pasi dhe bindjet e mia i takojnë kësaj partie. Mendoj që do mund të arrij diçka për faktin se kam oratorinë, që s’më lë kurrë në baltë”, ka shtuar Genta.
Në të ardhmen ajo e sheh veten mes politikës dhe televizionit dhe thotë sa i kanë ardhur fjalë se për të është menduar një rol në sezonin e ri të spektaklit “Portokalli”.

Grupi Aurora së shpejti me "Mihane"

Grupi i njohur nga Prishtina, “Aurora”, së shpejti do të vijë me klipin më të ri, “Mihane'.
Anëtarët e grupit shpresojnë se ky klip, i shtatëmbëdhjeti me radhë, do të zgjojë interesim dhe të ketë një sukses të plotë.
Tekstin dhe muzikën i ka bërë vetë grupi, kurse postproduksionin DJ Cimi.
Kjo është një këngë ritmike, e cila shënon një hap tjetër të suksesshëm të këtij grupi. 

A duhet të jemi egoistë për të qenë të lumtur?

Pse disa njerëz ndihen më të lumtur se disa të tjerë dhe a mos ndoshta një arsye drejt kësaj ndjenje është të qenit egoist?
S’ka asnjë njeri që nuk është egoist. Dhe, në fakt sa mirë që është ashtu. Të gjithë ne kemi nevojë të jemi të fokusuar tek vetja dhe të përmbushim nevojat që kemi, për të arritur atë që Maslow profesor i psikologjisë në universitetin “Brandeis”, e quante vetaktualizim. Çfarë do të thotë kjo? Kjo do të thotë vetarritje. Ne përpiqemi të arrijmë qëllimet e vendosura për të kënaqur egon tonë, por jeta ka treguar se nuk e bën dot i vetëm.
Sigurisht, njeriu lind dhe vdes i vetëm, askush nuk e jeton jetën në vendin tuaj, por njëkohësisht askush nuk arrin dot të plotësojë vetarritjen nëse nuk kalon nëpërmjet “tjetrit”. Ne e kemi të nevojshme që të na duan dhe t'i duam të tjerët. Vetëm kur jep mund të marrësh, vetëm kur dashuron mund të marrësh, etj. Te gjitha këto tregojnë se njeriu e ka të nevojshëm, gati të pashmangshëm, tjetrin në jetën e tij. Ka nevojë të dojë dhe ta duan. Edhe kjo në vetvete është një formë egoizmi.
Po ku bëhet dallimi? Të refuzosh tjetrin dhe të preokupohesh për të, do të thotë të shpërblehesh me të njëjtin qëndrim. Kur interesi për tjetrin bie në kthetrat e egoizmit: “nuk e vras mendjen për të tjerët”, atëherë kemi të bëjmë me arritjen e lumturisë vetjake të përkohshme, por me përjetimin e një vetmie të gjatë në të ardhmen. “Tjetri”, edhe sikur t’jua ‘bezdisë’ egon tuaj qaramane shpeshherë, është një realitet i domosdoshëm për t’u vet aktualizuar, për të jetuar. 

Antioksiduesit e ruajnë dëgjimin

Hulumtimi i madh në të cilin kanë marrë pjesë rreth 3000 persona ka treguar se vitaminat A dhe E janë mbrojtës të jashtëzakonshëm të dëgjimit të mirë.
Njerëzit të cilët kanë përdorur sasi më të mëdha të rekomanduara të vitaminës A, kanë pasur madje 47% rrezik më të vogël nga forma e humbjes së dëgjimit në krahasim me ata të cilët kanë marrë sasi më të vogël të kësaj vitamine.
Në anën tjetër, shtimi i sasisë së përdorimit të vitaminës E është e lidhur me zvogëlimin për 14% të humbjes së dëgjimit. 

Instapaper vjen edhe në Android

Këtë javë, Instapaper e ka lansuar aplikacionin e ri për platformën mobile të Google, Android.
Aplikacioni i ri në Android do t’i lejojë përdoruesit të lexojnë në mënyrë klasike,  ndërsa përdoruesit e iPhone këtë mundësi e kanë pasur për një kohë të konsiderueshme.
Për ta përdorur aplikacionin e ri të Instapaper në Android, ju do të duheni të keni Android 2.1+ në telefonin tuaj.
Për Instapaper, faqja The Verge ka lëshuar një video të shkurtër me të cilën ajo e sqaron aplikacionin dhe funksionet kryesore të ofruara nga i njëjti.
Instapaper për Android është në dispozicion për shkarkim në Google Play, Amazon Android, App Store, dhe Nook Market  për një çmim prej 2.99 dollarësh. 

