Me ftesë të Partive Popullore Evropiane (PPE), kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa po merr pjesë në Asamblenë Politike të PPE-së, që po mbahet në Bruksel.
Në Asamblenë Politike, Mustafa e ka arsyetuar kërkesën e LDK-së për t’u bërë pjesë e Partive Popullore Evropiane, e kësaj familjeje të madhe evropiane të partive të qendrës së djathtë, parti këto që udhëheqin pjesën më të madhe të vendeve të BE-së, thuhet në njoftimin e lëshuar nga LDK-ja.
Fjala e kryetarit Mustafa është mirëpritur nga Aamblea Politike dhe është përcjellë me duartrokitje nga përfaqësuesit e mbi 70 partive, anëtare të PPE.
Mustafa theksoi vlerat e përbashkëta të LDK-së me partitë Popullore Evropiane, si respektimi i lirisë, demokracia dhe sundimi i rendit e ligjit.
Kryetari i LDK-së theksoi se anëtarësimi i LDK-së në këtë familje do ta ndihmojë jashtëzakonisht shumë jo vetëm LDK-në, por edhe Kosovën, si një shtet i ri, për të cilin janë jetike vlerat që ka ndërtuar dhe që mbron LDK-ja.