Marrëveshje për kredi dhe financim në shumë prej 25 milionë euro për të përkrahur përmirësimin e sistemit të furnizimit me ujë në Prishtinë, si dhe marrëveshje për financim dhe projekt, kanë nënshkruar të martën ministri i Financave, Bedri Hamza me drejtorin menaxhues të KUR “Prishtina” dhe drejtori i zyrës regjionale të Bankës Gjermane për Zhvillim (Kfw), për Shqipëri e Kosovë.
Ky projekt përmban ndërtimin e fabrikës së re të ujit në Shkabaj dhe ndërtimin e rrjetit të ri dhe stacionit të pompimit që mundësojnë kyçjen e fabrikës së re të ujit në kanalin e Ibrit dhe në rrjetin tjetër ekzistues. Gjithashtu përmban investime për mbrojtjen e kanalit të Ibrit.
Ministri i Financave, Bedri Hamza ka thënë se ky projekt zgjedh problemin e furnizimit me ujë për komunën e Prishtinës, Podujevës, Fushë Kosovës, Lipjanit dhe Graçanicës. “Ky projekt është një projekt kapital që kap vlerën prej rreth 32 milion euro ku 20 milion janë kredi nga KfW-ja, me kushte mjaftë të volitshme, 5 milionë euro janë nga Komisioni Evropian dhe pjesa tjetër do të financohet nga institucionet e Kosovës”, tha Hamza.
Ndërsa Rene Eschman, drejtor i zyrës regjionale të KfW-së, ka thënë se deri tani kanë dhuruar 70 milionë euro në Kosovë, që nga 1999, duke thënë se kanë përkushtimin të bëjnë edhe më shumë. “Me këtë projekt, ne po bëjmë infrastrukturën e re për furnizimin me ujë për 2 ose 3 dekadat në vijim. Për njerëzit që jetojnë në territorin e Prishtinës, kompanitë e ujit e mbulojnë përafërsisht 40% të popullsisë me furnizimi me ujë. Ministri veç e përmendë se çfarë përmban projekti, pra synimi i këtij projekti është ngritja e standardit të ujit, që t’i mbrojmë resurset e ujit me furnizim”, theksoi Eschman.
Drejtori menaxhues i KUR “Prishtina”, Gjelosh Vataj ka pohuar se me këtë projekt në 20 deri në 30 vitet e ardhshme do të ketë furnizimi me ujë të pijshëm 24 orë për të gjithë komunat që janë pjesë e projektit.