Ariu në një pishinë private (Video)

Një video në të cilën shihet një ari duke u larë në një pishinë, është bërë hit në internet.
Motrat Rachel dhe Valerie Gasparini kur janë kthyer në shtëpinë e tyre në Monrovia të Kalifornisë e kanë gjetur kafshën duke u freskuar në pishinën e tyre.
Ato e kanë shfrytëzuar rastin që përmes telefonit ta xhirojnë ariun teksa kënaqej. Kjo ngjarje atyre iu është dukur më shumë interesante sesa e frikshme. 

Merr goditje vdekjeprurëse – por shpëton të tjerët (Video)

Një shofer autobusi në Kinë gjatë vozitjes është goditur me një pjesë metali, i cili i ka ardhur nga përpara, ndërsa përkundër lëndimeve serioze, Wu Bin e ka duruar dhimbjen dhe ka arritur ta ndalojë autobusin duke i shpëtuar udhëtarët.
Autobusi lëvizte nëpër autostradë me shpejtësi prej 90 kilometrash në orë, kur në një moment një pjesë metali ka goditur në xhamin e përparmë duke e lënduar vozitësin në dorë dhe bark – shkruan NY Daily News.
Në xhirimet e kamerave të sigurisë shihet Wu Bin duke e ndalur autobusin dhe me gjithë dhimbjet çohet në këmbë për t’i paralajmëruar udhëtarët që të mos dalin nga autobusi në autostradë.
Ai është dërguar shpejt në spital, me disa brinjë të thyer dhe dëmtim të mëlçisë, ndërsa mjekët nuk kanë mundur t’ia shpëtojnë jetën. 

Nëse ju duket vetja shofer, mendoni sërish (Video)

Mjeshtrit kinez të vozitjes, Han Yue, i janë dashur vetëm 15 centimetra hapësirë mes automjetit të tij dhe automjeteve tjera, për të thyer rekordin Guinness të parkimit paralel.
Ngjarja ka ndodhur gjatë promovimit të modelit të ri të Mini, “The Chinese Job”, në Pekin.
Rekordi në parkimin paralel është ndërruar pesë herë në dy vitet e fundit. Në prill, Patric Folco arriti ta parkojë veturën mes dy automjetesh në hapësire prej 22 centimtrash.
U mendua se ky rekord do të qëndrojë gjatë, megjithatë Yue e zvogëloi diferencën në 15 centimetra. 

Fabrika e ujit fillon të ndërtohet më 2013

Marrëveshje për kredi dhe financim në shumë prej 25 milionë euro për të përkrahur përmirësimin e sistemit të furnizimit me ujë në Prishtinë, si dhe marrëveshje për financim dhe projekt, kanë nënshkruar të martën ministri i Financave, Bedri Hamza me drejtorin menaxhues të KUR “Prishtina” dhe drejtori i zyrës regjionale të Bankës Gjermane për Zhvillim (Kfw), për Shqipëri e Kosovë.
Ky projekt përmban ndërtimin e fabrikës së re të ujit në Shkabaj dhe ndërtimin e rrjetit të ri dhe stacionit të pompimit që mundësojnë kyçjen e fabrikës së re të ujit në kanalin e Ibrit dhe në rrjetin tjetër ekzistues. Gjithashtu përmban investime për mbrojtjen e kanalit të Ibrit.
Ministri i Financave, Bedri Hamza ka thënë se ky projekt zgjedh problemin e furnizimit me ujë për komunën e Prishtinës, Podujevës, Fushë Kosovës, Lipjanit dhe Graçanicës. “Ky projekt është një projekt kapital që kap vlerën prej rreth 32 milion euro ku 20 milion janë kredi nga KfW-ja, me kushte mjaftë të volitshme, 5 milionë euro janë nga Komisioni Evropian dhe pjesa tjetër do të financohet nga institucionet e Kosovës”, tha Hamza.
Ndërsa Rene Eschman, drejtor i zyrës regjionale të KfW-së, ka thënë se deri tani kanë dhuruar 70 milionë euro në Kosovë, që nga 1999, duke thënë se kanë përkushtimin të bëjnë edhe më shumë. “Me këtë projekt, ne po bëjmë infrastrukturën e re për furnizimin me ujë për 2 ose 3 dekadat në vijim. Për njerëzit që jetojnë në territorin e Prishtinës, kompanitë e ujit e mbulojnë përafërsisht 40% të popullsisë me furnizimi me ujë. Ministri veç e përmendë se çfarë përmban projekti, pra synimi i këtij projekti është ngritja e standardit të ujit, që t’i mbrojmë resurset e ujit me furnizim”, theksoi Eschman.
Drejtori menaxhues i KUR “Prishtina”, Gjelosh Vataj ka pohuar se me këtë projekt në 20 deri në 30 vitet e ardhshme do të ketë furnizimi me ujë të pijshëm 24 orë për të gjithë komunat që janë pjesë e projektit.

