Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) nuk ka marrë asnjë ftesë për të qenë pjesë e ndonjë ekipi që do të bisedonte për veriun e Kosovës, por edhe sikur të kishte ftesë, përgjigjja do të ishte negative. Kështu deklaroi nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi, sipas të cilit AAK-ja nuk pranon të jetë pjesë e çfarëdo ekipi qeveritar për të biseduar për veriun.
“Jo, sepse i kemi kryer punët me ekipe në të kaluarën, tani Kosova duhet të funksionojë si shtet dhe kjo Qeveri, e cila nuk ka investuar deri tash asgjë, që nuk po e bën edhe më tutje, mendojmë se duhet të shkojë nga skena e qeverisjes”, tha Isufi, raporton RTK.
Ai tha se “Kosova është shtet i pavarur dhe sovran dhe askush nuk ka të drejtë dhe nuk guxon të bisedojë me askënd për veriun, përveçse me qytetarët e kësaj pjese”.
Isufi theksoi se Kosova ka nevojë për një Qeveri tjetër që siguron jetë më të mirë për të gjithë qytetarët dhe garanton liri të lëvizjes në gjithë territorin e vendit. Këto komente, nënkryetari i AAK-së i bëri në konferencën për media, në të cilën u bë publik kalimi i një pjese të kryesisë së degës së AKR-së në Kaçanik.
Kryetari i deritashëm i degës së AKR-së, Naser Troni tha se në AAK ka kaluar pasi që këtë parti e vlerëson serioze dhe të organizuar mirë, ndërsa dha arsyet pse është larguar nga AKR-ja.