Hip nafta

Kontratat e naftës të martën u rritën të mbështetura nga shpresat se politikë-bërësit globalë do të marrin vendime të rëndësishme për të garantuar zgjidhjen e krizës në Eurozonë dhe një normë më të lartë të rritjes së ekonomisë globale.
Ndikim pozitiv për çmimin e naftës bruto ka dhënë edhe zhvlerësimi i dollarit në tregjet monetare, vlera e të cilit është në raport të zhdrejtë me çmimin e naftës. Nafta bruto Brent e Londrës për korrikun u rrit 63 cent në 99.48 dollarë për fuçi.
Nafta bruto amerikane për korrikun u rrit 84 cent ën 84.82 dollarë për fuçi. Në muajt e fundit tensioni mes Iranit dhe Perëndimit në lidhje me programet bërthamore të republikës islamike rritën naftën Brent në 128 dollarë për fuçi dhe analistët thonë se vlera aktuale e kësaj kontrate paraqet rënien e ndikimit që ka në treg situata gjeopolitike.

AAK-ja nuk do të jetë pjesë e bisedimeve për veriun

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) nuk ka marrë asnjë ftesë për të qenë pjesë e ndonjë ekipi që do të bisedonte për veriun e Kosovës, por edhe sikur të kishte ftesë, përgjigjja do të ishte negative. Kështu deklaroi nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi, sipas të cilit AAK-ja nuk pranon të jetë pjesë e çfarëdo ekipi qeveritar për të biseduar për veriun.
“Jo, sepse i kemi kryer punët me ekipe në të kaluarën, tani Kosova duhet të funksionojë si shtet dhe kjo Qeveri, e cila nuk ka investuar deri tash asgjë, që nuk po e bën edhe më tutje, mendojmë se duhet të shkojë nga skena e qeverisjes”, tha Isufi, raporton RTK.
Ai tha se “Kosova është shtet i pavarur dhe sovran dhe askush nuk ka të drejtë dhe nuk guxon të bisedojë me askënd për veriun, përveçse me qytetarët e kësaj pjese”.
Isufi theksoi se Kosova ka nevojë për një Qeveri tjetër që siguron jetë më të mirë për të gjithë qytetarët dhe garanton liri të lëvizjes në gjithë territorin e vendit. Këto komente, nënkryetari i AAK-së i bëri në konferencën për media, në të cilën u bë publik kalimi i një pjese të kryesisë së degës së AKR-së në Kaçanik.
Kryetari i deritashëm i degës së AKR-së, Naser Troni tha se në AAK ka kaluar pasi që këtë parti e vlerëson serioze dhe të organizuar mirë, ndërsa dha arsyet pse është larguar nga AKR-ja.

EULEX-i në Kosovë, deri në vitin 2014

Këshilli i Bashkimit Evropian ka vendosur sot t’ia zgjasë mandatin e misionit EULEX në Kosovë deri më 14 qershor 2014. Brenda 10 ditësh stafi i EULEX-it do të ketë 700 ndërkombëtarë më pak, kurse stafi lokal do të vogëlohet për 200 veta.
Vendimin për zgjatjen e mandatit të EULEX-it e ka përshëndetur Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian, Catherine Ashton.
E mirëpres zgjatjen e mandatit të EULEX-it për dy vjet të tjera. EUELEX është duke bërë një punë të rëndësishme dhe të mirë në përkrahjen e sundimit të ligjit në Kosovë. I inkurajoj autoritetet e Kosovës që ta shfrytëzojnë ekspertizën e EULEX-it përderisa ky mision është duke iu adaptuar ndryshimit të rrethanave dhe progresit të arritur. Në të ardhmen do të ketë nevojë që gjithnjë e më shumë përgjegjësitë të merren nga autoritetet lokale”, ka thënë Ashton, transmeton KosovaTimes.
Mandati i misionit të EULEX-it në masë të madhe mbetet i pandryshuar, por duke marrë parasysh progresin e arritur gjatë tri viteve të kaluar dhe meqenëse EULEX-i e ka arritur kapacitetin e plotë operacional, si dhe duke marrë parasysh zhvillimet e përgjithshme në marrëdhëniet BE - Kosovë, Misioni do të rikonfigurohet. Kjo ka për qëllim që ta bëjë Misionin më të fortë dhe më efikas.
Meqenëse sektori i drejtësisë mbetet sfida më e madhe, do të ketë një fokusim të veçantë në këtë fushë. Rikonfigurimi përfshinë një zvogëlim të përgjithshëm të stafit të EULEX-it, për rreth 25 për qind.
Që nga 15 qershori i këtij viti, maksimumi i stafit ndërkombëtar të EULEX-it do të jetë 1 250 pjesëtarë dhe 1 000 pjesëtarë lokalë.
Deri më tash, EULEX-i ka pasur rreth 1 mijë e 950 ndërkombëtarë dhe 1 mijë e 200 lokalë.

Mustafa në Asamblenë e Partive Popullore Evropiane

Me ftesë të Partive Popullore Evropiane (PPE), kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa po merr pjesë në Asamblenë Politike të PPE-së, që po mbahet në Bruksel.
Në Asamblenë Politike, Mustafa e ka arsyetuar kërkesën e LDK-së për t’u bërë pjesë e Partive Popullore Evropiane, e kësaj familjeje të madhe evropiane të partive të qendrës së djathtë, parti këto që udhëheqin pjesën më të madhe të vendeve të BE-së, thuhet në njoftimin e lëshuar nga LDK-ja.
Fjala e kryetarit Mustafa është mirëpritur nga Aamblea Politike dhe është përcjellë me duartrokitje nga përfaqësuesit e mbi 70 partive, anëtare të PPE.
Mustafa theksoi vlerat e përbashkëta të LDK-së me partitë Popullore Evropiane, si respektimi i lirisë, demokracia dhe sundimi i rendit e ligjit.
Kryetari i LDK-së theksoi se anëtarësimi i LDK-së në këtë familje do ta ndihmojë jashtëzakonisht shumë jo vetëm LDK-në, por edhe Kosovën, si një shtet i ri, për të cilin janë jetike vlerat që ka ndërtuar dhe që mbron LDK-ja. 

Thaçi në vizitë zyrtare në Japoni

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka udhëtuar sot për një vizitë zyrtare në Japoni, ku do të qëndrojë prej 6 deri më 9 qershor.
Gjatë qëndrimit në Tokio, Kryeministri Thaçi do të zhvillojë takime me kryeministrin e Japonisë, Yoshihiko Noda, me Ministrin e Punëve të Jashtme, Koichiro Gemba, Ministrin e Ekonomisë, Tregtisë dhe Industrisë, Yukio Edano, si dhe do të vizitojë Odën Japoneze të Ekonomisë dhe Industrisë.
Fokusi i kryesor i të gjitha takimeve të kryeministrit Thaçi me zyrtarët më të lartë shtetëror të Japonisë do të jetë thellimi i bashkëpunimit mes dy shteteve, me theks të veçantë në fushën e ekonomisë, njofton kabineti i Kryeministrit. 

SHBA forcon praninë ushtarake në Ballkan

Pentagoni po forcon kontrollin dhe praninë ushtarake amerikane në Ballkan, shkruan portali amerikan OpEdNews. NATO dhe luftërat e udhëhequra nën komandën e saj, jo vetëm në Ballkan, por edhe në Afganistan dhe Irak, bënë që Pentagoni të ndërtojë kampin gjigant në Bondsteell në Kosovë, tri baza ajrore në Bullgari dhe Rumani si dhe shtabe për operacione në disa vende tjera.
Në një analizë të publikuar shqyrtohet dhe analizohet prania amerikane në rajonin e Ballkanit, por edhe në tërë botën, duke shtuar se SHBA po rrisin praninë edhe të stërvitjeve ushtarake në Ballkan.
Në analizë rekomandohet se tre vendet aspirantë për anëtarësim në NATO, ish-republikat jugosllave Bosnjë- Hercegovina, Maqedonia dhe Mali i Zi si dhe shteti i katër Gjeorgjia, në rast se përfshihen në konflikte, mund të jenë arsye për një përplasje midis dy forcave më të mëdha nukleare, transmeton INA.
Autori Rik Rozof shkruan se para, gjatë dhe pas Samitit të 25 të NATO-s që u mbajt në Çikago, Pentagoni ka vazhduar me zgjerimin e pranisë së saj ushtarake në ish-vendet e Jugosllavisë dhe në vendet tjera ballkanike.
OpEdNews përshkruan pranimin e anëtareve të reja në NATO nga viti 2004, duke përmendur Kroacinë dhe Shqipërinë, ndërsa nënvizohet se Maqedonia mund të bëhej anëtare e barabartë në vitin 2008, por kjo nuk ndodhi për shkak të kontestit të zvarritur të emrit me Greqinë.
NATO dhe luftërat e udhëhequra nën komandën e saj, jo vetëm në Ballkan, por edhe në Afganistan dhe Irak, bënë që Pentagoni të ndërtojë kampin gjigant në Bondsteell në Kosovë, tri baza ajrore në Bullgari dhe Rumani si dhe shtabe për operacione në disa vende tjera.
Analiza përmend edhe stërvitjen komanduese dhe të terrenit të NATO që u mbajt prej 22 – 29 maj në Maqedoni me 2200 ushtarë nga 25 vende përfshirë edhe SHBA-të.
Sipas OpENews, para Samitit të NATO-s një numër i madh i diplomatëve dhe analistëve kanë apeluar për nevojën e një liderizmi më të madh të Amerikës që Aleanca të funksionojë më mirë dhe të mos përballet me pasiguri në të ardhmen.

Nikolic do të takojë ilegalët në veri

Pak ditë pasi ushtarët e KFOR-it u përleshën me serbët e Kosovës në një barrikadë, presidenti i ri i Serbisë, Tomisllav Nikolic, ka theksuar se ishte gati të takohet me udhëheqësit serbë në veri të Kosovës, për të diskutuar për reagimin e vendit të tij ndaj një operacioni të KFOR-it, që la tre njerëz dhe dy ushtarë të plagosur në veri të Kosovës.
Nikolic ka në plan të nis takimin këtë javë me zyrtarët e partive, në përgatitje për formimin e një qeverie të re.
Ai i ka thënë për B92 se kishte në plan gjithashtu që të takohet me serbët e Kosovës.
”Shtetasit duhet të dinë çfarë i pret ata e pas çfarë vendimesh qëndron shteti i tyre. Dhe atë që nuk është rënë dakord e është një manipulim i vullnetit e i dëshirës së tyre, një manipulim me forcë që Prishtina duket se po kërkon të shfaq tani”, ka theksuar Nikolic. 

Arrestime në MPB për riatdhesimin

Procesi për riatdhesim është vënë në shënjestër të prokurorisë, kurse një zyrtar i Ministrisë së Punëve të Brendshme tashmë është arrestuar për marrje të ryshfetit nga pronari i komapnisë përgjegjëse për akomodimin e personave të riatdhesuar. Ndërsa MPB i konfirmon dyshimet për keqpërdorime dhe dështimet lidhur me procesin e riatdhesimit.
Tenderin e shpallur nga Minisitria e Punëve të Brendshme (MPB), për akomodimin e personave të riatdhesuar, e ka fituar kompania “Iliricum” dhe kontrata ka nisur të implementohet në prill të vitit të kaluar.
Por, Rexhep Krasniqit, pronari i Kompanisë “Iliricum”, nuk i kanë ecur punët mbarë, ngase persona nga MPB i kanë kërkuar të holla gjatë implementimit të tenderit.
“Hajde, qysh s’po jep pare, ke marrë tender mbi gjysmë milioni euro”, i kishin thënë atij zyrtarë të MPB-së.
Krasniqi kishte kuptuar se hetuesit policorë po dilnin në teren dhe po i shqetësonin të riatdhesuarit dhe në bisedë me zyrtarë nga MPB, atij i kishin kërkuar para në këmbim të mos shqetësimit dhe mos prishjes së tenderit.
Tërë këto biseda Krasniqi i ka incizuar. “Kur lyp Jeton Veliu pare, jepi, se është njeri i afërt me Bajram Rexhepin edhe mundet me ta prish tenderin”, kështu e kishte porositur Krasniqin drejtori i auditimit në MPB, Bashkim Berisha, shkruan “Zëri’.
Veliu, i punësuar si person që bartë postën brenda MPB-së, disa herë kishte kërkuar para nga Krasniqi dhe në disa raste kishte marrë nga 200 deri në 500 euro.
Shqetësimet e tij, Krasniqi ia ka paraqitur prokurores Drita Hajdari, e cila ka nisur hetimet. Ajo ka realizuar një simulim duke arrestuar në flagrancë Jeton Veliun, i cili po merrte 400 euro nga Krasniqi.
Ajo thotë se ka intervistuar disa zyrtarë të MPB-së, kurse lista e zyrtarëve të kësaj ministrie që përmenden në incizime e ofruara nga Krasniqi është rreth 15 persona.
Prokurorja tashmë e ka dorëzuar rastin në kompetencë të prokurorisë komunale, meqë kemi të bëjmë me vepër penale të marrjes së ryshfetit.
Drejtori i prokurimit në MPB, Bashkim Berisha, pranon se është audituar procesi i riatdhesimit, por nuk ka dëshiruar të flasë në lidhje me të arrestuarit.
As sekretari i MPB-së. Ilhami Gashi, nuk ka dashur të komentojë lidhur me arrestimin e zyrtarit të kësaj ministrie, por ka pranuar se procesi i riatdhesimit u ka dalë të jetë i komplikuar dhe pranon se ka dyshime për keqpërdorime, duke thënë se vetë kanë kërkuar ndihën e prokurorisë.

“e-Kabineti” gëlltit rreth 330 mijë euro

Sekretari i Ministrisë së Administratës Publike (MAP), Fitim Sadiku ka aprovuar kërkesën e drejtorit të Departamentit të e-Qeverisjes dhe Proceseve Administrative (DeQPA) Driart Elshani, për ta shpërblyer kompaninë nga Maqedonia “Microsoft” në vlerë prej rreth 330 mijë euro pa hapur fare tender, për projektin e “e-Kabinetit”.
Safet Hoxha, kryetar Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, është shprehur të mos jetë në dijeni në lidhje me këtë aktivitet të MAP-it.
Në anën tjetër, edhe shoqëria civile është shpreh kundër asaj që kompanitë e huaja të shpërblehen madje pa procedura të prokurimit, pasi që sipas tyre në Kosovë ka dhjetëra kompani që operojnë në fushën e teknologjisë informative.
Avni Zogiani nga Organizata “Çohu”, ka pohuar për “Tribuna Shqiptare” se nuk ka pasur nevojë fare që Qeveria të shpenzoj këto mjete, pasi që sipas tij, të njëjtat shërbime i ofron “Linux” përmes Open Source. 

Krasniqi: AKI nuk gjeti asgjë kundër Kurtit

Deputeti i Vetëvendosjes, Florin Krasniqi thotë se AKI duket se nuk ka gjetur asgjë të dyshimtë në dosjen për Albin Kurtin që është përgatitur nga deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu.
“Ata thonë se nuk ka asnjë bazë për të dyshuar se Albini apo dikush tjetër nga Vetëvendosja është bashkëpunëtor i ndonjë shërbimi të huaj”, ka thënë Krasniqi në një intervistë për “Tribuna Shqiptare”.
Ai thotë se deri tash ka arritur të mbledhë 23 nënshkrime për nismën e tij për të hapur një hetim parlamentar për shërbimet inteligjente, ndërsa thotë se edhe pesë deputetë kanë premtuar që të enjten do të m’i japin nënshkrimet.
Krasniqi thotë se hezitimi i deputetëve të LDK-së për të përkrahur këtë nismë mund të shpjegohet “me faktin se sipas të gjitha gjasave edhe i ashtuquajturi shërbim sekret i LDK-së, Sigurimi i Atdheut, duket se ka qenë vetëm një filiale e SHIK-ut”.